/Arlind Qori/
Minatorët janë njerëzit më produktivë në Shqipëri. Puna e tyre nxjerr krom, të ardhurat nga i cili do të duhej të sillnin begati për të gjithë ata, qytetin e Bulqizës dhe më gjerë. Mjerisht, të ato i përvetëson një njeri i vetëm, më i pasuri në Shqipëri.
Minatorët janë punëtorët më të rrezikuar. Së bashku me punëtorët e ndërtimit, në mesin e tyre numërohen viktimat më të shumta nga abuzimi me kushtet e sigurisë në punë. Prej vitit 2013 në të gjitha galeritë e vendit kanë vdekur 43 minatorë, 8 prej të cilëve iu është marrë jeta në pusin famëkeq të kompanisë Albchrome.
Ndonëse të varfër dhe jetëshkurtër krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë, mes minatorëve gjen figurat më komplekse të shoqërisë sonë. Aty ka vend dëshira për jetën dhe shpërfillja e vdekjes, ëndrra për shkollimin e fëmijëve dhe vetëdija klasore, talenti i ndrydhur artistik dhe humori, forca e karakterit dhe humanizmi më i lartë.
Minatorët e Bulqizës i kanë dhënë fund përgjumjes 30-vjeçare të lëvizjes punëtore në Shqipëri. Me guximin e atyre që përleshen me vdekjen ditë pas dite, ata i kanë dhënë jetë një sindikate të re, vitale dhe të organizuar demokratikisht. Ndryshe nga kufomat burokratike që mjelin ish-kampet e punëtorëve, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është e organizuar demokratikisht, me kryetar dhe Këshill Sindikal të zgjedhur dhe të heqshëm nga detyra në çdo moment që shumica e anëtarësisë ndërron mendim.
Që në ditët e para të lindjes, Sindikata u përball me represionin e zyrtarëve kopukë të një kompanie të krimbur në fitime. Albchrome (ose Albkrimi, siç kanë filluar ta quajnë këto kohë në Bulqizë) hoqi menjëherë nga puna kryetarin e saj, në shkelje ulëritëse të Kodit të Punës. Pastaj, pas një pune hetuese të denjë për Gestapon, ajo pikasi figurat më karizmatike të sindikatës së re, duke pushuar edhe tre minatorë të tjerë. Që sindikalizmi dhe lëvizja punëtore në Shqipëri të kenë një shans sado të vogël mbijetese, duhet mbështetur pa rezerva përpjekja e minatorëve të Bulqizës. Po u mposhtën ata, të gjithë ne – nga fasoneria, ndërtimi, call center-i, shërbimet, nëpunësia dhe punët konjitive – do ta kemi të pamundur ta ngremë kokën për kushedi sa vite.
Minatorët e Bulqizës nuk janë duke u ndeshur me një pronar të çfarëdoshëm. Ata nuk janë përballë një sipërmarrësi të mesëm që ka hapur një fasoneri dhe nuk u paguan sigurimet shoqërore punëtorëve. Përballë tyre është njeriu më i pasur në Shqipëri. Si bëhesh i pasur në Shqipëri? Afërmendsh, jo duke shpikur vaksinën kundër kancerit, por duke u lidhur kokë e këmbë me shtetin dhe partitë.
Ata janë përballë njeriut më të pushtetshëm në vendin tonë, Samir Manes, përmendja e emrit të të cilit është blasfemi – mu si të ishte Zot. Cila parti guxoi ta përmendë?! Cili opinionist e kritikoi?! Cila media hyri në dietë reklamash e zarfesh për të përmendur sadopak kauzën e minatorëve?! Ajo pak demokraci që kemi fituar me bërryla këto dekada është në rrezik. Ose edhe aq ka qenë iluzion dhe vetëm sot po e kuptojmë: Oligark-qeveri-opozitë-media të bëra njësh si kurrë më parë.
Minatorët janë vetëm një fraksion i atij deti të gjerë njerëzish të punës – prodhimit dhe krijimtarisë – që gjeneron çdo pasuri të mundshme, por mezi arrin fundin e muajit. Si shoqëri kemi nevojë të vetëdijesohemi për produktivitetin dhe krijimtarinë tonë. Jemi ne që prodhojmë, shpikim, krijojmë, transportojmë, kujdesemi dhe shërbejmë, por në këmbim marrim vetëm aq sa për të pasur fuqi për t’u kthyer sërish në punë nesër. Ata që kanë në dorë punën tonë, jetojnë mbi kryet tona në privilegje të papërligjshme. Ata janë padronët, shefat, pushtetarët dhe manipulatorët tanë. Me një fjalë, parazitë. Mjafton t’i shohim në sy nga afër dhe do ta kuptojmë kotësinë e tyre, si dhe fuqinë tonë të pashtershme.
Nesër hapat e minatorëve do të ndihen në rrugët e Tiranës. T’i bashkojmë rrahjet e zemrës me ta!
Imazhi: Radio Free Europe
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).