BUKA E POPULLIT
Drejtësia është buka e popullit.
Herë është e bollshme, herë është e mangët.
Herë ka shije të mirë, herë ka shije të keqe.
Kur buka është e mangët, mbizotëron uria.
Kur buka është e prishur, mbizotëron pakënaqësia.
Larg nga drejtësia e keqe!
E pjekur pa dashuri, e brumosur me dyshim!
Drejtësia pa erëza, me koren e saj gri!
Drejtësia bajate, që vjen shumë vonë!
Kur buka është e mirë dhe e bollshme
pjesa tjetër e vaktit mund të falet.
Nuk mund të jenë të gjitha njëherësh me bollëk.
Të ushqyerit me bukën e drejtësisë
mundëson punën
nga ku buron bollëku.
Ashtu siç nevojitet buka e përditshme,
nevojitet edhe drejtësia e përditshme.
Po ajo nevojitet disa herë në ditë.
Nga mëngjesi në darkë, gjatë punës dhe gjatë zbavitjes.
Gjatë asaj pune që është zbavitje.
Në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura
populli ka nevojë për bukën e shëndetshme
të bollshme dhe të përditshme të drejtësisë.
Miq, meqë buka e drejtësisë ka rëndësi të veçantë
kush do ta pjekë atë?
Kush i pjek bukët e tjera?
Ashtu si bukët e tjera
edhe buka e drejtësisë
duhet të piqet nga populli.
Me bollëk, e shëndetshme, e përditshme.
***
I VARFRI
Qielli është gri
Anës lumit
ecën një i varfër.
Ai nuk fiton gati asgjë.
Ai nuk ha.
Ai nuk ka strehë.
Ai nuk mund të jetë zemërgjerë.
Ai dridhet si qen.
Ai nuk është zemërbutë.
Ai nuk ka shokë.
Ai i ka këpucët shollë.
Ai është sëmurë.
Ai është kriminel.
Ai nuk fiton gati asgjë.
Ai ecën anës lumit.
Qielli është gri.
***
ÇFARË KA NDODHUR?
Pronari i fabrikës lejon që t’i parakalojnë avionin.
Prifti mendon çfarë ka predikuar mbi normën e interesit tetë javë më parë.
Gjeneralët kanë veshur rroba civile dhe duken si bankierë.
Nëpunësit publikë në zyra tregohen miqësorë.
Polici i tregon drejtimin dikujt me kapelën e tij.
Pronari i shtëpisë po kontrollon nëse sistemi i ujit funksionon.
Shkruesit e gazetave e shkruajnë fjalën popull me të madhe.
Këngëtarët këndojnë falas në opera.
Kapitenët e anijeve kontrollojnë ushqimin në kuzhinën e skuadrës.
Pronarët e makinave ulen pranë shoferëve të tyre.
Doktorët akuzojnë sigurimet.
Fermerët e mëdhenj shpërndajnë patate nëpër kazerma.
Revolucioni ka fituar betejën e parë:
Kjo ka ndodhur.
***
KËTË DUA T’JU THEM
Pyes veten: përse të flasësh me ju?!
Ju blini dijen për ta shitur.
Ju doni të dini se ku ka dije më të lirë
që ta shisni më shtrenjtë.
Përse nuk doni të dini,
çfarë flet kundër blerjes dhe shitjes?
Ju doni të fitoni
kundër luftës nuk doni të dëgjoni fare.
Ju nuk doni të shtypeni.
Ju doni të shtypni.
Ju nuk doni progresin.
Ju doni avantazhin.
Ju identifikoheni me këdo
që premton t’u bindet urdhrave tuaja.
I përktheu nga origjinali Alban Pira
Imazhi: Fundación Juan March
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)