Qeverimi i djathtë i Veliajt

/Alfred Bushi/

Para disa ditësh Këshilli Bashkiak i Tiranës diskutoi një projektvendim i cili përmban,ndër të tjera, një sërë rregullash sjelljeje të qytetarit, siç janë gjobitja e lypësve, ndëshkimi i shkruajtësve të grafiteve dhe ndalimi i pankartave apo banderolave sipas tyre fyese, pa lejen e Bashkisë. Këto vendime, sipas reagimeve të para të organizatave për të drejtat e njeriut, janë diskriminuese ndaj kategorive më të nënrenditura të shoqërisë, si lypësit, romët, të pastrehët, dhe cenuese të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si liria e shprehjes apo e drejta e protestës. Ato janë po ashtu edhe shenjë që Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt po shkon hap pas hapi drejt një qeverisjeje jo thjesht autoritare, por me disa tipare të qarta të djathta e në disa raste ekstremisht të djathta.

Ideja se njerëzit janë të pabarabartë për nga natyra është guri themeltar mbi të cilin ndërtohet vizioni i së djathtës (të djathtës ekstreme apo fashizmit) mbi njeriun, shoqërinë dhe botën. Njerëzit lindin të pabarabartë mes tyre dhe shoqëria ose shteti nuk duhet të ndërhyjë kurrsesi në ndryshimin e kësaj gjendjeje, pasi kjo do të thoshte prishje e rendit natyror të gjërave. Për të djathtën, pabarazitë mes individëve apo klasave, funksionet e tyre brenda shoqërisë, nuk janë burim ose produkt i ndonjë konflikti, por shprehje e harmonisë natyrore ndërmjet këtyre funksioneve. Sipas të njëjtës ideologji, njerëzit janë të papërsosur, çka do të thotë se shteti duhet të luajë vetëm rolin e ndëshkuesit, ose gjobitësit. Thënë në terma disiplinorë dhe ekonomikë: duhet të ndalojë të keqin që të bëjë keq. Por ideologjia sunduese tek i keqi nuk fut vetëm vrasësit, por edhe të përjashtuarit e shoqërisë: i papuni, i keqpaguari, i varfri, lypësi, i pastrehu, romi, studenti me prindërit me ndihmë ekonomike apo invalid, etj. Ligjet dhe dekretet deklarojnë se i keqi nuk duhet të lihet të bëjë keq, pra që lypësi nuk duhet të lypë, që i shfrytëzuari dhe i zemëruari nuk duhet të rebelohen publikisht duke hedhur parulla kundër kryebashkiakut, kryeministrit, ministrave a deputeteve, pasi kështu njollosin moralin publik të qytetarit të moralshëm.

Kuptohet pra se qëllimi i Veliajt është që nëpërmjet këtyre rregullave të përpiqet të fshehë, e mbase edhe të zhdukë, ekzistencën publike të këtyre kategorive njerëzish nëpërmjet mekanizmit të ndëshkimit të të keqit. Ideja e tij është t’i hedhë këta njerëz në harresë, t’i flakë në ekzistencën e tyre të vetmuar e private. Mirëpo, me siguri, Veliaj harron se është pikërisht sistemi ku ai drejton, sistemi kontradiktor që ai ka ndërtuar dhe po ushqen si kryebashkiak që po prodhon dita-ditës kategori të tilla shoqërore. Sa më shumë fuqizohen Veliajt aq më shumë shtohen të përjashtuarit e shoqërisë, e po aq të vështira dhe të pamundura do të jenë ndëshkimi dhe fshehja e ekzistencës së tyre publike.

Meqenëse Veliaj nuk ka si qëllim të zhdukë rrënjët shoqërore të varfërisë, papunësisë e padijes, ai rreket të përdorë, si mësuesi i tij në krye të qeverisë, estetikën e fasadës.  Siç është dëshmuar këto vite, kjo lloj estetike është shfaqur si instrumenti më i përshtatshëm nëpërmjet të cilit pushteti orvatet të fshehë gërmadhën e pamasë dhe masakrën shoqërore të prodhuara gjatë këtyre viteve. Në këtë kuptim, Veliaj, me anë rregullave të tij, nuk synon aspak zhdukjen e padrejtësive apo pabarazive – fenomene këto sistemore, – por shfaqjen spektakolare sipas të cilës një ditë në vit kushdo ka të drejtë të ndjehet i ngopur (madje edhe kafsha – thotë populli). Ky është qëllimi i mensave njëditore në këto ditë festash. Ja pra që për Veliajn dhe sojin e tij pabarazia është një gjendje natyrore, ashtu siç është papërsosuria një gjendje po aq natyrore që duhet luftuar, ndëshkuar ditë për ditë – si fillim me gjoba, po ku i dihet, në të ardhmen mund të kalohet edhe te burgosja.

Përkundër të tilla ideve, njerëzit janë të barabartë mes tyre, ndërsa pabarazitë e ndryshme janë produkt i marrëdhënieve shoqërore. Si të tilla ato mund dhe duhen ndrequr nëpërmjet politikave sociale sistemore. Ideja e mbulimit të pabarazisë, padrejtësisë, varfërisë – herë me anë të ndëshkimit e herë me anë të estetikës së fasadës, tentativa për të mohuar liritë e të drejtat themelore të njeriut me anë të gjobitjes së lypësve, ndalimit të grafiteve dhe pankartave, diskriminimi i herëpashershëm i komunitetit rom dhe egjiptian, mosndërhyrja sistemore për të ulur pabarazitë dhe padrejtësitë shoqërore, ndërhyrjet për të fshehur vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe Mirvete Dukës në landfillin e Sharrës, deklaratat e ndryshme publike herë maskiliste e herë denigruese, përndjekja dhe gjobitja e shitësve të rrugës,mbështetja e pakufizuar ndaj kapitalit të madh, vendimet e ndryshme kundër shtresave të nënrenditura, shpronësimet e vazhdueshme të më të dobëtëve, rritja e çmimit të biletës së urbanit dhe e ujit etj. e bëjnë qeverimin e kryebashkiakut qartësisht të djathtë, e në disa raste ekstremisht të djathtë.

Imazhi: Slate

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.