/Robert Greene II/
Në Verën e Kuqe të vitit 1919 Amerikën e goditi dhuna raciste, ndërsa gripi spanjoll pothuajse e shkatërroi të gjithë vendin. Sot Shtetet e Bashkuara, të goditura nga pandemia, po përballen me protesta masive kundër vrasjeve nga policia dhe duket se vendi mund të jetë duke jetuar tani në një Pranverë të Kuqe.
Një valë dhune raciste kundër afro-amerikanëve ka goditur Shtetet e Bashkuara. Në të gjithë vendin, afro-amerikanët dhe organizatat e majta po përpiqen të organizohen, si dhe t’i përgjigjen sulmeve. Ndërkohë pandemia po shkatërron vendin dhe botën. Krizat ndërkombëtare kërcënojnë më tej përçarjen e vendit.
Kjo ishte situata në verën e vitit 1919.
Shtetet e Bashkuara u pushtuan nga trazirat e “Verës së Kuqe”, ku qindra afro-amerikanë u vranë në qytete të ndryshme. Shumë prej trazirave ishin pogrome kundër njerëzve me ngjyrë, të organizuara si kundërpërgjigje ndaj kërkesave në rritje për të drejta civile, të drejta në punë dhe strehim të përshtatshëm. E gjithë kjo erdhi teksa vendi përpiqej të kthehej në një ekonomi paqeje mes pasigurisë ndërkombëtare dhe pandemisë së gripit – e njohur gjerësisht si “Gripi Spanjoll” – që rrënoi vendin. Në fund , 675,000 amerikanë do të vdisnin nga gripi, midis mbi 50 milionë vdekjeve në të gjithë botën.
Historianët priren të thonë se historia nuk përsëritet. Por në këtë rast duket sikur po ndodh.
Kur nisa ta shkruaj këtë artikull përpara një jave, anembanë vendit njerëzit ishin të revoltuar nga vrasja përpara kamerave e një afrikano-amerikani. Në fillim të këtij viti Ahmaud Arbery u qëllua dhe u vra, ndërsa kishte dalë për vrap, në qytetin Brunsvik të Xhorxhias së jugut. Vrasësit e tij u thanë autoriteteve që kishin frikë se Arbery i përshtatej përshkrimit të një hajduti vendas dhe argumentuan se ata thjesht po vetëmbroheshin sipas ligjit të Xhorxhias ,një argument i mbështetur nga prokurori i rrethit, i cili nuk pranoi ta ndiqte çështjen. (Policia më vonë arrestoi dy burra, duke i akuzuar për vrasje dhe sulm me pasoja të rënda.)
Që atëherë, në një kohë mjaft të shkurtër, vrasje të tjera afro-amerikanësh – burra e gra – nga policia kanë ndezur një debat të fortë mbi racizmin dhe policinë. Të enjten në Mineapolis protestuesit shkatërruan një stacion policie pas vrasjes së një njeriu me ngjyrë dyzet e gjashtë vjeç, George Floyd-it, dhe shtatë persona u qëlluan në Luisvil gjatë protestave pas vrasjes së një gruaje njëzet e gjashtë vjeçare, Breonna Taylor, nga policë pa uniformë. Të premten dhe të shtunën shpërthyen demonstrata në të gjithë vendin, ndërsa në Mineapolis vazhduan përleshjet.
Vrasjet e filmuara të kujtojnë në mënyrë shqetësuese fotografi të shumta të linçimeve të hapura anembanë vendit në fillim të shekullit XX. Disa syresh u kataloguan nga NAACP* dhe u shfaqën si shembuj të brutalitetit dhe barbarisë amerikane. Sidoqoftë të tjerat u shfaqën në kartolina dhe iu dërguan amerikanëve në të gjithë vendin, xhingla të vogla të terrorit të bardhë.
Vala më e përgjakshme e dhunës gjatë Verës së Kuqe u zhvillua në Elein të shtetit të Arkansasit, pasi gjysmatarët afro-amerikanë u përpoqën të organizohen. Përballë kundërshtimit shkatërrimtar të pronarëve dhe thashethemeve të vazhdueshme të nxitura nga shtypi vendas se afro-amerikanët po organizoheshin për të vrarë njerëz të bardhë, gjysmatarët e zinj u ngacmuan dhe më pas u vranë nga ushtarë e paramilitarë. U masakruan të paktën dyqind njerëz – burra, gra dhe fëmijë; numri i saktë nuk duhet as sot.
Vdekja e Arbery-t është pasqyrim i kësaj trashëgimie të racizmit të bardhë dhe përsëritja e fundit e përpjekjes raciste për të kontrolluar lëvizjen dhe punën e njerëzve me ngjyrë. Vetë ideja se ku duhet e ku nuk duhet të ndodhet një person i zi ka qenë thellësisht politike, e rrënjosur në hierarkitë raciste.
Vendndodhjet e vrasjeve të fundit lidhen gjithashtu me luftërat e së kaluarës afro-amerikane. Brunsviku ndodhet në vijën bregdetare të Xhorxhias, afër Brezit të Zi – një rajon kryesisht afro-amerikan i famshëm për tokën e tij të pasur.
Në vitet ’20 dhe ’30, komunistët si Harry Haywood-i argumentuan se rripi shumështetësh i tokës ishte një “komb me një komb”, ku njerëzit e zinj kishin të drejtën e vetëvendosjes, njëlloj si lëvizjet e tjera për pavarësisë. Frika e supremacisë së bardhë nga liria e njerëzve me ngjyrë nxiti gjatë Verës së Kuqe dhe dekadave pasuese përpjekjet për të shtypur lëvizjet afro-amerikane, të cilat shpesh ishin të lidhura me të majtën.
Në veri, vdekja brutale e George Floyd-it ndodhi në Mineapolis, një qytet që i pëlqen të krenohet për liberalizmin e tij racor, por, si shumë zona urbane progresive në Amerikë, ka një histori thellësisht të ndërlikuar të dhunës policore.
Më 1948 kryetari i bashkisë së Minneapolisit Hubert Humphrey deklaroi se kishte ardhur koha që Partia Demokratike të “dilte nga hija e të drejtave të shtetit dhe të ecte drejt e në dritën e diellit të të drejtave të njeriut”. Megjithatë nga viti 2009 deri në vitin 2019 afro-amerikanët përbënin 60 për qind të viktimave të të shtënave të policisë në Mineapolis. pavarësisht se përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë së qytetit.
Vdekja e Breonna Taylor-it në Luisvil të shtetit të Kentakit në duart e policisë ka tërhequr më pak vëmendje se vdekja e Arbery-t dhe Floyd-it, por është po aq e rëndësishme… Luisvili ka të kaluarën e vet të përçarjeve raciste. Përpjekja e Anne dhe Carl Braden-it më 1954 për të ndihmuar Andrew dhe Charlotte Wade-in, një çift afro-amerikan, të blinin një shtëpi në periferinë e pasur prodhuan akuza për simpati komuniste dhe, në rastin e Carl Braden-it, një dënim për trazira.
Sot, ndërsa protestuesit vërshojnë rrugëve në Luisvil e gjetkë, të ngarkuar me këtë histori, ata po luftojnë edhe me pandeminë e COVID-19 që – për shkak të politikave të shtrëngimit dhe mjerimit ekonomik – po godet fort veçanërisht afrikano-amerikanët. Thirrja “Black Lives Matter” ka marrë një ton të ri dhe rrënjësisht urgjent.
Në vitin 1919 afro-amerikanët u përpoqën, në vende të ndryshme, të kundërpërgjigjeshin gjatë Verës së Kuqe. Në vitin 2020 demonstruesit në Mineapolis dhe në mbarë vendin po përpiqen të rrëzojnë një rend shoqëror racist.
Me sa duket, tani po jetojmë në një Pranverë të Kuqe.
Shënime:
*NAACP (National Association for the Advancement of Colored People) – Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë ka si mision arritjen e barazisë ekonomike, politike, arsimore, sociale të të drejtave në mënyrë që të eliminohet diskriminimi ndaj personave me ngjyrë.
E përktheu Ariela Zeneli
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: AP