Supë për fëmijët e varfër

/Jarosllav Hashek/

Princi Robert ishte njeri shumë human. Ai vendosi të organizojë në fshatin pranë kështjellës së vet një drekë me supë falas për shkollarët e varfër. Princi nuk i kurseu të hollat për ndërtimin e tendës dhe porositi në Vjenë një kuzhinë lëvizëse. Kur të gjitha ishin gati, princesha i lutej burrit në gjunjë të hiqte dorë nga mendimi i tij. Por princi i përgjigjej:
– Në asnjë mënyrë princeshë… Unë vetë do t’ua gatuaj supën me patate këtyre leckamanëve.
I kundërshtonte edhe vëllai i princeshës, konti Mangard, duke i mbushur mendjen se kjo punë nuk i kishte hije një princi.
Por princi Robert bërtiste e thoshte se patjetër do ta gatuante vetë supën me patate dhe se do t’ia përplaste derën në turi kujtdo që do të vinte tek ai me këshilla.
Princi Robert ishte shumë human, por njëkohësisht dhe shumë gjaknxehtë.
Dhe ja, në një ditë të mrekullueshme, tendën dhe kuzhinën lëvizëse e zbukuruan me degë pishe, hyrjen e zbukuruan me mbishkrimin: “Na e shpërble, o Zot!”
Në degët e pishës ishin vënë flamurë të vegjël, kordele dyngjyrëshe.
Maxhordomi me frak dhe cilindër, u afrua te stufa dhe filloi ta ndezë. Kjo ishte dëshira e princit Robert. Ai vetë shikonte nga dritarja, duke pritur me padurim që maxhordomi të hiqte cilindrin si shenjë për të treguar se uji kishte vluar dhe se i kishte ardhur koha që shkëlqesia e tij të qëronte patatet. Kjo, gjithashtu, bënte pjesë në programin e hartuar nga vetë princi.
Më në fund, princi doli nga kështjella dhe me solemnitet, duke i dhënë vetes rëndësi, iu afrua tendës ku ndodhej kuzhina lëvizëse. Atje kryeplaku i fshatit ishte i zënë: po qëllonte me grushta në brinjë disa fëmijë të varfër, të cilët në atë kohë, pa i kushtuar vëmendje shkëlqesisë së tij, vazhdonin të bënin kollotumba.
Kryeplaku i njihte rregullat. Ai i urdhëroi të njëzet e tre shkollarët e varfër të fshatit të thërrisnin “urra!” për princin, u hodhi një vështrim të shpejtë për të parë nëse ishin larë dhe i bëri shenjë rojes Pazurjok. Ky i ndezi fitilin njërit top dhe vrapoi te tjetri. Shpërthyen dy të shtëna dhe princi doli nga shtëllungat e reve të tymit. Fëmijët thërrisnin sa të shurdhonin. Princi tundte dorën me përzemërsi duke u ulur para kuzhinës lëvizëse. Dy shërbëtorë i dhanë atij një patate. Ai e mori me dorën mbështjellë me dorezë të bardhë, e qeroi dhe e hodhi në ujin e valuar. Fëmijët nuk mund të thërrisnin nga gëzimi sepse ishin ngjirur, dhe shkëlqesia e tij kishte filluar të qëronte pataten e dytë. Kur e hodhi atë në kazan, u dëgjua një thirrje e gëzueshme. Princi Robert u ngrit dhe tha:
– Ju fëmijë, keni gëzimin të hani supë dhe gëzojuni që e kam gatuar unë. Ju fëmijë, duhet të mos harroni, se unë princi juaj, unë jam nëna juaj, unë ju…
U dëgjua një thirrje tjetër e gëzueshme si për të treguar se fjalimi i shkëlqesisë së tij po u jep një kënaqësi të sinqertë dëgjuesve të vegjël.
Ju fëmija, e dini se është çasti më i bukur për ju që unë po gatuaj, – vazhdoi solemnisht princi. – Ju do t’i bëni am-am supës së mirë, kurse unë vetë do ta gatuaj. Lutjuni zotit për mua!
Menjëherë pas kësaj, secili nga të njëzet e tre fëmijët e varfër mori nga shkëlqesia e tij një koronë. Në mbyllje princi iu afrua kryeplakut, hoqi dorëzat dhe ia dha duke thënë:
-Për kujtim të am-am supës së mirë që e gatova unë. Lutjuni zotit për mua!
Princit i sollën kalin, dhe shkëlqesia e tij u nis me galop në drejtim të pyllit. Maxhordomi dhe shërbëtori u larguan me krenari për në kështjellë.
Kryeplaku futi dorezat në xhep, vështroi njëzet e tre fëmijët e varfër, rojen e fshatit Pazurjokun, pastaj përsëri dorezat se mos kishte gjë atje. Më në fund, iu drejtua anëtarit të komunës Vershinit:
– Hë, kush do ta mbarojë tani supën për këta leckamanë?
– Pazurjoku dhe fëmijët le të qërojnë vetë patatet, – u përgjigj Vershina.
– Gatuaje supën Pazurjok, kurse ju fëmijë, filloni të qëroni patatet! – vuri rregull kryeplaku dhe u largua me anëtarët e komunës.
Si mund ta përshkruaj zemërimin e Pazurjokut? Ai filloi të shante fëmijët duke rrotulluar sytë me egërsi
– Do t’jua tregoj unë ju si vihet këtu për supë! Ju llaston ju shkëlqesia e tij!
Me sigurinë e një ushtari të vjetër ai, pa e hequr llullën nga goja, hodhi në ujin e valuar të gjitha produktet që ishin mbi tryezë.
Ndërkohë që vajzat i qëruan të gjitha patatet, ai po sillej rrotull kazanit duke fshirë djersën që i rridhte çurkë nga balli. Papritur, ai la lugën: një mendim i erdhi në kokë. Pa fëmijët që po bënin kollotumba në bar para tendës dhe thirri njërin prej tyre:
– Ej, Malina, eja këtu!
Malina u afrua pa kuptuar gjë.
– Dëgjo, grisaman ! – i tha atij Pazurjoku. – Unë të kam parë, ti dje në fushën e komunës ke vjedhur bizele. Për këtë, vihet gjobë. Ma jep këtu koronën dhe thirr tët vëlla, Penikun… Penik, zgjebanjos, a e di se vëllain tënd, Karelin për pak sa nuk e futen në burg? Ai dje ka vjedhur bizele. Për këtë ka gjobë. Ai ka marrë nga princi një koronë, ti po ashtu. Falenderoni zotin që princi ynë është kaq i mirë! Po kush do të paguante gjobat për ju të poshtrit? Ja kështu, një koronë nga Kareli dhe një nga ti, Penik. Ja, për fat, po del ajo që mendova. Vetëm shikoni: po ju pashë edhe një herë në bizele, do t’ju mbyll në qilar. Hiqni pantallonat – dhe do t’ju jap një dru që ta mbani mend…! Kurse tani, Penik, vrapo e më sill një gjysmë litërshe! Kareli të shkojë të përziejë supën.
Dhe ai, i qetë, u ul pranë kazanit, në lëndinë.
Peniku solli shpejt edhe një gjysmë litërshe tjetër. Pasi piu si duhet, Pazurjoku mblodhi fëmijët përreth vetes dhe bisedoi gjatë me ta për domosdoshmërinë e respektit ndaj zotërinjve.
– Ata i ka dërguar zoti, fëmijë! – tha ai duke e mbyllur dhe dërgoi edhe për një gjysmë litërshe tjetër.
Dielli ishte ngjitur tashmë lart dhe Pazurjoku hoqi këpucët. Pastaj, i kënaqur u shtri në bar dhe fjeti. Ndërkohë, ata që po prisnin gostinë e princit po luanin lojën “rebelët”. Thirrjet e tyre nuk e zgjuan Pazurjokun. Megjithatë, shpejt gjithçka ra në qetësi: “rebelët” kishin ikur në pyll.
Në mesditë, princi, duke u kthyer nga shëtitja, pa kuzhinën e braktisur nga të gjithë dhe tendën bosh. Nga kazani dilte avull, dëgjohej plluskimi, dhe në sipërfaqe, herë pas here, ngriheshin këpucët e rojës së fshatit, Pazurjokut. Princi e zgjoi atë me shqelm, sepse megjithëse ishte human, ishte dhe shumë gjaknxehtë. Në rrugë, mbi shteg, të fshehur në shkurret e gjëmbaçëve, vëllezërit Malina ngazëlleheshin duke admiruar këpucët në kazan dhe të gjithë tablonë ashtu si piktori admiron veprën e tij që ka fituar çmimin e parë. Kjo tablo u kishte kushtuar humbjen e dy koronave. Që  atëherë princi hoqi dorë një herë e përgjithmonë nga dhënia e supës falas. Por kunati i tij, konti Mangard, njeri me zemër të veçantë, takoi në pyll rojën e komunës, Pazurjokun, e pyeti me kuriozitet se si e kishin gatuar supën me patate për herë të parë dhe të fundit. Pazurjoku me sinqeritet i kishte thënë:

– Ah, hirësia juaj! Ishte e tmerrshme! Mbante një erë që të merrte frymën!

Marrë nga libri “Portreti i perandorit”, Tregime dhe fejtone, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë 1995.

Përktheu: Diamanda Dushi

Imazhi: Honore Daumier, “Ngritja” (1860), Vaj në kanavacë

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.