Kur përbindëshat bëhen qesharakë

/Arlind Qori/

Përbindëshat janë hijerëndë. Ata kanë për synim të ngjallin frikë me nënkuptime, gjeste e mimika. Ata janë mbretërit e ambiguitetit dhe aluzionit. Po sa nisin të flasin publikisht, nxjerrin në pah budallallëkun e tyre. Dhe nga qesharaku nuk druhet më askush.

Djelexova në gazetën “Dita” një shkrim të nënshkruar nga kompania Albchrome e Samir Manes, shkruesit e të cilit orvateshin t’i zbardhnin fytyrën padronit duke thyer çdo rekord të gënjeshtrës dhe mungesës së logjikës.

Pikësëpari, Organizata Politike nuk synon as rrëzimin e tregut të lirë, as vendosjen e diktaturës së proletariatit. Ne luftojmë politikisht për ristrukturimin e marrëdhënieve politiko-shoqërore, ku liria e sipërmarrjes të mos shkelë të drejtat e punëtorëve, monopolet dhe oligopolet të mos i zënë frymën konkurrencës, ku shteti të mos u bindet oligarkëve, pabarazitë ekonomike të mos e kapërcejnë cakun që e vendos shumicën e popullsisë nën hyqmin e një pakice fare të vogël, ku punësimi, arsimimi, kujdesi shëndetësor, mjedisi etj. konsiderohen të drejta themelore të njeriut dhe garantohen për të gjithë. Metodat e veprimit tonë politik janë paqësore deri në skaj dhe aspirojmë ndërtimin e një shoqërie rrënjësisht demokratike – politikisht dhe ekonomikisht, me demokraci të drejtpërdrejtë, ndarje pushtetesh, thellim të të drejtave civile e shoqërore, gjallërim të sindikalizmit dhe integrim të punëtorëve në vendimmarrje në vendin e tyre të punës. Kujt i duket diktaturë e proletariatit sa më sipër, nuk ka lexuar as një doracak interneti për teoritë dhe sistemet politike. Po Samir Manes dhe hyzmeqarëve të Albchrome-it u falet: ata dinë vetëm si bëhen lekë.

Meqë Albchrome-i merr për shembull “botën e qytetëruar perëndimore”, më duhet t’iu kujtoj se andejpari ata që shtypin të drejtat e punëtorëve dhe i pushojnë nga puna për shkak të organizimit sindikalist nuk i quan kush njerëz të nderuar. Emrat e tyre i varin në shtyllat e turpit shoqëror, për të mos thënë që i fusin në burg apo gjobisin aq fort sa t’u vijë mendja vërdallë.

Së dyti, sipas pikës 3 dhe 4 të nenit 181 të Kodit të Punës, përfaqësuesit e një organizate sindikale nuk mund të pushohen nga puna pa pëlqimin e sindikatës. Që sindikata të fitojë status juridik dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet që i përcakton Kodi i Punës, mjafton njohja e saj nga gjykata. Kësisoj, minatori Elton Debreshi, njëherazi kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, mbrohet nga ligji, pavarësisht njohjes apo mosnjohjes së tij nga Maliqi i quajtur Albchrome. Edhe sikur të ishte e vërtetë që Albchrome-i nuk kishte marrë vesh gjë për themelimin e një sindikate të re dhe kush ishte kryetari i saj (pavarësisht një tubimi në qendër të Bulqizës dhe kronikave të disa mediave më 17 nëntor), sot e di; duhet të njohë edhe ligjin. Kështu që çfarë e pengon ta ndalë paligjshmërinë e shkuar dhe ta kthejë në punë kryetarin e sindikatës?!

Së treti, kalemxhinjtë e Samir Manes pretendojnë se po të kishin dashur vërtet të frikësonin minatorët, nuk do të kishin pushuar nga puna katër, por qindra syresh që janë pjesë e SMBB. Kush ka pak mend në kokë e kupton se kur goditen të gjithë nuk quhet frikësim, por reprezalje. Frikësimi u bëhet qindrave kur bëhen shembull disa. Siç bëjnë ushtritë pushtuese në luftë apo donët mafiozë në qytezën e tyre. Përveç kësaj, nuk ka kompani në botë që mund të pushojë shpejt e shpejt gjysmën e forcës së saj punëtore pa hyrë në kolaps ekonomik. Për të mos përmendur faktin se minatorët dëshmojnë se shumë prej grevistëve u janë ndryshuar vendet e punës pas grevës, si formë ndëshkimi për kërkimin e të drejtave të tyre.

Së katërti, Albchrome-i është sipërmarrja më e madhe në minierën e Bulqizës. Kjo nuk do të thotë se Albchrome-i ka më shumë punëtorë se 100 e kusur sipërmarrjet e tjera të marra së bashku, por se ka shumë më shumë se secila syresh individualisht. Organizimi sindikalist nis në vendin e punës pastaj shtrihet në të gjithë sektorin. Kjo është arsyeja pse nisi te Albchrome-i, aty ku ka më shumë punëtorë. Po kjo nuk do të thotë se do të ndalet tek Albchrome-i. Aktivistët e Organizatës Politike janë të gatshëm të ndihmojnë në organizimin sindikalist të çdo grupimi minatorësh, në të gjitha galeritë e Bulqizës. Por askush nuk mund ta krijojë një sindikatë nga jashtë, me frymën e shenjtë. Iniciativa duhet të lindë nga vetë punëtorët, siç ndodhi me minatorët e Albchrome-it në pranverën e vitit të shkuar.

Sa për palo sindikatën e vjetër, që shkarrashkruesi e përmend si “mjaft aktive”, më duhet t’i jap të drejtë. Që prej lindjes së sindikatës së re, pijedashësit e të vjetrës u zgjuan nga gjumi, hapën një faqe në Facebook dhe nisën hiperaktivitetin e reklamimit të sukseseve të kompanisë, kërcënimit të sindikalistëve të vërtetë dhe lumin e shpifjeve gjysmanalfabete ndaj kujtdo që i kishte dalë në krah minatorëve. Krahasuar me servilizmin dhe mufkat e tyre, përgjigjja e Albchrome-it ngjan si autokritikë.

Së pesti, Samir Manes dhe të tijve u falet që nuk ia kanë haberin se ç’është oligarkia. Prej tyre nuk pritet të kenë lexuar Aristotelin (që quan oligarki qeverisjen e të pasurve, të cilët rastis të jenë pak) apo literaturën e gjerë bashkëkohore për oligarkizimin e sistemit ekonomiko-politik të vendeve të ish-Bllokut Lindor dhe kërcënimin e 1% të 1% edhe për demokracitë e vjetra liberale. Sidoqoftë, edhe sikur ta përkufizojmë oligarkinë siç u intereson samirmanistëve – si marrje e koncesioneve nga shteti – prapëseprapë Albchrome-i gënjen. Pusi i tyre në Bulqizë është në pronësi publike. Është e vërtetë që ata të drejtën e administrimit të ndërmarrjes ia kanë blerë formalisht koncesionarit të vjetër më 2013, por në vitin 2016 vetë faqja e Albchrome-it shpallte lajmin e gëzueshëm që qeveria aktuale e ka shtyrë për 10 vjet lejen koncesionare për Albchrome-in. Po ashtu, në botimet e veta zyrtare Albchrome-i e quan veten krenarisht përfitues kontrate koncesionare në Shqipëri.

Sidoqoftë karakteri oligarkik i sundimit të Samir Manes në Shqipëri del në pah në mënyrë flagrante nga tre tregues. 1. Institucionet shtetërore i japin të drejtë edhe kur e shkel me të dyja këmbët ligjin si në rastin e pushimit nga puna të përfaqësuesve të sindikatës, për të mos përmendur faljen për dhunimin e aktivistëve. 2. Asnjëra prej partive nuk guxon të përmendë emrin e Samir Manes, as si palë në konfliktin me minatorët. 3. Grevën e Bulqizës dhe përpjekjen sindikaliste të minatorëve e kanë raportuar një numër jashtëzakonisht i vogël mediash, ndonëse në disa syresh gjejnë vend lajme për kërcënimin e punëtorëve të Amazon-it apo një protestë me 200 veta në Beograd. Për të mos përmendur kronikën propagandistike të së enjtes në Tv Klan, të cilën ua sugjeroj kolegëve të departamentit të gazetarisë që me siguri do ta përdorin si kazus të mënyrës se si nuk duhet të jetë gazetaria.

Së gjashti, propaganduesit e Samir Manes as mundohen ta fshehin torturimin dhe mbajtjen peng të shtatë vajzave dhe djemve gjatë shpërndarjes së disa fletushkave informuese në mjediset e TEG-ut. Për ta, prona e tyre private është e shenjtë, ndërkohë që jeta, siguria fizike dhe dinjiteti i njeriut nuk vlejnë asgjë. Sipas tyre, të shpërndash fletushka në një mjedis privat (të cilit taksat e të gjithëve ne ia kanë çuar rrugën te dera), të frekuentueshëm lirisht nga publiku, është sjellje e papranueshme që meriton rrahje, kanosje e çnderime. A thua se nuk janë biznese të Samir Manes ato që na ndyjnë dyert e shtëpive private me reklama për të cilat as na marrin leje, as na paguajnë?! Gjithsesi, pas kallëzimeve të aktivistëve të OP në prokurori për heqje të paligjshme lirie, torturim dhe kanosje, Samir Manja duhet të dorëzojë filmimet e kamerave të sigurisë të TEG-ut. Po të kishte një fije nder, do t’i bënte publike ato, që njerëzia të merrte vesh se çfarë të gjen në qendrën e tij tregtare po guxove të kritikosh pronarin e saj.

Së shtati, unë nuk arrij ta kuptoj se si një kompani mund të flasë në emër të 6000 punëtorëve të saj, të cilët, me demek, më dërgojnë mua këtë mesazh: “Samir Mane është një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri, kurse ty që nuk të pëlqen tregu i lirë, mund të shkosh të jetosh në Korenë e Veriut…” Nga e di Samiri se ç’mendojnë 6000 punëtorët e firmave të tij? I ka pyetur një e nga një? Kanë firmosur ata ndonjë deklaratë të tillë me shkrim? Kanë votuar 100% në ndonjë plebishit? Apo perandoria ekonomike e Samir Manes është një i tillë totalitarizëm, saqë të gjithë brohorasin të lumtur për padronin e madh, mu si në Korenë e Kim Jong Unit?!

Në fund, pasi më ka akuzuar si të paguar nga konkurrenca (!!!), Albchrome-i më kërcënon, së bashku me shokët e mi, me padi civile. Nëse në Shqipëri do të kishte një minimum shteti ligjor, Albchrome-it do t’i duhej të paguante qimet e kokës vetëm për shpifjen e mësipërme, për të mos përmendur pastaj sanksionet penale dhe administrative ndaj Samir Manes dhe ndihmësve të tij për shkeljet e Kodit Penal dhe atij të Punës: torturë, heqje e paligjshme e lirisë, kanosje, diskriminim i punonjësve për shkak të aktivitetit sindikalist, cenim i të drejtës së organizimit sindikalist, pengim i punëtorëve për të marrë pjesë në grevë etj. Po në Shqipëri as ka dhe as pritet të ketë së shpejti institucione të pavarura drejtësie. Po ne, aktivistët e Organizatës Politike, kur i kemi hyrë veprimtarisë në mbrojtje të të drejtave punëtore dhe interesit publik, kemi marrë parasysh çdo rrezik. Kërcënimet me gjoba veç sa na gudulisin.

Hajde merreni të vetmen pronë që kam, makinën! Më kurseni mundin e të çuarit për skrap. Por mos harroni se një ditë do të jepni llogari përpara popullit dhe ligjit për çdo lek të fituar gjatë batakçillëkut tridekadësh që në Shqipëri e quajmë tranzicion!

*Botuar edhe në numrin e sotëm të gazetës Dita

Imazhi: The Japan Times

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.