Intervistë e Arlind Qorit dhënë gazetares Blerina Braho për gazetën Telegraf
-Cili është përcaktimi që keni ju për personalitetin dhe sa e lehtë është të kontribuosh në fakultetet shqiptare?
Abc-ja e etikës së komunikimit publik kërkon që kur të intervistuarit i përkëdhelet sedra me ndonjë vlerësim, si p.sh. të qenit personalitet i diçkaje, ai të tërhiqet modestisht. Rëndom përgjigje të tilla jepen dhe merren si rituale të domosdoshme hipokrizie. Gjithsesi, meqenëse pyetja më jep mundësinë ta përkufizoj personalitetin, sidomos në fushë të dijes universitare, përgjigjja do të më ndihmojë të mos e rendis veten si personalitet i asgjëje.
Termi personalitet duket se lartëson vlerisht atë të personit. Romakët e përkufizonin personin si formë apo mënyrë të të ekzistuarit publik, diçka të përafërt me statusin shoqëror. Kësisoj, në varësi të veprimtarive shoqërore, çdokush mund të ishte bartës i një apo më shumë personave. Prandaj edhe në teologjinë e krishterë trinia hyjnore nuk e mohonte unitetin e zotit përderisa ky i fundit ishte tre persona në një qenie, pra ishte i njëjti zot që shfaqej në tre forma (persona) të ndryshme: at, bir dhe shpirt i shenjtë. Kështu, personaliteti do të mund të përkufizoj si person i shquar në një fushë të jetës shoqërore, çka lyp që te personi në fjalë të ndërthuren cilësitë sipërore objektive dhe njohja e të tilla cilësive nga bashkësia e personave, ose më gjerësisht nga publiku.
Nëse e shtrojmë çështjen e personalitetet në fushën e universiteteve, mundem ta përjashtoj veten, të paktën deri më tash, nga bashkësia e personaliteteve, e po ashtu të vërej zymtësisht se numri i personaliteteve universitare nuk është i lakmueshëm. Ama pyetja juaj fiton rëndësi tjetër nëse interpretohet si hapësira e mundësive që personat universitarë t’i afrohen personalitetit, çka edhe një herë nuk mjaftohet me njohjen e ndërsjellë në bashkësinë akademike, por edhe me cilësi të mbizakonshme shkencore. E vetmja përgjigje që mund t’ju jepja është se, të paktën për aq pak sa e njoh unë jetën universitare shqiptare, në përgjithësi sistemi universitar shqiptar nuk e nxit ngjitjen nga personi te personaliteti, por gjithsesi nuk mund të thuhet se e pengon pakapërcyeshëm atë, duke e lënë pothuajse gjithçka në duart e përkushtimit individual të personave. Prandaj e kam të lehtë ta përkufizoj veten si person të privilegjuar që ende paguhet për t’u thelluar në dije dhe për t’ua shpërndarë ato, pavarësisht nivelit ende të pamjaftueshëm, nevojtarëve të nxënies.
-Sa bashkëjeton, sipas jush, raporti titull akademik dhe cilësimi “Personalitet i fushës”?
Vërtet nuk di t’ju përgjigjem saktësisht për këtë çështje për shkak se njohuritë e mia për çka ndodh me të titulluarit akademikisht janë krejt të cekëta. Madje, hiq kolegët me të cilët më lidh puna në përditshmëri, më mungon edhe informacioni bazik për numrin apo shpërndarjen e titujve akademikë. Gjithsesi mund t’ju jepja një përgjigje të tërthortë e cila do të bazohej në këtë trilemë: a pasqyron universiteti shqiptar ndërtimin intitucionalo-politik të shoqërisë shqiptare, është në pararojë të zhvillimeve të mësipërme apo është i prapambetur në raport me to? Nga aq sa e ndjek jetën akademike shqiptare do ta përjashtoja si statusin e pararojës, ashtu edhe atë të bishtit të kavallit. Kësisoj mendoj se universiteti shqiptar pasqyron ku më shumë e ku më pak arritjet dhe mangësitë e përgjithshme të organizimit shoqëror. Për pasojë, edhe raporti titull akademik – personalitet i fushës s’mendoj se shkon gjithmonë në përpjesëtim të drejtë.
-Si e vlerësoni gjendjen e arsimit të lartë sot?
Gjendja e arsimit të lartë shqiptar sot është e rëndë, por jo për arsyet që propagandohen nga i madh e i vogël; pra se nuk është i integruar apo nuk i përshtatet tregut. Gjendja e universitetit shqiptar është e rëndë dhe po rëndohet pikërisht se gjithnjë e më tepër po i përshtatet tregut. Në fund të fundit çfarë kërkon tregu sot? Kërkon njerëz me diplomë, pavarësisht dijeve. Dhe kur universitetet publike nuk mundin ta ngopin kërkesën për diploma, hyjnë më hap të shpejtë ato private. Po ç’diploma kërkon? Pak a shumë juristë, ekonomistë apo teknikë të niveleve të ulëta. Dhe ja ku prodhohen dhe shpërndahen ato. Kërkon dije? Nga pak, ose të paktën aq pak sa të mos na bjerë menjëherë çatia mbi krye. Dhe ja ku gjen vend, sidomos në universitetet publike, mundësia për të përgatitur ndopak studentë seriozë. Po ta studionim pak më thellë tregun, dhe të hiqnim dorë nga kufijtë moralë tradicionalë, mund të kuptonim, bie fjala, se tregu kërkon edhe prostituta. Kështu që ithtarët e integrimit të universitetit në treg do të mund të propozonin hapjen e degëve të studimeve dhe praktikave kurtizane. Prandaj, përtej sarkazmës, kriza e universitetit pasqyron krizën e një modeli ekonomiko-shoqëror të eksperimentuar për njëzet vjet, e të dështuar në të njëzeta vitet, atë të dominimit absolut të tregut dhe të zmbrapsjes së ndikimit publik në ekonomi. Një ekonomi e re, ku përdorimi i burimeve shoqërore do të ndikohej nga pjesëmarrja e publikut të gjerë, jo thjesht nga ndërhyrja e shtetit në ekonomi, por nga ndërhyrja e një shteti të kontrolluar me fanatizëm nga qytetarët, do ta rimodelonte ekonomikisht dhe shoqërisht Shqipërinë, dhe për pasojë do të nxiste jo vetëm një arsim shumëplanësh, por edhe do ta rriste cilësinë e studimeve për çdo degë.
-A duket se është hapur një hendek i thellë mes universitetit shtetëror dhe atij privat?
Ka disa hendeqe midis universiteteve publike dhe atyre private. Hendeku cilësor mendoj se ende është në favor të atyre publike. Hendeku i emrit të mirë po ashtu. Mund t’ju duket e habitshme, por mendoj se kemi ende një farë përparësie të lehtë të universiteteve publike edhe për sa i përket lirisë dhe pavarësisë akademike së pedagogëve. Megjithëse hija kërcënuese e qeverisë shtrihet lehtësisht në trupën pedagogjike publike, ekzistenca e trupave ndërmjetëse dhe drejtpeshuese pushtetmbajtëse në të gjitha hallkat organizative të universitetit publik prodhon një farë sigurie relative për mendim të hapur kritik. Ndërkohë që pavarësisht propagandës së rëndomtë, mendoj se liria akademike në universitetet private është tërësisht e lidhur pas qerres së pronarëve, të cilët kanë në dorë edhe gurin, edhe arrën. Prandaj nuk është çudi që në universitetet private të gjesh pedagogë që në punën pedagogjike u fusin edhe detyrën për t’i bërë reklamë universitetit të tyre si të ishin aktorë apo modele. Gjithsesi universitet private kanë përparësi të konsiderueshme. Pikësëpari kanë qeverinë me vete. Hapur, gati në papërgjegjshmëri, qeveria sa herë mendon për arsimin e lartë duket se përdor trurin e pronarëve të universiteteve private, interesi ekonomik i të cilëve lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e universiteteve publike. Mjafton të përmendim këtu projektreformën për financimin e universiteteve, e cila, nëse miratohet, do t’i varfërojë edhe më buxhetet e këputura të universiteteve publike. Madje edhe shpresa, se me zgjedhjet politike kjo qasje do të ndryshojë rrënjësisht, duket e vakët. Në fund të fundit, vota “financiare” e trusteve të pashpallura të pronarëve të universiteteve private është ende më e rëndësishme sesa vota e pedagogëve që rrogën e marrin me vonesë, apo studentëve që janë të pushtuar nga fatalizmi politik. Po ashtu, hendeku propagandistik dhe ideologjik është në favor të privatëve. Si për shkak të monopolit ideologjik që i rrethshkruhet privates si koncept, ashtu edhe për shkak të monopolit të zotërimit dhe përdorimit të mjeteve të informimit publik, universitetet private dominojnë përmes propagandës së gjithanshme.
-Çfarë mendoni për politikën virtuale që po bëhet kohët e fundit në Shqipëri nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës? A na çon kjo drejt rishpikjes së një forme të re politike?
Forma në vetvete nuk përbën problem. Madje e parë sipërfaqësisht do të përbënte thjesht një mënyrë më tepër për të komunikuar me publikun. Gjithsesi me ç’vihet re deri më tash, format e komunikimit ndërveprues janë përdorur rëndom si forume të hedhjes së batutave shpotitëse. Ato i kanë folur publikut duke e ngacmuar emocionalisht dhe jo duke e nxitur të reflektojë racionalisht. Sikur facebook-u apo twitter-i të përdorej edhe për të parashtruar gjerë e gjatë qasje, ide, programe apo alternativa të mirëfillta politike do të përbënte një hap emancipues.
Gjithsesi mbetemi te revolucioni në gotë i formës së komunikimit, që shërben pikërisht për të heshtuar shkretinë përmbajtjesore politike. Duket se në Shqipërinë e sotme është ku e ku më e lehtë të thuash të njëjtën gjë në forma të reja, sesa të thuash guximshëm diçka të re, qoftë edhe duke përdorur formën arkaike të shkrimit mbi letër. Sidoqoftë ky nuk është vetëm problem shqiptar. Karakteristikë për ne është mungesa pothuajse totale e shqetësimit publik mbi problemin.
-Sa korrekt është filozofikisht të përdoret termi “demokraci parlamentare” për Shqipërinë, kur hallkat kryesore të shtetit (legjislativi, ekzekutivi) janë në duart e një partie? Ose ndryshe çfarë emri do t’i vinit sistemit tonë aktual politik?
Në demokracitë parlamentare, pavarësisht se ç’shkruhet në kushtetuta apo propagandohet poshtë e lartë, legjislativi dhe ekzekutivi i përkasin së njëjtës parti, se në fund të fundit, qeveria zgjidhet nga shumica parlamentare dhe zakonisht ato kanë të njëjtin kryetar. Gjithsesi, në demokracitë parlamentare ndarja me ekzekutivin ndodh përmes pushtetit kontrollues që ka dhe përdor opozita ndaj qeverisë. Këtë pushtet opozita shqiptare e përdor gjithnjë e më pak, ose më saktë lejohet gjithnjë e më pak ta përdorë pasi për çdo rast do të dalë një vendim i një organi më të lartë që do ta shpallë antikushtetues apo kundër rregullores secilin kontroll. Sidoqoftë opozita ende ruan të drejtën e fjalës dhe është përgjegjësi e saj që fjala e saj në parlament nuk ka ende peshën e duhur. Po ashtu një demokraci jo thjesht parlamentare, por kushtetuese, ka jetike pavarësinë e pushtetit gjyqësor, jo edhe aq nga populli apo opinioni publik siç thuhet rëndom, por nga pushtetmbajtësit parlamentarë dhe ekzekutivë. Dhe në rastin shqiptar, si zakonisht këta njëzet vjet, ekziston përshtypja mbarëshoqërore se pushteti gjyqësor i bindet si zotit në krye të qeverisë, ashtu edhe Mamonit të korrupsionit. Gjithsesi, duke studiuar historinë politike shqiptare të këtyre njëzet viteve, duket se opozitës i mbeten disa gurë në duar. Siç ndodhi në 1997, siç mund të ndodhte në 2005, dhe siç mund të ndodhë në 2013, opozita është relativisht e besueshme në kërcënimin e nënkuptuar se po u prekën dukshëm zgjedhjet, mund të ndodhë gjithçka. Prandaj duke manipuluar një togfjalësh konceptual të Robert Dahl-it mund ta përkufizoja sistemin politik shqiptar si oligarki relativisht konkurruese.
Nga ana tjetër, për të kaluar nga ky status tek demokracia nuk mjafton që demokracia të jetë parlamentare apo thjesht kushtetuese. Mundet që institucionet të jenë të pavarura nga partitë politike, por të jenë të varura nga elitat e fuqishme ekonomike që e shndërrojnë në formalitet barazinë politike. Në këtë rast do të kishim thjesht oligarki konkurruese, pra grupe oligarkësh që luajnë sipas rregullave të tyre dhe ndërrojnë njëri-tjetrin, por duke ruajtur besnikërisht, pavarësisht pasojave apo kërkesave popullore, interesat e elitave ekonomike. Këtu do të ishim në fushën e oligarkisë konkurruese. Demokracia në vetvete është një koncept deri diku i mirëpërpunuar teorikisht, por ende duhet rithemeluar politikisht. Dhe ky është problem mbarëbotëror.
-Si e shihni retorikën nacionaliste, që është duke u përdorur kohët e fundit nga politikanë të ndryshëm shqiptarë? A nuk bie kjo ndesh me qëllimin e tyre shumë të trumbetuar dhe parësor, që është integrimi në BE?
Partitë politike shqiptare jo vetëm që nuk janë parimore, por as që e pretendojnë të jenë të tilla. Madje edhe nëse flasin për ndonjë parim, ai kufizohet tek antikorrupsioni, çka nga pikëpamja teoriko-politike është i papërfillshëm pasi e redukton politiken në predikim të rëndomtë moral, gati me ngjyra dëlirësie fetare. Kësisoj, pavarësisht koherencës logjike apo politike, retorika nacionaliste mund të vendoset pa problem jo vetëm përkrah asaj integruese, por ndanë gjithçkaje. Mund të premtosh Shqipëri pellazgjike, integrim në BE, fitore të kampionatit botëror të futbollit, superfuqi energjetike, përkujdesje për të varfrit, dashuri për të pasurit. Shkurt, gjithçka vlen sa kohë nuk vlen asgjë. Fut në thes një votë më shumë se në fund të fundit: kush i ka marrë ndonjëherë seriozisht premtimet?!
-A është integruar Shqipëria tërësisht me vetveten sa të jetë gati për një integrim në BE?
Shqipëria është një vend i ndarë thellësisht, madje mjerisht. Shqipëria ka një hendek klasor të jashtëzakonshëm. Të jesh i varfër në Shqipëri është jo vetëm barrë, por edhe turp. Është turp që lind nga ideologjia sunduese neoliberale për të cilën i varfri e meriton si i paaftë të jetë i tillë. Dhe kjo ideologji, qoftë edhe pavetëdijshëm, është brendësuar nga i varfri shqiptar. Aq sa kur turpin nuk e ha dot me bukën e dhunës në familje, i varfri e shlyen duke u varur në pemën më të afërt. I varfri është i pazë politikisht. Nëse është i papunë, papunësia kur nuk shihet si paaftësi, cektisht interpretohet vetëm si pasojë e korrupsionit qeveritar. E kur punon, atëherë zoti të dhashtë! Se je apo s’je i siguruar, se vdes galerive si qen apo bie nga skela si kovë, se paguhesh nën pagën minimale apo keqpaguhesh në raport me atë që prodhon puna jote, se shfrytëzohesh, nëpërkëmbesh, tëhuajsohesh në vendin e punës…zoti të dhashtë! Dhe mbi këtë mjerim masiv ngrihen sa e sa institucione politike e shoqërore që e riprodhojnë pafundësisht të njëjtën gjë. Megjithatë, lajmi i mirë është se për të hyrë në Bashkimin Evropian ky integrim shoqëror i brendshëm është pothuajse i parëndësishëm, ose më saktë është i rëndësishëm për aq sa mjerimi i brendshëm nuk i kapërcen caqet. Rëndësi ka paqja e rreme politike dhe kalimi nga oligarkia relativisht konkurruese kah oligarkia konkurruese, dhe sigurisht, edhe humoret apo përparësitë e rastit të vetë BE-së. Shkurt, integrimi në BE shërben si melhem ideologjik që ngjall shpresën e të pashpresëve, pa kuptuar as minimalisht se pse dhe në ç’kushte është i rëndësishëm.
-Sa i mundur dhe i nevojshëm është realizimi i platformës së Shqipërisë etnike sipas jush?
Nëse koncepti Shqipëri etnike nënkupton bashkimin e çdo qyteze apo katundi të banuar nga shqiptarë në zgrip të shtrirjes së tyre etnike, atëherë përbën aventurizëm politik të kotë. Në fund të fundit, shtetet e pastra etnike janë ose ëndrra në diell, ose produkte të politikave fashiste e raciste. Gjithsesi konceptin e bashkimit kombëtar nuk e përkufizoj si obsesion të përfshirjes së çdo katundi a rripi toke në shtetin shqiptar, por si mundësinë politike të shqiptarëve, sidomos aty ku janë të shumtë në numër, kompaktë politikisht dhe të lëvruar kulturalisht, për të zgjedhur lirisht shtetin të cilit duan t’i përkasin. Në fund të fundit kjo nuk përbën gjë tjetër veçse parimin demokratik të vetëvendosjes së popujve. Për sa i përket mundësive, po i referohem Kantit: duhet, pra mundesh!
-Sa efektive mendoni se është ndërhyrja e intelektualëve në politikë për realizimin e detyrave politike?
Intelektuali zakonisht është dijetar, por jo çdo dijetar është intelektual. Intelektualizmi nënkupton jo vetëm dije mbimesatare në fusha të rëndësisë shoqërore, por mbi të gjitha angazhim publik në emër të ideve apo vlerave që rrezatojnë universalisht. Po ashtu, intelektualizmi lyp guxim, guxim për t’u përballur me të pushtetshmit, për të qenë zëri i të pazëve, për të rrezikuar madje edhe emrin e mirë, edhe përfitimet ekonomike, në emër të drejtësisë publike. Kësisoj në historinë e njerëzimit mbase ka pasur më shumë dijetarë se intelektualë. Madje jo domosdoshmërisht të qenët dijetar me peshë shkon dorë për dore me të qenit intelektual i shquar. Për shembull, në filozofi, Hegeli apo Heidegger-i kanë peshë më të madhe teorike sesa Bertrand Russell-i, Sartre-i apo Chomsky, ama dy të parët në pjesën më të madhe të jetës së tyre publike ishin lakej të pushtetmbajtësve, madje Heidegger-i edhe denonconte kolegët te autoritetet naziste, ndërkohë që Russell-i ka përfunduar edhe në burg për shkak të kauzave të mëdha publike.
Me këto kritere përkufizuese, mendoj se Shqipëria ka fare pak intelektualë. Mund të ketë dijetarë më shumë. Kushedi! Nuk e njoh në imtësi prodhimin e dijes në të gjitha fushat e studimit. Ama sigurisht që ka me bollëk pretendues intelektualiteti që e lidhin intelektin e tyre me të fortët e rastit, qofshin këta me pushtet politik, ose ekonomik. Dhe për fat të keq, shumëkujt prej tyre i mungon edhe shkëlqimi në fushë të dijes. Më të lehtë do ta kishin përgjegjësinë historike sikur të na linin “Filozofinë e së drejtës” në vend të ripërtypjeve ideologjike që armët e kritikës i drejtojnë gjithmonë nga e shkuara, e kurrë nga e tashmja.
-A mund të themi se shoqëria shqiptare karakterizohet nga një apatizëm social dhe nënshtrim të theksuar nga klasa politike?
Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura; për mjerimin ekonomiko-shoqëror, ristrukturimin shoqëror në forma paramoderne, keqqeverisjen, rrënimin arsimor e kulturor, shkretëtirën intelektuale, hiperhegjemoninë ideologjike e propagandën, mungesën së vetorganizimit politik e shoqëror etj, apatizmi dhe nënshtrimi nuk i qasen vetëm elitës politike në veçanti, por çfarëdo force shoqërore që bllokon apo mpak energjitë shoqërore. Thuhet rëndom se ndryshimet e mëdha emancipuese ndodhin kur situata degradon përtej caqeve. Kjo nuk mjafton. Rol kryesor luan shpresa, shpresa se pavarësisht sakrificave, një ditë e re do të gdhijë. Antonio Gramsci shkruante dikur: “E vjetra po vdes. E reja s’po lind akoma. Jetojmë në të ndërmjetmen. Kjo është koha e përbindëshave.” Prandaj na duhet shpresa. Shpresa i mund përbindëshat.