Policia nën sundimin e Ramës: dhunë dhe luks i shfrenuar

/Klodi Leka/

KODI PENAL

Në tetor të 2019, përvjedhurazi, hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, të cilat në thelb ashpërsonin dënimet për një sërë aktivitetesh si siguria ushqimore, dhuna sportive, armëmbajtja pa leje etj., por edhe për “krime” si goditja për shkak të detyrës apo bllokimi i rrugës, veprime këto që jo rrallë herë bien ndesh me të drejtat kushtetuese të tubimit publik dhe lirisë së shprehjes. Pra kushdo që do të godasë me vezë ose banane një ministër, deputet apo kryetar bashkie, kushdo që nuk i nënshtrohet dhunës së policit, rrezikon një deri në tri vite burg – nga gjobë deri në dy vite heqje lirie që ishte para ndryshimeve. Po kështu, kushdo që bllokon një rrugë automobilistike, qoftë bujk që derdh shalqinjtë në rrugë a protestues kundër qeverisë, rrezikon nga gjobë deri në tri vite burg. Ashpërsimi i dënimit për bllokimin e rrugëve u pa qartazi si një kërcënim ndaj banorëve protestues të Astirit dhe u zbatua si i tillë, pra si një ligj në kuadër të shtypjes së rezistencës. Ironikisht rezistencës ndaj një projekti që rezultoi aferë korruptive.

Shtatë muaj më vonë, me shfaqjen e Covid-19 në Shqipëri, kryeministri Rama, i vetëm dhe pa ndonjë ekip a platformë të qartë emergjence, urdhëroi futjen në karantinë të mbi dy milionë qytetarëve. Shpejt ai zu të fliste me terma lufte dhe kiameti, ngjashëm me një ajatollah. Masat e ashpra të sigurisë publike ndezën një gjendje të përgjithshme ankthi dhe dhune shtetiste. Në mes të prillit, ai kaloi parlamentarisht një paketë masash ekstreme dënuese për kë thyen rregullat e karantinës. Kushdo që shkel orën policore dënohet me gjobë, nëse e përsërit me gjashtë muaj burgim. Kushdo që kapet duke tregtuar mallra jashtë orarit policor – gjobë deri në dy vite burgim. Kushdo që thyen karantinimin e detyrueshëm – një i kthyer nga jashtë, edhe pse i painfektuar, por që kapet duke blerë cigare – dy deri në tri vite burgim. Masat e mëtejshme shkonin deri në dy, pesë dhe tetë vite burgim. Paradoksalisht kryeministri refuzoi të mbyllte fabrikat e tekstilit dhe këpucëve, të cilat u kthyen në vatra masive infektimesh. Asnjë biznesmen, përjashto gjobat e vogla, nuk u procedua penalisht.

DHUNA POLICORE

Në ndërtim e sipër të këtij artikulli – tek mendoja mbi shfaqjet absurde të blindave ushtarake të pajisur me mitraloza dhe mitraljerë si të ishin në getot e Kandaharit e jo në rrugët pa njerëz të Tiranës – u përballa me pamjet revoltuese të mbi katër policëve që shembnin në dru një pesëmbëdhjetë vjeçar që kish thyer orën policore duke dalë xhiro me biçikletë. Si të ishte një operacion për kapjen e një killeri, tri kalecë e rrëzuan në tokë të riun duke i përthyer krahët, me gjurin te fyti dhe prangat e shtrënguara fort, ndërsa një i katërt e shpulloste vazhdimisht. Këto shfaqje tipike fashiste, pavarësisht moralizimit patetik të Policisë së Shtetit, janë haptazi të nxitura nga vendimet e te gjithëpushtetshmit Rama, i cili shkarkoi shefin e komisariatit nr.1 për shkak të liberalizimit të lëvizjes te Parku i Liqenit. Ky soj i ri dështakësh kokërruar pritet të zëvendësojë këmishët e kaltra. Për ta ilustruar më të gjallë logjikën dhunuese që po përvetëson policia e shtetit, përveç mijëra gjobave, po jap dy shembuj sa revoltues aq edhe qesharakë.

Arbër Stefa, 32 vjeç, stomatolog në qytetin e Beratit, tek dilte të blinte bukë për prindërit, kapet në flagrancë nga shefi i policisë, njëfarë kaubojsi i bërë famoz për sjellje të patolerueshme ndaj qytetarëve, dhunohet, tërhiqet me forcë në komisariat dhe, pas shtatëdhjetë e dy orësh në birucë, lihet i lirë nga togat e zeza të gjykimit. Pamja e të riut tek del nga gjykata – i turbullt, i lodhur, i cili mezi ecën e rëndon në krahët e xhandarëve – nuk shlyhet lehtë nga kujtesa. Pak ditë më vonë, një tetëmbëdhjetë vjeçar nga qyteti i Pogradecit, Firdeus Berberi, i cili festonte ditëlindjen me pije, ushqime dhe muzikë në banesën e tij, i shoqëruar nga dy shokë, arrestohet, dhunohet dhe lihet në burg. Skena, të cilën e tregon e ëma me përpikmëri, është një absurd i denjë për letërsi kafkeske, distopike. Me dhjetëra janë rastet e tilla në dy muaj karantinë.

LUKS DHE ARMATIM

Në zemrën e një katastrofe sociale ku mijëra familje po jetojnë në varfëri të skajshme dhe dhjetëra mijëra punëtorë të industrisë prodhuese e të shërbimeve janë pa punë e pa pagë, qeveria shqiptare gjeti kohën të blinte 196 vetura të reja policore me vlerë mbi 8 milionë euro. 50 fuoristrada për shefat e lartë të policisë dhe 110 vetura për patrullim të përgjithshëm. Kryeministri Rama shtoi se armatimi i policisë e për rrjedhojë shpenzimet publike do të zmadhohen në vazhdim me mjete të teknologjisë së lartë, a thua se lufta ndaj krimit paska qenë çështje mjeti dhe jo çështje vullneti, paraje e lidhjesh politike, ryshfetesh në sistemin gjyqësor dhe në administratën e burgjeve, e cila liron killerë në ditën për diell.

Ndërkohë, 600 policë mbi 55 vjeç do të lirohen nga shërbimi, pak vite përpara daljen në pension dhe kundrejt një gjysmë page, e cila edhe e plotë është e pamjaftueshme për këta kryefamiljarë të varfër. Përçmimi i përsëritur i Ramës ndaj policëve të vjetër e me përvojë në detyrë dhe zëvendësimi i tyre me rrula të rinj, kokërruar e të dhunshëm, është një dëshirë prej fashisti që po e shtyn drejt realizimit. Jo veç për çështje estetike, por për të përballuar revoltat e mundshme sociale. Interesante në lirimin nga detyra kundrejt gjysmë page për 600 oficerët e vjetër është fakti se kjo farë rroge ka detyrimet e veta. Këta oficerë do të jenë rezervistë, pra do të paraqiten në detyrë në situata të jashtëzakonshme si dhe do të luajnë rolin e informatorëve në komunitetin ku jetojnë. Jo më kot që prej ardhjes së Ramës në krye të pushtetit ekzekutiv, numri i informatorëve me pagesë është rritur me hapa të shpejtë.

Kjo është pra historia e policisë nën sundimin e Ramës. Një histori e dhunës, luksit, korrupsionit, lidhjeve me bandat kriminale dhe e kthimit të policisë në një përbindësh të vogël për nënshtrim të brendshëm politik.

Imazhi: Voice of America

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.