/Arlind Qori/
Mediat raportojnë se talebanët janë në rrethinat e Kabulit. Vetëm negociatat për një tranzicion paqësor pushteti po i përmbajnë nga mësymja dhe ploja e mundshme në kryeqytetin e Afganistanit. Thuhet se Presidenti i Republikës ka çarë ferrën, ndërkohë që ushtria zyrtare e Afganistanit – në letër e përbërë nga rreth 300,000 ushtarë, të mirëpajisur dhe “stërvitur” – ka shkrirë si akullore përpara muxhahedinëve mesjetarë, të cilët nuk kanë as aviacion, as tanke dhe as artileri moderne, por për pak më shumë se tre muaj kanë arritur të zhbëjnë një projekt 20-vjeçar “nation-building”-u nga SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s.
Ditët e fundit shumë analistë theksojnë korrupsionin e përbindshëm të elitës politike afgane, që shpjegon edhe mllefin popullor ndaj saj, edhe një lloj dorëzimi/indiference ndaj avancimit të talebanëve, së paku aty ku ata nuk kanë mbështetje tradicionale. Po ashtu batakçillëku i qeveritarëve afganë, përpara të cilëve duken axhami edhe tipa si Edi Rama apo Sali Berisha, ka shkuar deri në pikën ku “ushtria” afgane ka qenë thjesht një fshat Potemkin paradash, ndërkohë që zyrtarët e lartë shënonin emra ushtarësh në letër dhe fusnin në xhep jo vetëm rrogat, por edhe gjithë ç’kishte të bënte me pajisjen e ushtrisë apo rindërtimin infrastrukturor të vendit.
Po dështimi nuk është vetëm i udhëheqjes politike afgane, e cila me siguri do të rehatohet në azil politik së bashku me milionat e vjedhura që do të duheshin shpenzuar për përparimin e Afganistanit, por edhe i elitës politike amerikane dhe aleatëve të saj. Ndërhyrja ushtarake e 2001, e përligjur nga mbështetja e regjimit taleban për terrorizmin e Al Qaeda-s, u pasua nga tentativa për ta shndërruar Afganistanin jo vetëm në një shtet aleat të SHBA në atë zonë të botës, por edhe për të eksperimentuar një lloj “revolucioni borgjez nga jashtë”, ku përmes ndihmës ekonomike, këshilltarëve, ojf-ve dhe trupave ushtarake do të mundësohej përparimi i Afganistanit, sidomos në disa fusha kyçe si arsimi, të drejtat e njeriut (veçanërisht emancipimi i gruas) etj. Mirëpo aleatët vendas të kësaj përpjekjeje në rastin më të mirë ishin tejet të shkëputur nga konteksti historiko-shoqëror i vendit të tyre dhe në më të keqin ustallarë të klientelizmit apo tribalizmit me kostum perëndimor.
Në njëzet vjet llogaritet se SHBA ka shpenzuar rreth 2.26 trilionë dollarë për luftën dhe “paqen” në Afganistan (çereku i tyre u janë paguar si interes institucioneve financiare që kanë ofruar huat e rastit). Nga kjo shumë rreth 143 miliardë dollarë kanë shkuar për rindërtimin e Afganistanit, ku mbi gjysma e tyre janë shpenzuar për të pajisur dhe trajnuar ushtrinë fantazmë të Afganistanit (kupto: janë vjedhur nga “aleatët” në krye të pushtetit politik). Për ta kuptuar më mirë domethënien e këtyre shpenzimeve, mund ta krahasojmë me shpenzimet e Planit Marshall që rimëkëmbi Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë në konsideratë zhvlerësimin e dollarit prej 1948, për Planin Marshall janë shpenzuar 114 miliardë dollarë të sotëm, kurse për Afganistanin 143 miliardë dollarë. Pavarësisht disa arritjeve në arsimimin e popullsisë (alfabetizimi ka shkuar nga 8% i 2001 në 43% sot) dhe të drejtat e grave (është dyfishuar numri i vajzave që hyjnë në shkollë) në zonat më të mëdha urbane, zor se ka pasur ndonjë dështim politik dhe ekonomik më të kushtueshëm financiarisht në këtë epokë, ku në Afganistan norma e varfërisë në vitin 2020 kishte arritur në 47%, 11% më e lartë se më 2007.
Afganistani i varfërisë ekonomike dhe mjerimit kulturor ka qenë një lloj mikroparajse jo vetëm për politikanët e korruptuar vendas dhe farefisin/klientelën e tyre të hapërdarë nëpër pozita administrative, por edhe për dhjetëra mijëra ojf të cilat janë financuar me qëllimin e ndihmës në rimëkëmbjen dhe emancipimin e shoqërisë afgane, por në fund fare kanë arritur të bëjnë një vrimë në ujë, duke siguruar ndërkohë për vete rroga stratosferike dhe revoltuese në sytë e afganëve të thjeshtë. Për veten dhe pak të tjerë rreth e qark vetes ata kanë krijuar imazhin e një Afganistani në emancipim e sipër – me kinema, palestra dhe hotele luksoze – por pa arritur të prekin as cipën e një shoqërie të zhytur thellësisht në marrëdhënie që në disa aspekte janë parafeudale.
Amerikanët nuk kanë qenë të parët që janë ndeshur me tribalizmo-feudalizmin e Afganistanit të thellë. Të parët kanë qenë komunistët afganë, të cilët ishin mjaft popullorë mes ushtrisë dhe intelektualëve të Afganistanit të viteve 1970. Më 1978 ata erdhën në pushtet përmes një grushti shteti, të cilin e quajtën revolucion socialist. Me ëndrra modernizuese, me besimin te forca e organizimit dhe konspiracionit, por edhe me një nënçmim jo thjesht për prapambetjen, por edhe për “të prapambeturit”, që në Afganistanin e asokohshëm përbënin 85% të popullsisë, ata tentuan ta shkëpusnin vendin me zjarr e hekur nga mesjeta, duke u përpjekur të realizonin “kalimin e vendit nga feudalizmi në socializëm”, pavarësisht se klasa punëtore e Afganistanit, edhe në përllogaritjet më fantastike, nuk i kalonte 6% të popullsisë. Të përçarë mes veti, të paorganizuar në zonat rurale dhe të gatshëm për të treguar koburen përpara mendimit, sundimi i komunistëve mund të shpëtohej vetëm nga ndërhyrja ushtarake sovjetike e 1979 – e dështuar edhe ajo, si mos më keq, po mbase jo aq keq sa kjo e amerikanëve. Sovjetikët u detyruan të tërhiqeshin nga Afganistani më 1989, por Muhamed Naxhibullahu i mbështetur prej tyre arriti të mbijetojë edhe tre vjet, ndërkohë që aleatët e sotëm të SHBA nuk e mbajtën dot pushtetin as katër muaj pas nisjes së tërheqjes ushtarake të amerikanëve. Po ashtu gjatë të ashtuquajturit shtet punëtorësh në Afganistan, urbanizimi u rrit me rreth 7% në dhjetë vjet, kurse prej 2001 e tëhu urbanizimi është rritur me vetëm 4%).
Vijmë tani te talebanët, origjina e të cilëve gjendet te nxënësit e medreseve, sidomos në zonat rurale të jugut të populluar nga etnia kryesore, pashtunët. Gjatë viteve ’80, pararendësit e tyre, së bashku me të tjerë muxhahedinë, u mbështetën financiarisht dhe ushtarakisht nga SHBA për të çliruar vendin nga pushtimi sovjetik. Po mbështetësi historik dhe aktual i talebanëve është Pakistani, i cili edhe i frikësohet ndikimit që mund të kenë talebanët mes pashtunëve të Pakistanit, edhe përpiqet t’i përdorë talebanët për të kundërpeshuar ndikimin e fuqive të tjera rajonale në vend. Talebanët financohen prej trafikut të narkotikëve, haraçeve dhe të tjera aktiviteteve kriminale. Gjithsesi në sytë e shumëkujt të sfilitur nga korrupsioni i përbindshëm i elitës politike afgane, zelli i tyre fundamentalist duket si një lloj përkorjeje në luftën kundër batakçillëqeve. Talebanët kanë përqafuar një prej interpretimeve më obskurantiste të besimit islam, sidomos kur bëhet fjalë për rolin e gruas në shoqëri. Kur e kanë pasur pushtetin – prej 1996 më 2001 – janë shquar jo vetëm për krime të përbindshme ndaj kujt nuk i shkonte për shtat interpretimit të tyre të Sheriatit, por edhe në imponimin e një totalitarizmi fetar të pashoq, në krahasim me të cilin edhe një vend fund e krye reaksionar si Arabia Saudite duket më “normal”.
Ata sot po marrin pushtetin mes entuziazmit të mbështetësve të tyre, paanësisë së shumicës së popullsisë dhe ankthit të shumëkujt që pat menduar se përparimi i një vendi mund të vijë prej grykës së pushkës së ushtarëve të huaj.
Imazhi: AFP
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.