S’ka 28 pa 29

/Arlind Qori/

Ngjarja ndan. E ndan shoqërinë midis atyre që i premtojnë besnikëri duke u përpjekur në jetësimin e saj dhe atyre që e reduktojnë në pseudo-ngjarje apo ndodhi të kapërcyeshme, të parëndësishme, apo edhe të padëshirueshme. Në kuptimin historiografik ngjarjet shqiptare janë dy: 28 dhe 29 nëntori. Në kuptimin politiko-emancipues ngjarja shqiptare është një, megjithëse e shprehur në dy ditë. Gjithsesi përkujtimi i përbashkët duket se edhe gjuhësisht i ka shndërruar këto dy ditë në një dy-ditësh: 28-29 nëntor.

Prej 20 vitesh, 28 bashkon e 29 ndan ndër shqiptarë. Madje, ndan edhe të dyja ditët nga njëra-tjetra. Gjithsesi si ndarja midis datave, ashtu edhe bashkimi apo ndarja brenda secilës fashisin tensionin e vërtetë emancipues të ngjarjes 28-29. Është e lehtë sot të ngresh flamurin në ballë të selisë, jashtë dritares apo prapa makinës. Gjithsesi bashkimi sipërfaqësor i 28 fsheh ndarjen themelore mbi çështjen kombëtare: atë midis atyre që besojnë se kjo datë përkujton projektin e pakryer kombëtar dhe atyre që i përshtaten kohës duke e kamufluar mungesën e vullnetit përbashkues me “urtësi pragmatike” të “këto punë kështu e kanë”.

29 ndan, veçse ndarja e sipërfaqshme simbolike fsheh bashkimin thelbësor. Nëse për disa 29 është datë çlirimi e për disa të tjerë datë pushtimi komunist, për të dyja palët ajo është një datë e së shkuarës, e cila nuk frymëzon asgjë përtej boshtit nostalgji-mallkim. Në të vërtetë, 29 shënjon ditën e dytë të ngjarjes shqiptare. Ditën kur pavarësimit prej të huajit iu bashkëngjit çlirimi jo vetëm nga pushtuesi i radhës, por edhe kumti çlirues ekonomiko-shoqëror. 29 është plotësimi dhe përkryerja e 28; është jo vetëm tentativa (e gjykuar servilisht sot si zgjedhja e kampit fitues të Luftës së Dytë Botërore), por përpjekja gjithëshoqërore për ta materializuar lirinë jo vetëm në formën e saj kufitare, por mbi të gjitha në atë përmbajtjesore; është dita e shpresës së një Shqipërie jo vetëm të mosvarme, por edhe të çliruar nga prangat e shfrytëzimit, tëhuajsimit e poshtërimit.

Raporti me ngjarjen është i dyfishtë: ajo tradhtohet dhe i qëndrohet besnike. Prej 99(64) vitesh ngjarja shqiptare tradhtohet për shkak të etjes robëruese të të paktëve në pushtet dhe frikës servilosëse të të shumtëve pa pushtet. Gjithsesi, në sytë e luftëtarëve për liri dhe emancipim, 28 dhe 29 nëntori bashkohen në të njëjtën ngjarje për ta ndarë shoqërinë në dysh: midis atyre që duan një Shqipëri të varme, poshtëruese e të poshtëruar, dhe atyre që duan një Shqipëri të mosvarme, të lirë e të çliruar, të barabartë kudo e për këdo.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.