/Redi Muçi/
Si përherë qeveria ka vepruar jo duke hulumtuar problematikën, as duke u konsultuar me të tretë, lere më duke hartuar një plan afatgjatë, por me VKM. Gabimisht quhen vendime të Këshillit të Ministrave; më mirë do quheshin FSK, ose frymëzime spontane të kryeministrit.
Rritja e mesatares së gjimnazit për pranimin në universitet nga nota 6 në 6.5 s’është më shumë sesa përpjekja e radhës e Edi Ramës për të thënë se është duke bërë diçka – në këtë rast duke rritur cilësinë e studentëve që pranohen në universitet – ndërkohë që cilësia sa vjen e ulet si pasojë e vënies në zbatim të ligjit në arsimin e lartë.
Mund të merreshim me padrejtësinë e nxjerrjes së një kriteri me fuqi prapavepruese te maturantët të cilët vihen përpara faktit të kryer, ndërsa përgjatë tre viteve të gjimnazit u bëhej i ditur një kriter më i ulët. Megjithatë, frymëzimet kryeministore janë të tilla – spontane – dhe nuk pyesin për pasoja. Kështu që le të analizojmë dy mënyrat e pranimit në universitet: me mesataren e gjimnazit apo me konkurs hyrës.
Parimisht mund të qëndrojnë të dyja. Për shembull mund të vlejë argumenti se konkursi hyrës në vetvete është disi kufizues sa i përket mundësisë që i jepet studentit për të shprehur të gjitha njohuritë e përftuara gjatë viteve të gjimnazit, ndërkohë që mesatarja jep një panoramë më të saktë të punës së kryer ndër vite.
Megjithatë, konkursi hyrës si kriter pranimi i shtyn gjimnazet të rrisnin cilësinë në përgatitjen e nxënësve të aftë për të konkurruar denjësisht. Pra nga njëra anë do t’i jepte më shumë peshë përgatitjes së gjimnazit dhe nga ana tjetër do ta zbehte influencën që ushtron vlerësimi me notë në gjimnaz. Më kujtohet në kohën time dallimi mes dy mënyrave të pranimit: teksa prindërit ishin të shqetësuar që para konkursit t’i çonin fëmijët nëpër kurse që do t’ua përmblidhnin dhe qartësonin njohuritë e gjimnazit, me hyrjen e kriterit të notës u përhapën masivisht kurset 500-lekëshe që ofronin pasditeve mësuesit e gjimnazit për të rritur vlerësimin me notë gjatë ditës.
Kujtojmë se sistemi i pranimit në universitet u ndryshua nga konkurs në mesatare gjimnazi për shkak të abuzimit me shpërndarjen e pyetjeve paraprakisht. Po ky problem mund të anashkalohej duke vënë në zbatim një sistem për hartimin e tezave të konkursit që do ta ngushtonte rrethin e akademikëve në dijeni të përmbajtjes së tyre, të cilët mund të influencoheshin për t’i shpërndarë ato para konkursit. Përveçse do të duhej të viheshin përpara përgjegjësisë në të tilla raste.
Në gjendjen në të cilën ndodhet arsimi parauniversitar në Shqipëri, mesatarja e gjimnazit është kriter i papërshtatshëm. Këtu i referohem në radhë të parë mungesës së objektivitetit në vlerësimin që u bëhet nxënësve të gjimnazit. Kjo lidhet ngushtë më një degradim të përgjithshëm ndër vite si në mënyrën e rekrutimit të stafeve të mësuesisë të influencuara nga militantizmi partiak, ashtu edhe në mungesën e kontrollit dhe llogaridhënies në nivel lokal nga Drejtoritë Arsimore, të cilat janë reduktuar në numër.
Problem tjetër është mungesa e standardizimit të kurrikulave të studimit dhe të cilësisë në mësimdhënie në sistemin parauniversitar. Edhe pse gjimnaze të ndryshme përdorin tekste mësimore të niveleve që nuk përputhen, nota mesatare përfundimtare konsiderohet njëlloj e vlefshme si kriter hyrës. I njëjti argument vlen për gjimnazet e periferive ku niveli i vlerësimit dhe cilësia nuk mund të krahasohen me ato të qendrave. Sa për paralelizëm, në Britaninë e Madhe përdoret sistemi i notës së gjimnazit nëpërmjet atyre që quhen A-Levels, por ky është një sistem i unifikuar ku kurrikulat janë të njëjtat dhe po ashtu niveli i pedagogjisë. Një qasje të ngjashme ka Finlanda, ku prirja për balancimin e cilësisë qendër-periferi i shtyn arsimtarët më të përgatitur drejt periferive dhe zonave me numër të lartë nxënësish në nevojë, si për shembull zonat me emigrantë.
Nga sa më sipër, rritja e notës mesatare nga 6 në 6.5 vetëm sa e përforcon prirjen e vlerësimit me notë të nxënësit pa kurrfarë objektiviteti, por vetëm në saje të influencave që mund të vijnë nga partitë politike, lidhjet familjare apo marrëdhëniet korruptive lokale. Në këto kushte, është shumë më e vështirë të sigurohet objektiviteti në vlerësimin me notë në gjimnaz sesa të ruhet teza e konkursit nga një grusht akademikësh. Madje zvogëlimi i viteve të gjimnazit nga katër në tre vjet vetëm sa e rrit hendekun për t’u kapërcyer nga gjimnazi në universitet dhe, rrjedhimisht, e përforcon argumentin kundër këtij sistemi pranimi.
Nëse do ta kishte përnjëmend prioritet rritjen cilësisë së kontingjentit që hyn në universitet, qeveria do të duhej të niste një punë të gjatë nga poshtë për të forcuar themelin e njohurive bazike të çdo nxënësi: gjimnazin. Për këtë do të nevojitej një reformë e mirëfilltë e gjithëpërfshirëse, diçka për të cilën qeveria nuk ka kohë. Për më tepër, për të siguruar cilësinë në universitete, do të bënte të pamundurën për të zgjeruar infrastrukturën për mësimdhënie dhe për kualifikimin e vazhdueshëm të stafeve pedagogjike, çka bie ndesh me logjikën e ligjit në arsimin e lartë, që e kthen universitetin në një subjekt që duhet të mbijetojë vetë në “tregun e dijes” dhe studentin në burimin kryesor të financimit të universitetit.
Ekziston edhe një kontradiktë tjetër: logjika e vendosjes së kriterit hyrës në nivelin e parë të studimit bie ndesh me tendencën për ta ulur te nota 5 kriterin hyrës në nivelin e dytë, atë master. Kriterin hyrës për në master, ashtu si edhe tarifën që duhet paguar, me ligjin e ri e vendosin vetë departamentet. Mungesa e financimeve nga shteti ka bërë që në shumë raste kriteri hyrës të ulet në minimumin e mundshëm, ndërkohë që tarifa priret drejt maksimumit të mundshëm. Pra janë të dy këta faktorë që praktikisht e kthejnë diplomën në mall që blihet pa kurrfarë përmbajtjeje cilësore në eksperiencën e studentit.
Si përfundim, rritja e notës hyrëse nuk ka asnjë efekt të njëmendshëm në rritjen e cilësisë së kontingjentit që do të hyjë në universitet, por do të përbrendësohet menjëherë nga logjika tejet problematike e vlerësimit me notë e nxënësve të gjimnazit. Në logjikën e ligjit të arsimit të lartë, rritja e cilësisë bie ndesh me mundësinë për të siguruar burimet e nevojshme financiare të universiteteve. Tregtarizimi i universitetit nuk lë vend për cilësi.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).