/Klodi Leka/
Njerëzit më në fund dolën në rrugë. Është e kotë të thuash se janë demokratë, berishistë, të blerë, të shitur e epitete të tjera. Aq më tepër të sillesh me ta si zonjë shtëpie, si kryebashkiaku i Tiranës, që ndihej i bezdisur nga njerëzit e pistë të rrethinave. Apo si qytetarë të kulluar, që nuk do të thotë bash asgjë. Ata janë bashkëjetuesit tanë. Ata janë popull. Në të mirën dhe të keqen e tyre. Ama është interesante të shikosh se kush ndodhet në shesh. Njerëzit e pistë të katundeve, djelmëria e qethur njësh e cepave të qytetit, gratë punëtore të rrethinave, të papunët e periferive, tregtarë të vegjël, ca mikroborgjezë, ca ojëqëistë të djathtë dhe një kope politikanësh të pasuruar përmes pushtetit. Kjo është sociologjia e protestës.
Megjithatë, fjalimet politike nuk u përgjigjen forcave shoqërore që ndodhen aty. S’u dëgjua asnjë grua fasonerie të fliste për punën e rëndë në fabrikë, asnjë çun lagjeje për mungesë perspektive, asnjë qytetar qyteze për listën e borxheve, asnjë fshatar për varfërinë që zbraz fshatrat. S’u fol as për çmimet, për pagat, për tarifat shkollore, për energjinë elektrike. Ajo çka u dëgjua ishte zhurma e zhargonit të zakonshëm: krim, votë, bandë, hashash, ligësi, Spaç, euro-atlantizëm e të tjera. Një fjalor dhe ideologji të përtypura gjer në bezdi, dhe sigurisht të skaduara si alternativë shoqërore. Ato janë koncepte boshe që nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse injorancë politike dhe varfëri ekonomike. Miti i euro-atlantizmit, i hapësirës që çel horizonte mbi botën, simbolizuar prej figurës së ambasadorit të huaj dhe mirëqënies evropiane është në rënie e sipër dhe çka mbetet prej tij po zëvëndësohet prej figurës kolonialiste të ambasadorit ose trampizmit idiot.
Përveç defiçitit ideologjik, prijësit partiakë të protestës nuk kanë legjitimitet politik. Kanë bërë pikërisht këto sjellje të kritikuara kur ishin dje në pushtet. Qeveritarët e sotëm janë vazhdues të t’djeshmëve. Si privatizues në ekonomi, përjashtues në politika sociale dhe dhunues në institucione. Po aq komike është të kërkosh revolucion demokratik me Fatmir Mediun që hodhi një fshat të tërë në erë. Dhe me krerët e tjerë të stërlashtë të përlyer në keqbërje e skandale korruptive. Okupimi i radhës së parë prej kësisoj palaçosh është një gabim që do t’i kushtojë shtrenjtë PD-së. Sepse nuk qarkullon fytyra, njerëz, ide dhe besim publik. Kjo vërehet edhe te riciklimi i kauzave të protestës që nuk janë të krijuara prej saj, si çështja e reformës në arsim, e ligjit të plehrave dhe koncensioneve të dyshimta, ku PD-ja ka heshtur gjatë dhe ka ndihmuar tinëzisht në kalimin e tyre për hir të lidhjeve me kapitalistët përkatës. Pikërisht për këto arsye, PD-ja dhe tërë partitë e tjera nuk japin shpresë dhe prespektivë rimëkëmbëse. Ngaqë nuk dallojnë.
Prandaj, çadra e ngritur në bulevard nuk shenjon asgjë. As për shikuesit pas televizorit. Ajo mund të mbahet edhe me forcë aty. Mund të mbahet edhe me njerëz. Me militantë të sinqertë dhe ëndërrimtarë për t’u bërë drejtorë nesër. Ndoshta do të ketë edhe përshkallëzime të vogla, por jo pjesëmarrje të gjerë popullore. Nuk ka as ngjarjen dhe as premisat për t’u bërë revoltë masive si në Rumani së fundmi, siç reklamohet rëndom, edhe pse pakënaqësia shoqërore ekziston. Ajo çka pritet të ndodhë është krijimi i njëfarë potereje dhe problematizimi ndërkombëtar i saj, dhe në fund, si zakonisht, ulja në tryezë rreth ndonjë burokrati të huaj që ndihmon në ndarjen paqësore të plaçkës së luftës. Kjo është e gjitha. S’ka asgjë më tej. Shumë zhurmë për për ca kompromise të vockla dhe një grusht votash.
Në këto kushte, tri veprime janë themelore: 1. Refuzimi i kësaj lufte, ku nuk artikulohet asnjë ideal i vërtetë për të luftuar, veç zgjedhjeve pa zgjidhje, pra elektoralizma që riciklojnë të vjetrën. 2. Është koha të tërhiqemi prej sistemit elektoral, të mos paraqitemi në kutinë e votimit, të gjymtojmë votën dhe t’i sabotojmë në çdo hap. 3. Të hidhemi në popull, të flasim më seriozisht me njerëzit, në hyrje fabrikash, nëpër lagje, në rrethe miqësore dhe shkollore, të krijojmë retorikë me arsye dhe poezi, t’i thërrasim klasës së poshtme dhe të mesmes së ulët, të zgjohemi prej gjumit, prej kafes, prej egos, dhe ta rikthejme demokracinë aty ku buron: në zemrat e njerëzve dhe në rrugë të qytetit. Refuzimi total dhe ndërtimi i hapësirave të reja botëkuptimore është e vetmja alternativë aktuale lirie.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).