Taksimi progresiv në shtetin e së drejtës
/Redi Muçi/
Viti që lamë pas u mbyll me debatin mbi taksimin progresiv e të sheshtë mes akuzash e kundërakuzash të “ekspertëve ekonomikë”. Por përtej qasjes cinike të llogarisë se sa hyn e sa del nga xhepi i gjithsecilit, diskutimi u shtri edhe në aspektin ideologjik e moral të nocionit të drejtësisë, dhe në përcaktimin e rolit të shtetit në shoqëri përballë individit që taksohet.
‘Mandarinët e rinj’ të vendit i mëshojnë idesë se taksimi progresiv është rrënjësisht i padrejtë: “…a është diskriminim përpara ligjit, meqenëse të gjithë jemi të barabartë, por disa duhet të paguajnë më shumë sesa të tjerët?”[1] Ideologjia e kohës ku jetojmë (kohë postideologjike sipas disave) predikon parimin e meritokracisë brenda sistemit të konkurrencës, sipas të cilit më i afti fiton më shumë. ‘Aftësia’ shpesh përbrendëson virtyte krejt kontradiktore, por kjo është çështje tjetër. Në fund të fundit, kush mund ta fajësojë të mirënjohurin Gerard Depardieu, aktor me emër, pronar restorantesh e dyqanesh luksoze, koleksionist arti dhe degustator virtuoz i verës, pse hoqi dorë nga shtetësia franceze për të shmangur taksën prej 75% mbi të ardhurat e tij mujore që tejkalojnë shifrën €1.000.000?!
Për mandarinët e rinj, shteti në mënyrë të pashpjegueshme shfaqet në rolin e një Robin Hudi modern i cili takson të pasurit për të ndihmuar të varfrit nëpërmjet shërbimeve publike. Brenda logjikës për të cilën personazhi folkorik nuk është veçse një vagabond ordiner që daravitet skutave të pyllit të Sherwood-it, taksa progresive konsiderohet si diskriminim i subjekteve më të afta të shoqërisë, dhe ai që në retorikën e ditës quhet ‘shteti i së drejtës’ sulmohet si shteti i së padrejtës.
Qasja moralisto–kombëtariste është leshi që dridhet rreth qerthullit të Qendrës së Majtë. Në një shkrim të datës 25 Dhjetor në gazetën Panorama, analisti Fatos Lubonja shkruan se: “…taksa progresive ka një origjinë të majtë që ka lindur (me lëvizjet socialiste) pikërisht për të zbutur kapitalizmin e egër që lulëzoi në shek XIX, për të siguruar më shumë drejtësi shoqërore, për të krijuar më shumë shanse për të gjithë” [2]. Por nocioni i drejtësisë shoqërore të cilit i referohet Lubonja, në raport me bishën e tërbuar neoliberale në të cilën jetojmë, ngelet një nocion kontradiktor. A mos vallë zbutja e bishës e bën një shoqëri të drejtë?! Nëse vetë sistemi ekonomik është rrënjësisht i padrejtë, përcaktimi i rolit të mekanizmit shtetëror si zbutës i kontradiktës klasore është shumë larg normave elementare morale të drejtësisë. Më shumë shanse për të gjithë nuk do të thotë aspak shanse të barabarta për t’i ngrënë kokën njeri-tjetrit. Do të thotë se ata që deri dje vdisnin urie sot do kenë një pjatë supë të hanë nga taksat e shtetit. Sepse nëse barku ngelet bosh, mendja herë alivanoset përpara se të nxjerrë frymën e fundit, por herë të tjera ama tërbohet, ulërin e sokëllet, çjerr e shqyen perden funebre që i mohon ekzistencën. E atëherë drejtësia që shteti shpërndan vjen në trajtën e aparatit të represionit institucional. E për dreq, në kësi rastesh, kostoja e drejtësisë rritet: “…një pjesë mund t’i drejtohen aktivitetit kriminal, i cili jo vetëm do të krijojë dëme ndaj të tjerëve, por edhe vetë shtetit do t’i kushtojë, pasi, duke u futur në burg një njeri që kryen një krim, ai ka koston e tij për shtetin.” [3] Prandaj drejtësia e ‘shtetit social’ shërbehet në dy forma: ose pjata e mëshirës, ose druri institucional.
Karta e patriotizmit përdoret jo rrallë herë. Kështu, kryeministri francez Jean-Marc Ayrault, në kritikën drejtuar Depardieu-së (jopatriotit),pagesën e taksave e quajti “akt patriotik”. Me pak fjalë: francezë jemi të gjithë, dhe pavarësisht se disa janë më të aftë, e për pasojë më të pasur, dhe disa të tjerë më të plogësht e të vobektë, shteti, ky entitet që na identifikon si subjekte, ka për detyrë të zvogëlojë hendeqet ekonomike që krijohen si pasojë e dhuntive e aftësive jo të njëjta; farën mbi tokë zoti e ka hedhur ku më shumë e ku më pak, ashtu siç ia ka zënë dora, por virtyti patriotik nuk na lejon t’i lemë të vdesin bashkëkombësit tanë.
Në fabulën e milingonës me gjinkallën, rolet e subjekteve shoqërore janë të mirëpërcaktuara nga ngrehina ideologjike e “shtetit të së drejtës”. E kur pajtues mes të dyve mëton të bëhet ideali patriotik, sipërmarrësi i suksesit flet për Evropën postmoderne, atë të cilën i ka tejkaluar barbarizma të tilla si konceptet e shtetit-komb e taksës patriotike, ku interesat ekonomike janë ato që përcaktojnë grupimet shoqërore, deri në rindarjen administrative. Pra kur zbutjen e kontradiktës klasore përmes taksave (pajtimin mes gjinkallës e milingonës) shteti kërkon ta justifikojë me retorikë patriotike, atëherë neoliberali idenë e sakrificës për kombin e quan demode. Kësisoj, debati shterp merr një rrjedhë ku paradoksalisht të majtët mbrojnë një pozicion konservator patriotiko-nacionalist dhe të djathtët kthehen në liberalë posmodernistë. Për shembull, para do vjetësh Umberto
Bossi i Lega Nord kërkoi ndarjen federaliste të Veriut të Italisë, atij të biznesit e modës, nga Jugu i varfërisë e Koza Nostras. Individët e suksesit të ndarë nga parazitarët, të paaftët që pengojnë zhvillimin. Karta e patriotizmit u luajt edhe një herë nga e majta, e cila pak vite më pas festoi edhe 150 vjetorin e shtetit-komb tëbell paese-s.
Ndërthurrja shkak-pasojë e paaftësisë me varfërinë brenda kornizës ideologjike vulos damkën e turpit mbi varfanjakun. Mjerimi i Migjenit ishte njollë mbi ballin e njerëzimit, mjerimi i botës ku ‘kush do e përpiqet, ia del’ është njollë mbi ballin e të mjerit. Mjerimi migjenian “s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!” Mjerimi socialdemokrat don mshirën e shtetit. E kush ngelet veç shtetit? Kujt tjetër i shtrihet dora? Bamirësve, atyre me “bark shekulluer, gjithmon të pangishëm”; biznesmenëve të suksesshëm, virtuozëve të botës së kapitalit që ndonjëherë rrokullisin lëmoshë mbi kryet e mjeranëve për të treguar se gangrena shoqërore e varfërisë e gjen shërimin vetëm nëpërmjet riprodhimit të shkaqeve që e shkaktojnë sëmundjen. Atë sëmundje që e ka ilaçin brenda, e që për pasojë vaksina e taksimit nga shteti vetëm sa do shkaktonte reaskion në trupin e ekonomisë kapitaliste. E ndërsa lëmoshat mbarojnë shpejt, se oligarkët babaxhanë nuk kanë para për detin në rritje të varfanjakëve, njolla e parazitizmit përhapet mbi lëkurë. Lypësi e i papuni janë të tepërt në shoqërinë e konsumit e të garës. Atëherë neoliberalit, deri dje lëmoshëdhënës, i shkon ndër mend të shfajësohet dhe ta hedhë përgjegjësinë te vetë i varfri. Kush do, punën e gjen sa për një copë bukë, pa le të jetë edhe thellë në galeritë e errëta të kromit. Por vetëm parazit që ha nga taksat dhe lëmosha e pasanikëve jo!
Diskursi në të cilin vërtitet çështja e taksës progresive gjeneron një debat shterp, duke lënë jashtë retorikës veglën që vë në punë rrotën lëvizëse të shoqërisë kapitaliste.
Ajo çka përjashtohet kategorikisht nga debati, është koncepti i vlerës, e cila në shoqëri prodhohet kolektivisht, e që në sistemin ekonomik ku jetojmë, akumulohet privatisht. Dhe taksimi progresiv, larg prej pretendimit se vendos drejtësi shoqërore, mëton të rishpërndajë pasurinë e përbashkët të grumbulluar në fare pak duar. Meqenëse vlera në shoqëri prodhohet nga ndërveprimi shoqëror nëpërmjet marrëdhënieve të prodhimit mes subjekteve të një shteti (kokëpalarëve e kokëbrilantinëve), taksimi është më i madh për subjektin i cili padrejtësisht ka përvetësuar një pjesë më të madhe të vlerës së krijuar kolektivisht. Sepse nëse ky subjekt (sipërmarrësi i suksesshëm) do të vepronte jashtë shoqërisë, atëherë vlera që do të prodhonte puna e krahut apo gjenialiteti i intelektit të tij me gjasë s’do të mjaftonin as për të ngopur barkun e tij ‘të pangishëm’. Pra që koka e tij të ketë mundësi të lyhet me brilantinë, ai ka nevojë për shfrytëzimin e fuqisë punëtore të kokëpalarit. Koncepti borgjez i meritokracisë, në terma reale i referohet aftësisë dhe meritës për të akumuluar më shumë kapital se konkurrentët, jo aftësisë për të krijuar vlerë në shoqëri.
Ndoshta koncepti i vlerës së krijuar bashkërisht, i paartikuluar nga ‘opinionistët’ e ditës, i shpëton perceptimit të lexuesit. Një kompani ndërtimi prodhon vlerë në shoqëri nga ndërtimi i banesave për strehim. Si prodhohet kjo vlerë? Sigurisht nga puna fizike e punëtorëve që vendosin tullën mbi tullë. Sigurisht nga puna intelektuale e inxhinierëve që përpilojnë dhe zbatojnë projektin e banesës. Kolektivisht këto dy kategori (pjesë e së njëjtës klasë) prodhojnë vlerë, ashtu si dhe punëtorët që prodhojnë lëndën e parë për ndërtim; ata të fabrikës së çimentos, fabrikës së hekurit, të pllakave e kështu me radhë.
Nga ana tjetër kapitali investues (mjetet e prodhimit; makineritë, lopatat, gozhdët etj), që s’ka tjetër vlerë veç punën e dikurshme të të tjerë punëtorëve e që në zanafillë ka akumulimin fillestar të kapitalit përmes zhveshjes së prodhuesve nga mjetet e prodhimit, kufizohet në fare pak duar: në ato të pronarit të kompanisë, i cili mbivlerën e prodhuar nga nënpagimi i punëtorëve e ndan 40% me pronarin e truallit (rentierin ekonomik) e 20% me politikanin e korruptuar (rentierin politik). Por cila është vlera që prodhojnë këta individë ‘ekselentë’? Ngrehina ideologjike e çon retorikën te netët pa gjumë të sipërmarrësit që ka marrë hua kredi nga banka, te shpalosja e aftësive të tij të ‘lobimit’ për marrjen e lejes së ndërtimit, tek organizimi hierarkik i punës në prodhim, me pretendimin absurd se të gjitha këto justifikojnë thelën e majme të vlerës së krijuar kolektivisht që ai përvetëson. Bankierët e financierët nuk përtojnë të trumbetojnë rolin e tyre unik në ekonominë e mrekullive që ngrihet mbi risqet e piruetet financiare, dhe që solli krizën e vitit 2008 nga e cila do dalim vetëm të tjetërsuar.
Kolektivit të punëtorëve i ngelet paga me mëditje e cila i bën bashkëvuajtës në një proces prodhimi mbi të cilin nuk kanë asnjë kontroll e që i trajton si mekanizma të papërfillshëm e lehtësisht të zëvendësueshëm të makinerisë gjigande të prodhimit, produktet e së cilës ata vetë nuk do t’i zotërojnë ndoshta kurrë. E kur krizat ciklike rishfaqen rishtazi në mënyrë kryeneçe, atyre s’u ngelet veçse rishpikja e së nesërmes në kushtet e papunësisë e të mjerimit. Në kushtet e parazitizmit, sipas hegjemonisë sunduese. Veçse për të parë të vërtetën shpesh duhet me u kthy kokëposhtë.
“Njerëzit që i quajnë ‘parazitë’ të papunët e nevojtarët nuk arrijnë të kuptojnë ekonominë dhe parazitizmin. Parazit i suksesshëm është ai që nuk identifikohet si i tillë nga organizmi mbartës, ai që e bën mbartësin të punojë për të në mënyrë të pavetëdijshme. E tillë është klasa sunduese në një shoqëri kapitaliste”. [4]
Por a mund të flitet për shtet të së drejtës në një shoqëri kapitaliste në kushtet e taksimit progresiv? Nëse linja e arsyetimit do zinte fill me mendimtarin anarkist francez të shekullit të XIX-të Pierre-Joseph Proudhon, i cili stampoi togfjalëshin “prona është vjedhje” në historinë e mendimit politik, atëherë përgjigja s’ka si të jetë veçse mohuese. Shteti i socialdemokracisë gjithsesi ngelet një mekanizëm shtypjeje dhe propagandimi i hegjemonisë sunduese e cila riprodhon hierarkinë klasore. Por në kontekstin e një Evrope ekonomikisht të shkundur nga kriza e vitit 2008, të kërcënuar nga neofashizmi gjithnjë në rritje (përfitues i kahershëm i krizave të kapitalizmit), ende pa një plan ekonomik konkret përtejkapitalist dhe forca politike të mirorganizuara mbarevropiane, shteti social gjithsesi mbetet zgjidhja më emergjente.
Shënime:
[1] 7pa5 – Takse progresive apo e sheshte – 11 dhjetor 2013 – http://www.youtube.com/watch?v=WQ3zPBo-lh4
[2] Mbi debatin pwr taksat – Fatos Lubonja (Gazeta Panorama) http://www.panorama.com.al/2013/12/25/mbi-debatin-per-taksat/
[3] Po aty
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.