/Alfred Bushi/
Të studiuarit është pikësëpari punë ose, thënë ndryshe, një aktivitet përgatitor për të hyrë në botën e punës. Universiteti në këtë mënyrë është hapësira ku formësohen punëtorët e ardhshëm, të cilët i duhen një shoqërie për të çuar përpara ekzistencën e saj. Këtu futen shkencëtarët, artistët, inxhinierët, mësuesit, mjekët, gjeologët, juristët, punëtorët e administratës etj. Emërtimet iu vihen veprimtarive apo profesioneve sipas natyrës së tyre, sipas asaj që ata bëhen në fund të procesit formues dhe funksionit që kryejnë. Për shembull, një njeri që dëshiron të bëhet mësues, nuk mund të quhet i atillë për sa kohë nuk është i formuar për të qenë mësues ose për sa kohë nuk e kryen atë funksion, apo e zëmë se e kryen përgjysmë. Po kështu duhet të ndodhë edhe me virtytin e mjekut, juristit e me radhë të gjitha veprimtaritë e domosdoshme të jetës shoqërore.
Po studenti? Studenti nuk është dikush që bëhet në fund të një procesi nxënieje apo formimi: ai është vetë procesi, periudha kohore e zënë prej të gjithë procesit të nxënies së një fakulteti të caktuar. Të studiuarit është mundi dhe puna që duhet bërë për të fituar një aftësi të caktuar, e cila më pas të bën mësues, jurist, inxhinier apo çfarëdo qoftë. Në këtë aspekt, studenti është një i punësuar që paguan punëdhënësin, të cilit i duhet të fokusohet vetëm te puna që bën në mënyrë që të jetë frytdhënës dhe të përgatitet siç duhet.
Por studenti nuk bën vetëm kaq. Përveç punës studimore, atij i duhet të bëjë edhe një punë të dytë që t’ia dalë mbanë për të mbajtur punën e parë, e cila për ironi të fatit ka vetëm shpenzime si monetare, ashtu edhe mendore. Pra përveç kohës së studimit, në fund të së cilës është e domosdoshme të dilet me rezultate të larta sepse ‘‘kështu e do tregu i punës dhe konkurrenca’’, studentit i duhet të sakrifikojë nga ajo kohë që të bëjë një punë të dytë. Kemi të bëjmë me dy punë, që janë të domosdoshme për një student, dhe çdo gjë tjetër që i duhet të bëjë gjatë këtij rrugëtimi ka statusin e të domosdoshmes. Për sa i përket punës së dytë, e cila e mban gjallë dhe i mundëson vazhdimin e studimeve, të gjithë e dimë se është e pamundur të gjesh tjetër gjë përposcall center-ave apo punës si kamerier. Këta janë të vetmit sektorë, nëse mund t’i quajmë kështu, që gjen sot me bollëk në tregun e tkurrur të punës, dhe kjo gjendje vazhdon edhe pas përfundimit të studimeve.
Të studiuarit në universitetet tona ka pësuar një përmbysje të logjikës së rendit të gjërave. Studenti, i cili duhej të fitonte njohuri të caktuara për t’u hedhur më pas në botën e punës, në situatën aktuale nuk e ka një mundësi të tillë. Dita-ditës ai po bëhet i ndërgjegjshëm se nuk e ndjek shkollën e lartë për të gjetur një punë në degën e përzgjedhur, as për t’u bërë dikush me një të ardhme sadopak të sigurt, as për të ndjekur një ëndërr sado e realizueshme të jetë ajo. Kjo ngaqë që të gjesh punë tanimë është shndërruar në një legjendë urbane, sepse të dëshirosh të ndërtosh një të ardhme është njësoj si të ndërtosh kështjella mbi rërë dhe të ndjekësh ëndrrat e tua është një luks të cilin shumë pak të rinj mund t’ia lejojnë vetes. E gjithë kjo sepse qeverisjet e njëpasnjëshme dhe politikëbërja e tyre është shkëputur totalisht nga realiteti shoqëror, është shndërruar në një sipërmarrje oligarkësh rreth të cilëve sillet çdo interes, ku çdo e mirë publike është shndërruar në burim të të mirave private. E përkrah kësaj gjendjeje politike mosinteresi ndaj asaj që ndodh në realitet, kemi edhe gjendjen e mjeruar të universitetit, të shndërruar në një hapësirë kalimkohe dhe dëfrimi.
Mes nxënies, prodhimit të dijes praktike (teknike) dhe asaj teorike, të studiuarit po fiton dita-ditës luksin e të qenit thjesht një marrëdhënie erotike (nga ato të dhunshmet) mes subjektit dhe një objekti të papërcaktuar të studimit apo të dijes si prodhim i një procesi të izoluar soditës mbi vetveten. Ky i fundit është një proces herë bjerraditës, herë narcizist. Dija praktike, pasi ka kaluar në abstraksionin teorik, nyjëton njohjen në rrafshin e teknikës së prodhimit të realitetit, të ndryshimit hap pas hapi të tij. Pikërisht kjo lloj dijeje nuk gjendet më në universitetet tona, gjë që ka sjellë humbjen e funksionit të saj botëndërtues. Ky tëhuajësim nga natyra dhe qëllimi i vërtetë i procesit të njohjes, kjo ngecje në mbretërinë e abstraktes së ideologjizuar e ka shndërruar realitetin shoqëror në një kazan të mbushur plot me probleme të paqena, në një pseudokontradiktë që duhet të zgjidhet a priori. Meqenëse realiteti ku jetojmë, apo bërthama e marrëdhënieve shoqërore, nuk përputhet me doktrinën sunduese – flas atë të individualizmit të shfrenuar neoliberal, të përnaltësimit të sipërmarrjes së lirë private, të përkrahjes së saj pa kushte dhe të privatizimit të çdo të mire publike po në emër të saj – atëherë politikëbërja jonë e ndritur ka ditur mirë të fajësojë realitetin përse nuk i përputhet kësaj teorie e, në këtë mënyrë, të ndërhyjë qorrazi me anë të politikave të saj në thelb shkatërruese dhe ndrydhëse të çdo kapaciteti krijues. Në situatën e krijuar prej këtij tëhuajësimi, studenti, por jo vetëm ai, shndërrohet në një pre të lehtë të ideologjisë sunduese, në një qenie plasteline të cilës mund t’i japësh çfarëdolloj forme.
Aktiviteti studimor, që do duhej të ishte në themel të jetës universitare, është shndërruar në një soditje kalimkohe me pagesë të gjithçkaje, përpos njohjes dhe prodhimit të jetës akademike dhe shoqërore. Studenti është një i dypunësuar gjatë periudhës së studimeve, në rastin më të mirë, i cili me shumë gjasa në fund të studimeve do të mbesë i papunë. Ndoshta do ishte më e ndershme t’i këshillohej që ta ruante këtë gjendje ku të paktën e ka një punë. Në njërën anë, qeverisja dhe politikat e saj reformuese të jetës universitare po e thellojnë këtë mospërputhje duke e larguar studentin nga njohja e realitetit dhe natyra e tij shoqërore prodhuese e përcjellëse e dijes. Në anën tjetër, kemi pedagogjinë mediokre që e zhyt studentin gjithnjë e më shumë në vorbullën e mosinteresit dhe përhumbjes.
Procesi njohës nëpër të cilin kalon studenti sot nuk ka asnjë reference në realitet, por është shndërruar në humbje kohe të pakuptimtë dhe më e keqja në humbje të vetes. Këtë gjë pushteti e përdor në favor të tij duke hasur në atë pak rezistencë që ka filluar të organizohet. Përkundër studentit të pavetëdijshëm, këta të fundit nuk duhet të jenë qenie plastelinë të cilëve mund t’ju jepet një formë çfarëdo, por trupa dhe mendje të bashkuara për një kauzë të përbashkët. Studentit i duhet që së pari ta fitojë universitetin, këtë hapësirë të humbur, dhe ta kthejë në identitet, në një vend ku mësohet dhe prodhohet dije, prej nga dalin profesionistët, specialistët e ardhshëm të një vendi dhe jo të papunë e të pashpresë. Së dyti, duhet dalë nga universiteti për të rikthyer në identitet politikën e tjetërsuar në keqqeverisje nga ana e një grupi të ngushtë oligarkësh. Këta nuk janë ata e shohin në sy realitetin, studentin dhe shoqërinë ashtu siç janë në tërë fuqinë e tyre prodhuese, por janë pikërisht ata që e shtrembërojnë në emër të një ideologjie shfrytëzuese dhe shkatërrimtare të çdo të mire të përbashkët.
Botuar në numrin e dytë të gazetës “Universitari”