Jeta e një studenti punëtor

/Emiljando Kita/

Kur isha 17 vjeç vendosa të emigroja në Greqi për punë. Ishte koha e vjeljes së rrushit. Punë gjeta kollaj sepse kërkesa për punëtorë ishte shumë e madhe, ndërsa pagesa qesharake (sa për 2 kafe dhe 4 paketa cigare). Si çdo të riu, më lanë punën më të vështirë, atë të mbajtjes së arkave dhe nxjerrjes së tyre nga ara.

Zgjohesha në orën 5. Më duheshin 2 orë rrugë për të shkuar në fshatin ku mblidheshin punëtorët, 8 orë e 30 minuta punë dhe 2 orë për t’u kthyer. Gjysma e ditës për 25 euro. Gjithnjë inatoseshim bashkë me punëtorët e tjerë se si kishte mundësi që e gjithë ajo punë në një vend si Greqia të paguhej aq pak. Përgjigjen na e jepte shkurt një i moshuar (rreth 60 vjeç, por që puna e bënte të dukej shumë më tepër): “Ka shumë varfëri në Shqipëri dhe vijnë me mijëra shqiptarë që janë të gatshëm të punojnë gjithnjë e me më pak lekë. Për shembull, këtë punë kam bërë edhe para disa vitesh me dyfishin e kësaj page. Madje më trajtonin si njeri, jo siç trajtohemi tani, më keq se kafshët.” Kisha respekt për të sepse punonte si dreqi në një moshë që s’e di as nëse mund ta arrij. Ai duhet të ishte në pension, duke shijuar darkat familjare dhe kalimin e kohës me nipërit dhe mbesat. Por jo, ata nuk kanë ç’të hanë nëse gjyshi nuk punon.

Atë periudhë nuk kisha njohuri mbi sindikatat dhe organizimin e punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre, por ama mendoja shumë për bashkimin e shqiptarëve të atyre fshatrave për të refuzuar punën deri në dyfishimin e pagës. Gjithë punën e bënim ne, të gjithën. “Afendikonjtë” thjesht kishin zaptuar malin. Edhe mbjelljen me rrush dhe pemë e bënim ne. Ata marrin qindra mijëra euro duke u dhënë punëtorëve bukë sa për të mbijetuar dhe për të ardhur përsëri të nesërmen në punë sepse u duhen përsëri ata gjysmë-skllevër.

Po të organizoheshim, fitoren do ta kishim të sigurt sepse ishim shumë. Qoftë edhe një ditë bojkotim pune do të shkaktonte mijëra euro humbje nga prishja e rrushit dhe kontratave me kompanitë e mëdha që e dërgonin atë nëpër botë. Arsyeja e mungesës organizimit ishte mungesa e kohës dhe përgatitjes për t’u mbledhur dhe diskutuar për zgjidhjen e problemit. Të gjithë mendojnë se puna sezonale në Greqi është e përkohshme, por mua akoma nuk më është hequr nga mendja fytyra e të moshuarit.

Atëherë u tregova “frikacak” duke zgjedhur të largohem nga Greqia, por ajo përvojë më ka rritur ndërgjegjen dhe vullnetin për të punuar fort dhe për të ndihmuar sadopak në krijimin e organizimeve të mirëfillta punëtore. Organizimi në sindikata në Shqipëri do të shërbente për t’u krijuar shpresë mijëra e mijëra punëtorëve që ikin nga sytë këmbët në kërkim të ca të ardhurave më shumë. E nëse disa, prapëseprapë, do të vendosnin të iknin, do të kishin më shumë zë për të kërkuar paga më të mira nga ç’marrin sot, si gjysmë-skllevër të rangut të fundit.

Prandaj u bëj thirrje shokëve/shoqeve të mi/a kamerierë/e që të vijnë dhe të krijojmë së bashku një sindikatë. U bëj thirrje minatorëve që të bashkohen sa s’është vonë. U bëj thirrje mësuesve të braktisin sindikatat e vjetra që kanë zënë myk. U bëj thirrje punëtorëve të call center-ave të bashkohen në sindikatën “Solidariteti”. U bëj thirrje mjekëve të mos ikin, por të organizohen dhe ta bëjnë pagën 1500 euro këtu. U bëj thirrje të gjithë punëtorëve të organizohen sa më shpejt në sindikata sepse është e vetmja rrugë drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe demokracisë së drejtpërdrejtë, që e nxjerrin punëtorin nga gjysmë-skllavëria dhe i mundësojnë jetë të dinjitetshme.

Imazhi: Huffington Post

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.