Propaganda

/Arlind Qori/

Sot e quajnë PR (public relations), marrëdhënie me publikun, por në fakt është vetëm dhënie publikut pa marrë gjë prej tij. Çka do të thotë se kemi një shënjues të ri për një të shënjuar të vjetër: propagandën.

Propaganda nuk është thjesht gënjeshtër. Ose, më saktë, si çdo gënjeshtër duhet të merret për e vërtetë. Në kushtet ku burimet e informacionit dhe të përgënjeshtrimit janë shtuar, të mos ndërtosh gjë dhe të thuash se në lumë tashmë ka një urë është thjesht budallallëk. Prandaj propaganda e sotme nuk është një gënjeshtër e plotë, por e pjesshme.

Më konkretisht, ajo nuk i shpik më faktet, por i shkëput ato nga konteksti. I shkëput nga ndërlidhja me faktet e tjera. Po të duam ta shtyjmë argumentin një hap më tutje, ajo i shkëput faktet nga struktura shoqërore pjesë e së cilës janë. Thuajse njëqind vjet më parë, kur shkruante “Historia dhe ndërgjegjja klasore”, Georg Lukacs-i e përkufizonte ideologjinë – në rastin tonë propagandën – si përqendrim në fakte të një natyre të veçantë: “Faktet nuk janë veçse pjesë, aspekte të procesit total të cilat janë shkëputur, izoluar artificialisht dhe ngurtësuar.” Pra faktet nuk janë asnjëherë thjesht fakte, por fenomene të përzgjedhura me kujdes për të na i sjellë përpara syve. Të shkëputura nga struktura dhe procesi shoqëror pjesë e të cilit janë, faktet nuk janë të rreme në kuptimin e rëndomtë empirik. E rremë është domethënia e tyre.

Faktet e përzgjedhura me kujdes kanë për kusht fshehjen e gjithçkaje tjetër – ndërlidhshmërisë me faktet e tjera brenda totalitetit shoqëror, e zinxhirit shkakësor, e pasojave të mundshme të tyre etj. Për ta thënë figurativisht, propaganda ta sjell faktin e përzgjedhur aq pranë syve dhe ta mban atë aq gjatë, saqë njeriu e humb mundësinë për të parë të tërën. Nëse dikur thuhej se mënyra më e mirë për ta fshehur një pemë, është ta vendosësh atë në një pyll, në rastin tonë mënyra më e mirë për ta fshehur pyllin është ta afrosh aq shumë pemën e përzgjedhur përpara syve, sa të pamundësosh shikimin e gjithçkaje tjetër përtej saj.

Këtë bën, më mirë se kushdo tjetër, makineria propagandistike e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Qytetarëve u ngjishen fytyrës arritje të bashkisë si shtrimi i rrugëve për biçikleta apo përurimi i ndonjë këndi lojërash për fëmijë. Çka fshihet është një proces i tërë korruptiv dhe shkatërrimtar për qytetin – nga betonifikimi me kulla te rritja e çmimit të autobusit dhe ujit. Kullat dhe rrugët për biçikletat nuk janë dy aspekte të palidhura me njëra-tjetrën, njëra negative e tjetra pozitive, por pjesë integrale e të njëjtit proces, ku kullat prodhojnë para për rrugët dhe rrugët shërbejnë si maskim për kullat. Për të mos folur pastaj për ekonominë kriminale që prodhon kapitale dhe fuqi blerëse për kullat luksoze.

Nëse është tërësisht e pamundur t’i fshehësh faktet e tjera, mjafton të zhdukësh ndërlidhshmërinë dhe të luash me përmasat. Pema afër syrit merr trajta gjigande, kurse gjithçka tjetër që nuk mund t’i shpëtojë syrit duket shumë herë më e vogël dhe më pak e rëndësishme nga ç’është në të vërtetë. Për të vazhduar me shembullin e mësipërm, kur kullat nuk fshihen dot, ato relativizohen, duket se u ulet lartësia, konsiderohen si normale në botën kapitaliste, hapësira e zënë dhe gjelbërimi i zhdukur në mes të qytetit kompensohen me pemë të mbjella prapa diellit etj.

Sidoqoftë, propaganda nuk është vetëm ligjërim. Ajo ka një bazë materiale. Mund t’i shërbejë një klase sunduese dhe/ose burokracie politike. Ata që e prodhojnë, e shpërndajnë dhe e intensifikojnë duhet të kenë pushtet politik dhe shoqëror. Pra forcë dhe para. Rrjedhimisht, një shpurë propagandistësh – nga projektuesit e imazheve dhe mesazheve te “punëtorët e krahut” –, por edhe zyra, pajisje, mjete transporti etj. Madje ka nevojë edhe për vullnetarë, të cilët zakonisht janë aspirantë përfitues të një vendi pune apo dore lekësh.

Propagandës nuk i mjafton vetëm mesazhi i grupit shoqëror të cilit i shërben. Ajo ka nevojë për singularitetin, pra për një person fytyra e të cilit të unifikojë simbolikisht gjithë ç’përfaqëson. Zakonisht bëhet fjalë për udhëheqës me karizëm të lindur apo të kultivuar, në mos të marrë hua e të stisur. Mesazhi pa fytyrën është më abstrakt se ç’duhet. Fotoja e suksesit ka nevojë për praninë babaxhane të udhëheqësit, atij në saje të të cilit peshqit shtohen në shportë. Në kohën kur përmbajtja politike ka marrë të tatëpjetën – kur politika zyrtare është zhveshur nga idetë, programet dhe përkushtimi ndaj kauzave – ambalazhimi i enës bosh është i domosdoshëm. E ku ka ambalazh më të mirë sesa një fytyrë që krijon iluzionin se pas saj gjendet diçka?!

Afërmendsh, propaganda ka nevojë për një mjedis ligjërimi ku të gënjesh e propagandosh është normale, ku nuk ekziston as minimumi i konsensusit mbi kriteret e së vërtetës dhe debatit publik serioz. Aty ku të gjithë gënjejnë ose fshehin pjesë të së vërtetës, e vërtetë konsiderohet gënjeshtra më e bukur.

Mesazhi i propagandës duhet të jetë i thjeshtë. Por kaq nuk mjafton. Dikur, në epokën e totalitarizmave – madje edhe ca më herët kur reaksionarët u frikësoheshin turmave – mbizotëronte ideja se mesazhi propagandistik duhet të jetë i njëgjuhshëm. Për t’i përfshirë të gjithë, duhej t’i referohej një emëruesi të përbashkët minimal, duke e shndërruar dallueshmërinë shoqërore në njëtrajtësi: turma si grumbullim i padiferencuar ku nuk humb vetëm njeriu individualitetin, por edhe grupi partikularitetin.

Edhe asokohe vihej në dyshim thjeshtësia e shpjegimit totalitaro-turmor. Mirëpo sot, në kohën kur individualizmi dhe partikularizmi janë dy prej shtyllave kryesore të ideologjisë sunduese, të mendosh se propaganda aspiron të krijojë turma është, më së paku, gabim. Propaganda e rrok dallueshmërinë shoqërore, mpreh edhe vegla të shkencave shoqërore empirike për të kuptuar se si mesazhi i diferencuar i duhet drejtuar një shoqërie të diferencuar për të prodhuar konsensus – d.m.th. të kundërtën e diferencës. Propaganda i flet të papunit me imazhe pikash basti, punëtorit me llërët përveshur, fshatarit me xhamadanin vija-vija, mikroborgjezit me shkeljen e syrit se ai dhe pushtetari i përkasin të njëjtit soj të zgjedhur.

Propaganda, po ashtu, arrin të krijojë konsensus dhe të korrë përkrahje edhe sepse zbraz publikisht – drejtpërdrejt ose me nënkuptim në rastet ekstreme – atë thes të madh paragjykimesh që njerëzit i mbartin në kurriz dhe i shprehin privatisht në përditshmërinë e tyre. Një insinuatë për “shpellarët” këtu, një batutë për “çunin e Tiranës” atje dhe ja tek krijohet afekti i përkatësisë sonë si grup kundër “atyre”: shitësve të rrugës apo lumpenëve që zbrazin fshikëzën në pemët e skarpateve të Lanës.

Nëse i kthehemi bazës epistemologjike të propagandës si shkëputje e faktit të përzgjedhur nga konteksti, nuk duhet të na habisë bezdia, e shprehur edhe publikisht, e propaganduesve ndaj teorisë. Theorein, në greqishten antike, kishte kuptimin e të parit nga lart, një lloj soditjeje karakteristike fillimisht për spektatorët e teatrit dhe të garave. Njëlloj si spektatori shihte nga lart tërësinë e akteve që zhvilloheshin përpara syve të tij, duke i dhënë kuptim ndodhive, edhe teoricieni mund ta zbulonte të vërtetën vetëm duke u shkëputur nga zënia e syve prej faktit më të afërt. Kësisoj mund t’i lidhte faktet me njëri-tjetrin, madje të arrinte edhe në përfundimin se në origjinë të tyre ishin ca forma/ide të përjetshme të arsyes.

Shi për arsyen se teoria nuk ia ka fort besën faktit të sjellë përpara syve – si i tillë kaherë i manifakturuar – dhe kërkon të zbulojë ndërlidhshmërinë – kontekstin, strukturën, procesin, tonalitetin etj – propaganduesit jo vetëm që nuk e honepsin teorinë, por nuk iu rrihet edhe pa përbaltur të teorizuarin si bjerraditje, filozofira të kota, dhe teoricienin si “filozof” me kokën te retë, çka ia mundëson dalja në ballkonin e kullës së fildishtë ku supozohet se jeton.

Mirëpo teoria, sado antitetike të jetë ndaj propagandës, nëse konsiderohet e vetëmjaftueshme, nuk mund të ketë më shumë sesa efektin e bezdisjes prej mize. Propaganda nuk qëndron në ajër. Ajo ka bazë materiale, sidomos te sundimtarët. Ajo është riprodhuesja ideologjike e privilegjeve. Kësisoj edhe antipropaganda nuk mund të jetë vetëm ekskursion intelektual, por pjesë e një lëvizjeje praktike, ku forca materiale i kundërvihet forcës materiale, edhe me armët e veta simbolike dhe imagjinare.

Iluzioni më i madh prej Iluminizmit e tëhu është ai intelektualit tradicional – bartës i një bagazhi të madh njohurish – fjala e të cilit do të bëhej vepër si të ishte e Zotit, por ja që populli nuk është i denjë për të. Në vende si yni është modeli më i përhapur i intelektualit, sidomos kur nis të hedhë hapin e parë drejt angazhimit. Ai bart një përzierje megalomanie, entuziazmi fillestar, dëshpërimi të shpejtë dhe në fund nënçmimi ndaj popullit. Ndaj atij populli që konsiderohet mosmirënjohës, që nuk ngrihet në këmbë kur intelektuali jep kushtrimin nga koteci i tij, i popullit që duhet të jetë vetëm veshë dhe trup, por kurrë gojë dhe mendje.

Këtyre priftërinjve laikë Gramsci moti u kundërvinte intelektualët organikë, ata që sistematizojnë idetë dhe aspiratat e klasave popullore, që ndihmojnë në tejkalimin e diferencave dytësore dhe në kompaktëzimin dhe fuqizimin e lëvizjeve shoqërore. Bëhet fjalë për ndërmjetësit në zhdukje të kalimit nga abstraksioni te praktika si unitet dialektik midis teorisë dhe veprimit. Për ata që janë shumë më shumë nga ç’mendohet. Madje që në të shumtën e rasteve janë të tillë edhe pa qenë të vetëdijshëm për rolin e tyre si lidhës të teorisë me masat. Siç thosh’ një djalosh 25-vjeçar më 1843: “Teoria bëhet forcë materiale kur ajo bën për vete masat.”

Imazhi: Erion Veliaj (FB)

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.