Përpjekje për të qeshur me dhimbje!
/Jani Marka/
Reforma në energjetikë do të jetë e dhimbshme, reforma në shëndetësi do të jetë e dhimbshme, reforma në arsim do të jetë e dhimbshme, reforma në pensione do të jetë e dhimbshme, reforma në ekonomi dhe buxhet do të jetë e dhimbshme. Të gjitha këto, të thëna herë nga Kryeministri, herë nga ministrat e qeverisë.
Ta dinim që Rilindja do kishte sjellë kaq dhimbje, mbase mund të votonim ndonjë alternativë tjetër. Jo, larg qoftë, prapë Berishën, jo, absolutisht jo!
Po për kë është e dhimbshme reforma? Përse duhet të jetë e dhimbshme reforma? Po sikur të ishte e padhimbshme, apo qoftë edhe e gëzueshme çfarë të keqe do të kishte, apo çfarë të mire?!
Për shembull, reforma e dhimbshme në shëndetësi do të jetë e dhimbshme për pacientët, të cilët do shndërrohen në klientelë, tashmë formale, duke paguar më tepër si në spitale shtetërore, ashtu edhe në ato private, apo do jetë e dhimbshme për pjesën e mjekëve të korruptuar, të korruptuar por edhe të pangopur, apo e dhimbshme për menaxherët e tenderave të pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve?
Po te reforma e pensioneve e kujt është dhimbja? E buxhetit, e biznesit që mund të paguajë siguracione më të larta, apo e punonjësve që do duhet të punojnë më shumë vite dhe të paguajnë kontribute më të larta? Po mirë, po në këtë rastin e fundit a nuk duhet të ishte gëzim po të punoje ca vite më tepër? Apo tanimë, puna nuk është më gëzim, por shfrytëzim e robërim, e njerëzit mezi presin të dalin në pension, hiq zyrtarët e lartë të shtetit, dhe kjo nuk dihet pse!?
Po dhimbja e reformës në arsim e kujt është? E studentëve, të diplomuar ose jo, të zhvatur nga tarifa të kripura dhe të mashtruar në cilësi, apo e pronarëve të universiteteve që po ju bllokohet fitimi abuziv për të ardhmen? Se ende nuk është dëgjuar për konfiskime të pasurive të tyre; fitime të kryera nga zhvatja e familjeve shqiptare, familjeve arsimdashëse nga njëra anë, por edhe familjeve viktima të sistemit të vlerave të shoqërisë shqiptare nga ana tjetër.
Këtu duhet përmendim edhe rolin e opozitës dhe përgjegjësinë e saj në të shkuarën. Çfarë bëri Partia Socialiste gjatë 8 viteve në opozitë për të parandaluar këtë degjenerim të arsimit të lartë, siç edhe ajo vetë po na i paraqet sot? Asgjë. Por, opozitat nuk mund të shfajësohen, duke thënë se kanë në dorë vetëm fjalën e lirë, se për ndryshe i bie që opozita është thjesht një dublim i medias. Jo, opozitat, së pari, duhet të qëndrojnë fort për të parandaluar pozitën për të qeverisur në mënyrë shkatërruese. A mbani mend ndonjë protestë të Partisë Socialiste gjatë kohës në opozitë për të parandaluar degradimin e sistemit arsimor dhe ati shëndetësor? Jo, ata protestonin vetëm për çështje që kishin lidhje vetëm me marrjen e pushtetit, duke e shndërruar këtë fundit qëllim në vetvete.
Po kthehem edhe një herë tek dhimbja. Nëse do na dhembë të gjithëve, kujt do t’i dhembë më shumë: shtresës së varfër, shtresës së mesme, apo shtresës së pasur dhe shumë të pasur? Kur them “kujt do i dhembë me shumë”, kjo duhet trajtuar në dy këndvështrime, apo perceptime, në njërën anë perceptimi i brendshëm, pra si ndihet dhimbja nga brenda, dhe në anën tjetër perceptimi nga jashtë, se si e perceptojnë dhimbjen tënde të tjerët; për shembull ka gjasa që dhimbja e brendshme e biznesit në rast se do iu rriten taksat të jetë më e madhe sesa ajo që perceptohet nga publiku jashtë, dhe anasjelltas për shtresën e varfër, nëse iu shtrenjtohet buka e përditshme për shembull, dhe kjo sepse tek e fundit kjo shtresë jeton përditë me dhimbje, dhe një çikë dhimbje më shumë nuk përbën diferencë.
Megjithatë, nëse dhimbja prek pjesë të popullsisë që janë brenda sistemit të vlerave, atëherë lind pyetja se përse një qeveri duhet t’u ofrojë dhimbje? A nuk është detyrë e qeverisë të pakësojë dhimbjen? Po mirë, ndoshta dikush mund të thotë që po nuk hoq masa tumorale, e cila shkakton dhimbje, rrezikohet i gjithë trupi. Në rregull, të hiqet masa tumorale, por me anestezi, dhe jo me metoda kasapi. Për shembull në shumë institucione shtetërore bëhen reforma, strukturore thonë, dhe lirohen masa njerëzish nga puna. A ka menduar ndonjëherë Kryeministri për dhimbjen që iu shkaktohet familjeve që jetonin me rrogën e të larguarit nga puna?
Ndërsa, nëse dhimbja do të prekë pjesën e antivlerave të shoqërisë – si të shumëkorruptuarit, mafiozët, megahajdutët, fitimin makut të biznesit në kurriz të punëtorit, të papunit dhe publikut, etj – atëherë ajo nuk ka as nevojë të përmendet si dhimbje, pasi është detyrë.
Në përfundim, përderisa qeveritë na propozojnë vazhdimisht reforma të dhimbshme, një ditë si rezultat i daljes së dhimbjes nga kontrolli, do vijë edhe revolucioni, i cili, natyrisht edhe ai, fillimisht do jetë i dhimbshëm.
PS1: Nuk dihet nëse reforma në drejtësi do të jetë e dhimbshme apo jo?!
PS2: Sidoqoftë kam edhe unë për të propozuar nja dy reforma, por nuk e di nëse do jenë të dhimbshme apo jo! E para, të rritet tatimi i fitimit për bizneset dhe kompanitë e mëdha mbi masën 30%. Dhe e dyta ka të bëjë me pagat në sektorin buxhetor, ku së pari paga më e lartë të jetë 150,000 lekë në muaj dhe së dyti të ndalohet dy punësimi; asnjë buxhetor të mos paguhet nëse merr pjesë në borde, këshilla apo ente shtetërore apo edhe private; nëse nuk ka intelektualë që të marrin pjesë vullnetarisht dhe falas në këto borde shtetërore, atëherë mund të krijohet agjencia kombëtare e bordeve me individë që iu paguhet një rrogë e plotë duke marrë pjesë në disa borde njëherazi.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.