/Redi Muçi/
Në prag të rifillimit të vitit akademik, në shtypin e shkruar u rihap debati mbi idenë e arsimit publik falas. Duke marrë shkas nga përgjigja që z. Selami Xhepa i ktheu z. Artan Fuga mbi këtë çështje, po përpiqem të argumentoj me tre pika pse propozimi i zotit Xhepa, në rastin më të mirë, duhet konsideruar kontradiktor me vetë funksionin e institucionit privat në të cilin ai bën pjesë, si dhe me ideologjinë mbizotëruese që propagandohet pareshtur nga mediumet reklamuese të po këtij institucioni. Po citoj zotin Xhepa i cili shkruan në artikull “Të mos e banalizojmë çështjen se kush po i merr paratë e buxhetit, sepse këto para nuk janë taksa që ne paguajmë për universitetin publik, por për fëmijët tanë… E mirë publike është arsimi si shërbim dhe jo ofruesi i shërbimit.”
Kontradikta e parë qëndron në faktin se zoti Xhepa, ashtu si shumë prej kolegëve të tij që janë shprehur në shtyp, por edhe vetë ministrja e arsimit, znj. Lindita Nikolla dhe kryetari i qeverisë z. Edi Rama, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ithtarë të idesë se arsimi duhet të ofrohet në treg, ashtu si çdo mall tjetër, dhe konsumatorit të dijes (studentit) duhet t’i lindë e drejta e “zgjedhjes” jo vetëm mes degëve të ndryshme, por edhe mes institucioneve të ndryshme (publike dhe private) që ofrojnë të njëjtën degë. Pra, arsimi si mall do ofrohet në treg me një çmim të caktuar dhe logjika e tregut e do që çmimi në vetvete – për aq kohë sa ka kërkesë – është edhe tregues i cilësisë së mallit. Ideja e arsimit publik falas, nga ana tjetër, lind nga konsiderata se arsimimi duhet të jetë e drejtë e çdo individi në shoqëri, pavarësisht mundësive të saj/tij ekonomike. Në këtë rast shteti takson shoqërinë dhe përmes taksave të mbledhura e siguron këtë të drejtë për të gjithë. Atëherë si ndodh që këto dy ide të pleksen si të ishin një e vetme?! Përmes logjikës së zotit Xhepa, i cili edhe dëshiron t’ua shesë shqiptarëve dijen me çmim goxha të kripur, por edhe të furnizojë arkat e institucionit të vet me paratë e taksave të mbledhura nga po këta qytetarë. Zoti Xhepa thotë se këto para të buxhetit janë taksa “për fëmijët tanë.” Dakord me këtë, po paratë që paguajnë qytetarët për tarifat e kripura të UET-së, për fëmijët e kujt janë? Mua më duket se çdo prind që e çon fëmijën të arsimohet nëpër institucione private, me ligjin e ri paguan dy herë privatin: një herë tërthorazi përmes taksës së shtetit dhe herën e dytë me tarifën e shkollimit që shkon drejtpërdrejt në xhepat e privatit. Sipas zotit Xhepa, muhabeti banalizohet kur shtrohet pyetja “kush po i merr paratë?”, sidomos nëse këto para i merr pronari i zotit Xhepa.
Kontradikta e dytë lidhet me faktin se institucioni ku punon zoti Xhepa është një sipërmarrje private. Zoti Xhepa thotë se arsimi, si shërbim, pavarësisht se kush e ofron atë, është një e mirë publike. Rrjedhimisht institucioni ku ai punon duhet të mbështetet nga paratë e taksapaguesve, pra nga buxheti i shtetit. Por e njëjta gjë mund të thuhet për cilëndo sipërmarrje private – se po ofron një shërbim ndaj publikut – por do ishte absurde që shërbimi të quhej “e mirë publike” dhe të mbështetej nga taksat e qytetarëve. Po marr një shembull; supozoj se nesër mua më lind ideja që të heq dorë nga puna e pedagogut dhe të hap agjencinë time private e cila ofron shërbime postare te klientë të ndryshëm që paguajnë një tarifë të caktuar mujore. Madje për këtë shërbim nuk lë rast pa dalë në televizor e pa u çjerrë se shërbimi që ofroj unë është më i mirë se shërbimi i Postës Shqiptare. A më lind mua e drejta që, meqenëse e ofroj këtë shërbim te klientët e mi, të merrem vesh me kryeministrin që atë ta quajmë “e mirë publike”– se fundja po i shërbej publikut – dhe të më takojë edhe mua nga buxheti i shtetit një thelë e majme? Po pse jo çunit që rri te cepi i rrugës te lagjja ime duke shitur çamçakëzë?! Edhe ai po u shërben të gjithë atyre që duan të përtypen tek po ecin rrugës. Pra, kontradikta evidentohet edhe nga sa thashë pak më lart, se janë të njëjtët ithtarë të idesë se arsimi duhet të shitet në treg ata të cilët mallin që shesin e quajnë edhe “të mirë publike” për hir të parave që marrin nga buxheti i shtetit.
Kontradikta e tretë nuk do ishte kontradiktë nëse zoti Xhepa dhe pronari i tij do të pranonin të mos e quanin më veten ‘neoliberalë’, por ndoshta të përdornin ndonjë term më ekzotik, të llojit ‘hiperneoliberalë’. Thelbi i ideologjisë neoliberale qëndron në evidentimin e tregut si rregullatori suprem i të gjitha marrëdhënieve ekonomike mes individëve e korporatave. Për këta ideologë, shteti duhet të luajë vetëm rolin e arbitrit i cili penalizon aktorët që shkelin rregullat e tregut, pasi tregu është arena ku aktorët hyjnë në lojën e shkëmbimit të mallrave, akumulimit dhe investimit të kapitalit, në mënyrën më të drejtë, të lirë, e barazimtare. Ideja e mësipërme e gjen frymëzimin te paralelizmi me teorinë e evolucionit të specieve të Çarls Darvinit, se në treg – ashtu si në natyrë – korporatat më eficiente, që prodhojnë me kosto më të ulët e cilësi më të mirë, ia dalin të mbijetojnë. Rrjedhimisht vetë ideja e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi përmes taksimit, lere më pastaj taksimit progresiv të më të pasurve për të siguruar shërbime publike si arsimi falas, përbën një blasfemi, një anatemim të ideve të shenjta, një koncept rudimentar nga koha e komunizmit. Me neoliberalët e sinqertë mund të debatohet pafundësisht mbi këto ide, por zotin Xhepa dhe zotin Çili do duhej t’i kategorizonim diku tjetër, si ithtarë të tregut të lirë që duan të ushqehen edhe nga taksat që mbledh shteti. Prandaj ndoshta këtu vlen termi “hiperneoliberalë” për ata që, siç thoshte i ndjeri gjyshi im, kërkojnë të hanë thelën përmbi bisht. Një specie e re në zinxhirin ushqimor të xhunglës së tregut shqiptar.
Imazhi: Green Chameleon/Unsplash
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).