Hyrje
Pas nismës së disa prej aktivistëve të Organizatës Politike për të realizuar një cikël eventesh të quajtur “RevoLogu”, për të prezantuar një sërë revoltash, revolucionesh apo personazhesh të rëndësishëm revolucionarë përgjatë historisë botërore, vendosa të shkruaj një tekst të shkurtër rreth periudhës pas rënies së Bastijës, gjatë Revolucionit Francez, mbi të cilën ekzistojnë shumë keqinformime si dhe tendenca denigruese ndaj Revolucionit apo drejtuesve të tij. E kam marrë këtë iniciativë duke qenë se Revolucioni Francez ka qenë një temë që më ka interesuar gjithmonë dhe ndërkohë kam pasur fatin të ndjek historianë seriozë të cilët kanë bërë një punë kolosale në lidhje me këtë epokë të historisë së Francës. Mendoj se rreth kësaj periudhe do të ketë gjithmonë gjëra për të trajtuar, megjithatë jam përpjekur të ndalem në disa pika që i konsideroj të rëndësishme, por njëkohësisht do inkurajoja cilindo që të trajtonte më tepër temën e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme të historisë botërore.
Përkufizime
Për të mos humbur me emrat dhe referencat e tekstit në vijim, e shoh të arsyeshme të shpjegoj disa emërtime që do të përdoren shpesh gjatë tekstit, si p.sh: Zhirondinët, Emigrantët, Kushtetuesja, Montanjarët, etj. Le ta fillojmë me Kushtetuesen.
Kushtetuesja ishte Asambleja Kushtetuese Kombëtare, e cila përbëhej nga tre rende: aristokratët, kleri dhe rendi i tretë që përbëhej nga një përzierje avokatësh, gazetarësh, pronarësh të vegjël e juristësh. Pas revolucionit ato morën përgjegjësinë për të hartuar kushtetutën e regjimit të ri. Zgjedhja e deputetëve vinte që nga koha pararevolucionare, por me një ndryshim thelbësor. Më parë çdo rend kishte të drejtën e një vote të vetme. Pas revolucionit votimi bëhej duke u llogaritur nga vota e çdo deputeti dhe jo nga ajo e rendit.
Jakobinët përbëheshin nga deputetë që vinin nga regjioni i Bretanjës dhe e merrnin emrin nga vendi ku mblidheshin, që quhej “ish-Kuvendi i Shën Jakobit”. Pjesëtarët konsideroheshin si mendimtarë që mblidheshin në një klub reflektimi për hartimin e kushtetutës. Në të bënin pjesë Miraboja, Robespieri, Dantoni etj.
Montanjarët ishin grupi i deputetëve më revolucionarë të Konventës, që përkrahnin idenë e krijimit të një republike. Jakobinët bënin pjesë në këtë grup.
Emigrantët ishin pjesa e popullatës, kryesisht aristokratë, të cilët gjatë Revolucionit Francez humbën privilegjet dhe emigruan në Austri ose për të shmangur gjykimin/dënimin nga regjimi i ri, ose për të ruajtur privilegjet e tyre nëpër vende me regjim mbretëror. Të mos harrojmë se shumë individë u përpoqën ta shtypnin me armë revolucionin.
Zhirondinët ishin deputetët pjesa më e madhe e të cilëve vinin nga rajoni i Zhirondës. Dy aspekte të rëndësishme në lidhje me ta janë se, e para, përgjatë revolucionit ishin në qeverisje para se Franca t’i shpallte luftë Austrisë. E dyta, ndryshe nga jakobinët, ata ishin pro luftës, ndërsa kur diskutohej për dënimin apo jo të mbretit ishin kundër, si dhe kërkonin një revolucion më të moderuar.
Sankylotët (Sans Culottes) ishin ajo pjesë e popullatës goxha revolucionarë dhe që nuk vishnin kilota, një lloj pantallonash që ishte shenjë e aristokracisë. Një shembull që mund t’i afrohet disi sot mund të jetë kollarja dhe kostumi. “Sankylot” ishte një emërtim përçmues bërë nga kundërshtarët, që kishte shpesh konotacion negativ dhe idenë e një popullate të varfër, por sankylotët përbëheshin nga tregtarë të vegjël apo artizanë që fitonin relativisht mirë.
Arratisja e Luigjit të XVI-të
- Teza historike që Luigji nuk ishte i motivuar për të qeverisur
Ekziston një hipotezë mjaft e përhapur në shoqëri, si dhe në mediat që trajtojnë dokumentarë historikë, se Luigji i XVI-të nuk kishte shumë dëshirë për të qeverisur dhe se drejtonte disi për inerci të asaj që kishte trashëguar. E vërteta është krejt ndryshe. Luigji kishte integruar në mënyrë të kahershme mekanizmat e një monarkie absolute dhe në asnjë moment nuk e imagjinonte që Franca mund të drejtohej ndryshe nga modeli që ishte rritur dhe që e konsideronte legjitim.
- Qëllimi i arratisjes
Diçka që përmendet fare shkurt dhe pa u theksuar është se Luigji i XVI-të u arratis nga Versaja (Palais de Versaille) për në Austri, me qëllim për të mbledhur ushtri të huaja dhe të sulmonte Francën për të rimarrë pushtetin e humbur. Ai imagjinonte gjithashtu se do të kishte mbështetjen e popullatës rurale, gjë që nuk rezultoi edhe aq e vërtetë, duke qenë se ai u kap në arrati dhe pjesa dërrmuese e popullatës e pa si tradhti aktin e arratisjes dhe tentativën e bashkëpunimit me armiqtë e kohës.
Pas arratisjes
- Dilemat e revolucionarëve: ç’do të bënin me situatën?
Kushtetuesja hasej me një problem serioz, atë se çfarë do të bënin nëse largonin Luigjin e XVI-të. Dilema e parë ishte se, nëse e shfronësonin, me kë do të zëvendësohej. Republikanët ishin të paktë në numër, por gjithsesi po krijohej një grup që ishin të idesë që të shfronësohej mbreti dhe të mos zëvendësohej me mbret tjetër. Ndërsa pjesa më e madhe e Kushtetueses ishin të idesë që nuk kishte pse të shkohej aq larg. Nga Klubi i Jakobinëve pjesa më e madhe largohet, sepse ishin për status quo-në: drejtimin e vendit nga Kushtetuesja dhe me mbretin që mund të qeveriste me të drejtën e vetos.
- Lafajeti (Lafayette)
Lafajeti, si drejtues i Gardës Nacionale, mbështeste idenë e ruajtjes së regjimit siç ishte, me mbret pa pushtet absolut, por me të drejtë vetoje. Si dhe Kushtetuesen që ndikonte në qeverisjen e vendit. Të mos harrojmë që ndërkohë Lafajeti, në një trazirë në Paris urdhëroi gardën të qëllonte mbi popullin nga ku mbetën të paktën 50 të vrarë. Kjo gjë i rrënoi krejtësisht reputacionin.
- Zgjedhjet legjislative
Ndërkohë që Kushtetuesja përgatiste zgjedhjet legjislative, nga ku do të zgjidheshin deputetët e rinj me votim të përgjithshëm nga “populli” (gratë nuk e kishin ende të drejtën e votës). Faktikisht zgjedhjet nuk ishin të përgjithshme në kuptimin ku gjithë populli mund të votonte. Të vetmit që kishin të drejtën e votës ishin një kategori qytetarësh që paguanin një nivel të caktuar takse. Rrjedhimisht ata që votuan ishin të pasurit. Përpara këtyre zgjedhjeve që do të nxirrnin Asamblenë Legjislative, Robespieri propozoi që deputetët aktualë të mos rikandidonin. Ky propozim u pranua nga të gjitha palët. Ruajalistët e pranuan për arsye pragmatike. Për këtë arsye zgjedhjet e fillim-Shtatorit 1791 nxorën të ashtuquajturën Asamble Legjislative, e cila përbëhej vetëm nga deputetë të rinj dhe që do të zgjaste vetëm një vit.
Siç e pamë deri tani, nga korriku i 1789-ës deri në fund të shtatorit 1791 kemi Asamblenë Kushtetuese si institucionin legjislativ më të rëndësishëm, dhe nga tetori i 1791-it Asamblenë Legjislative, e cila siç do ta shohim më poshtë do të pasohet një vit më pas nga Konventa. Kuptohet që Asambleja Kushtetuese hartoi disa ligje dhe Kushtetutën të cilat i hoqën disa privilegje aristokracisë, si p.sh. barazia përpara ligjit dhe ndarja e pushteteve. Gjithsesi u ruajt regjimi monarki kushtetuese, ku mbreti kishte të drejtën e emërtimit të ministrave dhe të qeverisë, si dhe vendosjen e vetos. I vetmi kufizim i vetos ishte se mbreti në rast se vendoste veton ndaj një ligji, nuk mund të vendoste përsëri veton ndaj të njëjtit ligj nëse ai prezantohej sërish nga një asamble apo parlament i rizgjedhur pas 4 vitesh. Ndërsa Asambleja Legjislative e shtatorit të 1791-it, që përbëhej me shumicë deputetësh pro monarkisë kushtetuese (degë e krijuar nga ndarja e Jakobinëve që përkrahnin regjimin), riafirmoi kushtetutën e shtatorit të 1791-it, se ishin të idesë që Revolucioni e kishte përmbushur qëllimin e tij. Pjesa e opozitës që përbëhej nga Jakobinët e rinj ishte e qëndrimit se duhej përparuar më tepër me demokraci, si dhe kishin mosbesim të plotë ndaj mbretit dhe oborrit të tij.
Përfundimisht Kushtetuta e 1791-it nuk i përgjigjej kërkesave dhe problemeve shoqërore të kohës, gjë që siç do ta shohim në ngjarjet e mëposhtme do të çojnë në fundin e Asamblesë Legjislative në më pak se një vit.
Lufta
- Vlerësimi që kishin asokohe për luftën
Duhet të kuptojmë që asokohe deputetët, apo personat e angazhuar në jetën publike, nuk mund të kishin një vlerësim të qartë dhe objektiv të situatës. Një pjesë mendonin se kundërrevolucionarët përbënin rrezik të madh për regjimin. Emigrantët nga jashtë ushtronin presion mbi Francën dhe përdornin pozitat e tyre jashtë vendit për të kërcënuar revolucionin. Veç kësaj, ideja se rënia e një monarkie mund të krijonte një efekt domino në Evropë kishte një lloj baze si në mendjen e revolucionarëve, po edhe në reflektimin e popujve të tjerë.
- Pozicioni i mbretit dhe revolucionarëve si Robespieri, Marati dhe Dantoni
Mbreti ishte krejtësisht pro luftës sepse ai ishte i bindur që Franca do ta humbte dhe, për rrjedhojë, Austria do ta rivendoste në pushtet si monark absolut. Robespieri ishte kundër sepse e gjykonte si humbje energjie dhe kohe për të përparuar me reformat e Kushtetueses. Veç kësaj, ai përdori edhe frazën e famshme: “Asnjë misionar me armë nuk është i mirëpritur nga asnjë popull.” Arsyeja kryesore e frikës së Robespierit ishte se ai i referohej historisë romake, ku gjeneralët përvetësonin lavdinë e luftës dhe më pas e përdornin atë për të fituar pushtetin në mënyrë çezariane, tipare të konstatuara edhe te Lafajeti. Dantoni dhe Marati ndjekin mendimin e Robespierit.
- Vdekja e perandorit Austriak
Perandori austriak Leopold i II-të vdiq dhe u zëvendësua nga Fransua i II-të, i cili ishte më luftarak (pro lufës) dhe bëri marrëveshje me Prusinë për të ndërhyrë në luftë nëse njëra prej tyre kërcënohej apo sulmohej. Luigji i XVI-të zëvendësoi ministrat me ministra më agresivë, gjë që shtyu që më 20 Prill 1972 Franca t’i shpallte luftë Austrisë.
Pasojat e luftës në situatën franceze
- Problemet që në fillim të luftës
Lufta nuk nisi mirë. Komandantët e ushtrisë kishin tendenca ruajaliste dhe nuk kishin motivim të fortë për të drejtuar një luftë revolucionare, duke treguar angazhim të dobët deri në raste sabotimi. Maria Antoneta, ndërkohë, u kishte dërguar armiqve të Francës planet e luftës. Rrjedhimisht një gjendje paranoje u krijua në ushtri dhe në instancat drejtuese të vendit.
- Vetoja e Luigjit të XVI-të
Zhirondinët përballë kësaj situate shkruan tre dekrete që kishin si qëllim të rregullonin gjendjen e vendit dhe të ndihmonin në fitimin e luftës. Ndërkohë Luigji i XVI-të ushtroi veton mbi këto dekrete dhe largoi Zhirondinët nga qeverisja, pasi ata protestonin kundër vetos. Lafajeti, kur pa që Zhirondinët dhe Jakobinët po merrnin rëndësi, propozoi që të ndërhyjë me forcë në Paris për të qetësuar qytetin nga trazirat e mundshme.
- Manifesti i Emigrantëve dhe kërkesa për shkurorëzimin e mbretit
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, popullata e Parisit kryengrihet më 20 Korrik 1972 dhe zapton Pallatin e Tylerisë (rezidenca e mbretit). Mbreti pranoi të bëjë disa veprime simbolike pro republikës, por refuzoi anulimin e vetos. Në fund të korrikut Emigrantët firmosën një manifest bashkë me Bronxvikun (gjeneral austriak) që kërcënonte Parisin në rast se i ndodhte diçka mbretit. Manifesti, që kishte qëllim për të mbrojtur mbretin, bëri efekt të kundërt, sepse u konsiderua si një kërcënim i huaj dhe mbreti u konsiderua gjithmonë e më tepër si tradhtar nga populli.
Ajo që ndodhi në fund është se Garda Nacionale, duke mbajtur anën e Sankylotëve, lejoi lëvizjen e tyre dhe më 10 Gusht 1972 Luigji i XVI-të u shfronësua. Për këtë vendim ishte një pjesë e vogël e Asamblesë që votoi pasi një pjesë e mirë e deputetëve kishin frikë dhe nuk ishin të sigurt se ç’do të ndodhte më pas. 10 Gushti do të shënoj gjithashtu fundin e Asamblesë Legjislative që do të pasohet nga Konventa.
Masakra e Shtatorit
- Humbja e Verdunit
Më 30 Gusht 1972 Franca humbi Verdunin, që konsiderohej si pikë strategjike, dhe ushtria kundërshtare mund të afrohej drejt Parisit. Një pjesë e popullatës nuk e pranoi shfronësimin e mbretit. Pra kemi një gjendje paniku të përgjithshëm dhe shqetësim se ç’do të ndodhte me të burgosurit në rast se Parisi pushtohej.
- Numri i ekzekutimeve dhe shoku i klasës politike
Në burg kishte shtresa ta ndryshme shoqërore, si aristokratë, klerikë, kundër-revolucionarë, si dhe individë që ishin angazhuar për të mbrojtur mbretin. Kjo kategori konsiderohej si tradhtare dhe priste gjykimin, gjykim që sipas revolucionarëve po zgjaste shumë pasi Komuna e Parisit shqetësohej për revanshin që të burgosurit politikë do të kryenin në rast se Parisi pushtohej. Në shtator Marati thërret në gazetën e tij të përditshme që Sankylotët të merrnin në dorë fatet e vendit dhe të bënin ç’ishte e nevojshme me të burgosurit që konsideroheshin si tradhtarë. Si pasojë e kësaj, burgjet u mësynë dhe u ekzekutuan rreth 1300 të burgosur nga afro 2500. Grupet që kryen ekzekutimet quheshin Shtatoristë.
- Pozicionimi i Zhirondinëve në lidhje me masakrat
Shtatoristët përbëheshin kryesisht nga shtresa e artizanëve apo tregtarëve të vegjël, ndryshe nga ç’thuhet se ishin shtresat e varfra. Ky veprim shokon opinionin publik. Gjëja që i shokon më tepër është fakti se kjo lloj praktike mund të bëhej e zakonshme. Nga kjo ngjarje Dantoni (asokohe Ministër i Drejtësisë) nxjerr si përfundim se për të shmangur vetëgjyqësinë do të duhej një drejtësi më radikale dhe e rreptë.
Zhirondinët kanë një pozitë të dyzuar në lidhje me masakrat e shtatorit sepse nga një anë ekzekutimet u shkojnë për shtat, pasi u eliminuan kundërshtarët e tyre politikë, por njëkohësisht i përdorin këto ekzekutime për të denoncuar armiqtë e tyre politikë aktualë, siç ishin Dantoni, Robespieri dhe Marati. Faktikisht ai që kishte njëfarë përgjegjësie ishte Marati, i cili zotëronte një gazetë dhe kishte influencë nëpërmjet shkrimeve që botonte, ndërsa dy të tjerët nuk kishin lidhje me masakrat.
- Fitorja e Valmisë
Në atë kohë trupat franceze në Valmi ishin më të shumta në numër dhe vullnetarët tregohen të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, gjenerali i trupave kundërshtare vlerëson se për të fituar betejën do të kishte humbje serioze dhe se një fitore e mundshme nuk do t’i mundësonte një përparim të vërtetë drejt Parisit, prandaj vendos të tërhiqet. Kjo fitore ndikon goxha në moralin e Francës dhe të Konventës që do të mblidhej të nesërmen.
Konventa
- Zgjedhjet e përgjithshme dhe profili i deputetëve
Konventa u zgjodh me zgjedhje të përgjithshme, vetëm burra. Nga ana sociale nuk e prezantonte shumë popullatën, sepse përbëhej nga borgjezë të vegjël dhe të mëdhenj (jo shumë pronarë të mëdhenj). Në mënyrë të rastësishme, nga e djathta kemi Zhirondinët, të cilët i ishin kundërvënë paqes dhe për një revolucion më të moderuar. Nga e majta kemi Montanjarët, ku bën pjesë Robespieri, Dantoni, Marati dhe figura të tjera emblematike. Nga ana sociale i ngjajnë Zhirondinëve. Ndryshimi mes tyre vjen nga votuesit. Zhirondinët vijnë nga Rajoni i Zhirondës të cilët janë të lidhur me aksesin në tregti. Montanjarët përbëhen nga elektorati parisian apo regjione të varfra, me pronarë të vegjël që kanë interes në heqjen e privilegjeve të aristokratëve. Në qendër të Konventës kemi Kënetën, pjesa dërrmuese e deputetëve të së cilës nuk kanë një qëndrim fiks. Çështja kryesore që i ndante Zhirondinët dhe Montanjarët ishte lufta. Çështja e dytë që nis të krijojë një ndarje thelbësore bëhet vendimi se ç’duhej bërë me mbretin.
- ‘‘Ç’duhej bërë me mbretin?’’
Vendimi se çfarë do të bëhej me mbretin përcaktonte se çfarë do të bëhej me vetë revolucionin. Nëse nuk e gjykonin apo e kursenin mbretin, implikonte deligjitimimin e kryengritjes së 10 Gushtit (shfronësimi i mbretit), sankylotëve dhe deligjitimim të një pjese të revolucionit. Zhirondinët kanë pak a shumë këtë pozicion, ndërsa Montanjarët janë për të kundërtën: nëse dënojmë mbretin legjitimohet kryengritja dhe nxisim që revolucioni të shkojë më tej.
Zhirondinët nuk mund të shpreheshin hapur kundër dënimit të mbretit sepse tradhtia e tij ishte e qartë, për pasojë propozojnë që fati i Luigjit të XVI-të të vendosej me zgjedhje të përgjithshme. Kjo ishte një dredhi, sepse ata e dinin që kishte një ndasi midis Parisit dhe pjesës tjetër të Francës e cila ishte më tradicionaliste. Montanjarët e kundërshtojnë dhe shprehen se Konventa e ka autoritetin për këtë votë. Si përfundim votohet një herë nëse Konventa mund të votonte dhe jo i gjithë populli, ndërsa herën e dytë për dënimin apo jo. Votimi i parë i jep të drejtë Konventës për të vendosur, ndërsa votimi i dytë del në favor të dënimit, me një diferencë të vogël. Me 21 Janar 1973 Luigji i XVI-të ekzekutohet në gijotinë.
- Pasojat e ekzekutimit të mbretit
Ky është një moment thelbësor i Revolucionit Francez, sepse krijohet një thyerje me revolucionarët e moderuar, të cilët njëkohësisht ishin edhe besimtarë apo konservatorë, dhe e konsideronin mbretin si të shpallur me të drejtë hyjnore (jo medoemos mbret absolut). Nga ana tjetër, popullata parisiane do të unifikohej me projektin revolucionar. Ideja e Republikës, që nuk ishte ende aq e përqafuar, nis të ngulitet dhe forcohet në mendjen e njerëzve. Gjithsesi gjendja nuk është e lehtë, duhej të përgatitej e ardhmja. Mbreti vërtetë vdiq, por ndarja midis Zhirondinëve dhe pjesës së Komunës së Parisit mbetet aktuale. Lufta vazhdon dhe Konventa ka shumë rrugë për të bërë.
Komiteti i Sigurisë së Përgjithshme dhe Dantoni
- Komiteti i Shpëtimit Publik dhe Komiteti i Sigurisë së Përgjithshme
Le të ndalemi pak te Komiteti i Shpëtimit Publik në mënyrë që ta kuptojmë më lehtë Komitetin e Sigurisë së Përgjithshme. Komiteti i Shpëtimit Publik është organi i parë i qeverisë së vendosur nga Konventa. Ai u krijua më 6 Prill 1793 me qëllim për të përballuar rreziqet që vinin nga lufta civile apo nga pushtimi i jashtëm. Anëtarët e këtij komiteti zgjidheshin çdo muaj. Komiteti i Shpëtimit Publik sipas periudhave të ndryshme ndikohej nga figura të ndryshme revolucionare. Për shembull, Dantoni kishte goxha influencë në periudhën prill – korrik të 1793-it, ndërsa Robespieri kishte influencë gjatë periudhës shtator 1793 – korrik 1794. Duhet të theksojmë se ky komitet, edhe pse kishte shumë impakt në jetën e vendit, nuk e vinte në dyshim legjitimitetin e Konventës dhe në vija të përgjithshme e pranonte autoritetin e saj.
Për sa i përket Komitetit të Sigurisë së Përgjithshme, ka një dallim. Ky komitet ishte i ngarkuar për të drejtuar policinë dhe drejtësinë revolucionare. Pak nga pak ky komitet nis t’i kundërvihet edhe vetë Komitetit të Shpëtimit Publik. Bazuar në një ligj të shtatorit 1793, komitetet e survejimit (pjesë të Komitetit të Sigurisë së Përgjithshme) kishin të drejtë të përcaktonin një të dyshuar, ta hetonin dhe ta gjykonin. Përcaktimi nëse dikush ishte i dyshuar apo jo kishte një lloj ambiguiteti në ligj. Ligji në fjalë i faturohet ndonjëherë Robespierit, por realisht ishte i hartuar nga dy persona që nuk kishin lidhje me të. Diçka që ia vlen të përmendet është fakti se ky komitet bëri të mundur ekzekutimin e shefit të Zhirondinëve si dhe të Maria Antonetës.
- Hebertistët
Heberi (Jacque-Renét Hébert) ishte një revolucionar dhe autor i një gazete revolucionare të asaj kohe që kishte goxha influencë. Personat rreth tij do quhen më vonë Hebertistë. Ata ishin pjesë e Komunës së Parisit, por bënin pjesë edhe në organe të ndryshme drejtuese të vendit, si për shembull në Ministrinë e Luftës, apo të Komitetit të Sigurisë së Përgjithshme. Me pak fjalë, Heberi ishte një person me peshë në jetën politike.
Nëse do i kthehemi përsëri asaj periudhe, ku kishte komplote si dhe gjendje lufte, do të kujtojmë që dhuna apo gjykata revolucionare në një mënyrë apo tjetrën ishin të pranuara si një nevojë që revolucioni të mbijetonte. Mos të harrojmë që Komuna e Parisit apo Sankylotët kishin qëndrime radikale në pjesën më të madhe të kohës. Brenda këtij kampi kemi dy fraksione që krijohen. Nga njëra anë janë Hebertistët, që kishin një qëndrim radikal në lidhje me dhunën kundër armiqve të revolucionit, dhe nga ana tjetër kemi grupimin rreth Dantonit dhe Kamij Demulën (Desmoulins), të cilët quheshin nga kundërshtarët si ‘‘Indulgjentë’’. Indulgjentët kërkonin t’i ndalnin vrasjet gjakatare apo gjakderdhjet pa hesap, për arsyen e thjeshtë se nëse vazhdohej në atë mënyrë revolucioni do e humbte qëllimin që kishte në vetvete. Kur Kamij Demulën bën thirrje për indulgjencë në gazetën e tij, Hebertistët çirren duke kërkuar kokën e tij. Nga ana tjetër Robespieri është i detyruar ta mbrojë. Pra, siç e shohim, kemi dy fraksione që krijohen edhe në mesin e vetë revolucionarëve.
Në një moment zbulohet një aferë korrupsioni e bërë nga një individ pranë Dantonit. Heberi shfrytëzon rastin për të sulmuar Indulgjentët dhe madje sulmon në një diskutim edhe vetë Konventën me një fjalim të tipit “të gjithë janë të korruptuar”, fjalim që në fakt mund të kishte ndikim te grupet radikale dhe mund të nxiste deri në një kryengritje. Ky fjalim nuk pëlqehet nga Robespieri dhe nga Komiteti i Shpëtimit Publik sepse për Robespierin Konventa përfaqësonte pushtetin dhe duhej respektuar. Si rrjedhim Robespieri, që deri në atë kohë ishte përpjekur të mbante një qëndrim ekuilibri midis dy fraksioneve, afrohet me Indulgjentët dhe nis një fushatë kundër Hebertistëve. Një pjesë e liderëve të Hebertistëve arrestohen dhe ekzekutohen bashkë me Heberin në 24 mars 1794.
- Dantoni dhe Robespieri
Duhet të dimë që pjesën më të madhe të kohës Robespieri dhe Dantoni nuk kanë pasur probleme, madje shpeshherë pozicionet e tyre ishin të ngjashme për çështje të ndryshme. Ajo që ndodhi ishte se me arrestimin dhe ekzekutimin e Heberit pati mospëlqim nga disa anëtarë të Komitetit të Shpëtimit Publik dhe mospranim të plotë nga të tjerë që ishin në Komitetin e Sigurisë së Përgjithshme dhe që ishin simpatizantë të Heberit. Ata i druheshin gjithashtu faktit se Robespieri mund të kalonte në anën e Indulgjentëve. Robespieri e kupton problemin dhe rrjedhimisht bashkë me aleatët e tij bën një lloj kthese duke nisur të luftojë Dantonin si dhe Demulënin dhe pak nga pak përgatit një valë të re, derisa në fillim të prillit 1794 ekzekutohen edhe Indulgjentët, duke përfshirë Dantonin dhe Demulënin.
Epilog
Është e domosdoshme të bëjmë disa saktësime në lidhje me idetë shpesh të transformuara në lidhje me disa pozicione të situatës para dhe pas ekzekutimit të Luigjit të XVI-të. Në radhë të parë duhet të dimë se termat Zhirondinë, Montanjarë dhe Kënetë (për qendrën) ishin terma që iu atribuuan këtyre grupimeve më vonë. Më kryesorja është se Asambleja nuk ishte e ndarë në dy grupe, siç lë të imagjinohet. Në fakt pjesa më dërrmuese përbëhej nga qendra, e cila kishte pozicionime fluide në bazë të rrethanave dhe afro 40% ishin të pozicionuar me grupet e ashtuquajtur Zhirondinë ose Montanjarë, por edhe në rastet e këtyre grupimeve nuk mund të themi se pozicionet e tyre ishin solide siç mund t’i imagjinojmë sot.
Është e rëndësishme të qartësohen disa ide në lidhje me atë periudhë, sidomos teoria se Montanjarët, apo Jakobinët, ishin të dhunshëm dhe jo Zhirondinët. Apo ideja tjetër se Montanjarët ishin kundër pronës private dhe gjithashtu pro terrorit që fillon me regjimin e jashtëzakonshëm në pranverë të 1973-it. Pika e parë që duhet të kihet parasysh është se Zhirondinët imagjinohen si të moderuar për shkak se ishin pozicionuar për rregull dhe ruajtje të status quo-së. Kjo gjë nuk i bën Jakobinët të duken të dhunshëm apo ekstremistë. Mos të harrojmë dy fakte: Zhirondinët ishin pro luftës (një pjesë e tyre për interesa monetare); nga ana tjetër Montanjarët ishin larg të pasurit një shumicë në parlament. Kjo do të thotë se idetë që ata shtronin miratoheshin edhe nga qendra, që kishte shumicën.
Në lidhje me kundërshtinë ndaj pronës private, në atë epokë kjo përdorej më tepër si një shprehje e Zhirondinëve për të demonizuar kundërshtarët dhe për të shfrytëzuar frikën e përbashkët që ekzistonte në popullatë. E vërteta është se Robespieri dhe Dantoni nuk kishin një qëndrim të tillë, madje kjo ide nis të formulohet më vonë. Robespieri kishte qëndrim në lidhje me vendosjen e një maksimumi që ndalonte spekulime në çmimin e grurit dhe produkteve të tjerë jetikë, gjë që prekte më të varfrit dhe tregtarët e vegjël. Ky ligj u hodh poshtë fill pas ekzekutimit të Robespierit dhe Saint-Justit (pasues i mundshëm i Robespierit).
Pika e fundit: “terrori”. Edhe ky si term është përdorur si përshkrues pas ekzekutimit të Robespierit, shpesh me qëllim denigrues. Kuptohet që “terrori” ekzistonte si term në diskursin politik, por ai nuk përdorej për të përshkruar periudhën apo politikën e kohës. Duhet të theksojmë faktin se asokohe kishte një panik të përgjithshëm. Franca i kishte shpallur luftë Anglisë, ndërsa Spanja në jug përgatitej për luftë gjithashtu. Detyrimisht Zhirondinët dhe Jakobinët përpiqen të krijojnë një ushtri prej 300 mijë ushtarësh, nëpërmjet grumbullimit apo rekrutimit me detyrim. Siç u përmend në tekst, vdekja e mbretit kishte krijuar një përçarje. Gjithë kjo situatë krijon premisat për krijimin e një kundër-revolucioni si dhe për kryengritje në veri-perëndim.
Si para masakrave të shtatorit, frika e komploteve dhe tradhtive është e kudondodhur, shpesh edhe e justifikuar nga veprimet komplotiste të aristokracisë. Në këto rrethana politika mund të përmblidhet me thënien e Dantonit pas masakrave të shtatorit: “Le të jemi të tmerrshëm për të evituar që populli të jetë i tmerrshëm”. Kështu, më 10 Mars 1793 krijohet “Gjykata e Revolucionit”, që shpesh diletantët e historisë e quajnë si “një gjykatë inkuizicioni” dhe si “periudha e terrorit”. Vërtetë ajo periudhë ishte e përzierë me frikëra, paranojë dhe rreziqe reale ndaj të cilave duhej dhënë një zgjidhje, por mënyra e rrugëzgjidhjes ishte komplekse dhe nuk mund të bëhej nga vetëm një person. Prandaj duhet të kemi kujdes kur Robespierit i vishen të gjitha krimet e kohës. Sigurisht që ai ka bërë mjaft gabime gjatë aktivitetit të tij politik, por njëkohësisht do ishte më e dobishme që faktet e ndodhura në atë kohë t’i njihnim pa shtrembërimet e bëra pas revolucionit.
Shpesh në qytete të ndryshme të Francës kryheshin ekzekutime për larje hesapesh, apo se një qeveritar donte të ushtronte autoritetin e tij në lidhje me interesat e tij vetjake. Për shembull, kemi rastin e deputetëve “misionarë” që dërgoheshin nga Konventa për të propaganduar ligjet e reja të Konventës, apo për të zgjidhur problemet lokale. Kishte raste që disa deputetë shfrytëzonin këtë pozitë për t’u pasuruar ose për të bërë masakra. Kemi rastin e Nantës, ku deputeti “misionar” Karrier organizoi mbytjen e mijëra të burgosurve, apo dy deputetë të tjerë që organizuan një reprezalje në Lion. Po ashtu edhe në Strasburg, një prift i grupit revolucionar që drejtonte qytetin vendosi vetë të kalonte në gjyqe revolucionare me qindra qytetarë pa ndonjë arsye konkrete. Gjykimi dënoi 200 vetë, nga të cilët 50 me ekzekutim. Jo që vetëm mungojnë faktet, por do ishe absurde të mendohet se të gjitha këto ishin nën urdhrat apo kontrollin e Robespierit.
Për ta përmbyllur, e shoh të nevojshme të theksoj se personalisht nuk jam historian, por e kam bazuar shkrimin duke përkthyer apo përshtatur shkrime apo dokumentarë të realizuar nga historianë që kanë bërë punë të imtësishme, duke lidhur dokumentet historike, por edhe duke sjellë një këndvështrim modern për historinë e Revolucionit Francez. Po e mbyll me shprehjen e përdorur nga historiani Henri Guillemin (ky vetë e huazon shprehjen nga shkrimtari Graham Greene): “Do të preferoja më shumë të kem gjak në duar sesa ujë nga legeni i Ponc Pilatit.”
Përgatiti: Gleni Llaçi
Referenca:
https://fr.wikipedia.org/wiki/Comit%C3%A9_de_salut_public
Imazhi: Eugène Delacroix, La Liberté guidant le peuple
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).