Ç’po ndodh me arsimin në Shqipëri?

Intervistë e Arlind Qorit dhënë gazetares së “Ditës” Entela Resuli

 

– Arlind, ndoshta një pyetje e gjerë, por vlen të bëhet, çfarë po ndodh me arsimin në Shqipëri?

Me arsimin, fatkeqësisht, po ndodh i njëjti proces shkatërrimi i ngadaltë si me të tjera fusha të jetës shoqërore, si për shembull ekonomia, mjedisi, të drejtat shoqërore etj. Shoqëria është një tërësi, sigurisht me kontradiktat dhe diferencat e veta. Kësisoj, e tëra është në degradim e sipër sepse pjesët e saj degradojnë dhe anasjelltas.

 

– Sistemi universitar që është krijuar po ndikon në përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, apo përshtatja e kurrikulave është larg tregut të punës?

Sistemi arsimor është krijuar dhe zhvilluar ndër shekuj për disa arsye. Së pari, që ta edukojë njeriun. Më saktë, ta bëjë njeriun njeri, atë lloj të veçantë kafshe që dallohet prej vetëkontrollit, arsyes dhe jetës së përbashkët gjithnjë e më komplekse dhe solidare. Posaçërisht universiteti ka për detyrë parësore të kultivojë mendimin kritik, hapjen ndaj tjetrit dhe të resë dhe, si i tillë, kahmoti ka qenë i bazuar mbi një komunitarizëm universitarësh. Së dyti, shkolla dhe universiteti kanë marrë rrugës edhe tiparet e të formuarit profesional të punonjësve të ardhshëm. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për ato punë që i shërbejnë ekonomisë, por të gjitha fushave të jetës shoqërore. Deri vonë, sidomos në vendet e përparuara, është ruajtur njëfarë ekuilibri midis universitetit si kultivues i avancuar i mendjes njerëzore dhe universitetit si dhënës zanati të kualifikuar. Mjerisht, me reformat neoliberale, dimensioni i dytë po ia merr dita-ditës frymën të parit.

Paradoksale është, gjithsesi, se universitetet e sotme që tentojnë t’i përshtaten tregut nuk arrijnë as të përgatisin punonjësit e ardhshëm. Papunësia e të diplomuarve është fenomen shqetësues anembanë botës. Kjo ndodh sepse në kapitalizmin neoliberal tregu i punës është kapriçoz, ndryshon shpejt, ndërkohë që studimet universitare janë shumëvjeçare. Nga ana tjetër, problemi i punësimit nuk zgjidhet – siç pretendon qeveria Rama për shembull – duke ia përshtatur jetën universitare një tregu pune të ngushtë në alternativa punësimi dhe të varfër në paga. Detyrë e universiteteve do të duhej të ishte pikërisht studimi kritik i strukturës ekonomike dhe i modeleve të zhvillimit, parashtrimi i alternativave të reja që do ta zgjeronin dhe përmirësonin tregun e punës. Mirëpo për këtë qeveritarëve tanë u mungon vullneti ose, më keq akoma, inteligjenca e mjaftueshme.

 

– Keni qenë tepër i ashpër me reformën ne arsimin e lartë. Sot jeni duke heshtur. Ka rezultuar e suksesshme apo ka ndonjë arsye tjetër?

Si aktivist i Lëvizjes Për Universitetin – më parë i asaj Universiteti në Rrezik – kam që në vitin 2011 që kritikoj të njëjtën reformë arsimore, të nisur nga qeveria Berisha dhe të bitisur nga qeveria Rama. Lufta jonë nuk ka ndalur për asnjë çast, ndonëse forca dhe dukshmëria e saj varet edhe nga konteksti. Kulmin Lëvizja e ka pasur në vitet 2014-2015, ku ka bashkuar me mijëra studentë e pedagogë kundër ligjit të arsimit të lartë. Në vitet në vazhdim jemi marrë me kundërshtimin e zbatimit të ligjit në universitete. Kemi protestuar për ulje të tarifave studimore, kemi kontestuar burokracinë e mykur të universiteteve publike, kemi denoncuar pedagogët abuzues dhe i kemi inkurajuar studentët të vetorganizohen. Dy vitet e fundit kemi demaskuar skemën e padrejtë të aplikimit dhe regjistrimit në universitete, e cila i vendos universitetet publike dhe private në kushte të pabarabarta gare dhe i çorienton studentët duke e zëvendësuar meritokracinë me lotarinë.

Se deri në ç’pikë kemi qenë të suksesshëm nuk mund ta them me siguri. Ama dy-tri gjëra mund t’i rendis. 1. Ndonëse e ka bërë padrejtësinë ligj, qeveria e ka humbur tërësisht betejën në mendjet e qytetarëve për reformën në arsim. Sot i madh e i vogël e di që kjo reformë ka qenë klienteliste dhe ka pasur për synim të financojë privatët me paratë e buxhetit të shtetit. Kjo duket edhe në faktin se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të shkuar qeveria mburrej me çdo lloj reforme, ama reformën në arsim nuk guxonte ta përmendte. 2. Ia kemi arritur të ndërgjegjësojmë mijëra e mijëra studentë jo vetëm për reformën në arsim, por edhe për të drejtat e tyre. Kemi nxjerrë nga gjumi shoqëror shumë syresh, duke i sjellë afër organizimit dhe aktivizmit. 3. Edhe si rezultat i rezistencës sonë, prej vitit akademik 2014-2015 qeveria nuk ka guxuar t’i rrisë më tarifat studimore. Kurba e tarifave ka shkuar në rritje prej vitesh, dhe prej vitit të sipërmendur – që përkon me kulmin e rezistencës sonë – ajo është drejtvizore. Sidoqoftë, tarifat dhe kostot studimore vazhdojnë të jenë paturpësisht të larta.

 

-Ka një përqajse dhe nxitje për formim profesional, edhe pse tendenca e të rinjve mbetet sërish shkolla e lartë? Është çështje mendësie apo nuk janë politikat e duhura të bëra në këtë drejtim?

Parimet “nuk na duhen universitete, por shkolla profesionale” apo “ka punë, por mungojnë profesionistët” janë mite. Punë nuk ka, ose më saktë ka pak. Edhe aty ku ka, shumica e punëve kërkojnë punëtorë  të pakualifikuar ose pak të kualifikuara. Shumica dërrmuese e punëve janë sfilitëse, tëhuajësuese për punëtorin, me paga mjerane dhe pa të drejta. Prandaj ngul këmbë se ne na duhet një model krejt i ri zhvillimi, një model që ua vështirëson kapitaleve të kanalizohen në sektorë spekulativë, si ndërtimi apo lojërat e fatit, dhe i orienton në prodhim dhe shërbime, që e bën shtetin faktor të rëndësishëm zhvillimi, që kërkon jo vetëm më shumë punëtorë fasonerie, por edhe më shumë inxhinierë, punëtorë të kualifikuar, mësues, mjekë etj. Vetëm atëherë ne mund ta shtrojmë seriozisht për diskutim temën se cili duhet të jetë raporti i shtrirjes së universiteteve dhe i shkollave profesionale.

 

-Analfabetët funksionalë kanë një shtim në përqindje vitet e fundit. Pse vjen kjo, lidhet me pamundësinë ekonomike për t’u shkolluar, apo me besimin e pakët në shkollim?

Të jesh i varfër sot në Shqipëri është mallkim i shumëfishtë sepse nuk je thjesht i varfër ekonomikisht. Shteti është zbythur shumë nga mbështetja sociale. Të jesh i varfër nuk do të thotë vetëm se do të ushqehesh më keq apo do të kesh televizor më të vjetër. Komercializimi i thuajse gjithçkaje do të thotë sot të duhet të paguash gjithçka: çerdhen, librat, mësuesin, spitalin, argëtimin e fëmijëve, nganjëherë duhet të paguash edhe për t’u futur në punë etj. Kështu që të varfrit janë të varfër në gjithçka. Në këto kushte, mua nuk më habit niveli i analfabetizmit funksional, por si ka mundësi që ky nivel nuk është edhe më i lartë. Po me sa duket njerëzit, edhe në kushtet më të vështira, sakrifikojnë që fëmijët e tyre të shkollohen.

 

-Duke qenë se ky është momenti kur po aplikohet për në universitete, pas mbarimit të fazës së provimeve, ku për hir të së vërtetës niveli mbeti larg pritshmërive. Çfarë do të sugjeroni për studentët e ardhshëm.

Studentët e ardhshëm duhet të kuptojnë se shtetin – i cili duhet të ishte në krah të tyre – e kanë kundër. Shteti është palë me subjekte private që kanë interes t’i zhvatin me tarifa të larta dhe t’i përdorin për krahë/mendje pune të lira e pa të drejta. Në këto kushte, vullneti i tyre duhet të jetë më i fortë. Duhet studiuar më shumë, por nuk mjafton vetëm studimi. Duhet të gjejnë mënyra për të ndihmuar njëri-tjetrin, për t’u organizuar për të drejtat e tyre. Vetëm kështu e ardhmja nuk do të jetë vazhdimi i të tashmes së shëmtuar, por një realitet i ri i ndërtuar bashkërisht.

 

-Ka gjithashtu një tendencë të vazhdueshme të ikjes së maturantëve apo dhe në faza të mëhershme, në ndjekje të shkollave jashtë vendit. Madje këtë vit thuajse të gjithë maturantët ekselentë kanë aplikuar për bursa jashtë shtetit. Pse kjo dukuri? Pse nuk arrin sistemi ynë arsimor t’i përthithë dhe ti mbajë në vend këto burime njerëzore, pasi ndodh që shumica e tyre dhe pas mbarimit të studimeve nuk kthehen më në vendin tonë.

Sepse sistemi ynë arsimor po rrënohet përditë e më shumë. Dhe ndërhyrjet e deritashme në të nuk kanë qenë rindërtuese, por faktori kryesor i rrënimit. Në këtë situatë, kush mundet kërkon të shpëtojë duke ikur.

 

-Si i shikoni politikat arsimore të Ministrisë së Linjës, reformë apo regres?

Pakkujt do t’i shkonte ndër mend më 2013 se qeveria “socialiste” do të bënte me arsimin më keq se qeveria “demokratike”. Mirëpo që në nëntor të 2013, qeveria Rama nxori nga koshi i plehrave projekt-reformën në arsim të qeverisë Berisha, i shtoi disa elementë edhe më shkatërrimtarë dhe, në fund, e bëri ligj. Një ligj nga më ekstremisht të djathtët – në kuptimin e favorizimit të universiteteve private – në Evropën e sotme.

 

-Thonë se, nëse do që ta pushtosh dhe shkatërrosh një popull, dëmtoj arsimin. A jemi në fazën që duhet të shqetësohemi për këtë gjë?

Sot, më shumë sesa pushtuesit të huaj, duhet t’i frikësohemi pushtuesve vendas. Kësaj oligarkie pasanikësh dhe pushtetarësh që po zaptojnë të gjitha burimet ekonomike dhe na zhveshin nga të drejtat shoqërore për t’u pasuruar e pasuruar. Përderisa ata arrijnë në përfundimin se prej rrënimit të arsimit publik mund të nxirren fitime, do ta fusin ruspën. Dhe nuk është se e urrejnë popullin dhe duan ta shkatërrojnë. Thjesht janë indiferentë ndaj tij dhe të etur për fitime. Shkatërrimi, pastaj, vjen si efekt anësor i domosdoshëm.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.