Socializmi dhe kultura

/Antonio Gramsci/

Përpara disa kohësh na doli përpara syve një artikull në të cilin Enrico Leone, me atë mënyrën e tij të ndërlikuar e të mjegullt që e karakterizon mjaft shpesh, risillte disa shprehje të rëndomta mbi kulturën dhe intelektualizmin në raport me punëtorinë, duke u kundërvënë atyre praktikën, faktin historik sipas të cilit punëtoria po e përgatit të ardhmen me vetë duart e saj[1]. Nuk besojmë se është e pavend t’i rikthehemi këtij argumenti të trajtuar në të përjavshmen “Il Grido del popolo” dhe i cili pati në Avanguardia-n e të rinjve [socialistë] një trajtim më rreptësishtë doktrinor në polemikën  mes Bordiga-s së Napoli-t dhe Tascas-s tonë[2].

Po sjellim dy pjesë: njëra është e romantikut gjerman, Novalis-it (i cili ka jetuar në vitet 1772-1801), që thotë: “Problemi më i lartë i kulturës është zotërimi i unit vetjak transhendental, të qenit njëkohësisht uni i vetvetes. Prandaj nuk duhet të na habisë që ka një mungesë të ndjenjës dhe kuptimit tërësor të të tjerëve. Pa kuptuar në mënyrë të përsosur veten tonë, është e pamundur t’i njohim vërtet të tjerët”.

Tjetra, të cilën po e përmbledhim, i përket Giambattista Vico-s, i cili (“Korolari i pari rreth të folurit sipas karaktereve poetike të kombeve të para” në veprën Scienza nuova) i jep një interpretim politik thënies së famshme të Solonit, të cilën më pas Sokrati e bën të vetën në lidhje me filozofinë: “Njih vetveten!” Sipas Vico-s, Soloni me atë shprehje donte të paralajmëronte plebenjtë, të cilët mendonin se ata kishin origjinë kafshërore ndërsa fisnikët ishin me origjinë hyjnore, që të mendonin mbi veten e tyre dhe të vërenin se ata kishin të njëjtën natyrë njerëzore si fisnikët, e për rrjedhojë duhet të kërkonin të ishin të barabartë me këta të fundit për sa u përket të drejtave civile. Dhe këtë vetëdije mbi barazinë njerëzore mes plebenjve dhe fisnikëve ai e vendos si bazë dhe arsye historike të lindjes së republikave demokratike në antikitet.

Përzgjedhja e këtyre dy fragmenteve nuk ka qenë rastësore. Në gjykimin tonë ato prekin, ndonëse pa dyshim të shprehur e të përkufizuar në një mënyrë të vagullt, kufijtë dhe parimet mbi të cilat duhet të themelohet një kuptim i drejtë i konceptit të kulturës edhe në raport me socializmin. Duhet të çmësohemi dhe të reshtim së konceptuari kulturën si dije enciklopedike, në të cilën njeriu shihet vetëm si një enë e cila duhet mbushur dhe stivuar me të dhëna empirike; me fakte bruto dhe të palidhur me njëri-tjetrin, të cilat ai më pas duhet t’i skedojë në trurin e tij si kolonat e një fjalori, në mënyrë që më pas, në çdo rast, të mund t’u përgjigjet stimujve të botës së jashtme. Kjo formë kulture është vërtet e dëmshme, veçanërisht për punëtorinë. Ajo shërben vetëm për të krijuar njerëz të pacakë, njerëz që mendojnë se janë superiorë ndaj pjesës tjetër të njerëzimit sepse në kujtesën e tyre kanë akumuluar një sasi të caktuar të dhënash dhe datash, të cilat i shpalosin në çdo rast duke ndërtuar kësisoj pothuajse një pengesë mes tyre dhe të tjerëve. Shërben për të krijuar atë lloj intelektualizmi të flashkët e pangjyra, të kritikuar ashpër nga Romain Rolland-i, i cili ka pjellë një grumbull hundëpërpjetësh ëndërrkotë, të cilët për  jetën shoqërore  janë më shkatërrimtarë se  ç’është mikrob tuberkulozi apo sifilizi për bukurinë dhe shëndetin e trupit. Studenti i ri që di pak latinisht dhe histori, avokati i ri që ka arritur t’u marrë një copë diplome të zhubrosur profesorëve të zhvullentur e dorëlëshuar do ta mendojnë veten sipërorë edhe kundrejt më të mirit nga punëtorët e specializuar i cili në jetë kryen një rol specifik dhe të domosdoshëm dhe që në veprimtarinë e tij vlen njëqind herë më shumë nga ç’vlejnë të tjerët në veprimtaritë e tyre. Mirëpo kjo nuk është kulturë, por pendantizëm, nuk është inteligjencë, por intelekt, dhe është absolutisht e drejtë të reagohet kundër saj.

Kultura është diçka krejtësisht tjetër. Ajo është organizim, disiplinë e brendisë tonë, është marrje në zotërim i personalitetit tonë; është fitim i një vetëdijeje më të lartë, me anë të së cilës arrijmë të rrokim vlerën tonë historike, funksionin tonë në jetë dhe të drejtat e detyrimet tona. Por e gjithë kjo nuk mund të vijë nga një evolucion spontan, nga veprimet dhe reagimet e pavarura të vullnetit tonë, siç ndodh në natyrën bimore e kafshërore ku çdo njësi i seleksionon dhe i specifikon organet e saj në mënyrë të pavetëdijshme, sipas një ligji fatalist të gjërave. Njeriu është mbi të gjitha shpirt, domethënë krijim historik dhe jo natyrë. Përndryshe si do të shpjegohej fakti që, duke qenë se gjithmonë kanë ekzistuar të shfrytëzuar dhe shfrytëzues, krijues pasurish dhe konsumatorë egoistë të saj, socializmi ende nuk është realizuar?! Fakti është që njerëzimi e ka fituar vetëdijen mbi vlerën e tij dhe të drejtën për të jetuar pavarësisht skemave dhe të drejtave të vendosura nga minorancat e krijuara historikisht përpara saj vetëm shkallë-shkallë dhe etapë pas etape. Dhe kjo vetëdije nuk është formuar nën yshtjen brutale të nevojave fiziologjike, por nga të menduarit në mënyrë inteligjente, fillimisht të disave e më vonë të një klasë të tërë, mbi shkaqet e disa fakteve dhe mbi mjetet më të përshtatshme për t’i kthyer ato nga mjete nënshtrimi në arsye për rebelim e rindërtim shoqëror. Kjo do të thotë që çdo revolucion është paraprirë nga një veprimtari e vazhdueshme dhe intensive kritike, shtrirjeje kulturore dhe depërtimi të ideve mes grupesh njerëzish të cilët fillimisht janë pandjeshëm dhe mendojnë thjesht se si t’i zgjidhin problemet e tyre ekonomike e politike imediate vetëm për veten e tyre, pa treguar asnjë formë solidariteti me të tjerët që vuajnë të njëjtin problem. Shembulli i fundit, më pranë nesh e për rrjedhojë më pak i huaj për epokën tonë, është ai i Revolucion Francez. Periudha e mëparshme kulturore, ajo e iluminizmit, kaq shumë e njollosur nga kritikët thjeshtëzues të arsyes teorike, nuk qe aspak, ose së paku nuk që tërësisht ajo fërfëllimë e inteligjencave sipërfaqësore enciklopedike të cilat me të njëjtën palëkundshmëri shkruanin trajtesa mbi çdo gjë e gjithçka, që mendonin se ishin njerëz të kohës së tyre vetëm pasi kishin lexuar “Enciklopedinë e Madhe” të D’Alembert-it dhe Diderot-së; shkurt, nuk qe vetëm një dukuri e intelektualizmit pedantesk e të ftohtë, të cilën në mënyrë të ngjashëm e shohim sot përpara syve tanë të shpalosur në mënyrë më të plotë në universitetet popullore të niveleve më të ulëta. Në vetvete iluminizmi qe një revolucion i mrekullueshëm i cili, siç vëren me mprehtësi De Sanctis-i në veprën e tij Storia della leteratura italiana, i dha Evropës një lloj vetëdijeje unitare, një internacionale shpirtërore borgjeze e ndjeshme në çdo pjesë të saj ndaj dhimbjeve dhe fatkeqësive të përbashkëta, e cila ishte po ashtu përgatitja më e përshtatshme për revoltën e përgjakshme që do të shpërthejë më pas në Francë.

Në Itali, në Francë dhe në Gjermani diskutohej për të njëjtat çështje, të njëjtat institucione dhe të njëjtat parime. Çdo komedi e re e Volterit, çdo pamphlet ishte si një shkëndijë që kalonte nëpër fijet e shtrira mes shteteve, mes rajoneve, dhe kudo e njëkohësisht haste në të njëjtët njerëz që e përkrahnin dhe në të njëjtën që e kundërshtonin. Bajonetat e ushtrive të Napoleonit e gjenin rrugën të hapur nga ushtria e padukshme librave dhe broshurave të cilët kishin dalë nga Parisi që nga gjysma e parë e shekullit XVIII dhe që i kishin përgatitur njerëzit dhe institucionet mbi rinovimin e nevojshëm. Më vonë, kur ngjarjet në Francë i kishin forcuar vetëdijet e njerëzve, mjaftonte një kryengritje popullore në Paris për të nxitur të tjera të ngjashme në Milano, në Vjenë dhe në qendrat më të vogla. Atyre që i marrin punët lehtë e lehtë  e gjithë kjo u duket e natyrshme, spontane, por në fakt kjo do të ishte e pakuptueshme po të mos merreshin në konsideratë faktorët kulturorë që ndihmuan në krijimin e atyre gjendjeve shpirtërore të gatshme për të shpërthyer për një kauzë e cila shihej si kauzë e përbashkët.

I njëjti fenomen përsëritet sot në lidhje me socializmin. Nëpërmjet kritikës së civilizimit kapitalist është formuar apo është duke u formuar vetëdija e përbashkët e punëtorisë; dhe kritikë do të thotë kulturë, jo evolucion spontan dhe natyralist. Kritika është pikërisht vetëdija e unit të cilën Novalis-i e konsideronte si qëllim i kulturës. Vetëdije e një Uni që u kundërvihet të tjerëve, që shquhet prej të tjerëve dhe, duke qenë se i ka vënë një qëllim vetes, i gjykon faktet dhe ngjarjet përpos se në vetvete e për vete, edhe si vlera që priren ta çojnë historinë përpara ose prapa. Të njohësh vetveten do të thotë të jesh vetvetja, do të thotë të jesh zot i vetes, ta dallosh veten, të dalësh jashtë gjendjes së kaosit, të jesh një element i rendit, por i rendit tënd dhe i disiplinës tende që lufton për një ideal. E diçka e tillë nuk mund të arrihet nëse nuk njihen edhe të tjerët, historia e tyre, përpjekjet e njëpasnjëshme që ata kanë bërë për të qenë ata që janë, për të krijuar qytetërimin që kanë krijuar dhe të cilin ne duam ta zëvendësojmë me tonin. Kjo do të thotë se për të njohur ligjet që qeverisin mendjen njerëzore, duhet pasur nocioni se çfarë është natyra dhe ligjet e saj. Dhe e gjithë kjo duhet mësuar pa e hequr vëmendjen nga qëllimi përfundimtar sipas të cilit është më mirë ta njohësh veten nëpërmjet të tjerëve dhe të tjerët nëpërmjet vetes.

Nëse është e vërtetë që historia universale është një zinxhir përpjekjesh që njeriu ka bërë për t’u çliruar nga privilegjet, nga paragjykimet  dhe nga idhujtaritë, atëherë nuk kuptohet se përse proletariati, i cili po kërkon t’i shtojë një hallkë të re atij zinxhiri, nuk u dashka të dijë se si, përse dhe kush kanë qenë pararendësit e tij dhe ç’të mirë mund të nxjerrë nga kjo dije.

Firmosur Alfa Gamma, “Il Grido del Popolo”, 29 janar 1916

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Tribune Magazine


[1] Enrico Leone ishte një sindikalist revolucionar. Artikulli në fjalë është “Democrazia in frantumi”, shkruar më 15 janar 1926 në gazetën Guerra di Classe (gazetë e bashkimit sindikalist italian USI): “Punëtori modern mëson shumë më tepër nga organizimi i tij klasor sesa nga librat zyrtarë të dijes… Kësisoj nuk ka shpëtim tjetër përpos se te punëtoria, të klasa me duart plot kallo dhe më mendjet e paprekuara nga kultura dhe infektimi i klasave mësimore …larg politika! Rruga është e hapur. Padija ka zbuluar metodën e grevës së përgjithshme dhe ushqehet me të, duke e rritur këtë ide gjithnjë e më shumë. Luftërat janë ato që duhen për të rrënjosur këtë ide në mendjet e të paditurve dhe klasës së prapambetur.” (Shënimi është marrë nga vepra The Gramsci Reader, seksioni II. Working-Class Education and Culture).

[2] Avanguardia ishte një gazetë e Federatës së të Rinjve Socialistë FGSI. Në kongresin e saj kombëtar të mbajtur në Bolonja në shtator të vitit 1912 hapja e diskutimit mbi edukimin e të rinjve dhe kulturën është mbajtur nga Amadeo Bordiga. Angelo Tasca, njëri nga delegatët e Torinos, ka ndërhyrë duke argumentuar se partia ka nevojë për një ripërtëritje teorike dhe kulturore në shkallë të gjerë dhe se Avanguardia duhet t’i japë përparësi edukimit dhe kulturës. Bordiga e kundërshton  duke thënë: “Askush nuk bëhet socialist nëpërmjet edukimit, por nëpërmjet nevojave të jetës reale të përcaktuara nga klasa së cilës ai i përket.” Tasca replikon duke thënë se Bordiga “kërkon  të ‘ndezë’, ndërsa ne kërkojmë të ‘bindim’… Ne duam të predikojmë socializmin me shpresën dhe me sigurinë që do të “ndezim”, jo të “ndezim” me shpresën ose sigurinë që do të krijojmë socialistë”. (Shënimi është marrë nga vepra The Gramsci Reader, seksioni II. Working-Class Education and Culture).

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.