Përtej flamingove: historia e një revolte në rritje

/Ariela Zeneli/

Reflektimet e mia mbi atë që shumëkush e ka quajtur “Revolucioni i Flamingove” janë dialektike, sepse kemi të bëjmë me një ngjarje që e tejkaloi shpejt shkakun e saj fillestar. Për të pasur kthjelltësi do të duhej që kjo betejë të përfundonte, por kontradiktat shoqërore janë bërë të pashmangshme. Këto rreshta po shkruhen mes dëshirës për t’ua treguar këtë përvojë aktivistëve jashtë Shqipërisë dhe entuziazmit për të marrë megafonin, për t’u nisur në protestë dhe për të thirrur: “Shqipëri e re!” Jo sepse e reja ka ardhur, por sepse, pas shumë kohësh, të rinjtë po imagjinojnë mundësinë e një shoqërie të re.

Si nisi?

Në historinë relativisht të shkurtër të pluralizmit politik shqiptar, qytetarët shpesh janë përshkruar si apatikë, të lodhur, të dorëzuar para padrejtësive dhe pushtetit. Megjithatë revoltat nuk shpërthejnë gjithmonë atëherë kur ne duam apo presim.

Më 30 maj 2026, në një protestë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Pishë Poro–Nartës, një qytetar u tërhoq zvarrë nga forcat private të sigurisë, ndërsa policia e shtetit vështronte pa ndërhyrë. Kjo skenë (e përhapur në rrjete sociale nga filmimet e aktivistëve të Lëvizjes BASHKË dhe/ose aktivistëve të tjerë) pati më shumë vlerë se çdo deklaratë politike dhe akumuloi mllef tek njerëzit ndaj kësaj padrejtësie. Kurrë më shumë se në atë moment gardhi nuk personifikoi një ndarje aq të qartë. Policia dhe qytetarët (e pambrojtur) nga njëra anë dhe dhuna e kapitalit në anën tjetër. Ajo ishte përpjekja e parë për të mbrojtur “të përbashkëtën”.

Siç argumenton Hannah Arendt, momentet revolucionare lindin kur qytetarët pushojnë së qeni spektatorë dhe hyjnë në jetën publike si aktorë politikë. Në këtë kuptim, flamingot u bënë simboli i fillimit të lëvizjeje shoqërore dhe radikale. Reagimi i kryeministrit ishte ai i një pushtetari që ndjen se toka po i lëviz nën këmbë. Një ditë protestuesit ishin “vetëm 2 mijë vetë”, një ditë tjetër projekti nuk ekzistonte, më pas që nuk tërhiqej nga projekti sepse ishte investim prej 4 miliardë dollarësh. Mes deklaratave kontradiktore dhe mitingjeve paralele me bluza të stampuara me flamingo, pushteti dukej se po përpiqej të kontrollonte narrativën dhe diskursin publik, që tashmë i kishte shpëtuar nga duart.

Si u zhvillua?

Edhe pse flamingot mbetën simboli më i dukshëm i protestës, ajo e tejkaloi shpejt vetveten. Çështja nuk ishte më vetëm mjedisore dhe ajo e mbrojtjes së pronës. Teoricieni David Harvey e përshkruan kapitalizmin bashkëkohor si një proces akumulimi përmes shpronësimit. Sipas këtij koncepti, pasuria akumulohet duke privatizuar atë që dikur ishte e përbashkët. Pikërisht këtë panë shumë njerëz në Zvërnec: një lagunë, një bregdet, një pasuri natyrore dhe publike që po kthehej në pronë private dhe po bëhej pjesë e pazareve të oligarkëve globalë dhe lokalë. Duket sikur kjo protestë është edhe një orvatje kundër politikave neoliberale. Për më shumë se tre dekada, shqiptarëve ju është premtuar se zhvillimi do të vinte përmes privatizimeve, investimeve të mëdha dhe tërheqjes së investimeve të huaja. E gjithë kjo pritje me emrin tranzicion u duk si një dimër i madh dhe i pafundëm.

Në këtë kuptim, kjo gjeneratë po kërkon jo thjesht dorëheqjen e Edi Ramës, por ndryshim rrënjësor dhe përmbysje të sistemit. Ata e kanë kuptuar se ndryshimi i liderëve politikë ka qenë rotacion fytyrash, por nuk ka ndryshuar modelin e qeverisjes dhe ekonomisë. Rama dhe Berisha janë dy anët e së njëjtit sistem të korruptuar. Prandaj, një nga sloganet më të brohoritura nga mijëra protestues është: “Rama në burg, Berisha në burg!

Tanimë kontradiktat janë mëse të qarta. Nga njëra anë qëndron dhuna e interesave private dhe globaliste, e mbështetur nga pushteti politik dhe nga bindja se gjithçka mund të blihet e të shitet. Nga ana tjetër qëndron fuqia e qytetarëve që mbrojnë territorin, pronën, natyrën dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Ata kanë gardhet, lejet, policinë dhe kapitalin. Ne kemi solidaritetin, vendosmërinë dhe bindjen se pasuritë publike nuk janë mall për t’u shitur apo për t’u falur.

Opozita partiake dhe kufijtë e saj

Në fillim, partia më e madhe opozitare nuk ishte kundër projektit. Përkundrazi, ishte kundër protestave. Kjo tregoi edhe një herë se dallimet mes dy poleve kryesore të sistemit politik janë shpesh më të padukshme sesa duken. Parulla “Rama në burg, Berisha në burg!” shprehu pikërisht këtë ndjenjë: zemërimi nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë kastës politike që ka qeverisur Shqipërinë gjatë këtyre dekadave. Vetëm pasi protesta mori përmasa të mëdha, opozita e vjetër u detyrua ta mbështesë atë. Megjithatë, ajo mbetet e kujdesshme. Flet për luftë kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, por nuk vendos në pikëpyetje modelin favorizues ndaj oligarkisë ekonomike. Kjo lëvizje që lindi nga poshtë, e organizuar në mënyrë demokratike dhe autonome, dallon qartë se është më shumë sepse sfidon sistemin.

Ku qëndron Lëvizja BASHKË?

Lëvizja BASHKË ka qenë kundër projektit në Zvërnec që prej fillimit. Jo vetëm për arsye mjedisore, por sepse ai përfaqëson një logjikë më të gjerë: shkatërrimin e pasurive publike, dobësimin e komuniteteve lokale dhe përqendrimin e pasurisë në duart e një pakice. Ne nuk besojmë se kjo çështje mund të zgjidhet me negociata kozmetike. Kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës nuk është thjesht kërkesë ndaj një individi, por kundër një modeli qeverisjeje që e trajton territorin si mall dhe qytetarin si skllav të kapitalit spekuativ.

Në të njëjtën kohë, ne po përpiqemi të ndihmojmë në ndërtimin e një lëvizje shoqërore, jo thjesht partiake, me disa parime themelore: luftën kundër oligarkisë dhe grykësisë së pushtetarëve, zgjerimin e të drejtave të punëtorëve, demokracinë pjesëmarrëse, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në vend të mbylljes

Gjithë këto kohë pushtetit i ka interesuar që t’i mbajë njerëzit brenda “shpellës” (siç e quan Platoni), mbijetesës dhe mosbesimit ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që ta kenë më të lehtë kontrollin dhe pushtetin. Ama ne arritëm që të përmbysim këtë logjikë, të mbjellim solidaritet dhe të tejkalojmë veten.

Fytyra e këtij revolucioni janë të rinj, punëtorë, studentë, prindër të shtresës së mesme, vajza apo djem. Të gjithë këta njerëz janë të lodhur nga premtimet e pambajtura, nga valixhja e bërë gati për të ikur në emigrim, nga pasiguria e përhershme dhe mungesa e perspektivës. Këta të rinj janë kreativë, përqeshës ndaj sistemit, por me guxim dhe mllef. Të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të trajtuar si spektatorë, ata kanë kuptuar fuqinë e veprimit kolektiv. Kjo është ajo që shqetëson më shumë “të vjetrit”, sepse ky rend po fillon të lëkundet nga brezi i ri që po imagjinon diçka të re.

Një Shqipëri e Re është e mundur!

Imazhi: Ariela Zeneli

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Shënim: Artikulli është botuar fillimisht në gjuhën angleze për Transform! Europe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *