Hyrje
Në janarin e vitit 2015, për herë të parë në historinë e popullit grek, në krye të qeverisë u zgjodh SYRIZA – një forcë politike me rrënjë në traditën e së majtës radikale greke. Kjo përbënte një risi jo vetëm për fqinjët tanë, por për të gjithë historinë e 30 viteve të fundit të Evropës perëndimore, ku një vend anëtar i NATO-s prej vitit 1952 dhe i Bashkimit Evropian prej 1981-it zgjodhi një qeveri e cila shkonte drejt përplasjes me institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, duke u bazuar te një program radikalisht social që premtonte të rimëkëmbte ekonominë dhe dinjitetin e popullit grek pas një gjysmë dekade masash shtrënguese shkatërrimtare. Kjo përpjekje u shtyp përfundimisht nga institucionet evropiane duke bërë që Greqia të zhytet akoma më thellë në krizën që po shpaloset dita-ditës.
Për një vend si ky i yni, me aspirata për anëtarësim në BE dhe më tej (larg qoftë) në Eurozonë, situata greke do duhej të kish ngjallur debate të pafundme. Megjithatë, perceptimi i përgjithshëm duket se anon më tepër nga qasja se fundja Greqia mori atë që meritonte pas vitesh gjatë të cilave shpenzonte eurot e gjermanëve nëpër taverna dhe ahengje. Në këtë pikë ndoshta vlen parashtrimi i mëposhtëm.
Në një konceptim të thjeshtëzuar të situatës,marrëdhënia huadhënie-huamarrje shihet si një pakt barazimtar mes xhentëlmenësh, ku barra e fajit i bie huamarrësit nëse nuk arrin ta shlyejë huan. Por marrëdhënia mes dy shteteve brenda një bashkimi monetar është më e ndërlikuar se kaq.
Vendet e industrializuara të Evropës qendrore si Gjermania apo Franca, historikisht kanë pasur një avantazh eksporti kundrejt vendeve të periferisë, pasi mallrat që prodhojnë këto të fundit nuk mund të konkurrojnë me mallrat e eksportit industrial. Siç thotë Janis Varufakisi, “sallatat greke nuk mund të balancojnë avantazhin në eksporte që krijojnë Volkswagen-at për Gjermaninë”. Rrjedhimisht, Greqia dotë jetë gjithmonë në deficit sa i përket tregtisë me Gjermaninë, pasi më shumë mallra gjermane do të hyjnë në Greqi se anasjelltas. Kjo situatë bën që në bankat gjermane të akumulohet gjithmonë e më tepër kapital që largohet nga bankat e periferisë, pasi për çdo Volkswagen që blen një grek 20.000 euro zhvendosen nga banka greke tek ajo gjermane.
Një situatë e tillë nuk është gjithnjë e favorshme për bankat gjermane. Përderisa llogaritë bankare të gjermanëve janë plot me kursime, kërkesa në treg për kredi bankare është e ulët, rrjedhimisht i tillë është edhe interesi me të cilin lëshohen këto kredi nga bankat gjermane. Prandaj tendenca e çdo bankieri është që të arrijë të huajë këtë mal parash në vende që kanë kërkesë për hua për shkak të depozitave të pakta, pra pikërisht vendet në të cilat nuk ka shumë kapital në qarkullim si pasojë e deficitit tregtar.
Çfarë ndodhte para krijimit të Eurozonës? Bankat evropiane mendoheshin dy herë përpara se të vendosnin se ku do t’i huanin paratë e tyre. Meqenëse Greqia, Spanja dhe Portugalia kishin monedhat e tyre përkatëse, në një moment krize dhrahmia – që të ruante konkurrueshmërinë e mallrave grekë në treg – mund të zhvlerësohej duke sjellë për pasojë zhvlerësimin e huas së marrë nga bankat evropiane.
Në momentin kur zhvlerësimi i monedhës u pamundësa nga bashkimi monetar, bankat gjermane filluan të huanin kapitalin që qëndronte stok në kasafortat e tyre te vendet e periferisë me një vrull të paprecedent. Kjo i avantazhonte të dyja palët: nga njëra anë interesi i huas për bankat gjermane rritej; nga ana tjetër në vende si Greqia krijohej iluzioni i një rritjeje ekonomike pasi tanimë me huat e marra politikanët e korruptuar grekë mund të ndërtonin një autostradë apo stadium të ri i cili do të kënaqte orekset e korporatave klienteliste që fitonin shuma marramendëse nga këto projekte, por edhe familjeve greke u krijohej mundësia të blinin një makinë të dytë.
I gjithë ky proces kishte bekimin e teknokratëve të Brukselit, deri në vitin 2008 kur flluska plasi. Atëherë në mbrojtje të interesit të kapitalit ndërhyri politika. Për të justifikuar këtë proces të shfrenuar financiar në të cilin bankat private gjermane huanin para në mënyrë krejt të papërgjegjshme te huamarrës të uritur të cilët kishin zbuluar ‘patën që bën vezë të arta’, shteti gjerman ndërhyri duke bërë marrëveshje me shtetin grek që borxhin privat ta kthente në borxh publik përmes memorandumit të vitit 2010. Memorandumi nënkuptonte një hua të re të shtetit grek nga institucionet evropiane për të shlyer borxhin e vjetër, por këtë radhë huaja u dha në emër të “solidaritetit evropian me Greqinë” dhe u shoqërua me masa të rrepta shtrënguese. Borxhi publik i Greqisë sot ka arritur vlerën marramendëse prej mbi 325 miliard eurosh.
Interesant është fakti se prej memorandumit të parë dhe të dytë, vetëm 6% e huas shkonte në arkat e shtetit grek. Pjesa tjetër shkonte për të shlyer borxhin ndaj bankave private gjermane dhe franceze që shteti grek kishte ngarkuar mbi shpinën e popullit. Nga memorandumi i nënshkruar prej SYRIZA-s, pjesa e huas së re që shkon në arkat e shtetit është 0%. E parë në këtë këndvështrim, duket qartë se huat e reja që vendosen mbi shpatullat e Greqisë nuk janë veçse justifikime për të siguruar kthimin e borxhit ndaj bankave evropiane nga taksapaguesit evropianë (jo grekë) në emër të një solidariteti të shtirur, por që ka lindur urrejtjen mes popujve dhe ngritjen edhe një herë të kokës së gjarpërinjve të fashizmit në mbarë Evropën.
Në analizën që vijon, Souvlis-i dhe Fischer-i mëtojnë të gjejnë rrënjët e kapitullimit të projektit të SYRIZA-s, duke hedhur poshtë tezën që dëgjohet shpesh në qarqet e majta për një “tradhti” të supozuar të krerëve të partisë dhe evidentuar kufizimet strukturore të imponuara nga kapitali i huaj e grek si dhe gabimet strategjike të ndërmarra nga SYRIZA gjatë muajve të vrullshëm të negociatave, por edhe para tyre. Balanca e ndryshme e forcave nuk ishte arsyeja e vetme e kapitullimit, por dinamikat brenda partisë luajtën një rol thelbësor në rrjedhën e ngjarjeve. Analiza merr në konsideratë rrugët alternative që mund të ishin ndjekur në momentet kyçe të 2015-s dhe rezultatet e mundshme që do të vinin prej tyre. Kështu, një referendum më i hershëm, siç propozojnë autorët, do ta vendoste SYRIZA-n në pozita force shumë më të favorshme. Ky sidoqoftë mund të vlejë si argument sot, parë nga pozita e rezultatit të paparashikueshëm të referendumit të korrikut me mbi 61% të popullit që refuzoi masat shtrënguese. Nga ana tjetër, autorët mbështesin tezën se referendumi dëshmoi se populli grek ishte gati për një çarje të madhe me BE-në, për të ndërmarrë hapin vendimtar drejt të panjohurës që do t’i priste përtej Grexit-it.
Artikulli, gjithashtu, jep një panoramë të plotë të këtyre dy viteve qeverisjeje nga ana e SYRIZA-s; marrëdhëniet institucionale, roli i ‘shtetit të thellë’ dhe përthithja e partisë brenda aparatit të establishmentit ka sjellë një devijim djathtas deri në shpërfytyrim të SYRIZA-s, efektet e të cilit kanë ndikuar mbarë të majtën evropiane.
***
Kanë kaluar dy vjet qëkurse qeveria greke, e formuar nga SYRIZA dhe partia e djathtë “Grekët e Pavarur”, u përkulën ndaj presionit të “institucioneve” evropiane, pas një referendumi në të cilin pjesa dërrmuese e grekëve refuzuan zbatimin e mëtejshëm të masave shtrënguese që impononte BE-ja.
Që atëherë është krijuar distanca e nevojshme kohore për të arsyetuar në mënyrë të kthjellët mbi eksperiencën greke gjatë periudhës së trazuar nga janari deri në korrik të 2015-s, si dhe mbi domethënien e referendumit dhe punën e qeverisë greke deri sot. Nga këndvështrimi i këtushëm, mund të dilet lehtësisht në përfundimin se përpjekja e SYRIZA-s për të sjellë ndryshime rrënjësore dështoi mjerisht; gjithashtu, ajo i dha një goditje fatale besueshmërisë së të majtës në shkallë ndërkombëtare.
Megjithatë, përpara se të analizojmë mbarëvajtjen e SYRIZA-s në qeveri prej verës së 2015-s, është e rëndësishme të përmendim disa fakte. Me fjalë të tjera, të përdorim metodën klasike marksiste të krahasimit të ligjërimit publik me faktet historike. Arsyeja për këtë është që të japim një pamje të gjerë të faktorëve që çuan drejt tërheqjes strategjike të SYRIZA-s. Ne e refuzojmë nocionin moralist të “tradhtisë” nga krerët e SYRIZA-s, duke argumentuar se rrënjët e trajektores së ndjekur prej saj ndodhen në dobësitë strukturore të strategjisë së përgjithshme të partisë në vitet që i paraprinë ardhjes në pushtet të Aleksis Ciprasit. Ne ngremë pyetjen nëse – edhe në momentet e fundit para kapitullimit sipas kushteve të huadhënësve – ekzistonin kushtet objektive për një rrugë alternative.
Periudha e parë e qeverisjes
SYRIZA e mori pushtetin në janar të 2015-s, pasi kish qenë opozita më e madhe në vend pas shembjes thuajse totale të PASOK-ut në zgjedhjet e 2012-s. Për arsye analitike, do ta quajmë periudhën pas marrjes së pushtetit si “periudha e negociatave”. Gjatë këtyre muajve, SYRIZA – me ministër financash Janis Varufakisin në krye të ekipit negociator – tentoi të arrinte një marrëveshje ‘të drejtë’ me Trojkën, të përbërë prej Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Logjika pas kësaj tentative ishte se “institucionet” pashmangshmërisht do dakordësoheshin me propozimet e Greqisë sepse, në të kundërt, rrezikonin të shkaktonin një shembjen e të gjithë strukturës evropiane. Ky iluzion u ushqye nga individë brenda rrethit të ngushtë të Ciprasit, madje edhe prej Varufakisit, qëndrimi i hershëm i të cilit në negociata bazohej mbi idenë se aktorët do të “vepronin në mënyrë racionale”, duke pranuar se marrëveshjet e shtrëngimit të arritura më para nga Demokracia e Re kishin rezultuar të pamundura për t’u zbatuar. Që prej shkurtit, qeveria greke bëri lëshime duke arritur një marrëveshje lidhur me borxhin prej 240 miliardë eurosh. Kjo ishte një lëvizje taktike e SYRIZA-s, çka tregoi përtej çdo dyshimi se strategjia e tyre vërtitej rreth idesë së qëndrimit në BE, por duke u bazuar në një marrëveshje jo aq shkatërrimtare sa ato të nënshkruara nga qeveritë e mëparshme. Fajtori kryesor deri në këtë fazë ishte Janis Varufakisi, i cili si ministër financash e shpalli ujdinë si një hap pozitiv kah një marrëveshje e drejtë.
Me kalimin e muajve po bëhej e qartë se kjo strategji nuk kishte asnjë mundësi reale suksesi. Megjithatë, SYRIZA nënvizoi se nuk kishte asnjë dëshirë për t’u përplasur me BE-në apo të hartonte një model ekonomik alternativ, të nevojshëm në rast përplasjeje. Pamundësia e një marrëveshjeje po bëhej e qartë nga fundi i prillit, kur Ciprasi e zëvendësoi Varufakisin me Euklid Cakalotosin, ministrin aktual të financave, si kreun e ekipit negociator. Strategjia për të “bindur evropianët” kish marrë fund në këtë pikë. Ciprasi që nga ky moment vendosi të bëjë marrëveshje me huadhënësit. Referendumi pasues ishte një lëvizje e ndërmarrë nga Ciprasi, me vetëdije të plotë se po shkonte drejt një kompromisi i cili do ishte në kundërshti me interesat e klasës punëtore. Megjithatë, ka shumë gjasa që Ciprasi vendosi ta bëjë referendumin me besimin se një disfatë do ta bënte sprapsjen nga premtimet për “grisjen e memorandumeve” shumë më të lehtë ose do t’i lejonte SYRIZA-s të tërhiqej nga drejtimi politik i vendit. Në çdo rast, i vetmi shpjegim i mundshëm për veprimet e Ciprasit është se referendumi nuk u organizua që të fitohej. Kundër kësaj pritshmërie, populli grek dha një “OXI” (“Jo”) të fuqishme me votën e tij. Megjithatë, e përballur me shantazhin nga “institucionet”, qeveria e drejtuar nga SYRIZA kapitulloi pak më pas. Kjo trajektore ngjarjesh është paraqitur si e pashmangshme. Por proceset historike mbartin një sërë mundësish dhe nyjash takimi të lëvizshme dhe disa ngjarje përcaktohen në një masë të madhe nga vullneti njerëzor.
Çfarë do të kishte ndodhur sikur ngjarjet e verës së 2015-s të kishin marrë një rrjedhë tjetër? Ne mendojmë se shumëçka. Megjithatë, le të përqendrohemi te fakti më elementar dhe i qartë: SYRIZA si një projekt politik do të kishte evoluar në një mënyrë krejt të ndryshme po të hartonte një Plan B serioz. A mund të realizohej kjo brenda një periudhe pak mujore? Ndoshta po, megjithëse jo me rezultatet më të mira. Le të mos harrojmë se SYRIZA ishte në opozitë që prej 2012-s dhe thuajse të gjithë brenda partisë ishin të ndërgjegjshëm lidhur me gjasat e shumta se do të formonin qeverinë. Në vend se të hartonin një plan alternativ në rast se Plani A (përmbysja e memorandumeve dhe qëndrimi në Eurozonë) dështonte, shumica e aktorëve politikë me influencë brenda SYRIZA-s i shpenzuan energjitë duke u marrë me luftë të brendshme për të siguruar një pozicion të favorshëm pushteti brenda partisë, ashtu si edhe në strukturën e ardhshme qeverisëse.
Një pasojë e veçantë e këtij fraksionizmi ishte dështimi për mbajtjen e një debati publik brenda partisë, me organizatat lokale dhe shoqërinë e gjerë greke, në mënyrë që të formulohej bashkërisht një plan alternativ, që do të shërbente si një Plan B efektiv – megjithëse jo i përkryer. Minoranca e Platformës së Majtë brenda partisë, që mbështeste opsionin Grexit, pjesërisht (megjithëse jo në të njëjtën masë) e ndan përgjegjësinë për këtë mungesë veprimi. Idetë e hedhura nga disa prej anëtarëve të saj dhe debati i kufizuar që u zhvillua brenda radhëve të saj, asnjëherë nuk u shtri si diskutim i hapur me publikun. Eksperiencat relativisht të reja në vendet e Amerikës Latine, të cilat mund të kishin shërbyer si një burim frymëzimi dhe proces të menduari, nuk u morën në konsideratë, nuk u diskutuan seriozisht dhe nuk u bë asnjë përpjekje për të ndërtuar solidaritet me lëvizjet dhe qeveritë progresiste në Jugun global. Këtu, solidariteti mund të përkthehej në ndërtimin e lidhjeve për financim, në tërheqjen e njohurive teknokratike të ministrave të financave të këtyre vendeve, si dhe në akte simbolike solidariteti. Në vend të tij, drejtuesit e Platformës së Majtë u përfshinë në vorbullën e allishverisheve përgjatë periudhës janar-korrik (madje edhe para saj, gjatë tri viteve që i paraprinë), duke u përpjekur të vendosen në pozicion më të favorshëm brenda aparatit të partisë dhe duke e zhvilluar luftën kundër rrugës së zgjedhur nga Ciprasi nga një pozicion veçse programatik.
Duke e lënë mënjanë zgjidhjen Grexit që mbështetej nga një minorancë, pyetja shtrohet nëse SYRIZA si e tërë përgatiti ndonjë program alternativ për reforma institucionale gjatë kohës që ishte në opozitë. Aspak! Ndërkohë që problemet specifike që lidheshin me institucionet publike në Greqi ishin të kudogjendshme, nuk kishte një plan specifik apo përpjekje për t’i reformuar ato në drejtim progresiv.
Një gabim tjetër i SYRIZA-s ishte zhvendosja strategjike e vëmendjes nga lëvizjet sociale drejt logjikës së politikës elektorale, pas vitesh protesta kundër qeverive që zbatonin masa shtrëngimi. Kjo ndodhi pasi drejtues të lëvizjeve morën poste zyrtare në opozitën parlamentare apo iu bashkuan shtetit si këshilltarë pas janarit të 2015-s. Supozimi në këtë rast ishte se me ta kaluar SYRIZA pragun për të qeverisur, nevoja për këtë mënyrë mobilizimi do të venitej.
Që prej 2012-s, kur partia spikati si opozita kryesore në parlament, nuk pati më tentativa sistematike për të transformuar mobilizimet e ndryshme kundër masave shtrënguese në një gjendje të qëndrueshme ngritjeje të lëvizjes. Përgjigja e partisë pas vitit 2015 ndaj përpjekjeve të organizimit nga poshtë ishte të mos e ndryshonte drejtimin e anijes së qeverisjes nga kursi business as usual. Kulmimi i këtij procesi mund të vërehet në heqjen dorë në qershor të 2013-s prej mobilizimit kundër vendimit të partisë konservatore në qeveri Demokracia e Re për të mbyllur televizionin publik ERT si pjesë e shkurtimeve të masave shtrënguese. Personeli i televizionit iu përgjigj vendimit të qeverisë duke zaptuar godinën dhe vazhduar punën pa marrë rrogë. Ata iu përkushtuan transmetimit në mënyrë krijuese dhe kontrollit të procesit të prodhimit nga vetë punëtorët. Megjithatë, kur ERT-ja u rihap nga qeveria e drejtuar nga SYRIZA, çfarë ndodhi me premtimin për ristrukturimin e mënyrës së transmetimit? Helena Sheehan-i vë në dukje në studimin e saj me titull Vala e SYRIZA-s se “në vend se të afirmonin dhe të ndërtonin mbi themelet të cilat kishte ngritur kjo përpjekje popullore, qeveritarët e injoruan kërkesën popullore për një model të ri transmetimi publik të bazuar në programe kritike dhe krijuese të vetëmenaxhuara nga punëtorët. Në vend të tij rivendosën rendin e vjetër dhe menaxhimin hierarkik. Në vend të transmetimit publik, pati transmetim të qeverisë njësoj si më parë, me të vetmin ndryshim se tanimë ishte SYRIZA qeveria ana e së cilës mbahej.” Marrja e pushtetit konsiderohej nga SYRIZA si e vetmja zgjidhje e problemeve sociale të Greqisë së përballur me vite të tëra krize. Natyrisht, ky mentalitet e dominoi qasjen e SYRIZA-s pasi mori drejtimin në vitin 2015.
I gjithë procesi i negociatave iu delegua një ekipi të vogël e të pavarur, të vetëprezantuar si “ekspertët”, që mund të zgjidhnin problemin grek dhe që merrnin pjesë në negociata në mënyrë jotransparente. Që në krye ishte e dukshme se nga ana e huadhënësve nuk ekzistonte vullneti për të diskutuar seriozisht propozimet e shtruara gjatë negociatave nga Varufakisi. Një referendum në këto kushte – ku shteti grek nuk kishte falimentuar tërësisht siç do të ndodhte në korrik – do të përbënte një rrugë ideale për t’u ndjekur pasi do të krijonte mundësinë për të luftuar nga pozita më të favorshme, pa pasur barrën e marrëveshjes së 20 shkurtit të etiketuar si “tërheqje taktike” (1), ndërkohë që do të mobilizonte shtresat shoqërore për përplasjen që po afrohej. Në fakt, referendumi u bë në një kohë kur shteti ishte tërësisht i paralizuar, me shumë më pak hapësirë manovrimi.
A mund të shpjegohen këto ngjarje thjesht e vetëm me mungesën e eksperiencës nga ana e ministrave dhe negociatorëve të SYRIZA-s? Përgjigja është jo. Ngjarjet, ashtu siç rrodhën pas referendumit, nuk ishin të rastësishme, por lidheshin me një tjetër dobësi që formoi një pol strukturor të dykahshëm për SYRIZA-n: mungesën e demokracisë brendapartiake, të kombinuar me mungesën e rrënjëve të forta brenda klasës punëtore greke. Që prej zgjedhjeve të 2012-s dhe rritjes së mbështetjes elektorale të SYRIZA-s, nisi një përqendrim i pushtetit në qarqet e sipërme të hierarkisë partiake, së bashku me një paralizim të mekanizmave demokratikë brenda partisë. Logjika e këtij degradimi të demokracisë vërtitej rreth idesë se shpëtimi i vendit do të vinte përmes një ekipi të vogël vendimmarrës që rrethonte liderin partiak Aleksis Cipras.
Ky degradim i demokracisë kulmoi me vendimin e Ciprasit për të shpërfillur deklaratën e Komitetit Qendror (KQ) të partisë në korrik 2015, pas arritjes së marrëveshjes në të cilën 109 nga 201 anëtarë mbajtën qëndrim kundër qeverisë greke dhe huadhënësve evropianë, duke e quajtur marrëveshjen “një memorandum i ri me kushte të rënda e poshtëruese”. Deklarata erdhi pas presionit të Ciprasit në parlamentin grek për të respektuar ultimatumin e autoriteteve evropiane lidhur me miratimin e ligjeve për zbatimin e masave drastike të shtrëngimit. 109 anëtarët e KQ-së i bënë thirrje qeverisë “të mos u nënshtrohej ultimatumeve ndrydhëse të huadhënësve” dhe paralajmëroi se marrëveshja nuk ishte “e pajtueshme me idetë dhe parimet e së majtës”. Deklarata kërkoi gjithashtu një mbledhje të menjëhershme të Komitetit Qendror për të përsiatur marrëveshjen që kishte sjellë Ciprasi nga takimi me BE-në. Ciprasi më parë kishte premtuar se do të mbante një diskutim brenda KQ-së mbi çfarëdo ujdie para se ta hidhte në votim në parlament. Sekretariati Politik i SYRIZA-s më herët kishte votuar unanimisht pro për mbajtjen e këtij takimi. E megjithatë ky takim nuk ndodhi kurrë. Për më tepër, Ciprasi hoqi dori nga premtimi për mbajtjen e një konference partie dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, në të cilat SYRIZA do të hynte me një program bazuar mbi vendimet që do të merreshin në këtë konferencë dhe jo mbi Memorandumin e Tretë.
Pati gjithashtu një përpjekje serioze e sistematike nga SYRIZA për të rekrutuar anëtarë të rinj në radhët e saj, çka u vu re në amullinë relative të anëtarësisë në parti nga zgjedhjet e vitit 2012 tek ato të 2015-s krahasuar me rritjen në mbështetje elektorale. Anëtarësia e ulët në parti dhe mungesa e personelit të specialistëve ishin faktorë vendimtarë në mënyrën si rrodhën ngjarjet. Kjo e la partinë përballë dy zgjedhjesh të vështira. Nga njëra anë, anëtarët e pakët që ishin edhe specialistë duhet të aktivizoheshin, përndryshe ministritë dhe institucionet e tjera kombëtare do të mbeteshin në duart e personelit të lidhur me administratën e vjetër neoliberale. Nga ana tjetër, fakti që këta anëtarë u aktivizuan do të thotë se partia u rrënjos në mënyrë të pashmangshme brenda aparatit shtetëror.
Kjo nuk duhet të nënkuptojë se SYRIZA-s i mungonte legjitimiteti popullor. Përkundrazi, legjitimiteti i qeverisë u afirmua nga numri i madh i njerëzve – thuajse gjysmë milioni – që u bashkuan në manifestimin kryesor të “OXI”-it në Sheshin Syntagma më 3 korrik (megjithëse kjo ishte një ngjarje spontane, e paorganizuar nga SYRIZA apo nga ndonjë parti tjetër e së majtës). SYRIZA e bazoi forcën e vet te lëvizjet dhe njerëzit që dolën në sheshe që prej fillimit të krizës. Megjithatë, ajo nuk bëri përpjekje serioze për të stabilizuar e më pas shtrirë këtë dinamikë brenda vendit të punës dhe brenda lagjeve, të cilat do të kishin shërbyer si suaza rezistence në rast konfrontimi të mundshëm me BE-në. Me fjalë të tjera, fokusi pas vitit 2012 shkoi te menaxhimi i pushtetit parlamentar në vend se te zgjerimi i fuqisë së pranishme te lëvizjet shoqërore nga poshtë.
Referendumi
5 korriku, dita kur populli grek votoi – jashtë çdo parashikimi – kundër Evropës neoliberale mund të quhet si një “ngjarje transformuese” në kuptimin që i jep shkencëtari politik William Sewell. Ajo ishte një pikë kyçe e cila e përshpejtoi momentin historik dhe shpalosi mundësinë e marrjes në kontroll të historisë nga populli. Ishte gjithashtu një eksperiencë përcaktuese, formuese subjektivisht për pjesëmarrësit në të. Me gjithë kërcënimet nga media mainstream dhe nga BE-ja, me gjithë presionin e tyre se një rezultat i mundshëm në favor të “OXI”-it do të sillte ditën e kiametit për vendin, me gjithë vendimin e Bankës Qendrore Evropiane për të kufizuar likuiditetin e bankave greke, me gjithë varfërinë e shumë grekëve (që po e jetojnë ende), populli grek e refuzoi katërçipërisht propozimin për masa të reja shtrënguese nga BE-ja. Ky moment vendimtar për historinë moderne të Greqisë hapi një oazë të tërë mundësish. Ky ishte kulmimi i një procesi të tërë historik, një sekuence përpjekjesh, gjatë të cilave masat ishin politizuar.
Në dallim të narrativës së lëvruar nga SYRIZA, populli grek ishte i gatshëm për një përplasje me BE-në, pavarësisht se sa i pasigurt do të ishte rezultati. Pasojat ishin bërë të qarta me mbylljen e bankave dhe presionet e klasës sunduese, e megjithatë me mijëra u mblodhën për OXI-n në një prej ngjarjeve publike më madhështore në historinë moderne greke. Krahasimisht, tubimi në favor të NAI-së (Po-së) dy ditë para ishte shumë i tkurrur në numra. Përgjegjësia personale madhore e Aleksis Ciprasit qëndron pikërisht gjatë kësaj instance kohore, në të cilën momenti politik u ndërpre: nënshkrimi i marrëveshjes së kapitullimit të cilën ai e prezantoi si opsionin e vetëm të mundshëm. Pasojë e kësaj ishte një zhvendosje e mendësisë nga ‘gjithçka është e mundur’ te rivendosja e parimit kapitalisto-realist ‘Nuk Ka Alternativë Tjetër’ të Thaçerit. Kjo kthim 180 gradësh transformoi mbarë klimën politike, duke dëshmuar te grekët e thjeshtë se historia kishte ngelur në vend. Atë çka Fukuyama e kishte cilësuar si fundi i historisë gjatë shembjes së Bashkimit Sovjetik, Ciprasi e ktheu në realitet duke legalizuar dhe institucionalizuar një rreth vicioz masash shtrënguese të përhershme. Edhe një herë tjetër, politika u rikthye së qeni tërësisht e papërfillshme për përditshmërinë e njerëzve të thjeshtë. Kjo u pasua nga një gjendje çmobilizimi , e cila efektivisht stepi çdo mundësi përpjekjeje për ndryshime shoqërore në të ardhmen e afërt. Ndikimi nuk u kufizua brenda Greqisë. Rezultatet e votimeve të para një viti në Spanjë janë një tregues i mirë i valës së ndikimit të ngjarjeve në Greqi. E gjithë fushata elektorale e Partisë Popullore në Spanjë evidentoi Greqinë si arsyen kryesore për të mos votuar Podemos-in, përndryshe vendi do të përfundonte në të njëjtën situatë.
A mund të kish vepruar ndryshe Ciprasi? Përgjigja, përsëri, është po: madje edhe në momentin e fundit. Veprimi më radikal që mund të ndërmerrej në këtë moment do të ishte implementimi i monedhës paralele të emergjencës të propozuar nga Varufakisi, për t’u përballur me problemin urgjent të mungesës së likuiditetit. Opsioni tjetër do të ishte nënshkrimi i memorandumit, pranimi se strategjia e ndjekur që prej janarit 2015 kishte dështuar, më pas mbajtja e konferencës së planifikuar të partisë në të cilën do të diskutohej një program zgjedhor që do të fliste hapur mbi mundësinë e Grexit-it. Duke ndjekur këtë rrugë do të bëhej e mundur ruajtja e unitetit brenda partisë, duke treguar gjithashtu një nivel elementar dinjiteti nga ana e SYRIZA-s. Do të qe parandaluar, gjithashtu, çlegjitimimi i plotë i së majtës si forcë politike si brenda, ashtu edhe jashtë Greqisë.
Por Ciprasi nuk bëri asnjërën prej tyre. Minoranca e majtë brenda partisë u largua me të drejtë, pas shpërfilljes që kryetari i bëri vendimit demokratik të partisë për mbajtjen e një konference pas marrëveshjes. Në vend të saj, SYRIZA mori pjesë në zgjedhjet e shtatorit si një parti e përçarë, duke prezantuar një program të rrejshëm i cili premtonte zgjidhje të menjëhershme ndaj çështjes së borxhit grek, të shoqëruara me masa të ndërhyrjes së shtetit për të balancuar masat shtrënguese të kërkuara nga Trojka.
Planet e shumëpërfolura të SYRIZA-s për trajtimin e borxhit grek nuk janë çuar përpara. Komiteti mbi të Vërtetën lidhur me Borxhin Publik u ngrit më 4 prill 2015, me iniciativën e kryetares së atëhershme të parlamentit grek Zoi Konstantopullu. Komiteti doli në përfundimin se borxhi ishte i paligjshëm, ishte e pamundur të shlyej dhe ilegjitim, në kuptimin se huadhënësit kishin shkelur mbi të drejtën për të ofruar borxhin siç parashikon Traktati mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian. Pra duhej të quhej i pavlerë dhe pagesat të ndërpriteshin. Por Ciprasi e shkriu Komitetin në shkurt të 2015-s. Sipas marrëveshjes në fuqi, borxhi i Greqisë do të quhet i qëndrueshëm derisa kostot totale për shlyerjen e tij (bashkë me interesa) të mos e tejkalojnë 15% të GDP-së vjetore.
Sa i përket premtimeve për mbështetje nga shteti, shumica prej tyre u konsideruan nga Trojka në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar. Rrjedhimisht, SYRIZA i fitoi zgjedhjet me premtime të paqena dhe me një elektorat të çorientuar prej përshkallëzimit të ngjarjeve nga referendumi fitimtar deri në zgjedhje.
Nga memorandumi në memorandum – një rreth vicioz pa fund e krye
Zhvillimet e dy viteve të fundit në Greqi mund të quhen një vazhdim i masave shtrënguese me të njëjtin intensitet, por pa një subjekt politik brenda apo jashtë parlamentit të aftë për të sfiduar në mënyrë thelbësore rendin neoliberal të imponuar nga BE-ja. SYRIZA kaloi një memorandum të ri në parlament në maj, mes debatesh të shumta. Memorandumi i katërt përmban një seri masash të rrepta shtrëngimi, si për shembull uljen e pensioneve dhe rritjen e taksave për të arritur një rritje ekonomike prej 3.5% në vit deri në 2022-shin. Gjithashtu marrëveshja parashikon një rritje vjetore prej 2% për periudhën në vazhdim deri në vitin 2060. Për të arritur këtë, qeveria greke nuk ka përfituar asnjë lëshim lidhur me borxhin dhe ka pak gjasa të përfitojë diçka në të ardhmen.
Në nivelin social, SYRIZA është shkëputur nga të gjitha lëvizjet shoqërore që ishin vendimtare në përshkallëzimin e ngjarjeve të periudhës 2010-2015. Partia është shndërruar në një organizatë që menaxhon pushtetin shtetëror, me qëllim kryesor ruajtjen e pozitës së vet, duke shpërfillur tërësisht kërkesat shoqërore që vijnë nga poshtë. Ajo është përthithur nga establishmenti politik të cilin supozohej ta sfidonte.
Si mund të shpjegohet një transformim i tillë i partisë? Në radhë të parë, pas përçarjes në gusht 2015, partia humbi elementët e vetë politikë më dinamikë dhe çdo lidhje që kishte pasur deri atëherë me lëvizjet shoqërore. Me gjithë kushtet e vështira, disa prej anëtarëve përnjëmend të lidhur me lëvizjet që qëndruan brenda partisë besonin se situata politike do të tregonte të paktën disa shenja përmirësimi në krahasim me kohën kur qeveritë ishin mbështetëse të Trojkës. Kjo nuk rezultoi e vërtetë. Nuk mund të ndodhte ndryshe pasi mungesa e vullnetit shkonte përtej kufizimeve të imponuara nga Trojka dhe të pranuara nga qeveria. Këto kufizime janë përdorur nga qeveria që atëherë si alibia politike kryesore për të shpjeguar të gjitha mangësitë dhe gabimet. Drejtuesit e SYRIZA-s patën menduar se vendi mund të ndryshonte edhe po të vazhdohej e njëjta rrugë e ndjekur nga qeveritë paraardhëse në vitet para krizës –që do të thotë qeverisje konsensuale, duke i kënaqur të gjithë, sidomos klasën e pasur – megjithëse situata kërkonte të paktën trajtat e një përplasjeje serioze. Nuk mjafton fajësimi i Trojkës për dy vitet e fundit të qeverisjes; nga ana e SYRIZA-s ka pasur një mungesë të plotë vullnetit për të sfiduar status quo-në.
Për shembull, SYRIZA bëri fare pak për të zvogëluar influencën e Kishës Greke në politikë. Përkundrazi, udhëheqja e saj e pranoi rolin politik të Kishës. Një shembull është vendimi i qeverisë për të mos e përfshirë Nikos Filisin në qeveri, pas lëvizjeve në kabinet nëntorin e shkuar. Filisi kish qenë ministër i arsimit dhe çështjeve fetare, anëtar për një kohë të gjatë i të majtës reformiste dhe deri vonë kreu i gazetës së përditshme të SYRIZA-s, Avgi. Futja e tij në kabinetin e ri u bllokua nga ndërhyrja e Kryepeshkopit Jeronimos, kreut të Kishës, për shkak të përpjekjeve të ish-ministrit për të reformuar arsimin fetar, duke e kthyer atë çka kish qenë në thelb kurs katekizmi në një studim krahasues të feve. Duke parë një prapakthim të tillë të turpshëm, nuk është e vështirë të merret me mend se cili ka për të qenë pozicioni i SYRIZA-s rreth çështjeve më strukturore të ndarjes së kishës nga shteti apo taksimit të pasurisë së bollshme të Kishës.
Lënia e paprekur e “shtetit të thellë” (2)
Me gjithë tërheqjen e beftë të SYRIZA-s pas rezultatit të referendumit, një aspekt i qëndrimit të tashëm po bëhej qartësisht i dukshëm madje edhe para se partia të merrte pushtetin më 2015-n. Me gjithë retorikën “kundër masave shtrënguese” dhe për “grisjen e memorandumeve”, grupi që e rrethonte Ciprasin nuk humbi kohë pas vitit 2012 për të siguruar establishmentin brenda dhe jashtë Greqisë se qeveria e drejtuar nga SYRIZA do të ndiqte rregullat e lojës dhe nuk do ta shqetësonte bërthamën e shteti kapitalist. Rregullat e lojës në këtë rast janë dy: nga njëra anë, konsistojnë në interesat afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të kapitalizmit grek dhe, nga ana tjetër, në interesat e shtetit grek.
Duke emëruar teori-konspiracionistin e “Grekëve të Pavarur” dhe nacionalistin e zellshëm Panos Kamenos në postin e ministrit të mbrojtjes, Ciprasi vazhdoi në gjurmët e nacionalizmit që karakterizonte politikën greke nën qeveritë e mëparshme të PASOK-ut dhe Demokracisë së Re. Ndërkohë që disa mbështetës të SYRIZA-s sugjeruan se vendosja e Kamenosit në këtë post do ta “neutralizonte” atë, nuk rezultoi aspak kështu. Përkundrazi, Kammnosi dhe sjellja e tij anakronike – si fluturimi në rrobë lufte me helikopterë ushtarakë mbi ishujt e Egjeut që janë burim grindjeje me fqinjët – kanë ndikuar në rritjen e tensioneve me Turqinë, ku secila prej deklaratave të Kamenosit u mirëprit me entuziazëm si legjitimim i retorikës nacionaliste të vetë Erdoganit. Duke qenë se dy vendet shkuan pranë luftës për demarkacionin e kufijve detarë në vitin 1996 – Greqia kërkon t’i shtrijë hapësirat e veta ujore me 12 milje detare, duke e bllokuar kështu daljen e Turqisë në Egje – roli i Kamenosit në këtë rast duhet të merret shumë seriozisht. Buxheti i mbrojtjes së Greqisë – megjithëse jashtë juridiksionit të Trojkës – qëndron në nivele shumë të larta. Shpenzimet për armatime janë rritur me qeverisjen e SYRIZA-s me 10% gjatë 2015-2016-s, me një vlerë totale prej 5 miliardë eurosh.
Një zhgënjim akoma më i madh ka qenë politika e jashtme dhe rajonale e SYRIZA-s. Me gjithë premtimet elektorale për të ndërprerë bashkëpunimet ushtarake me Izraelin, Ciprasi ka ruajtur dhe madje e ka zgjeruar këtë bashkëpunim. Ciprasi i është referuar Jerusalemit si “kryeqyteti i Izraelit”, diçka që as SHBA-ja s’ka guxuar të shprehë hapur dhe që ka qenë një shpullë surratit për miliona grekët që solidarizohen me çështjen palestineze. Arkitekti i politikave të jashtme të SYRIZA-s, “i majti nacionalist” që u emërua ministër i jashtëm, Nikos Koxias, është një praktikant besnik i real politikës së Henry Kissinger-it, duke ndërtuar aleanca strategjike me shtetin e Izraelit, juntën egjiptiane dhe çdo aktor tjetër regjional që perceptohet si kundërshtar i Turqisë, s’ka rëndësi se sa i egër apo tiranik. Së fundmi, ndërhyrja e Koxiasit në negociatat që po vijojnë mbi fatin e Qipros u diktua nga kjo linjë e ngurtë dhe e zbrazët nga çdo propozim realist, e drejtuar nga vizioni rajonal i sipërpërmendur për të “kufizuar Turqinë”, duke fuqizuar kështu elementet shoviniste në ishull.
Qasja e SYRIZA-s ndaj mbrojtjes dhe çështjeve të politikës së jashtme duhet të jetë një paralajmërim për ata që besojnë se e majta mund të ndërtojë një hegjemoni sociale duke u përqendruar vetëm te “masat shtrënguese” dhe “një përqindëshi”, duke lënë pas dore çështjet thelbësore të shtetit dhe autonomisë së tij relative, evidente sidomos në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Në fakt, kthimi 180-gradësh i SYRIZA-s si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, tregon se të dyja janë të lidhura me njëra tjetrën; pas mënjanimit të përplasjes me fuqinë ekonomike të kapitalizmit grek – i cili i tregoi dhëmbët gjatë javës para referendumit duke mbyllur bankat – ishte veçse çështje kohe para se SYRIZA t’u nënshtrohej interesave të tij gjeopolitike.
Ruajtja e dhunës policore dhe stigmatizimi i refugjatëve
Aspekti tjetër i mënjanimit të çdo konfrontimi nga ana e SYRIZA-s me ‘shtetin e thellë’ konsiston në qasjen ndaj strukturave policore. Ato mbeten ende enklava konservatore, me gjithë deklaratat se do të reformoheshin. Sjelljet ksenofobike brenda aparatit të sigurisë ngelen shqetësuese dhe në shumë e shumë raste është vërtetuar bashkëpunimi i tij me ekstremin e djathtë.
Ndërkohë që nuk ka marrë masa për ristrukturimin e policisë, SYRIZA i ka përdorur forcat e sigurisë për të shtypur lëvizje nga poshtë në mbështetje të refugjatëve. Më qershor të 2016-s, familjet e refugjatëve dhe mbështetës të tyre që po flinin në tre streha të zaptuara në Selanik – Nikos, Orfanotrofeio dhe Hurriya – u zgjuan nga policë të veshur me skafandra. Në një operacion policor të mirorkestruar, qindra persona u vunë nën pranga. Shumica e banorëve me status refugjati u liruan, ndërsa disa prej tyre u çuan në kampe që kontrollohen nga ushtria. Pjesa tjetër e banorëve, 74 persona nga më shumë se dhjetëra kombësi të ndryshme, u vendosën nën mbikëqyrjen e policisë. Operacione të ngjashme policore ndodhën marsin e shkuar edhe në Athinë. Policia ndërhyri nëpër hapësirat e zaptuara në qendër të Athinës, duke rimarrë në kontroll pronat nga dhjetëra emigrantë pa dokumente.
Represionit ndaj lëvizjeve që solidarizohen me refugjatët i shtohet edhe keqtrajtimi i vetë refugjatëve nga qeveria. Me gjithë premtimet për mbylljen e tyre, ende ekzistojnë qendrat famëkeqe të internimit të refugjatëve në Greqi, ndërkohë që shpërfillja e treguar nga qeveria kundrejt shëndetit të refugjatëve ka qenë arsyeja kryesore e vdekjeve të shkaktuara nga stuhitë e dëborës dimrin e shkuar në qendrat e refugjatëve, si ajo në Moria.
Për të mos harruar në fund marrëveshjen e turpit që partia nënshkroi me shtetin turk, marrëveshje e cila është pjesë e strukturës ligjore të adoptuar nga Bashkimi Evropian për menaxhimin e krizës së refugjatëve. Më 18 mars 2016, ligjvënësit grekë kaluan amendamentin për zbatimin e marrëveshjes së BE-së me Turqinëku kërkohej kthimi i refugjatëve dhe emigrantëve nga ishujt grekë drejt Turqisë. Marrëveshja synonte bllokimin e valëve të reja të refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë nga Evropa, pas mbërritjes së mbi një milion njerëzve gjatë 2015-s. Cili ka qenë ndikimi i marrëveshjes një vit më pas? Siç shprehet në një intervistë të fundit Dhimitris Kristopullos, presidenti i Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut:
“Mesazhi që dërgohet nga kjo marrëveshje po infekton gjithkënd. Po na infekton ne sepse e ushqejmë veten me legjitimimin e ksenofobisë. Është një mesazh i mungesës së empatisë njerëzore për refugjatët dhe emigrantët që e gjejnë veten të jetojnë në një hapësirë si të zënë në kurth. Është jashtëzakonisht problematike për kohezionin social të vetë kësaj hapësire, që është mes Greqisë dhe Turqisë. E dëmton Turqinë sepse blen heshtjen e Evropës ndërkohë që Turqia merr rrugën e autoritarizmit.”
Qasja e SYRIZA-s ndaj refugjatëve është jo vetëm larg çdo qasjeje humanitare liberale, por madje legjitimon dhe i jep dorë ligjërimit dhe praktikave të ekstremit të djathtë ndaj krizës së refugjatëve.
Mësimi për të majtën
Trajektorja e SYRIZA-s nuk karakterizohet vetëm nga “kapitullimi përpara Trojkës”, por edhe nga qasja politike problematike ndaj shtetit kapitalist. Ilustrimi i vijimësisë ideologjike të kësaj paradigme shkon përtej qëllimit të këtij artikulli. Megjithatë, dy prej komponentëve të saj mund të përmenden shkurtimisht. I pari ka të bëjë me elementin e njohur tashmë të “evropianizmit të majtë”, pra të idesë se institucionet jodemokratike të BE-së mundet disi të reformohen majtas. I dyti lidhet me idenë se vetë shteti është një fushëbetejë që pasqyron balancën mes forcave klasore në shoqëri. Ekzistojnë lexime të ndryshme të kësaj ideje dhe padyshim që disa konkluzione radikale mund të dalin pres saj. Megjithatë, leximi që i bëri asaj kryesia e SYRIZA-s u drejtua padyshim nga perceptimi i gabuar i balancës politike të forcave klasore jo vetëm brenda shoqërisë greke, por gjithashtu brenda Evropës së pas 2008-s.
Balanca e pafavorshme e forcave në kontinent u bë e qartë qëkurse SYRIZA mori pushtetin në janar 2015. Megjithëse është padyshim e vërtetë se qeveria u përball me një sulm të pashoq nga instrumentet kryesore të kapitalizmit global, siç janë institucionet evropiane dhe FMN-ja, zhvendosja e saj djathtas në shumë çështje – politika e jashtme, aparati shtypës shtetëror, marrëdhënia e shtetit me Kishën dhe me çështjen e refugjatëve – nuk u kushtëzua nga Trojka, por nga përshtatja me strukturat e kapitalizmit grek me gjithë “veçoritë e tyre”, nga “çështjet kombëtare” me klasën sunduese turke, nga natyra klienteliste e politikave elektorale greke, nga diskursi i “pajtimit kombëtar” që ka mbizotëruar që prej rënies së diktaturës, si dhe nga racizmi strukturor i shtetit kundrejt emigrantëve dhe refugjatëve, për të përmendur vetëm disa faktorë.
Zhvendosja e SYRIZA-s djathtas mbi shumë çështje po bëhej gjithmonë e më e qartë pas vitit 2012. Megjithëse është ndjellëse të flitet për “tradhti”, e vërteta është shumë më komplekse. Është më e drejtë të flitet për mospërputhshmëri mes pritshmërive dhe vullneteve të miliona grekëve të thjeshtë, nga njëra anë, dhe taktikave aktuale e zhvendosjeve strategjike që ndërmori udhëheqja e partisë, nga ana tjetër.
Ngritja e SYRIZA-s ishte rezultat i mobilizimit më të madh social në Greqi që prej rënies së diktaturës së kolonelëve në vitin 1974. Rritja e iniciativave lokale shoqërore prej 2010-s në 2015-n shkoi paralelisht me rritjen e vetëbesimit, çka që u manifestua më qartas në ditët para referendumit, kur perspektiva e një çarjeje më të thellë dhe më substanciale po bëhej gjithnjë e më e dukshme orë pas ore. Megjithatë, kufizimet strukturore të SYRIZA-s si projekt politik dhe si parti parlamentare në fund u bënë pengesë për arritjen e çfarëdolloj ndryshimi domethënës.
Mund të arsyetohet se konvergjenca më e afërt mes pritshmërive të lëvizjeve, nga njëra anë, dhe suazës së strategjisë së partisë, nga ana tjetër, u reflektua në parullën e vitit 2012 për një “qeveri të së majtës” që do të përfshinte SYRIZA-n, Partinë Komuniste (KKE) dhe koalicionin e të majtës radikale ANTARSYA. Megjithatë, refuzimi i propozimit të SYRIZA-s nga dy partitë e tjera – duke nënvizuar këtu se nuk ishte vetëm SYRIZA që bëri gabime – mundësoi zhvendosjen e saj djathtas, si edhe përbrendësimin e zakoneve më të ulëta të klientelizmit të sistemit elektoral grek, që u manifestua me përfshirjen në listat zgjedhore të figurave politike të diskredituara me prejardhje nga PASOK-u. Vija e re e të menduarit u bë më e thjeshtë nga mungesa e demokracisë brendapartiake, fiksimi me rolin e Aleksis Ciprasit si model i liderit “populist” që personifikonte vullnetin e popullit dhe nga nxjerrja jashtë loje dhe izolimi i të majtës radikale brenda partisë. Koalicioni me “Grekët e Pavarur” si dhe nënshkrimi i marrëveshjes së 20 qershorit nga Janis Varufakisi ishin thuajse vazhdimësi logjike e kësaj rruge, mesazhi kryesor i së cilës ishte se SYRIZA nuk do t’i ndryshonte “rregullat e lojës”.
Duke marrë në konsideratë këto zhvillime, shtrohet pyetja se si mundet që SYRIZA mbetet ende një aktor politik i rëndësishëm në sistemin politik të vendit. Shpjegimi i parë është strukturor dhe duhet lexuar bashkëngjitur me riorientimin e sistemit politik grek si të tillë. Humbja e sovranitetit e shkaktuar nga memorandumet ka neutralizuar rolin e partive politike në Greqi, duke i kthyer ato në organizata që zbatojnë vendimet e marra tjetërkund. Kjo ka sjellë shkëputjen e njerëzve nga politika meqenëse vota e tyre ka zero ndikim në politikat që ndiqen. Demokracia e Re nuk mund të përbëjë alternativë të vërtetë, pasi politikat kushtëzohen nga marrëveshje tashmë të nënshkruara. E njëjta gjë vlen për çdo parti tjetër që synon pushtetin.
Ekziston gjithashtu një faktor subjektiv. Ai lidhet me një lloj hegjemonie të brendshme që SYRIZA ka ngritur duke përqafuar zellshëm status quo-në politike dhe sociale të vendit, duke bërë fare pak lëshime ndaj klasës punëtore. Me strategjinë e ndjekur, SYRIZA ka siguruar një rend hegjemonik që siguron riprodhimin e saj politik. Kjo mund të përmblidhet në faktet e mëposhtme: a) qëndrimi brenda Eurozonës dhe BE-së duke siguruar kështu interesat e kapitalit grek; b) ruajtja e një balance të efektshme mes interesave amerikane (gjeopolitike), evropiane (borxhi dhe refugjatët) dhe kineze (projektet e privatizimit si porti i Pireut) brenda rajonit të Mesdheut; c) klientelizmi në sektorin publik duke mos hequr nga puna personelin (siç ka premtuar se do të bëjë Demokracia e Re) megjithëse politikat që zbatohen i ulin të ardhurat e punëtorëve të sektorit publik; d) zbutja e varfërisë duke ndihmuar shtresat më në nevojë të shoqërisë me masa që parandalojnë degradimin e tyre në mjerim absolut. Me fjalë të tjera, SYRIZA ka mbijetuar deri më tash ose duke përqafuar, ose duke e modifikuar status quo-në.
Përpjekja e SYRIZA-s për të ndërtuar ura me status quo-në ekzistuese dhe me rrjetet e pushtetit në Greqi përmes figurash të caktuara brenda grupit drejtues rreth Ciprasit, siç janë Janis Dhragasakisi dhe Nikos Papasi, e kombinuar me bazën e lëvizjeve dhe aktivistëve kundër masave shtrënguese në radhët e saj, krijoi brenda partisë një amalgamë kontradiktore në periudhën 2012-2015. Pas marrëveshjes së 15 korrikut, elementi i dytë dialektik u eliminua; me fjalë të tjera: nyjat mes partisë dhe shoqërisë u shkëputën njëherë e mirë. Presioni i njëkohshëm nga brenda partisë dhe nga shoqëria pushoi së ekzistuari. Pa një program të shëndoshë reformash, SYRIZA u përthith nga status quo-ja ekzistuese. Prandaj faktori thelbësor, përtej atij më të dukshmit të masave shtrënguese të diktuara nga memorandumet e nënshkruara, është transformimi i partisë në një organizatë autonome nga sfera sociale. Shkaqet e këtij adaptimi duhen kërkuar te shkëputja strukturore e SYRIZA-s nga forcat përgjegjëse për trajektoren në ngjitje të partisë.
E majta radikale në Greqi ende po vuan pasojat e tërheqjes së SYRIZA-s. Bashkimi i saj është hapi i parë për çdo strategji fitimtare në të ardhmen. Me gjithë fatin e saj tragjik ose për shkak të tij, SYRIZA mund të shërbejë si një rast ekzemplar për çfarë duhet mënjanuar me patjetër në mënyrë që një projekt i majtë të jetë i suksesshëm në këtë botë të thellimit të krizës kapitaliste. Mund të shërbejë gjithashtu si një rast tipik i kufizimeve strukturore që çdo formacion “populist i majtë” do të hasë nëse merr përsipër përgjegjësinë e menaxhimit të shtetit kapitalist. Këto kufizime nuk duhet të neglizhohen. U duhet bërë ballë jo vetëm institucioneve mbikombëtare si ato të BE-së ballë, por edhe marrëdhënieve të pushtetit brenda çdo vendi. Nuk ekziston një recetë e përgjithshme për kauzën e së majtës që të jetë e aplikueshme në çdo vend dhe në çdo kontekst. Çdo formacion kombëtar ka problemet e veta specifike të cilat duhen shqyrtuar. Kjo, padyshim, nuk e ul rëndësinë dhe rolin kyç që mund dhe duhet të luajë një lëvizje solidare substanciale që shtrihet përtej kufijve kombëtarë. E rëndësishme është që e majta pas SYRIZA-s t’i rezistojë çdo iluzioni lidhur me “racionalitetin” e kundërshtarëve apo “ndjenjën e tyre të drejtësisë”. Ky shteg u shkel një herë; nuk ekziston një mënyrë tjetër që do të mënjanonte domosdoshmërinë e konfrontimit me establishmentin. Manolis Anagnostakisi e shpreh qartë në poemën e tij, ‘Epilogu’:
“Dhe mbi të gjitha, jo mashtrime.
Merri(3) sikur të ishin dy fenerë
të mugët në mjegullnajë.
Si një pusullë shokëve që mungojnë
me të vetmen fjalë: Jetoj.
‘Anipse’ siç tha me të drejtë miku im Tito (4),
‘s’ka varg sot që të eksitojë turmat
s’ka varg sot që të përmbysë regjime’.
të mugët në mjegullnajë.
Si një pusullë shokëve që mungojnë
me të vetmen fjalë: Jetoj.
‘Anipse’ siç tha me të drejtë miku im Tito (4),
‘s’ka varg sot që të eksitojë turmat
s’ka varg sot që të përmbysë regjime’.
Ashtu qoftë.
Ulok, tregoji duart e tua! Gjyko që të gjykohesh!” (5)
Ulok, tregoji duart e tua! Gjyko që të gjykohesh!” (5)
Hyrja dhe përkthimi: Redi Muçi
Shënime:
- Marrëveshja e 20 shkurtit 2015 mes qeverisë së SYRIZA-s dhe Trojkës u krijoi mundësinë bankave greke që të mos mbylleshin menjëherë përmes një huaje të re të shkëputur nga kushtet e memorandumit të mëparshëm dhe gjithashtu mundësinë qeverisë së re të shtronte propozimet e veta në tryezën e negociatave. Në këmbim të saj, qeveria ra dakord të mos kryente asnjë ndërhyrje strukturore në aparatin shtetëror grek deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Në kundërshtim të qasjes në artikull, lexo këtu.
- Nocioni i ‘shtetit të thellë’ i referohet kontrollit që ushtrojnë pjesëtarë me influencë të qeverisë apo ushtrisë në zhvillimit e procedurave joformale për manipulimin dhe kontrollin e politikave qeveritare, rendit publik etj.
- E ka fjalën për vargjet.
- Titos Patrikios, poet dhe mik i autorit.
- Përmbysje e vargut biblik: “Mos gjyko që të mos gjykohesh!”
Imazhi: Reuters
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).