Sikur të taksoheshin miliarderët…

/Redi Muçi/

U yshta nga kënga Imagine nga John Lennon-i, përçuar përmes mediumit të internetit në versionin “karantina e Bojken Lakos& Co”. Pjesa më frymëzuese e këngës, për çdo lypsar të pastrehë që i bie rasti të kapë ato tinguj nga smartphone-i i ndonjë kalamani që kalon aty pari, është kur Boku këndon vargun “imagine no posessions, it isn’t hard to do” – i rrethuar nga lloj-soj xhingla-minglash që afirmojnë artistllëkun e tij.

Propozimi që secili prej nesh të vihet në pozitën e atij lypsarit është tejet tundues. Por unë u kuturisa një hap më tutje. Në këto ditë pandemie globale ku ndodhemi, po sikur të imagjinonim spitale publike që ofrojnë shërbim të përkryer dhe falas për këdo, me mjekë e infermierë buzagaz që dalin përditë në punë të nxitur nga betimi i Hipokratit?! Më tutje akoma – arsim publik falas dhe kushte për kërkim të njëmendtë shkencor. Vende pune të sigurta dhe me paga të larta…

Pastaj u ftillova se jetojmë në Shqipëri dhe drejtohemi nga një kastë politikanësh të cilëve në mendje u luan një tjetër variant i këngës Imagine, me vargje lirike mbi PPP-ra e koncesione për miqtë e tyre oligarkë:

Imagine Samir Mane
It’s easy if you try
Imagine Çet Kastrati
Above us, only sky…

Por në këtë shoqërinë tonë të begatë, ku 3.7% e pasunarëve kanë depozituar në banka (në ato shqiptare, se në Ishujt Cayman nuk i dihet ç’bëhet) një pasuri (4.1 miliardë euro) më të madhe se ajo e  96.3% e të gjithëve ne të marrë së bashku (3.2 miliardë euro), a ia vlen të imagjinojmë se çdo të ndodhte sikur këta aristokratët tanë të taksoheshin pak më shumë?

Le të marrim më të dalluarin e oligarkëve, Samir Manen. Pasuria e Samirit përllogaritet diku te 1.2 miliardë dollarë. Në lekë do të thotë 138.4 miliardë. Po prapë mendja e ka të vështirë ta rrokë këtë pasuri – si mund të matet, ndoshta me kokrra orizi?!

Ja po marrim një shembull: paga mesatare në sektorin privat në Shqipëri është 45000 lekë në muaj. Njeriu i parë u shfaq në planetin Tokë rreth 250.000 vjet më parë. Sikur një profesionist me shkollë të lartë të kishte nisur punë si Homo Sapiens 250.000 vjet më parë me pagë mesatare dhe të mos kishte shpenzuar ndërkohë asnjë kacidhe, sot do kishte më pak lekë se Samir Manja: vetëm 135 miliardë lekë.

Një shembull tjetër: duke u nisur nga një krahasim i pasurisë së Manes në vitin 2015 me atë që ka sot, i bie që ai ka fituar mesatarisht rreth 10 miliardë lekë në vit, që do të thotë rreth 30 milionë lekë në ditë. Sikur një profesionist me shkollë të lartë të kish punuar me pagë mesatare për Ismail Qemalin, që prej 28 nëntorit të 1912-s nga ballkoni i pavarësisë e deri më sot, dhe të mos kishte shpenzuar ndërkohë asnjë kacidhe, sot do kishte më pak lekë se ç’ka fituar Samir Manja në 48 orët e fundit: vetëm 57 milionë lekë.

Shembujt e mësipërm ilustrojnë se sa shumë është lodhur Samiri për ta vënë këtë pasuri. Dikush do mund të thoshte me të drejtë se i bie të jesh si i kohës së Neandertalit për të qenë si Samiri. Bashkë me të, sigurisht, janë lodhur nga pak edhe ata mijëra minatorë, punëtorë supermarketesh e dyqanesh, që përbëjnë ushtrinë e tij – por sidoqoftë, jo aq sa Samiri. Samiri është përkujdesur, për shembull, të mbysë që në djep çdo tentativë për organizim sindikal dhe ky kontribut i duhet njohur pasi e vendos atë në pararojën e neoliberalizmit botëror, si beniamini më i devotshëm i Jeff Bezos-it me shokë.

Por a bën vaki që pasuria përrallore e oligarkëve tanë – e Çetit, Shkëlqimit, Vilmës, Sandrit, Pëllumbit (jo vetëm e Samirit, se mos kujtojë se po i biem në qafë) – të taksohej me fare pak, për shembull 5 për qind?! Kjo qeveria jonë është zotuar që në dhjetë vitet e ardhshme t’i kalojë 38 miliardë lekë me PPP vetëm 4 koncesioneve në shëndetësi. Atij tjetrit i ka dhënë traun, tjetrit më tutje Unazën, tjetrit Teatrin, tjetrit inceneratorët, pallate e beton gjithandej…

Po të taksoheshin me 5%ato 4.1 miliardë eurot që oligarkët tanë kanë depozituar nëpër bankat shqiptare, kjo vlerë do të ishte sa gjysma e buxhetit të shtetit shqiptar për shëndetësinë, sa 60% e buxhetit për arsimin, sa 65% e buxhetit për shërbimet publike. E të tjera, e të tjera…

S’e di… Është bela kjo imagjinata në kohë karantine. Se ku vete gjen ca skenarë të çuditshëm, për këtë kapitalizmin e ditëve tona. Si thotë Edi Rama – po lekët për celular ku i gjetëm ne?!

Imazhi: Youtube

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.