/Nebih Bushaj/
Koronavirusi është shndërruar në problemin më të madh të momentit kudo ku ka “hedhur farën”. Shpejtësia e përhapjes së tij, edhe pse numri i të vdekurve është i ulët në raport me numrin e të prekurve, mbetet sfida e çdo vendi. Aq sa edhe një vend si Italia – ekonomia e tetë më e madhe e botës – nuk po ia del ta vërë nën kontroll. Raportimet e përtej Adriatikut flasin për bilanc lufte me numra të frikshëm dhe trishtues të vdekurish. Ndërkohë numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar të pesëdhjetë e tre mijët.
Për shkak të afërsisë gjeografike, por dhe neglizhencës – individuale dhe qeveritare – nuk u desh shumë që virusi të mbërrinte edhe në Shqipëri. Diçka e pritshme sa kohë qeveria jo vetëm që nuk mbylli kufirin të paktën me Italinë, por as i testoi ata që erdhën prej andej – të cilët me shumë mundësi po “arratiseshin” nga pandemia. Vetëm shfaqja e Pacientit 0 – zyrtarizimi i të cilit u shty sa nuk mundej më – e detyroi qeverinë të merrte masa. Në fillim të pamjaftueshme e së fundmi tërësisht qesharake.
Nuk mund të jetë veçse qesharake të ndalosh me fasha orare daljen jashtë të qytetarëve, a thua se në orare të caktuara rrezikojmë të infektohemi e në disa të tjera, a thua se virusi vërejti që ia “lujtëm” e po ndryshon orën e “sulmit”. Edhe më problematike ka qenë ndryshimi thuajse i përditshëm i fashave orare kur lejohet e kur ndalohet dalja jashtë. Për të mos përmendur pastaj sa kundërproduktive është të ndalosh daljen e secilit nga ne, qoftë dhe me orare, por jo të punëtorëve të fasonerive, minierave dhe call center-ave.
Në fillim, qeveria u mundua ta mbante të fshehtë “zbarkimin” e koronavirusit. Aq sa i hoqi licencën shkollës jopublike Udha e Shkronjave, për përhapje paniku, se pezulloi mësimin nga frika e pandemisë. Por brenda dy javëve, me shtimin e rasteve, duke mos e fshehur dot më – në rrugë jozyrtare ishte përhapur lajmi që janë shfaqur raste të prekurish – u “dorëzua”. Brenda dy ditëve u ndalua qarkullimi ndërqytetas, u mbyllën linjat e transportit publik, institucionet, kafenetë, restorantet, diskot, pub-et e club-et. Por jo fasoneritë, call center-at, minierat dhe të tjera qendra pune ku nuk prodhohen të mira bazike.
Edhe pse paraqesin rrezikshmërinë më të lartë të mundshme për përhapjen e një virusi – me qindra veta punojnë në hapësira të përbashkëta, fare pranë njëri-tjetrit, si në fasoneri e në call center-a, ashtu edhe në miniera – në sytë e qeverisë ato nuk përbëjnë rrezik. Edhe pse janë me mijëra punëtorë, të cilët shkojnë në fund të ditës në shtëpi, duke rrezikuar mesatarisht edhe nga tre familjarë të tjerë (po ta marrim mesataren e anëtarëve të një familjeje katër veta), për qeverinë nuk përbën rrezik. Afërmendsh Rama nuk i përkrah punëtorët – ai që fton bizneset e huaja të vijnë të investojnë në Shqipëri se nuk kemi sindikata; mbyll sytë para shtypjes së punëtorëve çdo ditë, sikurse me minatorët e Bulqizës që po shtypen nga oligarku Samir Mane vetëm se u organizuan sindikalisht, ashtu edhe me naftëtarët e Ballshit që kërkojnë mbi 20 paga të papaguara, ndërkohë që kanë mbetur pa punë; deklaron se nuk rrezikon aspak të punosh me qindra të tjerë në ambiente të mbyllura sa kohë mban maskë e lan duart shpesh.
Në vetëm dy javë, numri i të infektuarve është afro 100 dhe i të vdekurve 4, të paktën zyrtarisht, ndërkohë që janë bërë vetëm afro 700 teste. Në një situatë të tillë, ku qeveria nuk ka para për të testuar më shumë njerëz, nuk mund të jesh i sigurt se sa të infektuar mund të jenë realisht – informacione jozyrtare flasin për 2000 mijë të infektuar. Nga momenti i shfaqjes në Itali deri në momentin e konfirmimit të rastit të parë te ne virusi ka “shëtitur” për shtatë palë qejfe. Pacienti 0 kishte afro dy javë që ishte kthyer nga Italia në momentin që u provua pozitiv dhe në mos mijëra, ka qenë në kontakt me dhjetëra-qindra persona të tjerë, me shumë mundësi edhe infektuar, duke pasur parasysh shpejtësinë e përhapjes.
Përveç kësaj – meqenëse qeveria nuk ka një plan konkret për ndalimin e përhapjes së epidemisë si –ngujimi dhe testimi i të gjithë banorëve; furnizimi me ushqime, ilaçe dhe produkte higjenike – dalja për pazar një herë në ditë, me vetëm pak orë kohë ne dispozicion, jo vetëm që nuk e ndalon përhapjen, por e ndihmon më atë. Njerëzit detyrohen të rrinë në radhë për të bërë furnizimet e nevojshme.
Si të mos mjaftonte paaftësia për të vënë situatën nën kontroll, kryeministri po bëhet çdo ditë e më shumë agresiv, duke mos ngurruar të nxjerrë ushtrinë rrugëve – a thua se ushtarët me armë në dorë do ta trembin virusin për të na “çliruar” përfundimisht nga ky armik – dhe rrjedhimisht duke ngjallur ankth e parehati të shtuar te qytetarët. Nuk mungojnë as kërcënimet për dhunë ndaj atyre që nuk respektojnë oraret me shembuj të policisë spanjolle, gjasme, që ndjek dhe rreh qytetarët për t’i mbajtur larg rrugëve. Kërcënime që filluan të bëhen realitet vetëm pak orë pas deklaratës së kryeministrit kur një qytetar u rrah dhe u arrestua se kishte dalë për të blerë ilaçe jashtë orarit të lejuar.
Ndërkohë spitalet vazhdojnë të mos kenë kapacitetet e duhura për të përballuar një përkeqësim të mundshëm të situatës; paçka se nuk po punojnë nuk ka ende një amnisti të faturave dhe qirave për familjet e atyre që mbetën pa punë; të varfrit “e zakonshëm” që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk po marrin ndonjë ndihmë shtesë për të përballuar karantinën, edhe pse dihet se mund të kenë pak ose aspak kursime. Romët, që të vetmin burim të ardhurash kanë shitjen e kanoçeve që mbledhin nëpër koshat e qyteteve, nuk po trajtohen me ndihmë pavarësisht se nuk po lejohen të vazhdojnë “punën” si zakonisht. Pronarët e bizneseve të vogla, të detyruar t’i mbyllin bizneset e tyre, rrezikojnë të falimentojnë gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që paguajnë qiratë pa punuar, ose do të detyrohen t’i mbyllin ato, duke lënë hapësirë të lulëzojnë bizneset e mëdha të oligarkëve nesër.
Një krizë si kjo kërkon menaxhim serioz, shumë larg sharlatanizmave të një kryeministri që kalon kohën në live video duke dhënë urdhra sa qesharake, aq edhe të rrezikshme. Kërkon mbledhje të menjëhershme të parave nga oligarkët në formën e një takse të jashtëzakonshme që të garantohet rritja e kapaciteteve spitalore, karantimi i plotë dhe përballimi i nevojave të të gjithëve. Kërkon, padyshim, edhe mbylljen e të gjitha vendeve të punës, me përjashtim të atyre që prodhojnë dhe kryejnë shërbime jetike për shoqërinë. Përndryshe mund të përballemi me një skenar edhe më të tmerrshëm se ai i Italisë.
Imazhi: Lex18
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)