/Arlind Qori/
“Hë pse?” As se është i bukur, as se është i ditur, madje as se është i pasur. Po sepse është aq i pushtetshëm sa të ketë në dorë jetën e qindra minatorëve dhe ajrin shoqëror të miliona bashkëqytetarëve tanë; dhe të mos ngurojë ta ushtrojë këtë pushtet orë e çast. Po nis t’ju sqaroj:
Ne, si aktivistë, e shohim me përparësi çështjen punëtore. Madje Organizatën Politike e kemi krijuar, në radhë të parë, pikërisht për të nxjerrë nga pluhuri i harresës ekzistencën shoqërore të punëtorëve dhe të drejtat e tyre të mohuara. Ndër vite jemi solidarizuar me çdo grupim punëtorësh që ka ngritur kokën dhe për pak kohë i ka parë në sy pa frikë pronarin dhe shtetin. Jemi përpjekur me të gjitha forcat që të japim kontribut në ndërgjegjësimin e punëtorëve për të drejtat e tyre dhe mënyrat e organizimit për t’i realizuar ato. Në këto kushte, nuk mund të mos vraponim në ndihmë të minatorëve të Bulqizës kur që pranverën e vitit të kaluar ishin të gatshëm të organizoheshin sindikalisht. Të ishin ngritur më parë naftëtarët e Ballshit apo punëtorët e ndonjë fasonerie, sot do të ishim me ta.
Shqipëria ka një histori të palavdishme marrëdhëniesh në punë. Vitet 1990 shënuan kalimin nga sindikalizmi si rrip transmisioni i partisë-shtet në zhdukjen e lëvizjes punëtore – të kushtëzuar nga procesi i çindustrializimit, emigrimit dhe fragmentimit të forcës punëtore. Pas shkëndijave heroike të viteve 1990-1991, në Shqipëri praktikisht nuk ka pasur më sindikata reale dhe lëvizje të gjallë punëtore. Sindikatat formale janë karkasa, mbeturina të bashkimeve profesionale të dikurshme dhe të atyre pak muajve kur punëtoria industriale i theu shpinën regjimit të vjetër. Sindikatat e pas-1991 janë të kapura nga një grusht burokratësh, të krimbur në pasuri nga administrimi i kampeve të pushimit dhe të lidhura kokë e këmbë me partitë dhe ortakët e tyre në oligarkinë ekonomike. Ato drejtohen nga gjysmanalfabetë që krenohen me një foto me Sali Berishën apo Damian Gjiknurin dhe kanë 30 vjet që nuk i thonë punës “merhaba!”, lere më të kuptojnë dhe veprojnë në terrenin punëtor.
Në këtë shkreti sindikaliste, në Bulqizë, mes minatorëve si pararojë historike e lëvizjeve punëtore, lindi një sindikatë e re, e vërtetë, e organizuar demokratikisht deri në qelizë dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Pak ditë pas njohjes juridike dhe shpalljes publike të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, kompania Albchrome e Samir Manes pushoi nga puna paligjshmërisht kryetarin e saj, minatorin Elton Debreshi. Nëse nuk ju besohet, lexoni nenin 181 të Kodit të Punës! Si rezultat i solidarizimit të minatorëve të tjerë në grevë, kompania pushoi nga puna edhe tre sindikalistë të tjerë, sërish në shkelje të ligjit: Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën.
Taktika brutale e Samir Manes ishte: “Këputi kokën sindikatës, se të tjerët rrinë urtë nga frika!” Kjo nuk ishte goditje vetëm për minatorët, por për të gjithë potencialin e ngjalljes së lëvizjes sindikaliste në vend. Fati i kësaj sindikate do të diktojë nëse në vitet e ardhshme Shqipëria do të vazhdojë të jetë oazë obskurantiste ku njeriu shfrytëzohet si skllav apo një vend ku punëtorët nisin të marrin frymë si njerëz dhe qytetarë pas një agonie të gjatë.
Në Bulqizë ka shumë galeri, nuk është vetëm pusi i Samirit. Ndryshe nga ç’pretendojnë bishtukët e tij, midis tyre ka firma që i trajtojnë punëtorët edhe më keq, edhe më mirë se Albchrome-i. Sidoqoftë, nisma për organizim sindikalist lindi pikërisht në kompaninë e Manes dhe ishte kjo e fundit që nisi përndjekjen e minatorëve për organizim. Ama, kush ka qenë në Bulqizë gjatë ditëve të grevës ka dëgjuar të flitej se si pronarëve të galerive të tjera i kishte zënë frika se mos minatorët e tyre imitonin grevistët.
Sidoqoftë, arsyeja pse organizimi nisi te pusi i Samir Manes dhe jo gjetiu nuk ka të bëjë me kushtet më të mira apo më të këqija të punës që garanton ky oligark, por me faktin se numri i minatorëve që punojnë për të është disa herë më i madh (diku rreth 700 vetë) se ai i punëtorëve të galerive të tjera “private”. Kush merr vesh nga historia e lëvizjeve punëtore e di që formimi i një sindikate është më i mundshëm në një fabrikë me qindra punëtorë sesa në një byrektore me pesë punëtorë, tre nga të cilët janë nipa të pronarit.
Nga ana tjetër, siç propagandohet shpesh këto kohë, bizneset e Samir Manes numërojnë rreth 6000 punëtorë. Përhapësit e paguar të panikut pretendojnë se presioni i opinionit publik ndaj Samir Manes do t’i linte të gjithë këta pa punë. Në fakt, edhe sikur Samir Manja të vendosë (mos o zot!) të arratiset nga Shqipëria, veprimtaritë e tij ekonomike këtu do të qëndrojnë, vetëm sa do të ndërrojnë pronar pas transaksioneve financiare të rastit. Le që, përpara se bizneset e tij të rrezikojnë vërtet falimentimin, Samir Manja do të tërhiqej nga pozita e shtypësit të minatorëve dhe do ta mblidhte mendjen se nuk mund ta cenonte më të drejtën e ligjshme të organizimit të punëtorëve në sindikata. Këtu do të niste efekti i valës, e cila do të shtrihej në të gjitha kompanitë e tij. Fitorja e sindikatës së minatorëve do të shtynte mijërat e punëtorëve të shfrytëzuar e të nëpërkëmbur të të gjitha kompanive të tij që të organizoheshin sindikalisht. Kësisoj, një pjesë prej tyre do të çliroheshin edhe nga detyrimi prej bujkrobërish për të komentuar – me ditë e me natë – në favor të pronarit nëpër rrjetet sociale.
E imagjinoni dot sikur pjesa më e madhe e 6000 punëtorëve të firmave të S.M. të organizohej sindikalisht? E kuptoni se çfarë frymëzimi do të ishte për qindra mijëra punëtorë të fasonerisë, ndërtimit, call center-it e deri te ushtria e panumërt e kamerierëve, banakierëve, shitësve, mësuesve…?!
Samir Manja, sigurisht, është njëri prej oligarkëve që po i zënë frymën vendit. Por ai nuk është thjesht njëri, por më i pasuri dhe i fuqishmi midis tyre, më i shtriri ekonomikisht në dhjetëra biznese dhe sektorë, me fitime të larta dhe të sigurta. Vetëm kompania BFI Trade e grupit Balfin të Samir Manes raportohet se gjatë vitit 2018 ka pasur një normë fitimi 97%, ndërkohë që në vitin 2017 Albchrome-i famëkeq renditej kompania e gjashtë në Shqipëri për nga niveli i fitimeve. Në këto kushte, zmbrapsja e Samir Manes do të ishte një goditje e fortë për oligarkinë ekonomike shqiptare. Sot, pavarësisht nga rivaliteti i brendshëm, asnjëri prej oligarkëve nuk po e tradhton mikun-rival, çka reflektohet edhe në heshtjen mediatike. Ata e kanë kuptuar mirë se kjo luftë qytetare nuk është vetëm kundër Samirit, por hapi i parë që do të tronditë themelet e pasurimit të tyre të padrejtë.
Nuk duhet harruar se Samir Manja ka në dorë qeverinë. Raportimi skandaloz i Inspektoratit Shtetëror të Punës, që nuk gjeti asnjë shkelje të Albchrome-it, pavarësisht heqjes nga puna të kryetarit dhe drejtuesve të SMBB-së, është vetëm njëri nga treguesit. Represioni policor, burgosja për tre ditë e tre aktivistëve të akuzuar se po përhapnin panik duke shpërndarë fletushka, mosmarrja e asnjë mase ndaj rojeve të oligarkut që kanë torturuar dhe marrë peng shtatë vajza dhe djem duhet të na mësojë shumë. Ndonëse diçka dihej, së paku që ditën kur Edi Rama pati paturpësinë të krenohej botërisht me mungesën e sindikatave në Shqipëri.
Edhe më e zymtë është situata kur mendon se dora e tij shtrihet edhe te partitë e opozitës formale. PD akoma nuk guxon t’i përmendë emrin kryeoligarkut, ndërkohë që për të mbajtur një deklaratë të zbehtë pro minatorëve iu desh të priste një muaj e ca, pasi greva kishte kohë që kishte përfunduar. Kurse LSI, që s’dihet a është akoma parti, ka mbajtur një konventë të tërë këto kohë, por s’ka guxuar as ta përmendë shkarazi çështjen e minatorëve.
I pritshëm, por jo më pak skandaloz, ishte fakti që një prokuror pati pafytyrësinë të nënshkruante masën e arrestit 72-orësh për tre djem krimi i të cilëve ishte të shpërndanin fletushka dhe të filmonin me celular, si dhe ekzistenca e një gjykatësi që e njohu si të ligjshëm vendimin e prokurorit. Fitorja e kësaj beteje do të sillte siguri te të gjithë qytetarët që besojnë te vlera e barazisë përpara ligjit.
Hija frikësuese e Samir Manes shtrihet edhe më gjerë se kaq. Ajo prek edhe një pjesë të konsiderueshme të së ashtuquajturës shoqëri civile, kësaj mizërie ojf dhe shoqatash që “luftojnë” për të drejtat e njeriut dhe të punëtorëve, por që nuk kanë gjetur kohë të shkruajnë as dy rreshta denoncues të padrejtësive që po u bëhen minatorëve dhe dhunës ndaj aktivistëve. Prandaj mposhtja e tij do të ishte një dritare ajrimi në burgun ku po na rrasin politikisht.
Nuk mund të lihet pa përmendur edhe hegjemonia thuajse e plotë e Samir Manes në sferën mediatike shqiptare. Deri më sot 99% e mediave (televizive, gazetareske, internetore) nuk e kanë pasqyruar as grevën historike të minatorëve, as aksionet solidarizuese të aktivistëve. Është qesharak fakti që një pjesë prej tyre botojnë deklaratat propagandistike të Albchrome-it, të cilat i referohen një konflikti disamujor, ndërkohë që këto media nuk e kanë raportuar fare. Mes të heshturve, për turpin e tyre, janë edhe një dorë drejtuesish portalesh që s’lënë rast pa e akuzuar oligarkinë si sistem, por nuk guxojnë ta përmendin kryeoligarkun me emër, lere më ta ndihmojnë publikun të informohet për ç’po ndodh me minatorët. Prej kryerjes së detyrës nuk do të rrezikonin as jetën, as bukën. Maksimumi do t’iu ulej sadopak rroga shumëmilionëshe. Në këto rrethana, fitorja kundër Samir Manes do të sillte frymëmarrjen e shumëpritur në lirinë e shprehjes dhe dinjitetin e munguar të gazetarisë.
Në fund, ma lejoni një parashtrim të shkurtër teorik. Qëllimi i mbramë universal mund të jetë lumturia njerëzore, drejtësia e papërlyer apo vendosja e mbretërisë së zotit mbi tokë. Po për universalen nuk luftohet drejtpërdrejt. Asaj i afrohemi duke u marrë me kauza partikulare, siç është kjo e të drejtave në punë. Madje edhe me subjekte singulare (të përveçme), shtypja e posaçme e të cilëve është simptomë e një rrënimi të gjithanshëm dhe çlirimi i tyre është kusht i emancipimit mbarëshoqëror. Ky subjekt sot ka emrin minator. Siç ka emër edhe agjenti singular tek i cili në koniunkturën aktuale nyjëtohet një sistem i tërë shtypjeje dhe mposhtja e të cilit do të niste shpërbërjen e oligarkisë: Samir Mane.
Ajo që kërkohet nga të gjithë ne është e thjeshtë, pa pikë heroizmi e patetizmi, paqësore deri në rrënjë, një gjest qytetarie, që buron nga liria e plotë si konsumatorë mbi ç’gjendet në kuletën tonë: Të mos harxhojmë para në bizneset e kryeoligarkut!
E bëjmë dot?
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).
Shume e sakte si analize. Vetem se eshte anashkaluar fakti qe te gjitha sindikatat jane krijuar dhe perdorur per qellime mafioze, si ne Itali, Amerike, Kanada, France etj… Per te mos permendur frymen bastarde sindikaliste te BRSPSH dhe te te gjitha sindikatave pas-90. Pra, levizja sindikaliste qe ti A. Qorri thua, nuk ka shanse te dale ndryshe nga te tjerat. Tek e fundit, “road to hell is paved by good intentions”, sic ishte edhe fryma antikonformiste e MJAFT (qe ti e njeh fort mire) dhe transformimi i saj i mevonshem. Pra, pertej artikulimit elokuent, formati agjitacion & propagande, amballazhi i detyrueshem, permbajtja qendron e njejte, e shpifur dhe e neveritshme. Suksese me nje artikulim me bindes!
Vertet ka raste kur sindikatat kompromentohen dhe u sherbejne here mafiozeve, here pronareve dhe pushtetareve politike. Ne Shqiperi jane kompromentuar qysh heret, sapo iu dha mundesia krereve te tyre qe te merrnin ne zoterim kampet e punetoreve dhe te tjera pasuri te perbashketa. Mirepo, mundesia e kompromentimit nuk perjashton edhe te kunderten e saj. Ka raste kur “rruga per ferr” shtrohet me qellime te mira, sic ka plot raste qe shtrohet me qellime te keqija. Ama nuk di ndonje rast kur “rruga per parajse” te shtrohet me qellime te keqija.
E mira e sindikates se re te Bulqizes eshte se vjen si produkt i vullnetit te minatoreve te terrenit. Ne, si aktiviste qe i ndihmojme, nuk kemi as pushtet, as para dhe as ndonje perspektive per te pasur te tilla. Statuti i sindikates dhe fryma e saj e deritanishme perjashton kompromentimin pasi nuk i jep fare pushtet kryetarit. Sigurisht qe keto nuk mund te jene argumente shteruese per te vene doren ne zjarr se nuk ka per te pasur asnjehere rrezik. Mirepo, te pretendosh se cdo organizim eshte i denuar te kompromentohet con uje ne mullirin e deshperimit shoqeror dhe fuqizimit te oligarkeve. Keshtu qe ti, ne kete rast, mund te kesh qellimin me te mire kur ngre dyshime, por siguria me te cilen flet “shtron rrugen per ferr”.
Per sa i perket Mjaftit, une nuk kam qene asnje dite anetar i tij. Keshtu qe nuk kam si ta njoh me mire apo me keq se cdo njeri tjeter. Nuk dua te besoj se edhe ti ke rene pre e teorive konspirative me Soros etj., qe ne rastin tone jane tejet qesharake.