Qeveria Private PPP
/Alban Pira/
Në një nga gazetat e përditshme, që operon si zgjatim i gojës së qeverisë, ajo çka më tërhoqi vëmendjen në një larmi lajmesh me forma pa përmbajtje ishte edhe fjala e ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj që e shpallte vitin 2015 vit të privatizimeve, konkretisht të privatizimeve të 65 shërbimeve publike në vend. Për të ruajtur pak cipën dhe për të mos e thënë lakuriq privatizim të shërbimeve publike, ministri përdorte një eufemizëm: qasja PPP (Partneritet Publik-Privat). Sipas fjalëve të ministrit, kjo është një qasje ndryshe dhe përcakton një marrëdhënie të re të Partneritetit Publik-Privat. Edhe unë për ta bërë të duket ndryshe dhe për të kursyer pak hapësirë në shkrim, që nga ky moment qeverinë po e quaj qeveria PPP, pra qeveria e Partneritetit Publik-Privat.
E nisim me citimin e ministrit të qeverisë PPP: “Një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore.” Bazuar në këtë qasje të re – në këtë mënyrë ‘të re’ të konceptimit të politikave publike -, qeveria PPP ka vendosur që të nisë dhe të përfundojë procesin për privatizimin edhe të atyre pak shërbimeve publike që kanë mbetur në vend, pas një vale të madhe privatizimesh së paku prej qeverisë Berisha e këtej.
Në këtë kuptim “qasja ndryshe” e qeverisë së re nuk është tjetër veçse qasja e qeverisë së vjetër dhe qeverive të tjera pararendëse. Është e njëjta filozofi (në kuptimin banal që i jepet termit në ligjërimin ideologjik shqiptar) që e përmbledhur me një fjali na thotë se gjithçka që menaxhohet nga shteti është e destinuar të dështojë dhe gjithçka që menaxhohet në mënyrë private do të dalë medoemos me sukses. Prandaj na lipset ta kufizojmë sa më shumë terrenin e veprimit për administratën publike duke zgjeruar sakaq terrenin e veprimit për tregun. Pra duhen hapur fusha të reja që të nisin të funksionojnë sipas logjikës së tregut. Qeveria nuk zgjidh probleme, qeveria është problemi – thoshte në vitet 80’ Ronald Regani. Se sa e vërtetë është kjo punë mbetet së pari çështje debati akademik dhe teorik, pastaj politik dhe militant.
Në fakt, këto kohë do ishte gjeja me më kuptim të thuhej se qeveria është problemi; këtë e thonë gati të gjithë. Së pari, e thotë vetë qeveria PPP që përmes politikave publike që po ndjek po kërkon ta “çlirojë” gjithmonë e më shumë veten nga ‘barra’ e menaxhimit të sektorëve publikë që kanë ‘kosto të lartë’ për shtetin. Së dyti, e thotë opozita për të cilën qeveria është problemi për të vetmen arsye – sepse qeveria drejtohet nga Rama dhe jo nga Berisha. Se treti, janë disa segmente të asaj që quhet ‘shoqëri civile’ që kanë qenë vazhdimisht të dyzuar; një palë përkrah qeverisë, pala tjetër përkrah opozitës – kahet ndryshojnë sa herë ndërron qeveria. Në gjithë këtë kaos kuptimi dhe moskuptimi të problemit shpresë ngjall vetëm fakti se po krijohet edhe një bazë e mirë gazetarësh kritikë, pedagogë, studiues dhe studentë që nuk përtojnë t’i “thyejnë hundët” si qeverisë, ashtu edhe opozitës.
Përhapjen e idesë se po të mos ishte qeveria që “fut hundët” kudo, gjërat në këtë vend do shkonin shumë më mirë, e përshpejton edhe më shumë qeveria PPP e cila çdo dy muaj zgjedh të fshikullojë për arsyen e radhës shtresa të gjëra sociale, duke kriminalizuar, përndjekur dhe burgosur ata pa pushtet dhe para.
Prandaj duket e vetëkuptueshme për të gjithë se qeveria është problemi dhe ne duhet “t’i biem” qeverisë. Mendoj dhe veproj pak a shumë njësoj; qeveria që kemi po e dëmton shumë vendin dhe duhet “goditur”, ajo që kishim bëri edhe më shumë dëme dhe nuk duhet amnistuar dhe as i duhet dhënë një shans i dytë. Mirëpo në qoftë se të gjitha qeveritë janë po njëlloj problematike, a është zgjidhje që këtyre qeverive t’iu lëmë sa më pak gjëra në dorë, ta ngushtojmë sa më shumë sferën e tyre të veprimit pasi sa më pak “gjëra” në dorë të qeverisë aq më mirë për ne (nënkuptuar ne të gjithë)?!
Eureka! – e gjetëm përgjigjen. Të zhdukim qeverinë, t’i heqim sa më shumë kompetenca nga duart; t’i heqim mbi të gjitha të drejtën për të pasur kontroll mbi pjesë të kapitalit që është në pronësi publike! Fundja këtë kërkon edhe vetë qeveria, që magjishëm del edhe sëmundja, edhe xherahu. Kjo është po ashtu filozofia (prapë në kuptimin e mësipërm) e liberalizmit klasik (i ngjallur së vdekurish prej neoliberalizmit), që e përmbledhur na thotë se burimet natyrore, pasuritë publike, fondet publike, paratë, dija dhe gjithçka tjetër funksionojnë më mirë nëse përqendrohen në duar të një apo disa individëve sipërmarrës. Duke pasur parasysh dështimin me socializmat burokratikë historikë, kur shteti u përpoq të vendoste kontroll total edhe mbi aktivitetet e përditshme të njerëzve, për shumëkënd liberalizmi klasik del, si lepuri nga kapela e magjistarit, zgjidhja e të gjitha problemeve.
Duhet theksuar se kjo doktrinë ka qenë avangarda ideologjike dhe propagandistike që ka përshkuar procesin e privatizimeve të pasurive publike gjatë tetë viteve të qeverisë Berisha, madje edhe më herët mund t’ia behin skrupulozët. Gjatë asaj periudhe u arrit me sukses që të privatizohej gati i gjithë sektori i ekonomisë që është i lidhur me prodhimin e naftës në vend; u privatizua industria e minierave dhe hidrocentraleve; godinat shtetërore; Shqipëria u nxor në shitje (ma falni metaforën) për vetëm 1 euro metri katror; u privatizua rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike dhe nga fundi u nisën edhe reformat për privatizimin e strukturës së arsimit të lartë.
Partia Socialiste, që asokohe i kundërshtonte me gjysmë zëri privatizimet (edhe pse këtë e bënte pasi sipas saj problemi ishte procesi korruptiv i privatizimeve dhe jo privatizimi i pasurive publike në vetvete), sot është shndërruar në pararojën e privatizimeve të atyre pak gjërave që kanë mbetur, duke premtuar, sikur të mos kishte ndodhur asgjë me privatizimet deri me sot, se do t’i vazhdojë privatizimet deri në fund.
Kohët kanë ndryshuar. Rama po më duket si Margaret Theçeri, ndërsa Basha flet për përmbysje pushteti, varfëri e padrejtësi si të ishte Çe Gevara i shekullit XXI, me kostum e i rruar-qethur, dhe jo kryetari i një partie që ua fali Shqipërinë privatëve. Qeveria e privatizimit është zëvendësuar nga një qeveri tjetër privatizimi, tashmë si qeveri e Partneritetit Publik-Privat. Por fakti që çdo qeveri shndërrohet në qeveri që punon për interesa private nuk na thotë gjë për Qeverinë si të tillë më shumë sesa na tregon për varësinë e qeverive nga kapitali privat dhe ata që e kontrollojnë këtë kapital. Privatizimi i 65 shërbimeve publike në vitin e ardhshëm na e bën më të qartë se qeveria aktuale nuk ka në plan të bëjë asgjë ndryshe. Njerëzit votojnë qeverinë që të zgjidhë problemet, qeveria PPP pajton biznesmenët për ta bërë këtë punë a thua se nuk janë interesat sektare të këtyre të fundit që varfërojnë, shfrytëzojnë, shpunësojnë apo degradojnë masivisht shumëkënd e shumëçka. Po për Qeverinë Private PPP kontradiktat nuk ekzistojnë: populli, biznesi dhe qeveria janë në njërën anë, në tjetrën gjenden të pandershmit, ata që s’paguajnë energjinë, që thyejnë ligjin për të mbijetuar, që s’kanë punë për “fajin e tyre”, që s’mësojnë se duan të shkollohen qyl, që s’kanë aftësi të krijojnë kushtet ekonomike për përballimin e arsimit etj. Me një fjalë populli.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.