Si do ta shkruaja një artikull po të isha redaktor i organit kryesor?

/Jarosllav Hashek/

Hyrje
Jarosllav Hasheku, shkrimtari, gazetari, humoristi, satiristi dhe anarko-bolsheviku çek, njihet më së shumti prej veprës së tij të madhe e me famë botërore “Ushtari i mirë Shvejk”. Pak e dinë që kontributi i Hashekut është shumë më i madh se kaq dhe përfshin rreth 1200 artikuj, tregime, drama e veçanërisht fejtone (artikuj satirikë e fshikullues) politikë. Disa tregime e fejtone janë sjellë në gjuhën shqipe në fillimvitet ’90 nga përkthyesja Diamanda Dushi.
Fejtoni i mëposhtëm vë në lojë mënyrën se si pushteti represiv dhe abuziv, përmes veglave propagandistike, përpiqet të bindë opinionin publik se gjendja e përgjithshme është e mirë dhe justifikon shumë politika abuzive e në kurriz të shoqërisë. Edhe më me vlerë është kjo pjesë duke parë se sa aktuale tingëllon për gjendjen e sotme politike dhe shoqërore në Shqipëri, e cila përkeqësohet gjithmonë e më shumë, ndërsa pushteti, përmes levave mediatike që i ka shtënë të gjitha në dorë, përpiqet të manipulojë popullin me arritjet e rrejshme.
– Xhuliano Bregasi

***
Kudo është mirë, por në shtëpi është më mirë.
E vërteta në ditët tona nuk gjen respektin dhe konsideratën e duhur.
Në republikën tonë, veçanërisht kohët e fundit, është rrënjosur një zakon i keq për të pohuar të kundërtën. Dhe, megjithëse ne nga ana jonë nuk e quajmë të domosdoshme të flasim për mirëqenien e plotë të qytetarëve tanë, është e domosdoshme t’u mbyllim gojën disa llafazanëve që kritikojnë qeverinë dhe i tregojnë botës se te ne është keq.
Do të desha që fjalët tona të mos ishin një zë në shkretëtirë dhe të mos binin në një tokë shterpë.
E zëmë se në jetën e bashkëqytetarëve tanë ka momente, kur ata mund të bëhen lehtë pre e provokatorëve. Por, nuk duhet të harrojmë se edhe e keqja ka anën e saj të mirë. Vetëm njeriu i prirur për keq mund të dyshojë për këtë.
Pushteti shtetëror ekziston që nga ekzistenca e njerëzimit dhe, që në fillim të historisë, nuk ka pasur asnjë qeveri, mekanizmi i së cilës të mos ketë pasur ndonjë të metë sado të vogël. Por, nga ana tjetër, në çdo shtet, gjithmonë ka njerëz të pakënaqur. Këtyre njerëzve duhet t’u largohemi, sepse ata na prishin qetësinë shpirtërore dhe na mësojnë të urrejmë disa klasa, regjimin shtetëror dhe shoqërinë, që përcaktojnë fatin e kësaj apo asaj qeverie. Në fund të fundit, të gjitha iluzionet përmbysen dhe kjo i hap rrugën krimit. Në qoftë se në një qeveri ka rregull, ky do të vërë vulën e vet edhe te çdo qytetar. Njeriu i rregullt e ruan botën e vetë shpirtërore dhe mirëqenien dhe kjo e fundit është bazë e mbarësisë politike.
Vështrojmë përreth. Vallë, a nuk shohim ne se njerëzit që kanë të ardhura të mira, që kanë kapitale serioze dhe jetojnë mirë, gëzojnë respekt jo vetëm në rrethin e tyre, por edhe të punëtorëve të tyre?! Sigurisht, vetëm një njeri me paragjykime mund ta mohojë këtë. Në vendin tonë ka shumë të tillë, të cilët kanë vënë pasuri në saje të zellit të punëtorëve të tyre, ose e kanë marrë atë si trashëgimi. Përse të mos gëzohemi për suksesin e tyre? Mos vallë, ne duhet t’i kemi zili ata, t’i urrejmë? Dhe si mund t’i besojnë ata që pohojnë se te ne është keq? Jo shumë kohë më parë, më ka zënë syri në gazetë një lajmërim, se në Kinë, në provincën Gonsu, vdiqën nga uria 500 mijë njerëz, kurse në provincën Shansi 800 mijë njerëz. Ndodh një gjë e tillë në Republikën tonë, e cila blen miellin kinez?[1]
Statistika flet me gjuhën e shifrave. Në Çeki, Moravi, Solevi dhe Sllovaki, nga varfëria dhe uria vdesin çdo vit vetëm një përqindje e papërfillshme e popullsisë. Po sa njerëz vdesin nga uria në Indi, prej nga ku orizi te ne vjen me vagona? Gjysmë milioni. Vetëm përqindja e krahasueshme e vdekshmërisë në Çeki, në krahasim me Indinë, është treguesi më i mirë në sytë e çdo njeriu të paanshëm.
Pakënaqësia jonë shekullore është e aftë të shkaktojë në buzët e statistikës vetëm një buzëqeshje keqardhjeje.
Sot një kilogram mish lope kushton 16 korona çeke, një kg mish pate 32 korona, një kg pule 36 korona, një kg mish derri 28 korona, një kg mish gjeldeti 42 korona dhe gjithnjë njësoj dëgjohen ankime të përhershme për shtrenjtësinë.
Në kohën e Luftës franko-prusiane të vitit 1871 në Parisin e rrethuar, pula kushtonte 300 franga, pata 500 franga, kau 80 mijë franga, derrkuci 50 mijë franga. Kthejini këto në koronat çeke sipas kursit të tanishëm! Çdo i pakënaqur le të krahasojë këto shifra.
S’ka diskutim që ne jetojmë në periudhën e një shtrenjtësie të jashtëzakonshme të produkteve ushqimore. 117 vjet më parë, kur francezët ishin në Pragë, një fut miell ishte 18 talerë. Po sa kushton ai tani kur nuk ka francezë?
Në Alaskë nuk gjendet mish dashi, kurse ne kemi bagëti me shumicë.
Fisi indian Camak, në Afrikën e Jugut, nuk ka as edhe një ide për sheqerin, kurse te ne çdo nëpunës i përmendur ose punonjës ministrie vuan nga sëmundja e sheqerit. Kështu që populli nuk mund të ankohet për ushqim të keq.
Të shohim tani si është situata politike në Republikë.
Për krahasim, le të marrim situatën në Tonkin (në vitet 20 të shek. XX protektorati i Francës shtrihej në verilindje të Indisë Kineze), ku parlamenti u shpërnda, kurse deputetet u ekzekutuan, u rrahën për vdekje dhe u dënuan duke u prerë gjymtyrët. A ka patur te ne ndonjë rast, që në periudhën e shpërndarjes së Mbledhjes Kombëtare të dënojnë ndonjë deputet duke i prerë gjymtyrët? Kush flet për represione, le të shohë Siamin. Atje sundon pushteti i pakufizuar, me fjalë të tjera monarku mund t’i presë kokën kujt t’i teket. Te ne njerëzit me dëshirë mund të bënin edhe pa kokë. Duke ditur këtë, vetëm një maskara mund të ankohet për liri të kufizuar.
Liria është e garantuar me ligj. E kush guxon te ne të ngrihet mbi ligjin? Edhe sikur të ndodhë një gjë e tillë, kjo është thjesht një keqkuptim që mund ta sqarojmë dhe korrigjojmë menjëherë. Sistemi shumëdegësh i organeve të mbrojtjes vigjëlon mbi ne kur jemi në gjumë.
Ndodh diku ndonjë vrasje, këto organe menjëherë janë gati për kërkime të fshehta dhe arrestime, si rezultat i të cilave shpesh zbulohen banda vepruese të falsifikuesve të monedhave. Shkolla i mëson fëmijët tanë të respektojnë ligjet dhe t’i luten Zotit. Kështu, ato edukojnë qytetarë të mirë.
Diplomatët tanë i njeh e gjithë bota, kurse financierët kanë një peshë të tillë në bursën e financës ndërkombëtare, saqë ata vetë përcaktojnë kursin e koronës sonë.
Paqja dhe qetësia sundon në çdo shtëpi çeke, në çdo vatër çeke. Duar të kujdesshme punojnë në fabrika, në punishte, dhe me të mbaruar ditën e punës, mijëra punonjës të gëzuar hanë në darkë copën e tyre të bukës, duke lëvduar Zotin dhe duke shprehur mirënjohje për punëdhënësit, që ua sigurojnë këtë bukë. Ka vite që liderët diskutojnë çështjen e përmirësimit të gjendjes së klasës punëtore. Po kjo çështje është zgjidhur në mënyrë të suksesshme nga fabrikantët që u sigurojnë bukën e gojës. Çështja bie poshtë thjesht përderisa sipas pikëpamjeve të të majtëve të lëvizjes socialiste, të komunistëve, kush nuk punon nuk ha. Ai që ka punë punon dhe ha.
Mendimi se fabrikantët nuk punojnë, është tërësisht i gabuar. Çdo fabrikant është i zënë deri në grykë, po kush është i zënë deri në grykë, ai dhe punon.
Gjendja e përgjithshme e klasës punëtore në Republikën tonë, shpejt u tregoi vetë punëtorëve absurditetin e iluzioneve revolucionare.
Zhvillimi i kapitalizmit, ku është bazuar ekzistenca e Republikës sonë të re, u siguron punë të gjithëve atyre që duan të punojnë sinqerisht për të mirën e këtij zhvillimi.
Në ditët tona, kur gjendja e të varfërve është objekt i vëmendjes se të gjithë shoqërisë, është e pamundur të flasësh për politikë represioni në marrëdhëniet me klasën punëtore. Masat e rrepta, për të cilat u fol shumë te ne, nuk u zbatuan nga dashuria e përgjithshme për të afërmin, siç e tregoi vetë kaq bukur deputeti socialdemokrat Behirie, në artikullin e tij “Të shkatërruarit”, ku ai lëkundet midis urrejtjes dhe simpatisë, derisa në fund të fundit, foli vetë shpirti i tij i pastër.
Teksti i tij të “Të shkatërruarit” tingëllon si poezi:
Në ishullin pa njerëz qëndroj i vetmuar
dhe ja,
anija ime u shkatërrua…
Ja deti, ja dhe qielli,
e midis tyre rreh,
“zemra ime njerëzore”.
O Robinson Kruzo!
Tamam në kohën tonë, këto vargje të mrekullueshme humane i flasin zemrës tonë me atë dashuri harmonike për të afërmit, që tingëllon në to.
Pikërisht tani, kur revolucioni socialist botëror u likujdua me ecjen prapa të të gjithë procesit historik, masat despotike të qeverisë për çështjet e njohura janë miratuar dhe është marrë vendim, duke u nisur nga interesat shtetërore, të shërbejnë si mbështetje e gjithanshme. Është e domosdoshme të kuptojmë se në ç’kohë jetojmë dhe nga kjo duhet të nisemi për vlerësimin e ngjarjeve politike.
Mos kini zili!
E keqja më e madhe në jetën e Republikës sonë është se në rrethet e gjera të popullsisë është përhapur një zili e egër, që ka për qëllim të sabotojë të ardhmen tonë të lumtur. Të kesh zili dikë në Republikën tonë, vallë a nuk është turp dhe degjenerim?
Çdo njeri që dëshiron që populli ynë të zgjohet dhe përsëri të gjejë vetveten, duhet, para së gjithash, të asgjësojë dhe shtypë përbindëshin e zilisë që futet kudo me forcë dhe që ka mbështjellë me pëlhurën e merimangës të gjithë Republikën. Zilia helmon me frymën e vdekjes vetë ajrin e Çekisë dhe shkatërron rregullat morale të Republikës tonë. Zilia zgjon të gjithë profetët e rremë dhe ujqit me lëkurë deleje, që të hedhin baltë në kristalin e pastër të jetës sonë shoqërore.
Në epokën e madhe në të cilën jetojmë, kur Karl Habsburgun e përzunë nga Hungaria, gjë që i vërtetoi të gjithë botës ekzistencën në Antantën e Vogël të vijës së saj të qartë, nuk duhet lejuar që zilia të degjenerojë radhët tona.
Oh, sikur të kthehej koha e grekërve dhe romakëve të lashtë, kur patricët dhe skllevërit, që nuk e njihnin zilinë, punonin për lavdinë e shtetit të tyre.
Te ne deri në shtresat më të gjera është rrënjosur zilia. Çdo ngritje page për ministrat ose anëtarët e organeve ligjvënëse zgjon thashetheme zilie te njerëzit që nuk dinë të arsyetojnë. Për këta zotërinj, janë të paqarta fjalët e ministrit danez të punëve të brendshme të thëna në festën e 800-vjetorit të shtetit danez:
“Populli do të jetë gjithnjë i fortë me ministrat dhe anëtarët e organeve ligjvënëse të siguruar”.
Këto fliten në vendet ku nuk ka zili, ku buxheti shtetëror pranohet pa diskutime dhe kufizime. Kurse te ne, asnjë ngritje, sado e vogël e pagave, nuk bëhet pa debate në parlament dhe pa kritikë ziliqare. Në qoftë se te ne, po themi, ministrit të financave i rritin pagën me 100 mijë korona në vit, menjëherë do të ngrihej zëri. Shumë punonjës, nëpunës të vegjël dhe të mesmë të administrimit të taksave, menjëherë, pa kurrfarë justifikimi, do të kërkonin rritje të pagave të tyre, pa llogaritur që Republika kalon një krizë të rëndë politike.
Ata pohojnë se gjithçka është shumë e shtrenjtë dhe se nuk mund të mbajnë familjet e tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Asnjë nga nëpunësit tanë shtetërorë, që bëjnë jetë të thjeshtë e modeste, nuk mund të vdesin nga uria. Por bisedat ziliqare që marrin si shembull ministrat, janë të infektuar nga provokatorë të dëmshëm. Në fakt, s’ke ç’bën kur dëgjon fjalë të tilla: “Në qoftë se ministri mund të përfaqësohet në emër të Republikës, pse të mos jemi ne me mijëra një aparat i tërë dikasterial?” Ose më shumë: “Ministri ka një shtëpi personale, ministri shkon të pushojë me familjen në vilë. Ne, as që mund ta imagjinojmë veten”. Kështu duhet të shikojmë në praktikë shpalljen e Masarikut në deklaratën e tij “Republika Çekosllovake”. Pa thënë ende se në periudhën e krizës së përgjithshme të industrisë së ndërtimit, nuk mund të mendohej se për secilin nga gjysmë milioni nëpunës dhe punonjës shtetërorë të sigurohej mundësia e blerjes ose e ndërtimit të vilës personale, është qesharake të diskutosh për gjysmë milioni njerëz, kur të gjitha apartamentet në qytet janë të zëna ose të marra me kohë me kontratë nga nëpunësit e lartë të ministrive dhe nga kapitalistët tanë, – të cilët përfaqësojnë popullin tonë në tregun botëror dhe i hapin rrugë valutës sonë në arenën ndërkombëtare. Pra, secili nga ne duhet t’u uronte atyre nga zemra pushime të gëzuara në qoftë se nuk do të na pengonte zilia.
Pak kohë më parë një qytetar më tha: “Ata udhëtojnë me makinë, kurse unë nuk kam para për tramvajin”. Unë desha t’i them: “Ec më këmbë, ziliqar! Në qoftë se nuk ke para për tramvaj, ç’ka këtu për t’u çuditur që ata udhëtojnë me makinë?! Shko puno, përpiqu! Përndryshe, atij që ti sot e shikon me makinë, nesër do t’i duhet të ecë më këmbë. Por ti e di nga përvoja jote se sa e pakëndshme është kjo. Mos i uro të keqen tjetrit, ji i moralshëm, sepse vetëm me pastërti morale garantohet shëndeti i kombit”.
Pastërtia morale, pastrimi i zemrave tona nga helmi i zilisë – ja ç’është e domosdoshme për rregullimin e marrëdhënieve tona të brendshme. Duhet të mësojmë të respektojmë mirëqenien material të të tjerëve dhe të ruajmë në shpirt si diçka të shenjtë ndjenjën e detyrimeve personale. Që shumë njerëz janë larg nga kjo, dëshmon ky rast: “Pak kohë më parë doli rregulli që portierët të cilët hapin dyert natën, të mos paguhen më shumë se 10 krejcer. Ky rregull doli kur qeveria, krahas me rritjen e çmimit të mallrave të konsumit të gjerë, rriti edhe pagat e ministrave, që edhe pa këtë kanë gjithçka, u kanë rritur pagat me 1000 korona. Ne humbim shëndetin këtu. Kush vjen natën dhe ne na duhet të ngrihemi e të hapim dyert. Po për gjumin tonë, harruan?”.
Unë nuk u përmbajta: “I dashur mik! Ç’të them? Kjo zilia e mallkuar, ju ka goditur. Tjetër gjë është portieri dhe tjetër ministri. Ju ç’kërkoni? Dëshironi që ministri të bëhet roje dhe roja ministër? Dhe juve atëherë edhe më shumë do t’ju kishin zili, më shumë sesa e kini ju ministrin. Dhe jo sepse ju nuk do të mund të bënit punën më mirë se ministri i tanishëm, por thjesht nga zilia. Ju harroni se çfarë detyrimesh keni? Çfarë duhet të bëjë roja? Natë e ditë të ruajë që shtëpisë të mos i kërcënohet asnjë rrezik, që pronari i shtëpisë të marrë një qira më të ulët për apartamentin ku banon. Në përgjithësi portieri nuk ka pse të flejë dhe derën duhet ta hapë pa shpërblim, pa patur zili atë që bën qejf nëpër restorante përderisa ai kështu thjesht kryen detyrën e vetë. Kështu që edhe këta dhjetë krejcer janë të tepërt. Puna juaj në tërësi shpërblehet me mundësinë për të paguar më pak për apartamentin, me mundësinë, që në krizën e tanishme të banesave, është vështirë ta nënvleftësosh.
Ne do të donim që shtresat e gjera të popullsisë, në fund të fundit të kuptonin që zilia shkatërron unitetin kombëtar dhe dëmton pozitën ndërkombëtare të Republikës sonë. Në qoftë se punëtori ka zili padronin e vetë dhe thotë: “Ai jeton më mirë se unë; mua më duhet një vit që të fitoj një të dhjetën e asaj që ai harxhon në një ditë, vallë a është e drejtë kjo?” Jo, krejtësisht e padrejtë. Në zërin e punëtorit duhet të flasë një ndjenjë më e lartë se zilia dhe pikërisht gëzimi i punës. Punëtori nuk duhet të vlerësojë gjithçka nga pagesa. Ai duhet të jetë idealist. Ideali i tij nuk është lufta për qindarkën, por, edhe njëherë e përsëris: gëzimi i punës. Punëtori duhet ta lërë atë rrugë të dyshimtë nëpër të cilën e udhëhoqi zilia dhe, pasi të harrojë varfërinë dhe nevojat e përditshme, të shohë te puna lëvizësin shekullor të ekzistencës së vet.
I rekomandojmë vëmendjes së të gjithë punëtorëve, që janë çoroditur nga agjitatori i pandërgjegjshëm i zilisë, një poezi të mrekullueshme. Ajo është botuar më 21 prill 1921 në gazetën “Politika popullore”, me titullin “Sonete”.
Për shumë, jeta rrjedh e qetë,
Lulet e lumturisë e lulëzojnë,
Buzët dridhen nga buzëqeshja e gëzimit
Gjoksi me kënaqësi merr frymë thellë.
Kurse të tjerë e kanë gëzimin larg,
Përbindëshi i vuajtjeve rreh mbi ta krahët,
Viktimat e tyre përpëliten
Ku të gjejë të hollat për qumështin e fëmijëve.
Por në qoftë se jeta do të ishte
Për të gjithë njësoj,
Nuk do të kishte shqetësime, halle
Do të zhdukeshin qëllimet, dëshirat
Por gëzimin, edhe punëtorët e kanë,
Gëzimi i tyre është puna.
E ardhmja e stolisur me lule,
U buzëqesh atyre.
Bukur është shprehur këtu poeti. Se në qoftë se të gjithë do të ishin mirë, jeta nuk do të kishte kuptim. Sa e tmerrshme do të ishte në qoftë se njerëzit nuk do të vdisnin nga uria, në qoftë se nuk do të kishte fatkeqë që të vuanin për copën e bukës. Atëherë jeta do të ishte aq e mërzitshme, saqë kapitalistëve të “politikës popullore” do t’u duhej t’ua ndanin kapitalin e tyre të varfërve, kurse vetë të vdisnin nga uria, vetëm që jeta njerëzore të mos humbte magjinë e saj, siç shkruan autori i “Sonetit”. Përveç kësaj, ai thekson një rrethanë, të cilën nuk e kemi prekur deri tani, por që është udhëheqës me vlerë në luftën kundër zilisë. Në këtë luftë luan rol jo vetëm gëzimi i pastër i punës, që e bën punëtorin të harrojë hallet e veta dhe vogëlsirat e jetës, por gjithashtu edhe ndjenja e mrekullueshme që provon njeriu i thjeshtë i vuajtur nga jeta, kur sheh bukurinë e pranverës të stolisur me lulet e natyrës. Dashuria për lulet, për barin, për pemët e lulëzuara, për lule radhiqet, margaritat, largon zilinë nga zemra e njeriut, nga shpirti i proletarit të varfër. Pasi ngopet me aromën e këndshme, ai ua çon në shtëpi të afërmve, në formën e buqetave me lule fushe dhe pylli, dhe i ushqen ata me aromën e tyre. Ja përse nuk duhet të harrojmë më ziliqarin nga të gjithë ziliqarët: të papunët. Organet tona bamirëse duhet të organizojnë shëtitje në periferitë e qendrave të fabrikave, duke iu siguruar të papunëve mundësinë për t’u kënaqur me aromën e luleve dhe këngën e zogjve, gurgullimin e burimeve dhe zhurmën e pyllit. Nuk duhet ta harrojnë këtë dhe liderët e partive socialiste, të cilët do të bënin mirë nëse do të diskutonin më pak për politikën, por do të fusnin te masat interesin për botanikën dhe më shpesh të hartonin raporte për bukurinë e natyrës. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se bukuria e natyrës, e bashkuar me gëzimin e pastër të punës, do ta zhdukin zilinë nga masat e popullit çek, kurse organizimi i ekskursioneve për punëtorët do të ngjallë simpatinë e gjithë botës për Republikën tonë.

Marrë nga libri “Portreti i perandorit”, Tregime dhe fejtone, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë 1995


Shënime
:
[1] Në vitin 1921 Çekosllovakia bleu në Angli miell të blerë nga Kina (Sh.p.).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.