Pse duhet rrëzuar ligji i arsimit të lartë

/Arlind Qori/

Këto rreshta po shkruhen në nxitim dhe rezistencë e sipër për të argumentuar pse strumbullari i problemit qëndron te ligji i arsimit të lartë dhe pse realizimi i të gjitha kërkesave të studentëve nuk mund të ndodhë pa rrëzimin e këtij ligji.

Parahistoria

Iniciativa politike e një ligji të tillë është marrë në vitin e largët 2010 nga Ministria e Arsimit e qeverisë së koalicionit PD-LSI. Pavarësisht tri drafteve, ligji nuk arriti të shkojë në parlament. Në fund të vitit 2013 qeveria e koalicionit PS-LSI themeloi një komision profesorësh me demek të pavarur për të hartuar reformën e re në arsim, e cila, pavarësisht kundërshtive masive, u shndërrua në ligj në vitin 2015. PD premtoi ta rrëzonte ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por “harroi” ta dërgojë atë për shqyrtim.

Kush e ka mbrojtur publikisht ligjin?

Që prej vitit 2010 e tëhu mbrojtësit më të flaktë të kësaj “reforme” kanë qenë pronarët e universiteteve private dhe nëpunësit e tyre universitarë. Në krye të tyre kanë spikatur pronari dhe disa pedagogë të Universitetit Evropian të Tiranës.

Çfarë përmban ligji i arsimit të lartë?

Fryma e ligjit të arsimit të lartë është tregtarizimi i universiteteve publike dhe kthimi i marrëdhënieve të studentëve me universitetin në klient-mall.  

I.

Skema e financimit të universiteteve bazohet në garën për fonde shtetërore midis universiteteve publike, universiteteve private dhe universiteteve publike të pavarura (defacto, universitete private që formalisht heqin dorë nga fitimi.) Si rezultat i garës për mbijetesë financiare me privatët, buxheti i universiteteve publike reduktohet ndjeshëm. Buxhetin e reduktuar universitetet publike mund ta kompensojnë vetëm duke propozuar rritjen e tarifave dhe vendosjen e haraçeve të tjera ndaj studentëve. Ky ishte edhe rasti i v.k.m. së famshme për provimet e mbartura.

Si rezultat i garës për mbijetesë, universitetet publike po vrapojnë drejt standardeve më të ulëta për të thithur çfarëdo studenti, pavarësisht rezultateve të tij. Një klient më tepër është një dorë parash më shumë në buxhetin e pamjaftueshëm të universitetit. Kjo vihet re sidomos në nivelin e studimeve master. Këtu tarifat janë jo vetëm disa herë më të larta se ato të nivelit bachelor, por edhe rekrutimi i studentëve bëhet praktikisht pa garë. Në shumë programe master-i, numri i aplikuesve është më i vogël se vendet e lira, duke i shndërruar ato në kopje të privatëve të shëmtuar. Edhe me mesatare 5 në veterinari mund të hysh në master për filozofi.

Ligji i arsimit të lartë u mundëson universiteteve private fitimprurëse të fusin duart drejtpërdrejt në fondin e projekteve konkurruese të grantit të politikave të zhvillimit, në fondin e mbështetjes së studentëve të shkëlqyer të grantit të mbështetjes studentore dhe në grantin e kërkimit shkencor.

Sidoqoftë, hileja më e madhe e ligjit qëndronte të ashtuquajturat universitete publike të pavarura, të cilat do të trajtohen financiarisht njëlloj me universitetet publike. Çdo universitet privat mund të kthehet në “publik të pavarur”, mjafton të shndërrohet në fondacion dhe të heqë dorë formalisht nga fitimi. Mirëpo, sipas ligjit, edhe pasi të heqë dorë nga pronësia, ish-pronari do ta ruajë kontrollin mbi fondet e universitetit duke emëruar dhe çemëruar 6 nga 11 anëtarët e Bordit të Administrimit.

Ç’do të thotë kjo konkretisht? Pronari i universitetit privat do të emërojë anëtarët e Bordit, të cilët do ta shpallin administrator të universitetit. Ajo që deri dje quhej fitim sot mund të quhet pagë, e cila për administratorin e përjetshëm (ish-pronar) mund të shkojë me qindra mijëra euro a më shumë. Dhe të gjitha këto me kontributin e buxhetit të shtetit.

II.

Ligji i arsimit të lartë e ka goditur autonominë universitare në dy fronte. E para, duke kontrolluar Bordet e Administrimit të universiteteve publike sipas parimit “kush kontribuon më shumë në buxhet kontrollon shumicën e bordeve”. Që universitetet publike të kontrollonin bordet duhet të rrisnin të ardhurat nga studentët më shumë se të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit. Çka do të thotë rritje e pashmangshme tarifash.

Aktualisht, qeveria kontrollon edhe formalisht Bordet e Administrimit të të gjitha universiteteve publike, përveç Universitetit të Tiranës. Në këtë të fundit, ku tarifat e studentëve mbulojnë rreth 65% të buxhetit, shumicën në Bord e ka formalisht universiteti. Por si rezultat i luftës së bajraktarëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, një pjesë e të zgjedhurve universitarë në Bordin e Administrimit janë thjesht vegla të qeverisë.

E dyta, ligji e ka ulur peshën e votës studentore në përfaqësimin në senat dhe zgjedhjen e rektorëve dhe dekanëve nga 20% i vogël në 10% papërfillshëm. Imagjinoni: vota e rreth 25,000 studentëve të Universitetit të Tiranës peshon 10%,kurse ajo e rreth 730 pedagogëve të brendshëm peshon 90%. Kur vijnë zgjedhjet në universitet, kandidatët për rektorë dhe dekanë as që kanë nevojë për të luftuar për votën studentore. U mjafton të kapin trupën e vogël dhe lehtësisht të kërcënueshme të pedagogëve për të prodhuar këtë bajraktarizëm që i ka qelbur universitetet nga koka te këmbët.

Përfundim

Si mund të përgjysmohen tarifat pa rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë?! Edhe në u përgjysmofshin për momentin si rezultati injektimit të parave shtesë nga buxheti i shtetit, ligji në fuqi u jep mundësi universiteteve private të fusin duart në këto fonde shtesë.

Si mund të përmirësohen kushtet e studimit dhe të jetesës së studentëve kur privatët kanë mundësi të fusin duart te paratë shtesë të buxhetit të shtetit për universitetet?!

Si mund të flitet për autonomi universitare kur e vetmja mënyrë për të kontrolluar Bordet e Administrimit është rritja e tarifave?!

Si mund të demokratizohet jeta universitare dhe të përfshihen studentët në vendimmarrje të barabartë kur ligji i arsimit e vulos 10% peshën e votës studentore?!

Si mund të shpëtojnë studentët nga ata pedagogë maskarenj që marrin para për provime apo shesin librat e tyre me detyrim kur pesha e votës së një pedagogu është rreth 300 herë më e madhe se ajo e një studenti?!

SI MUND TË PLOTËSOHEN KËRKESAT E STUDENTËVE PA RRËZIMIN E LIGJIT TË ARSIMIT TË LARTË?!

Imazhi: Ivana Dervishi/BIRN

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.