/Arlind Qori/
Kalimi pa dhunë i zgjedhjeve të kontestuara lokale u prit me një farë çlirimi nga shumëkush që i frikohej seriozisht përplasjeve të dhunshme shoqërore. Po tani, me kalimin e kohës së mjaftueshme, lind nevoja për një reflektim të qetë mbi të sotmen dhe të ardhmen politike të shoqërisë shqiptare.
E nisim me atë që mund të quhet dështimi i hatashëm strategjik i partive opozitare në Shqipëri. Prej shkurtit të këtij viti – të motivuar nga madhështia e protestës studentore – PD dhe LSI tentuan ta kalëronin zemëratën dhe entuziazmin që solli në shoqëri një lëvizje e tillë. Menjëherë, ato u vetidentifikuan si forca sistemore antisistem, duke menduar se me dy gjeste të pahasura më parë, si ai i dorëzimit të mandateve dhe i bojkotimit të zgjedhjeve lokale, do të shndërroheshin në pararojën politike të një fronti të gjerë shoqëror ku mblidheshin të gjitha rrëketë e pakënaqësisë popullore. Mirëpo, ndonëse të goditura si gjeste në vetvete, këtyre dy hapave u mungonin dy komponentë jetikë: besueshmëria publike e subjekteve që i hidhnin dhe strategjia e mirëmenduar politike.
PD dhe LSI (si parti e dalë nga një brinjë e PS) janë bashkëthemeluese, së bashku me PS, të rendit ekonomiko-politik tredekadësh në Shqipëri.
Këtu lind nevoja e një digresioni. Bëhet fjalë për një rend ku – për shkak të karakterit periferik dhe joproduktiv të kapitalizmit – mbisundon ortakëria thellësisht abuzive midis elitës ekonomike dhe burokracisë politike. Mungesa e investimeve prodhuese dhe produktiviteti relativisht i ulët i punës kanë bërë që burim kryesor i akumulimit të mos jetë shfrytëzimi modern i punës, por uzurpimi i të përbashkëtave: hapësirë publike, lumenj, vijë bregdetare, burime të nëntokës, pyje etj. Në këto kushte, ngjashëm me marrëdhëniet midis borgjezisë së hershme tregtare dhe zotërinjve feudalë, ata që sot quhen oligarkë dhe burokracia e lartë politike kanë ndërtuar një sistem simbiotik të dhënies e marrjes. Poshtë tyre, shtrihet një det i gjerë të papunësh, kandidatësh të përditshëm për emigrim, të vetëpunësuarish të pastabilizuar e të varfër, fshatarësh me pak tokë dhe punëtorësh të paktë të manifakturave të hallkës së fundit të zinxhirit të vlerës së shtuar. Ky është terreni më pjellor i klientelizmit.
Në këtë kuptim, PD dhe LSI nuk janë vetëm bashkëndërtuese të këtij rendi, por edhe parti që – njëlloj si PS – mbahen në këmbë vetëm si rezultat i kombinimit të një rrjete shumëfijëshe klienteliste dhe nxitjes së emocioneve identitaro-historike të mbështetësve të tyre. Kësisoj, tentativa e partive opozitare për të fituar në pak muaj besimin publik të shkatërruar për thuajse tri dekada do të ishte e dështuar në çdo rrethanë të mundshme. Këtë dështim do ta bënte edhe më të pashmangshëm fakti që grupi drejtues i këtyre partive është pothuajse i njëjti, kurse qasja e tyre programore nuk bën gjë tjetër veçse riprodhon pa kurrfarë fantazie dogmat e kapitalizmit neoliberal. Jo më kot, çdokush mund ta vinte re hendekun e thellë midis simbolikës gati revolucionare të PD dhe veprimtarisë së tyre. Dukeshin, njëfarësoj, si Che Guevara që vinin në vendtakimin e revolucionit me makina dhjetëra mijëra euroshe.
Rezultat i kësaj gjendjeje nuk ishte tërheqja e popullit në frontin opozitar, por rirreshtimi tradicional i mbështetësve të partive. Nëse 7-8 muaj më parë partive u kishin mbetur vetëm mbështetësit më fanatikë, pas ashpërsimit të kontradiktave mes tyre duket se secila ia arriti të rifusë në vathë shumicën dërrmuese të mbështetësve tradicionalë. Gjithnjë në emër të së keqes më të vogël, që në rastin shqiptar çon ujë në mullirin e qeverisë. Kur bëhet llogari në emër të së keqes më të vogël, mbështetësit tradicionalë e identifikojnë atë te partia e tyre dhe fiton ajo parti që historikisht ka qenë më e madhe dhe e organizuar se rivalja e vet: PS. Kësisoj dita e zgjedhjeve lokale në vend se të perceptohej si plebishit kundër sistemit partiak, makar edhe kundër një qeverie që po kthehet në regjim, përfundoi si dita kur pjesa më e madhe e qytetarëve u rindanë midis partive.
Nga ana strategjike, opozita dukej se nuk ishte kurrë e qartë nëse po luante blofin apo kishte në plan seriozisht t’i ashpërsonte kontradiktat politike deri në përplasje të fortë. Mendja ta do të ishte e para, pasi, si pasanikë që janë vetë dhe të mbështetur në një pjesë të oligarkëve, opozitarët zor se do të kishin ndër mend të rrezikonin gjithçka. Blofi është i rrezikshëm për atë që e luan, nëse del huq. Sot, pasi premtoi revolucion e përmbysje sistemore, PD është katandisur në një parti që nuk di si të përligjë qëndrimet dhe veprimet e saj disamujore. Dhe, ç’është me e rëndësishmja, nuk ka asnjë ide se si mund ta rishpikë veten në të ardhmen e afërt.
Gjithsesi opozita e sotme ka në dorë çelësat e kashtës. Problem kryesor mbetet partia e cila jo vetëm ka në dorë të gjitha degët qendrore dhe lokale të pushtetit politik, por edhe po shndërrohet me shpejtësi në partneren kryesore të oligarkisë ekonomike. E meqenëse nuk bëhet fjalë për një parti me ndofarë organizimi demokratik, por me kult të fortë të udhëheqësit dhe rreshtim të verbër të burokracisë së lartë partiake me të, PS e sotme dhe Edi Rama janë duke avancuar drejt një autokracie që nuk pyet më as për formalitetin e të drejtave dhe lirive që kanë gëzuar qytetarët shqiptarë dekadat e fundit.
Po që ramizmi të shndërrohet mirëfilli në putinizëm duhet të plotësohen tri kushte: 1. Burokracia politike qeverisëse duhet të ketë unitet të fortë të brendshëm; 2. Aparatet e dhunës (ushtria, policia, shërbimi informativ) në dorë të saj duhet të jenë të fuqishme. 3. Oligarkia ekonomike duhet të jetë e përçarë dhe e dobët mjaftueshëm që të pranojë hegjemoninë politike të burokracisë politike në emër të sigurisë së përfitimeve ekonomike të momentit. Hë për hë, kushti i parë plotësohet, i dyti jo, kurse për të tretin diskutimi është kompleks. Në njërën anë, Rama – jo thjesht personalisht, por edhe si personifikim i burokracisë politike shqiptare – është i ndrojtur deri edhe sejmen në raport me oligarkët. Mirëpo rivaliteti i brendshëm se kush fiton më shumë tendera, koncesione e PPP nga qeveria sjell përçarje në radhët e oligarkëve, shpërndarje të mbështetjes së tyre te të gjitha partitë dhe dobësimin e tyre në bllok në raport me qeverinë.
Rama kërkon dëshpërimisht të krijojë përshtypjen e një lideri që qeveris me dorë të fortë në emër të një shteti të rreptë. Veçse si në çdo tentativë autoritariste të vendeve periferike, edhe ky i Ramës nuk ka vetëm aspektin e vet dramatik – që e ndjejnë në kurriz qytetarët e thjeshtë në përballjen e tyre të përditshme me abuzimet e administratës shtetërore – por edhe atë komik. Në fakt Shqipëria nuk mund të ketë një shtet të fortë për sa kohë nuk ka një ekonomi prodhuese dhe administrata është e përshkuar tejpërtej nga logjika klienteliste. Mund të veshësh militantët e partisë me uniformë të bukur policie, t’u japësh edhe një shkop në dorë, por ata do të mbeten ekzekutues difektozë të vullnetit politik. Mund të shesësh mend se po përmirëson kapacitetet administrative për të zbuluar vetë pastaj se nga mosrealizimi i planit në tatime buxheti i shtetit ka 30 milionë euro mangët. Forma – për një artist në tentativë si Rama – nuk është shprehje e përmbajtjes, por mbuluese dhe antitezë e saj. Prandaj shteti që ai kujton se po ndërton është prej letre, i bllokueshëm nga një protestë autentike studentore dhe i rrëzueshëm me pak sforcim organizativ në shoqëri.
Vijmë tani në momentin strategjik: ç’duhet bërë?
Së pari, që është e lehtë fare, por bazë e çdo veprimtarie politike efektive: Çdo njeri i ndershëm duhet të heqë dorë nga iluzioni se njëra prej partive është më pak e keqe se tjetra. Çdo qeveri është më e keqe se paraardhësja sepse thellon të keqen që ka lënë ajo në gjysmë të rrugës. Përveç kësaj, këmbëngulja te njëra prej partive sjell automatikisht tëhuajësimin e shumë të tjerëve që nuk duan t’ia shohin sytë këtij rendi, por u erren sytë sa shohin rivalët e partisë që kanë mbështetur tradicionalisht.
Së dyti, është i nevojshëm ndërtimi i një lëvizjeje shoqërore të përbërë nga sindikata të reja, organizata, shoqata, grupime e qytetarë të cilët i bashkon jo vetëm kundërvënia e sinqertë ndaj këtij rendi ekonomiko-politik, por edhe një program minimal. Për shembull mund të bihet dakord lehtë në parim për thellimin e karakterit të drejtpërdrejtë të demokracisë, ndalimin e PPP e koncesioneve, rrëzimin e ligjeve skandaloze si ai i arsimit të lartë, respektimin e të drejtave bazë në punë etj. Përtej kësaj përbashkësie, diferencat programore dhe ideo-politike të përbërësve të ndryshëm të lëvizjes së re shoqërore do të duhej të shërbenin si ushqyese të një gare të ndershme se kush e çon më përpara mendimin shoqëror dhe trajtat e organizimit të shumësisë.
Së treti, lypet fillimi i punës për ndërtimin e një infrastrukture organizimi demokratik paralel. E quajmë dypushtet, po deshëm, apo edhe shtet paralel. Kjo do të thotë se në vendin e punës, atë të shkollimit, në vendbanim apo në çfarëdo vendi tjetër ku njerëzit mblidhen rregullisht, duhen ndërtuar sa më parë forma vetorganizimi, të distancuara dhe në kundërvënie përmbajtësore me pushtetin politik aktual. Një sindikatë e re punëtore është një hap drejt vetëqeverisjes në vendin e punës. Një union studentor trondit themelet e çifligarizmit universitar. Mbledhjet e banorëve të një pallati apo lagjeje nxjerrin jashtë loje një pjesë të administratorëve zyrtarë.
Së katërti, po hiç më pak e rëndësishme, na duhet guxim dhe imagjinatë. Guxim jo vetëm për të vepruar pa marrë në sy rrezikun, por edhe për t’i hedhur sytë e mendjes jashtë burgut ideologjik ku na kanë shtënë pa e kuptuar. Imagjinatë jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të tjetra, por edhe në evidentimin e formave të shfrytëzimit, shtypjes e tëhuajësimit për të cilat ende nuk jemi të vetëdijshëm.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).