Qytetarë! Si mund t’i votoni këto parti?

Në zgjedhjet e 25 qershorit nuk ka asnjë alternativë. E vetmja alternativë është bojkoti.
I. Si mund të votoni një parti si PS?!
a. Që këto katër vjet ka qeverisur vetëm për të mbushur xhepat e kryeministrit, ministrave dhe biznesmenëve të mëdhenj;
b. që nëpërmjet ligjit të arsimit të lartë do t’u falë paratë e popullit pronarëve të universiteteve private, që ka rritur e do të rrisë tarifat dhe kostot universitare për studentët;
c. që është gati të sjellë plehrat e gjithë Evropës në Shqipëri;
d. që ka rritur me 30% çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e thjeshtë dhe e ka ulur për pasanikët, që ka burgosur qindra të varfër dhe ka shtyrë në vetëvrasje disa prej tyre, që i fali CEZ-it 479 milionë euro dhe që me riprivatizimin e sektorit të shpërndarjes do ta rrisë sërish çmimin;
e. që në vend të shëndetësisë falas të siguruar nga spitale publike cilësore u ka dhënë klientëve të vet koncesione me vlerën e 300 milionë eurove;
f. që po rrit vit pas viti moshën e daljes në pension,
g. që papunësinë e ka luftuar vetëm me llafe;
h. që përçmon punën e punëtorët dhe ngre kultin e biznesmenit, që ka kontribuar në dekadën e fundit në vdekjen e mbi 200 punëtorëve në punë;
i. që përmes privatizimeve dhe koncesioneve po i jep dërrmën pasurive natyrore si nafta dhe mineralet;
j. që po shkatërron lumenjtë dhe mjedisin…
II. Si mund të votoni një parti si PD?!
a. Që ka vrarë 4 qytetarë në bulevard dhe 26 të tjerë në Gërdec për të mbajtur pushtetin dhe mbushur xhepat e kryepushtetarëve dhe biznesmenëve të mëdhenj;
b. që ka lejuar dhe nxitur hapjen e mbi 40 universiteteve private, njëra më skandaloze se tjetra, që në vitet e qeverisjes së saj i ka rritur vit pas viti tarifat universitare për studentët;
c. që më 2011 ka miratuar një ligj që nxiste importin e plehrave në Shqipëri;
d. që përmes privatizimit më 2009 ka shkatërruar sektorin e energjisë duke i sjellë shtetit qindra milionë euro dëm;
e. që nuk la shërbim publik pa ua dhënë me koncesion klientëve të vet;
f. që rriti papunësinë;
g. që i zhyti punëtorët në punë të zezë dhe të paguar si mos më keq, duke kontribuar në dekadën e fundit në vdekjen e mbi 200 punëtorëve në punë;
h. që ka vendosur dhe po tenton të rivendosë taksën e sheshtë, përmes të cilës do të taksohen njëlloj mësuesi dhe ministri, roja dhe drejtori i bankës, punëtorja e fasonerisë dhe pronari i saj; i vetëpunësuari dhe oligarku i qendrës tregtare;
i. që sa herë ka mundur ka shkatërruar pyje e lumenj, duke dhënë mbi 400 licenca për ndërtime hidrocentralesh private;
j. që ka tjetërsuar pasuritë natyrore dhe çindustrializuar vendin…
III. Si mund të votoni një parti si LSI?!
a. Që në tetë vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtorja e zellshme e dy partive të mëdha në të gjitha të zezat që i kanë bërë popullit;
b. që mishëron një egërsirë të vogël që s’lë zyrë shteti pa zaptuar e tender pa fituar, që i shet vendet e punës në administratë si të ishin qofte pazari…
Qytetarë! Të votosh është e drejtë, jo detyrim. Një e drejtë që nuk duhet çuar dëm. Në mungesë të alternativave serioze, vota juaj nuk do të shërbejë për të ndryshuar Shqipërinë. Ajo do t’i ndihmojë fituesit të justifikojnë poshtërsitë e tyre të ardhshme në emër të popullit.
Demokracia nuk lind në parlament. Ajo lind aty ku njerëzit punojnë, studiojnë dhe jetojnë: në fabrika, punishte e zyra, në klasa e oborre shkollash; në fshatra e qytete, në lagje e parqe, rrugë e sheshe. Ajo rritet me bashkimin dhe rezistencën tonë, me luftën ndaj padrejtësive dhe shembullin e virtytshëm.
Bojkoti nuk është indiferencë. Ai është hapi i parë i domosdoshëm i refuzimit të së keqes.
Bojkotojmë! Organizohemi!
Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.