Reportazh shprese

/Kristjan Zoto/

Nisi si udhëtim për të më çuar në shtëpi. Rrugës filluam të shkruanim parulla revolte dhe ndalonim për foto në vende që tërhiqnin vëmendjen. Ndërsa ndalonim, tek-tuk dëgjoheshin njerëz që me buzëqeshje pyesnin: “Jeni ata të protestës?” Buzëqeshim edhe ne duke u thënë: “Jemi studentë, disa nga ata mijëra.”

Mbas vërdallosjes në Këlcyrë, duke u përshëndetur me këdo që na rastiste rruga, ikim në Përmet për një kafe darke. Kërkojmë faturën, por i zoti i lokalit duke na përshëndetur nga tavolina ngjitur thotë: “Studentët i kanë nga unë. Ne jemi me ju.”

Të nesërmen nisemi në Vlorë me këngët e BimBimës në sfond. Takimi nuk shkoi siç e prisnim, por kjo nuk na dëshpëroi. Jo gjithmonë praktika i përshtatet idesë, prandaj do rikthehemi sërish atje. Pas një kafeje me shokë e shoqe që njohim në Vlorë vendosim: “Jemi që jemi, hajde çojmë Enrikon më Himarë! Nisemi. Ndalesa e radhës, në Dukat. Ishte vakt dreke. Pasi mbarojmë së ngrëni pronari porosit: “Për këta ngelësa bëj 1 litër verë nga unë, nga ajo e mira ore!”

Ora katër na zë te gjysh Vasili i cili, pas përgëzimeve, na fton brenda shtëpisë së tij pakëz të çuditshme me fotografi, poezi dhe piktura të Francisco Goyas. Mbas një ore muhabet, me një gjel deti në bagazh dhe këngët e De André-së vazhdojmë rrugën për në Himarë. Rrugës vazhdojnë parullat, “3 parti, 1 oligarki”, “Vit i ri, parti të vjetra”, “Organizata Politike”, “Rroftë jeta!”, “Jam student i revoltuar, nga sistemi varfëruar”, “Jo luftë mes popujve, jo paqe mes klasave!”

Darka na zë në Himarë. Mbas darkës te “nipçja” Enriko dalim për një lojë bilardo. Aty mblidhen të gjithë duke diskutuar për gjendjen ku jetojmë dhe duke na thënë: “Bravo ju qoftë! Kështu është realiteti.” Mbas tre lojësh lodhja po na e afrohej bashkë me gjumin. Shkojmë.

Sot ngrihemi e nisemi për në Tiranë. Fotot, këngët e parullat nuk kanë ndryshuar. Radha ishte te një mur mbikalimi në Fier ku punëtorët prej muajsh nuk kanë marrë rrogat dhe kishin shkruar: “Duam parat tona! Rama dhe Gjuknuri, hajdut!” Sapo nxjerrim sprejin për të shkruar, afrohen punëtorët: “Ju jeni studentët që kemi parë në televizor. Bravo! Unë kam dy fëmijë në shkollë. Nuk kam me çfarë të paguaj, po mirë që më morën roje sot këtu.” Një tjetër dëgjohet: “Kjo qeveri është hajdute, marrin miliona e ne nuk na japin gjë. Po ç’të bëjmë?! Ai Luli Basha nuk është fare më i mirë.” Mbas një cigareje dhe një mandarine që më dhanë u përshëndetëm duke u thënë: “Mos e humbni shpresën! Protesta do të jetë fillimi i ndryshimeve.”

Të frymëzuar po ecim drejt Tiranës sepse duket që shpresa ka lindur. Ka lindur vërtet.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.