Roza Luksemburg 1870-1919

/Predrag Vranicki/

Nëse Kautski mishëronte forcën dhe rënien teorike të socialdemokracisë gjermane, Roza Luksemburgu është personi që ishte jo vetëm shprehja më unike e kësaj periudhe të socialdemokracisë, por edhe negacion i saj. Me kulturë të gjerë, me inteligjencë të mprehtë dhe me shpirt revolucionar, ajo qëndronte në radhët e para të socializmit gjerman dhe polak. Jo vetëm në periudhën e ngritjes dhe sukseseve parlamentare të tij, por edhe në ditët kur shumica e udhëheqësve socialdemokratë u gjunjëzua para militarizmit dhe shovinizmit. Ata e ruajtën veten dhe pozitat e tyre, kurse Roza ra ndër viktimat e para. Por emri i saj do të jetë gjithmonë i shkruar në pllakën e revolucionarëve më të mëdhenj e më të ndritshëm, mendimi i të cilëve shkëlqeu aq sa vepra e tyre [1].

Me origjinë polake, që kur ishte studente mori pjesë në lëvizjen punëtore socialiste të Polonisë së okupuar. Së shpejti u detyrua të largohet në Zvicër ku takoi rrethin e njohur të socialistëve rusë (G. Plehanovin, P. Akselrodin, V. Zasuliçin), studioi kryesisht ekonominë politike dhe doktoroi me temën Zhvillimi industrial i Polonisë (1898).

Në të nëntëdhjetat e shek. të kaluar bashkë me L. Jogiches, Warskin, Roza Luksemburgu është ndër themeluesit e socialdemokracisë polake, e cila përkundër kushteve shumë tê vështira të punës do të japë një numër personalitetesh revolucionare të jashtëzakonshme dhe shumë aksione masive.

Më 1897 kaloi në Gjermani ku gati deri në vdekje veproi si aktiviste e krahut të majtë të socialdemokracisë. Talenti letrar i saj, gjenialiteti dhe vendosmëria e nxorën menjëherë në radhët e para të socialistëve gjermanë, të cilët, nuk duhet të harrohet, në këtë kohë njiheshin si interpretuesit më të mirë të socializmit në teori dhe në praktikë.

Por, përkundër këtyre, revizionizmi pikërisht në këtë lëvizje filloi të marrë trajtën më radikale. Ndër studimet e shumta teorike që shkruan socialistët gjermanë kundër revizionizmit, studimi i Rozës është më lucidi dhe teorikisht më i vlefshmi.

Me titullin Reforma sociale apo revolucioni? (1898-1899), R. Luksemburgu hyn menjëherë in medias res për të treguar që në faqen e parë karakterin jo dialektik të shtruarjes së tillë të çështjes. “Për demokracinë sociale ndërmjet reformës sociale dhe revolucionit social ekziston lidhje e pashkëputshme, sepse ajo luftën për reformë sociale e konsideron mjet, kurse kthesën sociale qëllim[2].

Me një analizë mendjemprehtë të problemeve sociale dhe politike në lidhje me këtë çështje, Roza Lusekmburgu tregon se shpresa në shtetin borgjez, me anë të së cilit do të mund të vendosej disi gradualisht socializmi, është iluzion reformist i zakonshëm. Procesi i prodhimit po bëhet gjithnjë e më tepër shoqëror, kurse kontrolli i shtetit po zgjerohet. Prona private gjithnjë e më tepër po shndërrohet në formë lakuriqe të shfrytëzimit të punës së tjetrit, kurse kontrolli shtetëror është i përshkuar nga interesa klasore. Shteti dhe marrëdhëniet e pronësisë po bëhen gjithnjë e më tepër kapitaliste, dhe jo socialiste. Prandaj reformat ligjore dhe revolucioni pikërisht për këtë arsye nuk janë vetëm akte që kanë pak a shumë përparësi, por momente që funksionojnë në bazë të arsyeve historike më të thella. “Reforma ligjore dhe revolucioni nuk janë, pra, metoda të ndryshme të progresit historik, që mund të zgjidhen sipas dëshirës në bufenë historike, si suxhuk i ftohtë apo i nxehtë, por momente të ndryshme në zhvillimin e shoqërisë klasore, që po kështu kushtëzohen dhe plotësohen reciprokisht, por edhe përjashtohen reciprokisht, si p.sh. poli i jugut e i veriut, borgjezia e proletariati”.

Në të vërtetë puna është se një sistem i caktuar ligjor çdo herë është vetëm produkt i revolucionit. Nëse revolucioni është akt politik krijues i historisë klasore, legjislatura është zgjatje politike e ekzistencës së shoqërisë. Puna për reformën ligjore nuk përmban në vete kurrfarë force lëvizëse të saj, të pavarur nga revolucioni, ajo në çdo periudhë historike zhvillohet vetëm në vijë dhe vetëm përderisa vepron të shqelmuarit, që ia ka dhënë kthesa e fundit, apo, të flasim konkretisht, vetëm në suazat e formës shoqërore që u krijua nga kthesa e fundit. Këtu qëndron thelbi i kësaj çështjeje [3].

R. Luksemburg nuk kishte kurrë farë iluzionesh për shtetin borgjez. Lidhur me shpresat e Bernshtajnit se shteti sjell shumë ligje dhe urdhëresa që nuk janë vetëm në interes të borgjezisë, por edhe të klasës punëtore, R. Luksemburg tregon se këto shpresa bazohen në një shikim të padrejtë të procesit real. Sepse, “nga ana tjetër, me të njëjtin zhvillim kapitalist po bëhet ndryshimi tjetër në esencën e shtetit. Sot shteti është, para së gjithash, organizatë e klasës kapitaliste sunduese. Në qoftë se ky shtet për interesat e zhvillimit shoqëror merr funksione të ndryshme të një interesi të përgjithshëm, atëherë ai e bën këtë vetëm nëse këto interesa përputhen përgjithësisht me interesat e klasës sunduese” [4].

Lidhur me shikimin e socializmit si ideal etik ose si domosdoshmëri historike, R. Luksemburg mbron të vetmen pikëpamje shkencore të mundshme, pikëpamjen e Marksit. Në të vërtetë ajo mendon se pikërisht ky moment, d.m.th. zbulimi i pikëmbështetjeve për realizimin e socializmit në marrëdhëniet ekonomike të shoqërisë kapitaliste është fryti më i madh i luftës klasore proletare. Në konsekuencë me këtë, ajo refuzon të gjitha supozimet e Bernshtajnit, në bazë të së cilave ai u përpoq të mohojë ekzistencën e premisave ekonomike për këtë proces. Po kështu i shpjegon në mënyrë të drejtë qëndrimet e Engelsit nga parathënia e njohur e veprës së Marksit Lufta civile në Francë (1894), të cilën shumë vetë e konsideronin si testament teorik të tij. Në bazë të disa qëndrimeve të Engelsit të shprehura në këtë parathënie revizioniste u përpoqën të vërtetojnë, si pamë më parë, se ai kishte hequr dorë nga revolucioni dhe kishte propozuar luftën parlamentare si rrugë pëar marrjen e pushtetit politik.

R. Luksemburgu e përgënjeshtroi vendosmërisht këtë interpretim, duke treguar se Engelsi kishte parasysh qëndrimin e proletariatit ndaj shtetit kapitalist jo në momentin e marrjes së pushtetit shtetëror, por qëndrimin e tij në kuadër të shtetit kapitalist. “Vetë domosdoshmëria e marrjes së pushtetit politik nga ana e proletariatit ishte për Marksin dhe Engelsin në çdo kohë jashtë çdo dyshimi. Dhe i mbeti Bernshtajnit që kotecin e parlamentarizmit borgjez ta konsiderojë organ kompetent për realizimin e kthesës më të fuqishme në historinë botërore: për transformimin e shoqërisë nga forma kapitalisteformat socialiste” [5].

Revizionistët shqetësoheshin veçanërisht nga aksioni revolucionar i proletariatit dhe frikësoheshin vazhdimisht, madje jo vetëm ata, por edhe disa të tjerë që nuk kishin pikëpamje revizioniste, nga revolucioni “para kohës”. Të tillët gjithmonë pas përleshjeve revolucionare ankoheshin dhe thoshin se nuk ishte dashur të merreshin armët. R. Luksemburg, me një analizë të hollë të kësaj çështjeje tregon se as lutjet dhe as përbetimet nuk ndihmojnë kundër revolucionit para kohe. Shkaqet janë këto: “Së pari, as që mund të merret me mend se një kthesë aq e fuqishme, siç është transformimi i shoqërisë nga sistemi kapitalist në sistemin socialist, do të mund të realizohej me një të goditur, me goditjen fitimtare të proletariatit. Të supozosh një mundësi të tillë do të thotë shfaqësh përsëri pikëpamje krejtësisht blankiste. Kthesa socialiste presupozon një luftë afatgjatë e të rëndë, në të cilën proletariati, si duket sipas të gjitha gjasave, mesë një herë do të zmbrapset, kështu që ai, duke folë nga pikëpamja e rezultatit definitiv të tërë luftës, herën e parë medoemos do ta marrë pushtetin politik para kohe”.

Së dyti, marrja e pushtetit politik “para kohe” nuk mund të evitohet edhe për shkak të faktit se këto sulme “para kohe” të proletariatit janë edhe vetë faktorë, madje faktorë shumë të rëndësishëm, që krijojnë kushtet politike të fitores definitive, sepse proletariati vetëm në hovin e asaj krize politike, që do ta përcjellë marrjen e pushtetit nga ana e tij, vetëm në valën e luftërave të mëdha e afatgjata mund të arrijë shkallën e nevojshme të pjekurisë politike, që do ta aftësojë të bëjë kthesën e madhe definitive. Kështu, edhe vetë këto sulme “para kohe” të proletariatit mbi pushtetin politik dhe shtetëror, na shfaqen si momente historike të rëndësishme, që nga ana e tyre sjellin dhe përcaktojnë momentin e fitores definitive. Nga kjo pikëpamje mendimi mbi marrjen “para kohe” të pushtetit politik nga ana e popullit punues paraqitet si një injorancë politike, që niset nga zhvillimi mekanik i shoqërisë, dhe supozon se momenti i fitores në luftën klasore do të përcaktohet jashtë dhe pavarësisht nga lufta klasore” [6].

Në këtë periudhë, lidhur me pikëpamjet e ashpra rreth pikëpamjes së socialdemokratëve rusë, veçanërisht pas vitit 1903, R. Luksemburg kritikoi qëndrimin e Leninit për këtë çështje të rëndësishme të luftës proletare dhe dënoi qëndrimin “ultracentralistik” të tij, siç e quajti [7]. Këtu është fjala gjithsesi për një çështje dhe një konflikt kapital që u shfrytëzua më vonë negativisht. Qëndrimi i Leninit, që theksonte nevojën e një partie koherente dhe të organizuar mirë në principet e centralizimit demokratik, parti që do të ishte njëherazi bërthama themelore me qëllime të qarta dhe e vendosur – në zhvillimin e mëvonshëm të stalinizmit u shndërrua në centralizëm të vrazhdë. Përkundrazi, “luksemburgistët” shkuan në skajin tjetër duke theksuar së tepërmi spontanitetin, aktivitetin revolucionar të masave dhe duke lënë pas dore momentin organizativ.

Por në të vërtetë, dallimet në mes të Leninit e të R. Luksemburgut, veçanërisht në zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes punëtore (para dhe gjatë luftës së parë botërore), nuk qenë aq të mëdha sa dëshirohen nganjëherë të paraqiten. Është fakt se Lenini mbronte pikëpamjen e një organizate të fortë e të disiplinuar me pregorativa të mëdha të komitetit qendror dhe me kongresin si instancë më të lartë. Është po kështu fakt se R. Luksemburg mendonte se lëvizja e masave është baza e aksionit socialdemokrat (që ishte e qartë për Leninin), dhe se gabimet që bën një lëvizje punëtore vërtet revolucionare janë historikisht shumë më të frytshme e më të vlefshme, sesa pagabueshmëria e komitetit qendror më të mirë.

Lenini kishte të drejtë për këtë çështje, veçanërisht kur të merren parasysh kushtet e atëhershme të luftës së klasës punëtore. Rreziku nga burokratizimi i udhëheqësisë së tillë, për të cilin tërheq vëmendjen Roza Luksemburg, jo vetëm që është i mundshëm, por pas vdekjes së Leninit edhe u realizua. Por për këtë gjë nuk është faji i principeve të atëhershme të Leninit, por është faji i atyre që i zbatonin në të njëjtën mënyrë në situatat e reja dhe krejtësisht të ndryshuara.

Nga ana tjetër, lidhur me qëndrimin e R. Luksemburg, ekziston rreziku i mbivlerësimit të spontanitetit, të rolit krijues të masave – të cilat pa udhëheqësi të qartë e të vendosur mund t’i lëshojnë lehtë momentet vendimtare. Mosekzistenca e një partie të kuadrove në momente të tilla shkakton disfatën e revolucionit, sikurse ndodhi disa herë.

Por, pas revolucionit rus të 1905, kur shkroi R. Luksemburgu mbi grevën masive dhe partinë, ajo diti të përballojë njëanësitë e qëndrimit të saj të përmendur dhe iu afrua koncepsionit të vërtetë të Leninit. “Socialdemokracia është më e arsimuara, pararoja më e vetëdijshme klasore e proletariatit. Ajo nuk mundet dhe nuk duhet të presë duarlidhur e me fatalizëm ardhjen e “situatës revolucionare”, të presë që lëvizja popullore spontane të bjerë nga qielli. Përkundrazi, ajo duhet si gjithmonë të përpiqet t’i dalë përpara e ta shpejtojë zhvillimin e gjërave” [8].

Në të njëjtin punim R. Luksemburg jep një shpjegim të shkëlqyer marksist të grevës masive. Duke u ruajtur nga iluzioni se greva masive mund të dekretohet apo nga ankesa e oportunistëve për derdhjen e gjakut, ajo e shpjegon grevën masive si rezyme të periudhës shumëvjeçare revolucionare të luftës së frytshme. Duke dalluar grevën masive nga demonstratat masive etj. konkludon se greva masive është e mundshme vetëm në periudha të ashpërsuara revolucionare, më tepër si shprehje e situatës revolucionare, sesa si shkak i saj. “Në të vërtetë – e përfundon analizën ajo – nuk e shkakton greva masive revolucionin, por revolucioni e prodhon grevën masive” [9].

Përveç mospajtimit të përmendur me Leninin, R. Luksemburg kishte qëndrim të ndryshëm edhe për çështjen kombëtare. Përkundër qëndrimit të vendosur të Leninit mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje, ajo, duke e deduktuar këtë problem në autonominë dhe pavarësinë politike, e mohonte mundësinë e pavarësisë e të orientimit të pavarur në kapitalizëm [10].

Pas shpërthimit të revolucionit në Rusi, shkoi në Poloni ku u vendos në krye të kryengritjes polake. U burgos dhe kur u lirua nga burgu shkoi në Gjermani ku me 1906 socialdemokracia gjermane kishte themeluar shkollën e saj partiake. Bashkë me Meringun, Hilferdingun, Dunkerin, Shtad-Hagenin, Vurmin, Ekshtajnin, Hajnemanin etj. u bë mësimdhënëse e ekonomisë politike. Në të njëjtën kohë mblodhi lëndën për veprën e saj teorike kryesore nga lëmi i ekonomisë politike, për Akumulimin e kapitalit (1913).

Në këtë vepër R. Luksemburgu i hyri njërit nga problemeve shumë të rëndësishme të kapitalizmit: mundësisë apo pamundësisë së prodhimit të zgjeruar. Dilema që ekziston këtu ka karakter vendimtar edhe për lëvizjen punëtore revolucionare: A mund ta bëjë kapitalizmi deri në pakufi riprodhimin e zgjeruar? Nëse mundet, atëherë ai është sistemi me perspektiva të pakufishme. R. Luksemburgu ishte e pakënaqur me analizat e Marksit mbi riprodhimin e zgjeruar, të bëra në librin e dytë të Kapitalit, dhe mendonte se kapitujt kryesor për këtë çështje janë të pakryera dhe se Marksi çështjen e akumulimit të kapitalit të përgjithshëm vetëm sa e ka shtruar, por nuk ka dhënë përgjigje. Duke polemizuar me ekonomistët borgjezë dhe me “marksistët legalë” (Struven, Bulgakovin, Turgan Baranovskin), R. Luksemburgu shpjegon mundësinë e riprodhimit të zgjeruar në kapitalizëm me faktin që kapitalizmi e plason mbivlerën me formacione shoqërore jo kapitaliste, të cilat absorbojnë produktet e tij. Prandaj, “akumulimit kapitalist për lëvizjen e tij i nevojiten formacione shoqërore jo-kapitaliste si mese të tij, akumulimi përparon me ndërrim të vazhdueshëm të materies në këto formacione dhe mund të ekzistojë vetëm deri sa gjen mes të ri.. Tregu i brendshëm është nga pikëpamja e prodhimit kapitalist treg kapitalist, ai është vetë prodhimi si blerës i produkteve të tij dhe burim për furnizim me elementet e prodhimit të vet. Tregu i jashtëm është për kapitalin mesi shoqëror jokapitalist që i absorbon prodhimet e tij për t’i dhënë elemente për prodhim dhe fuqi punëtore” [11].

Sipas pikëpamjes së R. Luksemburg, ajo pjesë e mbivlerës që është e destinuar për kapitalizmin nuk mund të realizohet në tregun e brendshëm, por në të jashtmin, madje të një formacioni jokapitalist. Kapitalizmi është pra, jo vetëm forma e parë ekonomike që ka tendencë të zgjerohet në tërë botën, por edhe të “mënjanojë të gjitha format e tjera ekonomike, ai nuk duron pranë vetes asnjë tjetër. Por, ai është njëkohësisht i pari që nuk mund të ekzistojë i vetmuar pa format e tjera ekonomike si mes dhe ushqim jetësor të vetin, që njëkohësisht, bashkë me tendencën që të bëhet formë botërore e prodhimit” [12].

Teoria e saj bazohej në supozimin se riprodhimi i zgjeruar kapitalist, është i mundshëm vetëm me ekzistimin e vendeve jo kapitaliste. Dhe kur të bëhen edhe këto vende kapitaliste, ky do të jetë fillimi i katastrofës së kapitalizmit, nëse kryengritja e proletariatit ndërkombëtar nuk e rrënon kapitalizmin edhe para kësaj.

Teza e saj shkaktoi diskutime të zjarrta, të cilave Roza iu përgjigj me Antikritikën e saj, ku dha edhe njëherë rezymenë e qartë të teorisë së vet. “Ç’prej fillimit të shekullit XIX – shkruante në parathënien e veprës – krah për krah me këto metoda shkon edhe eksportimi i kapitalit të akumuluar nga Evropa në vendet jokapitaliste të vendeve të tjera të botës. Atje, në fushë të re, në gërmadhën e formave të vjetra të prodhimit ai gjen një rreth të ri blerësish të mallrave të tij dhe në këtë mënyrë gjen mundësinë e akumulimit të mëtejshëm”.

Kështu kapitalizmi, në saj të veprimit reciprok me qarqet dhe vendet shoqërore jokapitaliste, zgjerohet gjithnjë e më tepër duke akumuluar në llogari të tyre, kurse ato vetë i mënjanon hap pas hapi që ta zërë vetë vendin e tyre. Sa më shumë vende kapitaliste të marrin pjesë në këtë gjueti për zona të reja të akumulimit dhe sa më të vogla të jenë zonat jokapitaliste, që janë ende të hapura për ekspansionin botëror të kapitalit, aq më e ashpër bëhet lufta e konkurrencës së kapitalit për këto zona të akumulimit, aq më tepër ecjet e tij në skenën shoqërore zhvillohen në një varg katastrofash ekonomike dhe politike: në kriza botërore, luftëra, revolucione.

Me këtë proces, kapitali i përgatit disfatën vetvetes, madje në dy mënyra. Së pari, sepse me zgjerimin e tij në llogari të formave jokapitaliste të prodhimit, drejtohet pa kurrfarë konsideratash kah momenti kur i tërë njerëzimi do të përbëhet vetëm nga kapitalistë dhe punëtorë mëditës, dhe për këtë arsye bëhet i pamundshëm çdo zgjerim i mëtejshëm i akumulimit. Në të njëjtën kohë, aq sa depërton kjo tendencë, ai i ashpërson kontradiktat klasore, ekonominë ndërkombëtare dhe anarkinë politike, kështu që para se të shfaqen konsekuencat e fundit të zhvillimit ekonomik, para se të arrihet në botë pushteti absolut e i pandarë i prodhimit kapitalist, ai do të shkaktojë doemos kryengritjen e proletariatit ndërkombëtar kundër ekzistencës së sundimit të kapitalit.

Polemika që u zhvillua në bazë të qëndrimeve të saj dhe të supozimit teorik mbi dështimin e domosdoshëm të kapitalizmit që u shtrua në këtë rast, tregoi rëndësinë e kësaj çështjeje dhe qartësinë e pamjaftueshme për zgjidhjen e saj. Disa, si O. Baueri, mendonin se kapitalizmi nuk do të rrëzohet për shkak të pamundësisë që të realizojë mbivlerën, por për shkak të pakënaqësisë së masave popullore të arsimimit dhe bashkimit të klasës punëtore. Të tjerët, shpallnin qëndrimin e pacenueshëm mbi varfërimin absolut të klasës punëtore në kapitalizëm që do të sillte patjetër revolucion, çka u bë tezë zyrtare e periudhës staliniste. Por edhe ky qëndrim është i pakuptimtë si teorikisht, ashtu edhe politikisht.

Zgjidhja e problemit qëndron, sipas mendimit tonë, në problematikën që e paraqitëm lidhur me kapitullin e tretë të Kapitalit të Marksit, në të cilën Marksi dha analizën e tendencës së rënies së stopës së profitit, të riprodhimit të zgjeruar gjithnjë e më të madh, gjë që sjell brenda kapitalizmit kataklizmën, të cilat historia deri më sot i provoi. Dhe ky proces doemos në gjirin e tij përmban mohimin e kapitalizmit klasik, i cili nuk do të mund t’i evitojë apo t’i zgjidhë këto kataklizma, ai shpie drejt ingerencave gjithnjë e më të mëdha të shtetit, i cili në këtë stad vijon të ketë orientim të theksuar shtetëror kapitalist. Në këtë mënyrë edhe kapitalizmi faktikisht gjendet në një periudhë kalimtare.

Në kohën kur e shkroi librin e saj R. Luksemburg ra në konflikt me oportunizmin gjithnjë e më të theksuar të personave udhëheqës të socialdemokracisë gjermane, në radhë të parë me Kautskin. Në fillim të luftës, kur kapitulloi socialdemokracia, R. Luksemburgu që ndër të parat që e dënuan më së rrepti këtë social-shovinizëm[14]. Që me 1915, themeloi bashkë me Meringun fletoren e re “Die Internacionale”, me të cilën bashkëpunuan edhe Klara Cetkini, A. Talhajmeri, K. Dunkeri, P. Langeja dhe H. Strebeli.

Gjatë luftës kryesisht qe në burg, kurse në intervalet e shkurtra të lirimit, psh. në fillim të vitit 1916, bashkë me përfaqësuesit e së majtës radikale – Libknehtin, Mejerin, Karskin, Jugishesin etj. – formuan “Grupin Spartak”, organizatën e së majtës socialiste.

Në këtë kohë botoi edhe broshurën e njohur të saj, që në atë kohë, bashkë me punimet e Leninit, përbënin analizën më të rreptë e më të mirë të situatës së para luftës dhe të disfatës së Internacionales së II. Duke përmendur rëndësinë që kishte socialdemokracia gjermane brenda Internacionales së II, autoritetin e saj në çështjet praktike dhe teorike, kur nuk pyetej se a pajtohej me socialistët e tjerë, por anasjelltas – ajo tregon njëherazi edhe rënien e thellë, disfatën dhe renegatizmin, duke demaskuar të gjitha teoritë e tyre mbi misionin kultural të gjermanëve, mbi fuqinë jetësore të mëtejshme të socialdemokracisë etj.

“Në këtë luftë nuk është fjala për ekzistencën dhe zhvillimin e lirë të Gjermanisë, sikundër thotë shpjegimi i fraksionit socialdemokrat, nuk është çështja e kulturës gjermane, sikundër shkruan shtypi socialdemokrat, por është fjala për profitet e tanishme të Bankës gjermane në Turqinë aziatike dhe për profitet e ardhshme të Manesmanit e të Krupit në Marok, për ekzistencën dhe reaksionin e Austrisë, “të atij dekompozimi të organizuar që quhet monarki e habsburgëve” siç e quante “Vorwarts” i 25 korrikut 1914, për derrat dhe kumbullat e Hungarisë, për nenin 14 dhe për kulturën e Fridman-Prohaskës, për mbajtjen e pushtetit fashist turk në Azinë e Vogël dhe për kundërrevolucionin në Ballkan”[15].

Prandaj, R. Luksemburg ngrihet rreptë kundër parullës socialdemokrate se detyra e socialdemokracisë është të zhvillojë luftë klasore vetëm gjatë kohës së paqes. Pra, prej 4 gushtit 1914 deri në përfundimin e luftës ishte shpallur se nuk ekziston lufta klasore dhe me gjëmimet e para të topave në Belgjikë, Gjermania u shndërrua në vendin e çuditshëm të solidaritetit klasor dhe harmonisë shoqërore.

Por, shkruan Roza Luksemburg, lufta klasore nuk është shpikje, vepër e lirë krijuese e socialdemokracisë, që të mund të stonohej sipas dëshirës në periudha të caktuara. Lufta klasore është më e vjetër se socialdemokracia vetë dhe gjatë luftës nuk u ndryshua gjë që të ndalej ekzistenca e saj. Gjëmimi i topave nuk ndryshoi asgjë në strukturën ekonomike, sociale dhe politike të Gjermanisë [16].

Me gjithë kritikën dhe ndriçimin e jashtëzakonshëm të situatës historike dhe pikërisht në bazë të qëndrimit të drejtë se në këtë luftë është fjala për përleshjen e kundërshtarëve imperialistë, R. Luksemburg konkludonte shumë shpejt për pamundësinë e ekzistencës së luftërave kombëtare mbrojtëse. “Në këtë mënyrë vazhdimisht është mileu historik i imperializmit të sotëm, që përcakton karakterin e luftës në vendet e caktuara, dhe për shkak të këtij milieu sot nuk janë fare të mundshme luftërat kombëtare mbrojtëse” [17].

Roza Luksemburg ishte në burg kur u zhvillua revolucioni i tetorit. Edhe pse kishte disa vërejtje kritike për rrjedhën e revolucionit, ishte shumë i madh dallimi mes qëndrimit të saj ndaj bolshevikëve dhe qëndrimit të Kautskit e të socialdemokratëve tjerë. Vlerësimin dhe kritikën e revolucionit rus e shkroi në vjeshtë të vitit 1918, përsëri pa të gjitha dokumentet dhe kontaktet që ishin të nevojshme [18].

Ajo nuk shpalli vërejtjet kritike të saj për negacion të një akti aq të shkëlqyer historik, por revolucionin socialist e kuptonte në radhë të parë si demantim të qartë të “analizave të thella” e të qëndrimeve të Kautskit dhe të tjerëve mbi papjekurinë e Rusisë për revolucion dhe mbi gabimin e krahut radikal të lëvizjes punëtore ruse që e vazhdoi revolucionin borgjez duke u shndërruar në revolucion socialist. Përsëri, thekson ajo, Kautski mbron të njëjtën tezë që e mbrojnë edhe menshevikët rusë mbi koalicionin me borgjezinë liberale. “Kautski, shkruante Roza gjatë luftës, në teori bëri po atë gjë që Shajdemani e bëri në praktikë, d.m.th. iu largua dhe e dobësoi socializmin me çdo qëndrim të tij. Mbrojtësi zyrtar i tempullit të marksizmit që prej fillimit të luftës po predikon se Internacionalja është instrument i paqes, po predikon nacionalizëm dhe bashkim të popullit dhe më në fund demokracinë dhe jo socializmin”.

“Në këtë situatë, vazhdon ajo, drejtimit bolshevik i takon merita historike, që nga fillimi proklamoi dhe e vazhdoi me konsekuencë të çeliktë atë taktikë, e cila ishte e vetmja që mund të shpëtonte demokracinë dhe të zhvillonte më tutje revolucionin. Tërë pushtetin vetëm në duar të masave punëtore e fshatare, në duar të sovjetëve – kjo ishte e vetmja dalje e vështirë në të cilat ra revolucioni, kjo ishte shpata me të cilën u shkëput nyja e Gordit, revolucioni doli nga ngushtica dhe u hap fusha e lirë për zhvillimin e mëtejshëm të papenguar. Në këtë mënyrë partia e Leninit qe e vetmja në Rusi që këtë periudhë të parë i kuptoi interesat e vërteta të revolucionit, ajo qe element i tij që shpinte përpara, dhe në këtë kuptim qe e vetmja parti që bën një politikë të vërtetë socialiste”[19].

Bolshevikët si qëllim të marrjes së pushtetit proklamuan jo ruajtjen e demokracisë borgjeze, por diktaturën e proletariatit si të vetmen masë që mund të sigurojë realizimin e socializmit. Kjo është merita historike e tyre[20].

Megjithatë bolshevikët e zgjidhën edhe “problemin e famshëm” mbi “shumicën e popullit”, i cili qysh moti po u qëndron socialdemokratëve gjermanë si ankth në kraharor. Si produkt i “kretinizimit parlamentar”, këta socialdemokratë bartin edhe në revolucion naivitetet parlamentare: Që të zbatosh diçka, duhet së pari të kesh shumicën. “Po kështu edhe në revolucion: duhet së pari të bëhemi shumicë”. Dialektika e vërtetë e revolucioneve e vë këtë urti parlamentare mbi kokë: rruga shpie jo me shumicën drejt taktikës revolucionare, por me taktikën revolucionare kah shumica[21].

Vërejtjet e R. Lusemburgut kanë të bëjnë në radhë të parë me taktikën ndaj fshatarësisë. Ndarja e tokës fshatarëve, copëtimi i pronave të mëdha e të organizuara si masë josocialiste nuk ka qenë e nevojshme, mendon R. Luksemburg, dhe kjo në zhvillimin e mëvonshëm do të shkaktojë shumë vështirësi. Sipas mendimit të saj, socializmi duhet të mbartë të drejtën e pronësisë në kombin që kur është pushtet socialist do të thotë në shtetin. “Nacionalizimi i pronës së madhe e të mesme, bashkimi i industrisë dhe bujqësisë, këto janë dy pikëpamje themelore të çdo reforme ekonomike socialiste, pa të cilat nuk ka socializëm” [23].

Por menjëherë shton se është e pamundshme të kërkohet nga Lenini dhe shokët e tij në kushte të tille të brëndshme dhe të jashtme, të kërkohet që brënda një kohe aq të shkurtër t’i zgjidhin të gjitha çështjet dhe veçanërisht çështjen e përmendur më parë që është një ndër më të vështirat dhe lidhur me të cilën, sipas mendimit të saj, socialistët në perëndim me gjithë rrethanat më të favorshme do të thejnë shumë dhëmbë.

Më vonë përsëri ngrihet kundër qëndrimit mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje, duke e konsideruar këtë si gabim që do ta shfrytëzojë më së shumti borgjezia[23]. Po kështu nuk aprovonte qëndrimin ndaj asamblesë kushtetuese, duke e quajtur gabim shpërndarjen e saj, si dhe shtypjen e jetës publike, lirisë së shtypit, të tubimit etj, të cilat i konsideronte si të vetmet mjete për ngritjen politike të masave. “Liria vetëm për përkrahësit e pushtetit, vetëm për anëtarët e një partie – sado të shumtë që të jenë ata – nuk është kurrfarë lirie. Liria është gjithmonë vetëm liri e atij që mendon ndryshe. Jo për shkak të fanatizmit të “drejtësisë”, por për arsye se gjithë ajo që është shembullore, shpëtimtare dhe pastruese në lirinë politike bazohet në esencë dhe veprimi i saj dështon kur liria bëhet privilegj [24].

Lenini dhe Trocki, vijon R. Luksemburg, në vend të forumeve përfaqësuese që rrjedhin nga zgjedhjet e përgjithshme popullore i vunë sovjetët si të vetmit përfaqësues të vërtetë të masave popullore. Por, me shtypjen e jetës politike do të shuhet gradualisht edhe jeta e sovjetëve. “Pa zgjedhje të përgjithshme, të drejtë të pakufizuar të shtypit e të tubimit, si dhe luftë të lirë mendimesh vdes jeta në të gjitha këto institucione publike, lind fiksioni i jetës, me ç’rast burokracia mbetet i vetmi element aktiv. Jeta publike gradualisht vihet në gjumë, disa duzina udhëheqësish partiakë të një energjie të pashtershme e të një idealizmi të pakufishëm drejtojnë dhe sundojnë, kurse një elitë e punëtorëve ftohet kohë pas kohe nëpër kuvende që të duartrokasin fjalimet e udhëheqësve, të aprovojnë njëzëri rezolucionet e propozuara, që në esencë janë punë e një klike – diktaturë gjithsesi, por jo diktaturë e proletariatit, por diktaturë e një grushti politikanësh, d.m.th. diktaturë në kuptimin borgjez, në kuptimin e sundimit jakobin (shtyrja e kongreseve të sovjetëve nga tre në gjashtë muaj)” [25].

Në kritikën e saj, R. Luksemburg qe e rreptë si gjithmonë. Kritikën e konsideronte momentin më të rëndësishëm, garanci të zhvillimit progresiv socialist. Por, shumë informata mbi zhvillimin rus nuk mund t’i kishte në qelinë e burgut, prandaj nuk kishte njohuri të plotë të rrethanave. Vërejtjet e saj se Lenini dhe Trocki e shtruan çështjen në mënyrë jo dialektike: diktatura apo demokracia, vërejtjet për qëndrimin e bolshevikëve ndaj lirisë politike dhe asamblesë kushtetuese – nuk qenë të drejta. Vetëm pas dy tre muajsh, në valët e revolucionit dhe kundrarevolucionit në Gjermani, u bind se ata patën të drejtë. Ajo mendonte gjithashtu se edhe bolshevikët do t’i bënin të gjitha ato që mendonte se do duhej të bëheshin, por të mos ishin në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe nën presion të luftës, të okupacionit gjerman dhe të të gjitha vështirësive tjera, të cilat do ti deformojnë edhe qëllimet më të mira, edhe principet më të bukura të politikës socialiste.

Gjithë çka ngjet në Rusi, vazhdon ajo, është e kuptueshme dhe përbën hallkën e pashmangshme të shkaqeve dhe të efekteve burim i së cilës është qëndrimi dhe mossuksesi i proletariatit gjerman dhe okupimi i Rusisë nga ana e imperializmit gjerman [27].

Përkundër tërë rezervimit dhe të gjitha kritikave, prapë R. Luksemburg e shikonte këtë ngjarje të jashtëzakonshme revolucionare me sytë e një revolucionareje të vërtetë, prandaj konkludonte në këtë mënyrë: “Socialistët qeveritarë gjermanë mund të bërtasin dhe të bëjnë zhurmë se sundimi i bolshevikëve është vetëm karikaturë e diktaturës së proletariatit. Në qoftë se ky sundim ishte apo është i tillë, kjo ngjet vetëm për shkak se ai është pasojë e qëndrimit të proletariatit gjerman, që personifikon karikaturën në luftën klasore socialiste. Të gjithë i nënshtrohemi ligjit të historisë, prandaj rendi shoqëror socialist mund të realizohet vetëm në përpjesëtime ndërkombëtare. Bolshevikët treguan se mund të bëjnë krejt çka është e mundur të bëjë një parti revolucionare në suazat e mundësive historike. Nuk duhet të dëshirojnë të bëjnë çudira. Sepse revolucioni proletar shembullor do të ishte çudi në një vend të izoluar, të lodhur nga lufta botërore, të cilit i ka hipur në qafë imperializmi dhe të cilin e tradhtoi proletariati ndërkombëtar. Këtu është çështja të dallohet kryesorja nga ajo që është e dorës së dytë, të dallohet esencialja nga ajo që është e rastit në politikën e bolshevikëve. Në këtë periudhë të fundit, kur gjendemi para luftërave përfundimtare e vendimtare në tërë botën, është edhe mbetet si problem kryesor i socializmit pikërisht çështja kardinale e ditëve tona: jo kjo apo ajo çështje e taktikës, por aftësia aksionale e proletariatit, forca kreative e masave, vullneti i socializmit për fuqi përgjithësisht. Në këtë pikëpamje Lenini dhe miqtë e tij janë të parët që me shembullin e tyre përbëjnë avangardën e proletariatit botëror. Deri më sot ata janë të vetmit që bashkë me Hutenin mund të klithin: Unë guxova!”.

“Kjo mbetet esenciale në politikën e bolshevikëve. Në këtë pikëpamje atyre u takon merita historike e pavdekshme se i prinë proletariatit ndërkombëtar në marrjen e pushtetit politik dhe në vënien praktike të çështjes së realizimit të socializmit dhe se afruan ditën e qërimit të hesapeve midis punës dhe kapitalit. Në Rusi, problemi vetëm mund të shtrohej. Dhe në këtë kuptim, ardhmëria i takon kudo bolshevizmit” [28].

R. Luksemburg u mbajt në burg gati deri në fund të luftës. Revolucioni i 9 nëntorit 1918 e çliroi atë dhe shumë socialistë të tjerë të majtë nga burgu. Klasa punëtore dhe ushtarët formonin sovjetët e tyre, por qeveria socialdemokrate me Erbertin dhe Shtajdermanin nuk mendonte t’ua dorëzojë atyre pushtetin. Përkundrazi, përgatiteshin për kundërrevolucion. Nuk duhet të ketë kurrfarë iluzionesh për situatën: udhëheqësia socialdemokrate me Erbertin dhe Shtajdermanin, Davidin dhe këshilltarët e vet nga Centrum-i Kautskit, që prej fillimit ishin për një zhvillim “demokratik” të situatës – që do të thotë njëherazi se ishin për kundërrevolucion.

Situata ishte e komplikuar. Ushtria konsolidohej ngapak dhe gjithnjë më tepër i vihej në dispozicion qeverisë, kurse një pjesë e klasës punëtore armatosej. K. Libknehti ishte i palodhshëm në masa dhe agjitonte për qëndrimet e Spartakistëve. Bashkë me R. Luksemburg ishte gjithësesi udhëheqësi më eminent i komunistëve në këtë periudhë[29]. Spartakistët arritën më në fund që me 9 nëntor 1918 të fillojnë botimin e gazetës së tyre “Die Rote Farne” (Flamuri i kuq) dhe në fund të vitit formojnë partinë komuniste. Por kundrarevolucioni organizohej. Në fillim të janarit 1919, qeveria ia besoi G. Noskes komandën e forcave kundrarevolucionare. Në një situatë të tillë, veçanërisht pas largimit të Emil Eishhorn-it nga pozita e shefit të ushtrisë së Berlinit, udhëheqësia e Berlinit e USPD dhe qendra e KPD bënë thirrje për demonstrata masive. Me 5 janar, pas demonstratës masive të suksesshme të punëtorëve dhe ushtarëve, përfaqësuesit e USPD dhe KPD të Berlinit, vendosin që të rrëzohet me armë qeveria e Ebert Shajdermanit. Vlerësimi i situatës ishte i gabueshëm. As këshilli revolucionar prej 33 anëtarësh nuk qe i vendosur për revolucion, as që arritën kryengritësit të tërheqin shumicën e masave punuese të Gjermanisë në anën e tyre. Kurse kundërrevolucionarët nën qeverinë “socialiste” në pikëpamje të organizimit ishin më të përgatitur. Deri me 12 janar u shua kryengritja në Berlin dhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Terrori kundrarevolucionar ishte shfrenuar dhe kishte nisur ndjekja e komunistëve dhe e udhëheqësve të tyre. Me 15 janar i gjetën dhe i burgosën R. Luksemburgun, K. Libknehtin dhe V. Pikun. Roza dhe Karli u vranë menjëherë, kurse pas tyre e humbi jetën edhe K. Ajnseri, L. Jogishesi dhe shumë të tjerë. Kështu humbi jetën njëra nga personalitetet më të talentuara dhe më fisnike të lëvizjes revolucionare bashkëkohore.

Vlerësimin më të mirë të R. Luksemburg e dha Lenini nga fundi i jetës së tij: “…shqipeve u ndodh të bien ndonjëherë edhe më ulët se pulat, por pula nuk mund të ngrihet kurrë si shqipja”. Roza Luksemburg gaboi lidhur me çështjen e pavarësisë së Polonisë; gaboi me 1903 me vlerësimin e menshevizmit; gaboi me teorinë e akumulimit të kapitalit dhe gaboi në qershor të 1914 kur bashkë me Plehanovin, Vanderveldin, Kautksin e të tjerë mbrojti bashkimin e bolshevikëve me menshevikët; gaboi në shkrimet e saja nga burgu në 1918 (me ç’rast, kur doli nga burgu, i përmirësoi vetë pjesën më të madhe të gabimeve). Por, me të tëra këto gabime, ajo ka qenë dhe mbetet shqipe. Socialdemokracia gjermane pas 4 gushtit 1914 është “kufomë e ndotur” – ja me ç’fjalë të Roza Luksemburg do të hyjë emri i saj në historinë e lëvizjes punëtore botërore.

E përktheu Fehmi Agani

Shënime:

[1] Mbi fizionominë dhe veprimtarinë e Roza Luksemburg shih biografitë: Paul Frohlich – “Rosa Luxemburg, Gedanke un Tai” Paris 1939 ; H.Roland-Holst – “Roza Luxemburg”, Zurihh 1937 etj. 
[2] R. Luksemburg “Reforma sociale apo revolucioni?”.
[3] R. Luksemburg, ibid, fq 319
[4] R. Luksemburg, ibid, fq 291
[5] R. Luksemburg, ibid, fq 323-324
[6] R. Luksemburg, ibid, fq 325-326
[7] R. Luksemburg kritikoi qëndrimin e Leninit të shprehur në librin “Një hap prapa, dy hapa pas” në artikullin “Çështjet organizative të socialdenokracisë ruse”, korrik 1904.
[8] Edhe në broshurên e saj të njohur si broshurë e Jonusit shkruante ngjashëm: Në qoftë se pra nuk mund ta kapërcejnë zhvillimin historik si njeriu që nuk kapërcen hijen e tij, mund ta shpëtojmë ose ngadalësojnë. Socializmi është lëvizje e parë popullore në historinë botërore që i vë vetes si qëllim dhe që është i ftuar nga vetë historia të fusë në veprimtarinë shoqërore te njeriut kuptimin e vetëdijshëm, mendimin e planit dhe prandaj edhe vullnetin e lirë.
[9] R. Luxemburg, ibid, fq 204
[10] Këto qëndrime i zhvillimoi veçanërisht në artikullin “Çështja kombëtare dhe autonomia (1908-1909), kurse Lenini iu përgjegj me punimin “Mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje”.
[11] Roza Luksemburg, “Akumulimi i kapitalit”.
[12] R. Luxemburg, ibid, fq 368-369
[13] R. Luxemburg, “Akumulimi u kapitalit, çka bënë epigonët me teorinë e Marksit, Antikritika”.
[14] Duhet të përmendim se kongreset e Internacionales së II në Shtutgart (1907), Kopenhagen (1910) dhe Bazel (1912) aprovuan rezolucionin kundër rrezikut të luftës. Shtesa e këtij revolucioni u pranua me propozimin e R. Luxemburg, të Leninit e të Martovit, dhe thotë: “Në qoftë se kanoset rreziku që të pëlcasë lufta, klasat punuese dhe përfaqësuesit parlamentarë të tyre në vendet e interesuara janë të obliguar që me ndihmën e një aksioni të fortë të byrosë socialiste ndërkombëtare të pengojnë me çdo mjet shpërthimin e luftës. Këto mjete, natyrisht, ndryshojnë sipas ashpërsimit të luftës klasore dhe të situatës së përgjithshme politike. Nëse, prapë, lufta shpërthen, ata janë të obliguar të marrin qëndrimin për kryerjen sa më të shpejtë të saj dhe të përpiqen me të gjitha forcat që krizën ekonomike dhe politike të shkaktuar nga lufta ta shfrytëzojë për revolucionarizimin e popullit, duke shpejtuar në këtë mënyrë eleminimin e sundimit klasor kapitalist”. 
[15] R. Luxemburg, Die Krise der Sozialdemokratie
[16] Shih të njëjtën vepër, fq 343-344
[17] R. Luxemburg, Die Krise der Sozialdemokrate, fq 347. Lenini po atë vit e përshëndeti me entuziazëm këtë vepër dhe dha vërejtje kritike. Së pari, se nuk u tregua mjaft qartë lidhja e socialshoviniznit dhe e oportunizmit, se nuk u mbrojt me mjaft konsekuencë qëndrimi mbi luftën civile kundër luftës imperialiste dhe se është i përgjithësuar dhe prandaj i padrejtë përfundimi se janë të pamundshme luftërat kombëtare, mbrojtëse dhe çlirimtare. Lenini duke marrë parasysh se kjo broshurë ishte e shkëlqyeshme, me kujdes thekson se këto mungesa janë sigurisht të rastit, pasojë e theksimit të tepruar të vlerësimit, në esencë të drejtë, të luftës së atëhershme. Mendimi themelor i Leninit është se çështja duhet të shqyrtohet gjithmonë konkretisht dhe se shikuar dialektikisht, “qëndrimi themelor i dialektikës marksiste konsiston në pohimin se të gjitha pjesët në natyrë dhe në shoqëri, janë të kushtëzuara e të lëvizshme, se nuk ekziston asnjë fenomen që të mos mundet, në kushte të caktuara, të kalojë në të kundërtën e tij. Lufta kombëtare mund të shndërrohet në luftë imperialiste dhe anasjelltas” (Lenin, Mbi broshurën e Juniusit).
[18] Botimi i parë i këij punimi me titull Die russiche Revolution u bë nën redaktimin e Paul Levit me 1922. 
[19] R. Luxemburg, Die russiche Revolution, Frankfurt am Main 1963, fq 51-52
[20] Para se të kalojë në vërejtje kritike, R. Luxemburg, e vlerëson në këtë mënyrë heroizmin e bolshevikëve: “Se çka është në gjendje të tregojë një parti në çastin historik sa i përket trimërisë, energjisë, largpamjes revolucionare dhe konsekuencës, e treguan në një masë të madhe Lenini, Trocki dhe shokët. Tërë ndërsa revolucionare dhe aftësia e aksionit, që i mungonte socialdemokracisë në perëndim, u gjend të bolshevikët. Kryengritja e tyre e tetorit nuk ishte shpëtim vetëm për evolucionin rus, por me të shpëtoi edhe ndera e socializmit ndërkombëtar”.
[21] R. Luxemburg, ibid, fq 54
[22] R. Luxemburg, ibid, fq 56
[23] Tekstualisht shkroi kështu: “Por, dhe me këtë arrijmë në pikën nyjë të problemit, këtu pikërisht qëndron karakteri utopiko-mikroborgjez i kësaj fraze nacionaliste, që në kohën e kontradiktave ekstremisht të ashpërsuara, shndërrohet thjesht në mjet të sundimit klasor borgjez. Bolshevikët, për dëmin më të madh të vetin dhe për dëm të revolucionit, duhej të shihnin se pikërisht nën sundimin e kapitalizmit nuk ka vetëvendosje të kombeve, se në një shoqëri klasore çdo klasë e kombit përpiqet të vendosë veten ndryshe dhe se për klasat borgjeze parimet e lirisë kombëtare ua lëshojnë vendin tërësisht parimeve të sundimit klasor. Borgjezia finlandeze, si dhe mikroborgjezët ukrainas, u pajtuan plotësisht se më mirë është sundimi i dhunshëm gjerman se sa liritë kombëtare, nëse këto janë të lidhura me rrezikun e bolshevizmit”.
[24] R. Luxemburg, ibid, fq 73
[25] R. Luxemburg, ibid, fq 73
[26] Kështu psh. në artikullin e saj “Fillimi”, të shkruar në nëntor 1918 shkruante tekstualisht: “Ajo (d.m.th. qeveria revolucionare) thërret asamblenë popullore kushtetuese, krijon në këtë mënyrë një kundërpeshë të përfaqësisë së punëtorëve dhe fshatarëve, e fut në këtë mënyrë revolucionin në binarët e revolucionit borgjez, eksamoton qëllimet socialiste të revolucionit. Të njëjtin mendim e shfaq në artikullin Asambleja kushtetuese, me 20 nëntor 1918, në të njëjtën gazetë: “Kush përpiqet sot për asamblenë kushtetuese, e ndal në mënyrë të vetëdijshme ose jo revolucionin në fazën historike të revolucionit borgjez, ai është ose agjent i maskuar i borgjezisë ose ideolog i pavetëdijshëm i mikroborgjezisë”. 
[27] Duke folur për të njëjtin problem në letrën e Spartakusit nr 11, Roza thekson përsëri se për vështirësitë dhe gabimet e bolshevikëve fajin e mban në radhë të parë proletariati ndërkombëtar, dhe para së gjithash tradhtia e socialdemokracisë gjermane dhe përfundon: “Lajmet që vinë sot nga Rusia dhe pozita e bolshevikëve janë apel tronditës drejtuar shkëndijave të fundit të ndjenjës së nderit të masave punëtore dhe ushtarake gjermane. Ata lejuan me gjakftohtësi që revolucioni rus të bëhet copë e grimë, të rrethohet dhe ta zërë uria. Le të shpëtohet, qoftë në orën dymbëdhjetë nga më e tmerrshmja: nga vetëvrasja morale, nga aleanca me imperializmin gjerman”.
[28] R. Luxemburg, Die russiche Revolucion, fa 79-80.
[29] K. Libknehtit (1871-1919), i biri i Vilhelm Libknehtit. Jurist dhe deputet socialdemokrat. I takonte të majtës radikale dhe ishte një nga udhëheqësit më revolucionarë dhe konsekuentë të së majtës gjermane. Për shkak të qëndrimit kundër luftës u burgos me 1916. Është bashkëthemelues i Lidhjes së Spartakut dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të R. Luksemburgut. Në janar u vra bashkë me R. Luksemburg. 
[30] V. I. Lenin, Shënimet e publicistit.

Imazhi: Verso

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.