/Ascanio Celestini/
Të më falni që po ju quaj kështu. Unë e di që ju nuk i përdorni më këta terma. Po për mua, ju fatzinj, rreckamanë, të poshtëruar, të ofenduar jeni gjithmonë. Ju proletarë të të gjithë botës, që duhet të ishit bashkuar për të këputur zinxhirët që ju mbajnë lidhur. Për këtë arsye po ju thërras “të dashur shokë dhe të dashura shoqe”.
Unë nuk i përkas sojit tuaj, sepse unë jam pronar, apo e thënë me terma marksistë, i përkas klasës sunduese; ose, siç do thoshte Gramshi, i përkas klasës hegjemone. Por, sa të bukura janë këto fjalët tuaja, sepse i keni krijuar ju këto fjalë. Ne thjesht i kemi marrë borxh.
A nuk është më bukur të përdoret binomi “hegjemoni/nënshtrim”, që është kaq antropologjik, sesa termat e vjetër “pronar/skllav” që i kemi dëgjuar shpesh?! A nuk është shumë më e bukur, më thumbuese e provokuese, të përdorësh binomin “sundues/i sunduar”? Është njësoj si të thuash “unë rri lart e ti rri poshtë”. Është shumë herë më mirë sesa të thuash, për shembull, “viktimë dhe kasap”, që të rrëqeth mishin.
Janë fjalët tuaja, të dashur shokë e të dashura shoqe; që i kemi mësuar nga ju të dashur shokë dhe të dashura shoqe. Ne kemi mësuar çdo gjë nga ju. Ne ju kemi grabitur tokat, ju kemi rrëmbyer dyqanet, ju kemi ngucur brenda fabrikave duke ju kemi detyruar për të punuar njëri mbi tjetrin; dhe mendonim se kishim arritur të bënim diçka gjeniale. Por në fakt jo. Ne ju kemi marrë si thërrimet nga një tavolinë e zbrazur dhe ju kemi mbledhur të gjithë bashkë, ngushtësisht, si pesë gishta të shtrënguar grusht; atëherë ju krijuat ndërgjegjen klasore. Është e juaja si fjalë, dhe është shumë e bukur të dashur shokë e të dashura shoqe.
Atëherë ne ju detyruam të punonit në makineri gjigante, të cilat ju nuk mund t’i blinit dot vetë edhe sikur të punonit gjithë jetën. Por ishin makineri për budallenj, për majmunë të stërvitur, në të cilat mjaftonte të shtypej një buton apo të tërhiqej një levë: shtyp butonin, tërhiq levën, shtyp butonin, tërhiq levën! Pra, me pak fjalë, një punë e përsëritshme dhe monotone. Dhe kështu ne mendonim se ju kishim bërë nder, por në fakt jo. Ju u ofenduat, e quajtët një punë fëminore dhe shumë poshtëruese. Dhe na shpjeguat se në këtë fabrikë, pikërisht në këtë fabrikë që ne ju vumë të punonit, nuk ishte më makineria që i shërbente punëtorit, por pikërisht punëtori që i shërbente makinerisë! Kuptoni?! Sikur ju ishit një makineri tjetër, më e lirë, më pak e rëndësishme dhe e prodhuar keq. Dhe na thatë se, në këto kushte, të punosh apo të mos punosh, është njëjsoj sikur të kesh në dorë një copë tub dhe të mos dish nëse ky tub do të shndërrohet në shkarkues banje apo në tytë pushke. Dhe na shpjeguat që kjo gjë quhet tjetërsim! Është një fjalë shumë e bukur! E keni krijuar ju këtë fjalë. Kush dëgjon fjalën “tjetërsim” mendon gjithmonë për filmat bardh e zi të viteve përrallore ’60. Ne i mësuam të gjitha nga ju, të dashur shokë e të dashura shoqe.
Të dashur shokë, ne në ato momente menduam “t’ju japim pakëz të drejta, t’ju dhurojmë ‘demokracinë’. – Kështu, të paktën do jenë të lirë të vijnë të votojnë prapë për ne”. Jo, akoma më keq! Ju na shpjeguat që këto ishin reforma superstrukturore. Sepse në një vend kapitalist, duhet të punosh mbi bazën e marrëdhënieve që kanë të bëjnë thelbësisht me kapitalin, paranë. E thënë ndryshe, ju këto të drejta nuk i donit. Kuptohet, të drejtat civile, për të ardhur për të votuar për ne. Jo! Ju donit të drejtat në punë! Atje i donit të drejtat, të dashur shokë e të dashura shoqe. “Superstrukturë”, “strukturë”, këto fjalë të mrekullueshme të cilat i kemi mësuar nga ju!
Po çfarë bëmë ne pastaj? Ne thjesht ndërtuam pak shkolla, pak rrugë, pak kanalizime të ujërave të zeza, pak shtëpi publike për t’ju rrasur aty brenda. Por ju nuk toleronit asgjë. Akoma edhe më keq, na shpjeguat që ky ishte paternalizëm. Që marrëdhëniet midis klasave sunduese dhe të sunduara janë thelbësisht konfliktuale, e quajtur ndryshe luftë klasash, e cila është një tjetër fjalë e juaja, një fjalë shumë e bukur! Të dashur shokë e të dashura shoqe, ne kemi mësuar gjithçka nga ju, faleminderit sinqerisht. Ju na shpjeguat sesi funksionon bota, çfarë është ekonomia, na shpjeguat gjithçka! Ju ishit të parët e klasës!
Ta hajë dreqi, tani dikush mund të pyesë se “si ka mundësi që këta shokë dhe shoqe, të cilët ishin kaq inteligjentë dhe kryeneçë, nuk janë duke drejtuar qeverinë tani?! Përse në qeverisje nuk është një shok i ri ose një shoqe e re, por një grup pleqsh pronarë borgjezë?! Për ç’arsye?!”. Sepse, të dashur shokë e të dashura shoqe, ju patët kohën për ta përvetësuar këtë ideologji, të na i shpjegonit ne, dhe për vete e harruat menjëherë! Tani, luftën e klasës po e bëjnë ne, pronarët, kundër jush, dhe po e fitojmë bindshëm!
Të dashur shokë dhe të dashura shoqe, a e kuptoni që liderët tuaj të tanishëm as që i afrohen fare udhëheqësve të tipit të Gramshit, Marksit, Fojerbahut, Engelsit a Bakuninit?! E thënë në terma praktikë: në një shtet normal, nëse bie një qeveri e të djathtës, vjen në fuqi e majta. Në këtë shtet të vogël, përkundrazi, ka rënë e djathta dhe ka ardhur në pushtet një tjetër e djathtë, e duartrokitur nga e majta!
A duhet të vazhdojmë të flasim, të dashur shokë e të dashura shoqe? Jo, më mirë jo! Unë nuk dua ta vendos gishtin në plagë. Dua që të jem i sjellshëm me ju, sepse mendoj që një pronar duhet të jetë gjithmonë i sjellshëm me shërbëtorët e tij, me edukatë e mirësjellje. Shikoni! Ne sot jemi në qeveri dhe do të jemi shumë herë më keq se paraardhësit tanë, shumë më maskarenj; por do të sillemi në mënyrë më elegante, më serioze, më inteligjente. Këtë mund t’ua mundësojmë.
Unë jua them gjithmonë shërbëtorëve të mi, por po jua them edhe juve. Shikoni, të dashur shokë e të dashura shoqe, të dashur shërbëtorë, të dashur skllevër (nuk di si mund t’ju quaj saktësisht): për t’ua futur (me respekt ju flas!) në bythë, nuk nevojitet të jesh i paedukatë dhe të jesh harbut, por mjafton vetëm pak durim, një gisht dhe pak vazelinë…!
Përkthyer nga: Sidi Çekani