/Ralph Miliband/
Nën influencën e pozicionimit strategjik që gëzojnë ndërmarrjet kapitaliste në marrëdhënie me qeveritë, thjesht për shkak të kontrollit të tyre mbi burimet ekonomike, nocioni qendror në teorinë pluraliste, sipas të cilit nuk ekziston vetëm një por disa grupe “vetosh” në shoqëritë kapitaliste, mbetet formë arratisjeje nga realiteti.
Ndër këto grupe të tjera shoqërore është pikërisht puna, si interes i organizuar, fuqia e të cilës shpesh herë mendohet të jetë e barabartë (herë-herë mendohet edhe që e tejkalon) me pushtetin e kapitalit. Megjithatë një qasje e tillë nënkupton trajtimin si fakt të asaj që në të vërtetë mbetet potencial i parealizuar, përmbushja e së cilit është e rrethuar me vështirësi të panumërta.
Puna nuk ka të bëjë aspak me pushtetin kapitalist në vendimmarrjet e përditshme të ekonomisë kapitaliste. Atë që firma prodhon – nëse eksportohet ose jo; nëse investon dhe për çfarë qëllimi; nëse blen ose blihet nga firma të tjera – këto dhe shumë vendime të tjera janë çështje mbi të cilat puna në rastin më të mirë ka influencë indirekte dhe shumicën e kohës hiç fare. Në këtë kuptim, punës i mungon një bazë e qëndrueshme e pushtetit ekonomik dhe rrjedhimisht ka më pak potencial për të ushtruar presion në përballje me shtetin. Kjo është gjithashtu një nga arsyet përse qeveritë shqetësohen shumë më pak për të fituar besimin e punës krahasuar me kapitalin.
Për më tepër, sa i përket ushtrimit të presionit, puna nuk zotëron asgjë të ngjashme me influencat e jashtme të cilat gjithnjë mobilizohen në emër të kapitalit. Puna nuk ka agjentë të nëntokës si bankierët e Zyrihut, asgjë të barazvlefshme me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar apo Organizatën për Bashkëveprim dhe Zhvillim Ekonomik; për t’u siguruar që qeveritë të druhen nga masat në dëm të punëtorëve dhe në të mirë të biznesit, ose për të ushtruar presion për politika të cilat avantazhojnë grupet me të ardhura të pakta. Për rrogëtarët e botës kapitaliste, solidariteti internacional mbetet retorikë e shenjtë e cila rrallë manifestohet konkretisht dhe me sukses; për bizneset një solidaritet i tillë është realitet i përhershëm.
Arma më e rëndësishme që puna zotëron si “grup interesi” është greva; dhe atëherë kur është përdorur me vendosmëri reale, efektiviteti i saj është demonstruar qartësisht. Punëdhënësit dhe qeveritë janë detyruar të bëjnë lëshime ndaj punës për shkak të vendosmërisë së kësaj të fundit për të përdorur grevën, ose edhe për shkak të potencialit të një greve. Në raste të shumta, kërkesa për të cilat sindikatave dhe punëtorëve u është thënë që nuk mund të plotësohen sepse do të sillnin shkatërrimin e një firme apo një industrie, ose do të dëmtonin rëndë ekonominë nacionale, çuditërisht janë shndërruar në të realizueshme kur puna e organizuar ka treguar në praktikë që refuzon të heqë dorë nga kërkesat e saj.
Megjithatë, pikërisht vendosmëria është problemi. Puna, si një grup presioni, është tejet e cenueshme nga influenca të brendshme e të jashtme, të llogaritura me qëllim për të zbehur vullnetin dhe konsistencën e punës. Për shkak të efektivitetit të këtyre influencave, qeveritë përgjithësisht nuk e kanë parë të nevojshme ta trajtojnë punën me të njëjtën sajdisje me të cilën trajtojnë bizneset. Në raste të caktuara qeveritë kanë shkelur në pragun e biznesit, por kurrë aq fort sa në atë të punës.
Një dobësi e rëndësishme e cila ndikon mbi punën si një grup presioni krahasuar me biznesin, është që organizatat nacionale të këtij të fundit janë në gjendje të flasin me autoritet shumë më të konsiderueshëm se e kundërta e tyre.
Për këtë ekzistojnë një numër arsyesh. Njëra prej tyre është që organizatat e biznesit mund të pretendojnë realisht që flasin në emër të biznesit, qoftë sepse ato përfshijnë një përqindje tepër të lartë të njësive të biznesit, ose sepse firmat që përfaqësojnë këto organizata janë përgjegjëse për pjesën më të madhe dhe të rëndësishme të aktivitetit ekonomik. Organizatat e punës, nga ana tjetër, askund nuk përfshijnë pjesën më të madhe të punëtorëve, dhe në të shumtën e rasteve përqindja është tepër e vogël. Në këtë kuptim, organizatat e biznesit janë shumë më përfaqësuese se ato të punës.
Së dyti dhe akoma më e rëndësishme, biznesi askund nuk është aq i përçarë sa puna. Shpesh është vënë në dukje që biznesi nuk është monolit ekonomik apo ideologjik, i cili flet me një zë të vetëm mbi të gjitha çështjet e ndryshme. Ç’është e vërteta, interesat e ndara gjejnë kudo shprehi në grupimet e ndryshme nacionale të cilat përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të “komunitetit të biznesit”. Këto ndarje, më madhorja prej tyre ajo midis ndërmarrjeve të mëdha dhe atyre të vogla, nuk duhen anashkaluar, qoftë në terma specifik ose në një këndvështrim më të gjerë. Por këto ndasi nuk e pamundësojnë konsensusin ideologjik, i cili është thelbësor në përfaqësimin dhe impaktin e biznesit në raport me shoqërinë dhe qeveritë. Kësisoj, politikat e përkrahura nga “Diet of German Industry and Commerce” mund të jenë më të “moderuara dhe liberale” se ato të“Federation of German Industry”; dhe hije të tilla të ndryshimeve mund të gjenden edhe në organizata nacionale në vende të tjera. Por këto ndryshime qartazi ngjasin brenda një spektri të ngushtë konservator mirëkuptimi në të cilin përjashtohen konfliktet madhore. Mund të thuhet se biznesi është i ndarë faktikisht, por është koheziv strategjikisht; mbi shumicën e çështjeve të politikave ekonomike dhe të tjera çështjeve nacionale mund të pritet të shfaqet në një front të bashkuar.
Qartazi, diçka e tillë nuk mund të thuhet për organizatat e punës. Karakteristikë e jashtëzakonshme e tyre është përçarja dhe jo uniteti; dhe përplasjet mes tyre në vend se të jenë sipërfaqësore dhe të lidhura me taktikën, janë përmbajtësore dhe thelbësore.
Sindikatat kanë pasur gjithnjë ndasi mes vetes (dhe shpesh edhe brenda së njëjtës sindikatë) sa i përket funksionit dhe aftësive partikulare të anëtarëve të tyre, ndonjëherë për shkak të faktorëve gjeografikë, shpesh për shkak të besimit, ose prej faktorëve etnikë apo racorë. Megjithatë, qoftë për shkak të këtyre ndasive apo për arsye të tjera, sindikatat mbi të gjitha janë të ndara mes dhe brenda vetes për shkaqe ideologjike.
Në disa vende, si Franca dhe Italia, këto ndasi gjejnë shprehi institucionale në ekzistencën e federatave të ndara dhe shpesh antagoniste ndaj njëra-tjetrës – komuniste, social-demokrate dhe të krishtera, konfliktet e brendshme të së cilave janë faktor thellësisht dëmtues në përballjen e tyre me shtetin dhe biznesin dhe suksesin e tyre si grupe presioni. Biznesi askund nuk vuan nga asgjë përafërsisht e ngjashme me një ndarje të tillë.
Për më tepër, edhe në vendet ku ndasitë ideologjike nuk kanë gjetur artikulim institucional, lëvizja sindikaliste përsëri ka përjetuar mospajtime të mëdha të cilat, edhe pse mund të mbesin brenda një organizate të vetme, përsëri kanë efekt po aq shkatërrimtar.
I tillë është rasti i lëvizjes sindikale në Britani, ku shpesh ndasitë kanë ndodhur mbi diferencimet funksionale midis sindikatave; ndasi mbi të cilat shpesh janë imponuar edhe konfliktet midis qëndrimeve më pak dhe më shumë militante; dhe kjo ndasi e dytë shpesh ka ndodhur edhe brenda një sindikate të vetme, me njërin krah më militant dhe të pasur me elemente të së majtës dhe me krahun tjetër, përgjithësisht të përfaqësuar nga burokracia, i cili shfaqet më i moderuar dhe “i përgjegjshëm”.
Kjo ndarje ndërmjet burokracisë dhe anëtarëve zakonisht nuk ka ndodhur në radhët e organizatave të biznesit. Shkaku kryesor i një konflikti të tillë, prej të cilit as vetë sindikatat komuniste nuk kanë pasur imunitet, qëndron në rolin thellësisht të dyshimtë që priren të luajnë liderët e sindikatës në shoqëritë kapitaliste. Nga njëra anë, udhëheqësit sindikalë duhen të ruajnë interesin sektorial të anëtarësisë së tyre kundrejt pronarit dhe shpesh herë edhe shtetit; po nga ana tjetër “opinioni publik” pret prej tyre të tregohen “të përgjegjshëm” në të mirë të “interesit kombëtar”, i cili nënkupton që kërkesat e anëtarësisë duhen shpërfillur në vend se të mbrohen dhe të luftohet për avancimin e tyre.
Kjo vlen veçanërisht sa i përket grevës. Sipas V. L. Allen-it:
“Grevat ndodhin brenda një ambienti armiqësor edhe pse në vetvete janë fenomene të së përditshmes sonë. Grevat përshkruhen konvencionalisht si të dëmshme për industrinë, të papërgjegjshme, të padrejta, në kundërshti me interesin e komunitetit dhe të vetë punëtorëve, në mospërputhje me demokracinë dhe, në çdo rast, të panevojshme.”
I rëndësishëm është fakti që vetë liderët e lëvizjes sindikaliste, veçanërisht “reformatorët”, ndikohen thellësisht nga nocione të tilla. Allen-i shkruan se…
“Zyrtarët e sindikatave bien pre e ndikimeve të ambientit antigrevë sepse shpesh herë ata shihen si përgjegjës për sjelljen e anëtarësisë… Që prej momentit kur anëtarët vendosin të thërrasin grevën, zyrtarët e sindikatës priren të kalojnë në pozita mbrojtëse dhe të shqetësohen për pezullimin e veprimtarisë sindikale. Kur ata vërtetë angazhohen në një grevë, shpesh motivohen nga dëshira për ta mbyllur sa më shpejtë, pavarësisht nëse greva është e drejtë apo jo. “
Këto “ndikime të ambientit” janë thellësisht të jashtëzakonshme. Në to përfshihen mediat e mëdha, mbi të cilat kapitali mund të mbështetet në çdo rast për të trumbetuar papërgjeshmërinë e grevës pavarësisht shkaqeve të saj dhe në mënyrë të ngjashme të hedhin baltë mbi udhëheqësit e saj; njëlloj përfshihet edhe qeveria nga e cila, pavarësisht ngjyrimeve politike, në mënyrë të barazvlefshme me mediat pritet të ushtrojë mekanizmat e saj të influencës dhe pushtetit për të zbehur vullnetin dhe mbi të gjitha kërkesat e pjesëtareve të grevës, më veçanërisht të zyrtarëve të sindikatës. Diçka e tillë jo gjithnjë ndodh me sukses, por të paktën gjithnjë tentohet të ndodhë.
Këto influenca të ambientit nuk janë të vetmet shkaqe pse zyrtarët e sindikatës druhen nga grevat dhe kërkesat e anëtarësisë. Një veprimtari e tillë kolektive me shumë gjasa do të sillte tkurrje të mëdha të burimeve të sindikatës. Gjithashtu greva do të forconte pozitat e elementëve më militantë brenda sindikatës, sfida e të cilëve ndaj udhëheqësisë ngjall natyrshëm tendencën e kësaj të fundit për t’i rezistuar grevës. Për më tepër, frika nga dështimi, pavarësisht sakrificave heroike, është gjithnjë tepër e madhe dhe zmadhohet më shumë nga dijenia mbi pushtetin e forcave të rreshtuara kundër punës. Suksesi i veprimtarisë militante varet shpesh nga solidariteti dhe mbështetja e sindikatave të tjera, gjë që ndodh tepër rrallë; dhe kur ndodh, nuk ka gjasa të shtrihet në kohë aq sa do të duhej për të garantuar suksesin.
Disa prej këtyre dobësive gjenden në vetë pozicionimin e sindikatave në shoqëritë kapitaliste. Megjithatë edhe në instanca të tilla kufizimet strukturore variojnë të paktën pjesërisht në varësi të ideologjisë dhe botëkuptimit të udhëheqësve të sindikatave.
Me përjashtim të Francës dhe Italisë ku sindikatat më të mëdha udhëhiqen nga marksistë të rrymave të ndryshme, lëvizjet sindikale në shtetet e avancuara kapitaliste udhëhiqen dhe dominohen nga njerëz që e quajnë veten socialistë, social-demokratë, demokratë të krishterë, ose si në rastin e SHBA thjesht demokratë. Këto etiketime të ndryshme janë tregues të qasjeve përkatëse në raport me sistemin kapitalist. Ndërkohë që disa udhëheqës sindikalë, si në rastin e SHBA, e pranojnë sistemin si të tillë, madje me tepër entuziazëm, të tjerë priren të besojnë në ardhmërinë e një sistemi tjetër shoqëror. Aty ku sindikalistët amerikanë besojnë dhe shprehin me siguri se ekziston një identitet përbashkësues ndërmjet menaxherëve të kapitalit dhe punës, shumica e sindikalistëve në vendet e tjera të botës do ta kundërshtonin një qasje të tillë.
Nga ana tjetër, rëndësia praktike e diferencave ideologjike ndërmjet sindikatave amerikane dhe pjesës tjetër të sindikatave jomarksiste, edhe mund të ekzagjerohet. Udhëheqësit e sindikatave në Amerikë haptazi e mirëpresin sistemin kapitalist, ndërkohë të ngjashmit me ta në vende të tjera, praktikisht janë sjellë në të njëjtën mënyrë, duke e trajtuar si të parëndësishme në veprimtarinë e tyre qasjen ideologjike që priret drejt një rendi më të mirë social.
Ky fenomen ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënieve të zyrtarëve të sindikatave me pronarët dhe shtetin dhe ka hedhur baza të forta bashkëpunimi, duke i shndërruar këta udhëheqës sindikalë në partnerë rishtarë të ndërmarrjes kapitaliste. Në ditët e sotme ky proces ka marrë karakter më zyrtar se në të kaluarën: sindikatat shpesh “konsultohen” me qeveritë e tyre, dhe përfaqësues të sindikatave shpesh bëhen pjesë e organeve të ndryshme shtetërore. Udhëheqësit e sindikatave e kanë pasur të lehtë të besojnë që përderisa shteti i ka njohur si element të domosdoshëm në operimin e kapitalizmit, për pasojë puna ka fituar pozita të barabarta me kapitalin në përcaktimin e politikave ekonomike. Në të vërtetë, përfshirja e tyre në veprimtarinë zyrtare shtetërore të vendeve përkatëse ka shërbyer më së shumti për t’i ngarkuar me përgjegjësi të cilat kanë dobësuar më shumë pozicionet e tyre të negociatave, dhe njëjtë ka ndikuar në reduktimin e efektivitetit të sindikatave.
Ka edhe arsye të tjera për ta hedhur poshtë si të pavërtetë në tërësinë e tij vështrimin e punës si grup interesi të krahasueshëm në pozitat e pushtetit me biznesin.
Aktiviteti në grup për të ushtruar presion, tanimë pranohet gjerësisht, ndodh më tepër në nivelet ekzekutive dhe administrative sesa në ato legjislative. Ndërsa shteti ka përftuar gjithnjë e më tepër pushtet në të gjitha fushat e aktivitetit ekonomik dhe shoqëror, natyrisht interesat “madhorë” në shoqëri kanë ushtruar mekanizmat e tyre të presionit ndaj shtetit dhe administratës. Kjo nuk do të thotë që mbi legjislaturën një fenomen i tillë nuk ka ndikuar aspak, por megjithatë pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të këtyre grupeve të presionit duhet ushtruar mbi pushtetin ekzekutiv; prandaj grupet më pak të fuqishme fokusohen në ushtrimin e ndikimit nëpërmjet legjislaturës sepse nuk munden të bëjnë diçka të ngjashme në nivelin ekzekutiv. Interesat “madhorë” i përdorin të dyja mjetet, por në mënyrë më të theksuar qeverinë dhe administratën. Siç jam përpjekur të argumentoj gjatë gjithë tekstit, biznesi bëhet pjesë e kësaj marrëdhënieje konkurruese në pozicion shumë më të favorshëm se puna apo cilido grup tjetër interesi që gjendet në shoqëri. Krahasuar me punën, bizneset dhe përfaqësuesit e tyre kanë raporte të natyrshme dhe tepër “miqësore” me ministrat, punonjësit e administratës dhe të tjerë anëtarë të elitës shtetërore. Duke marrë në konsideratë pozicionimin shoqëror, lidhjet personale, situatën klasore, interesat në shoqëri, rreshtimet ideologjike, nocione si “interesi kombëtar” – për grupet e presionit të biznesit duket tepër e arsyeshme që këndvështrimet dhe kërkesat e tyre të hasin të paktën në mirëkuptimin, simpatinë ose respektin e një lloji krejtësisht të ndryshëm krahasuar me punën; diçka e tillë ka po aq gjasa të ndodhë edhe në rastet kur qeveritë janë“të majta”.
Një tjetër arsye e rëndësishme për këtë diferencim është fakti që puna, si një grup presioni, gjithnjë shfaqet tepër më sektoriale se biznesi. Kërkesat e saj, pavarësisht se tepër të vlefshme në vetvete, tepër lehtë etiketohen si të dëmshme për ekonominë dhe financën, si të kundërta me mbarëvajtjen e ndërmarrjeve industriale, si të dëmshme sa i përket “besimit” kundrejt grupeve të interesit brenda dhe jashtë kufijve të shtetit, si “egoiste” dhe “jorealiste” – e thënë shkurt, në kundërshti me “interesin kombëtar”.
Për kontrast, kërkesat e biznesit pretendohet gjithnjë se janë në të mirë të “interesit kombëtar”. Kështu, edhe kundërshtia e biznesit ndaj kërkesave të punës, për nga vetë përkufizimi, vjen në emër të këtij interesi. Gjithashtu kërkesat e biznesit, të cilat kanë si qëllim fuqizimin e pozicioneve të firmave dhe industrive partikulare ose ndërmarrjeve kapitaliste në tërësi, prezantohen gjithnjë në kontekstin kapitalist ku paraqiten si të përputhshme me interesin kombëtar.
Departamentet qeveritare dhe agjencitë rregullatore që përballen me interesat madhor në shoqëri ndikohen ndjeshëm nga informacioni dhe të dhënat e paraqitura nga këta të fundit, dhe shpesh i përcaktojnë politikat e tyre në varësi të këtyre informacioneve. Përsëri, për shkak të burimeve të shumta që zotëron, edhe në këtë aspekt biznesi gjendet në pozicion më superior se puna. Për më tepër, firmat më të mëdha dhe të fuqishme nuk kanë nevojën e trupave ndërmjetësuese për të komunikuar me qeveritë për të paraqitur kërkesat e tyre – këtë e bëjnë vetë, me besimin e natyrshëm në rolin e tyre si grup interesi që lind nga vetë pozicionimi strategjik në strukturën ekonomike.
Asnjë interes tjetër përveç biznesit nuk ka qasje kaq të drejtpërdrejtë në çështjet më të rëndësishme të pushtetit ekzekutiv dhe asnjë interes nuk gëzon të njëjtën marrëdhënie të afërt me agjentët e pushtetit. Në një kontekst alternativ, do të ishte e vështirë të mendohej që një interes i ndryshëm nga biznesi do mund të zotëronte burimet dhe përkrahjen e nevojshme që dëshmuam në Britani për të bindur qeverinë të miratonte ligjet e televizionit komercial; është po aq e vështirë të mendohet që një sindikatë do të ishte në gjendje të mblidhte burimet e nevojshme të ndërmerrte një fushatë kundër shtetëzimeve të ngjashme me atë që firmat e mëdha britanike kanë ndërmarrë herë pas here që prej periudhës së luftës. Një shkrimtar amerikan dikur shkruante “e meta në parajsën pluraliste është që kori hyjnor këndon me theks të fortë të shtresave të larta… sistemi është i njëanshëm në të mirë të një fraksioni të vogël të shoqërisë.” E njëjta gjë vlen edhe për shtetet e tjera kapitaliste.
Për të shteruar argumentin, kjo njëanshmëri nuk nënkupton automatikisht që interesat e biznesit i përmbushin gjithnjë qëllimet e tyre dhe imponojnë vullnetin e tyre mbi shtetin në mënyrë absolute. Grupet e tjera të interesit kanë arritur të ndërmarrin fushata të suksesshme, edhe në përballje me biznesin e madh. Sikur dominimi i biznesit të ishte absolut, do të ishte absurde të flitej për konkurrencë. Konkurrenca ekziston, njëlloj si disfata e kapitalit dhe triumfi i punës. Në fund të fundit, Davidi e mposhti Goliathin, por mesazhi i historisë është që Davidi dukej i pafuqishëm përballë kundërshtarit dhe të gjitha gjasat flisnin kundër tij.
Kjo mungesë e mundësive të barabarta ndërmjet biznesit dhe punës si grupe presioni manifestohet në të tjerë elementë të sistemit shtetëror, përkatësisht atë legjislativ dhe qeverisjen lokale, të cilat do t’i marrim në konsideratë në vazhdim.
(Vijon)
E përktheu Frenklin Elini
Shkëputur nga libri i autorit “Shteti në shoqëritë kapitaliste”
Imazhi: Oscar Murillo