Përpjekja e naftëtarëve dhe shoqëria shqiptare

/Jani Marka/

Intervistë dhënë gazetarit Flori Qyqja

Z. Marka përshëndetje, po dëgjojmë që kohët e fundit naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në grevë urie. Cilat janë kërkesat e tyre?

Në të vërtetë është hera e dytë brenda vitit që naftëtarët e Ballshit detyrohen të ndërmarrin aktin ekstrem të protestës dhe të hyjnë në grevë urie. Kërkesat e tyre themelore janë dy: e para ka të bëjë me marrjen e pagave të prapambetura, të cilat tashmë kanë arritur në 28 paga dhe së dyti rifillimin e punës në rafineri, e cila qëndron e mbyllur prej një viti.

Si arritën në këtë vendim dhe filluan këtë formë proteste? Janë munduar të gjejnë zgjidhje para se të arrinin te greva urisë?

Kjo është një histori e përsëritur për naftëtarët në dekadën e fundit pasi kanë protestuar edhe në vitin 2016 dhe 2017. Sa i takon kësaj here, pas mbylljes së rafinerisë në vitin e shkuar, punëtorët filluan reagimin e tyre në fund të dhjetorit, duke kulmuar me protesta dhe grevën e urisë në muajin shkurt. Pas kësaj përpjekjeje, ia arritën të merrnin vetëm tri paga minimale. Më tej, me mbylljen e vendit prej pandemisë, gjërat u vështirësuan edhe më shumë, por edhe pse në grupe më të vogla naftëtarët e vijuan protestën dhe fituan “pagën e luftës”, të cilën fillimisht qeveria padrejtësisht ua kishte mohuar. Pas përfundimit të kufizimeve drastike të pandemisë në muajin maj, naftëtarët filluan sërish organizimin e tyre. Në fund të muajit maj, qeveria, përmes Ministrisë së Energjisë, u zotua publikisht që do t’i jepte zgjidhje vendosjes në punë të rafinerisë. Por ky premtim rezultoi i gënjeshtërt nga ana e qeverisë, çka i detyroi sërish naftëtarët të intensifikonin protestën e tyre në muajin gusht-shtator, me grumbullime të përditshme në oborrin e rafinerisë, me protesta përpara Bashkisë Ballsh, dhe në mesin e shtatorit me organizimin e një proteste përpara Ministrisë së Energjisë në Tiranë. Kjo protestë e fundit u pengua të zhvillohej normalisht nga policia, e cila ushtroi dhunë mbi punëtorët  dhe aktivistët në mbështetje të tyre, ndonëse nuk ia arriti ta shpërndante protestën. Por sërish nuk pati as edhe një reagim nga organet e qeverisë. Pas këtyre zhvillimeve, naftëtarët vendosën të hyjnë në grevë urie, e cila nisi në 28 shtator dhe vijon edhe sot e kësaj dite.

Ç’qëndrim mbajnë institucionet? Çfarë thotë qeveria, gjyqësori?

Institucionet qeveritare, të cilat janë përgjegjëse kryesore për degradimin korruptiv të rafinerisë, kanë heshtur në mënyrë të turpshme. Në mënyrë krejt cinike dhe të papërgjegjshme, kryeministri Rama u shpreh se mund të shkruajë një libër për çështjen e naftëtarëve apo që pret me shpresë nga zoti, por nuk ofroi as transparencë dhe as një zgjidhje konkrete, si dhe duke e cilësuar gjithashtu si marrëdhënie private mes punëtorëve dhe kompanive private që menaxhojnë rafinerinë. Po të mos harrojmë këtu se është qeveria ajo që ka dalë garant për firmat që kanë operuar në rafineri. Gjithashtu nuk ka asnjë nismë nga Inspektorati i Punës për të garantuar të drejtat e punëtorëve sipas Kodit të Punës. Ndërsa gjykata më herët u ka dhënë të drejtë punëtorëve për pagat e prapambetura, por ky vendim nuk është ekzekutuar, çka përbën në vetvete një shkelje të rëndë në kurriz të naftëtarëve.

Si arriti gjendja që një firmë e kësaj madhësie dhe rëndësie të ketë borxhe kaq të larta ndaj punëtorëve?

Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje shumë të thelluar dhe një hetim serioz nga institucionet e zbatimit të ligjit. Megjithatë problemet e para u shfaqën pas privatizimit korruptiv në vitin 2008. Sipas raportimeve dhe investigimeve rezulton se sot rafineria ka një borxh prej 700 milionë eurosh, nga të cilat 200 janë detyrime ndaj shtetit dhe vetëm 8 milionë janë pagat e punëtorëve. Ndërkohë, pas privatizimit fillestar të rafinerisë, e quajtur ARMO, kompania ka kaluar në disa duar, në kompani azerbajxhanase, më tej si kolateral në banka dhe është dhënë me qira në disa kompani të tjera, të cilat e kanë vendosur në punë për pak kohë, dhe pastaj ia kanë lënë radhën kompanisë tjetër, duke shtuar borxhet dhe amortizmin e rafinerisë, qyshse investimet kanë qenë inekzistente. Gjithashtu, sipas investigimeve të ndryshme rezulton se shumë nga këto kompani janë të regjistruara në vende offshore, megjithëse në realitet janë i njëjti grup mafiozësh dhe politikanësh të lidhur me to.

Në çfarë gjendje janë naftëtaret nga shëndeti në këto ditë të grevës së urisë, si po ia dalin familjet e tyre?

Është e kuptueshme që shëndeti i naftëtarëve sa vjen dhe përkeqësohet. Qyteti i Ballshit është projektuar si një qytet industrial, i lidhur me nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Në të shkuarën në rafineri punësoheshin deri në 2200 punëtorë, ndërsa sot ky numër ka zbritur në rreth 800, e megjithatë prej punës së kësaj rafinerie qarkullon e gjithë ekonomia e qytetit. Kësisoj mbyllja e rafinerisë do të japë goditje të njëpasnjëshme në ekonominë e qytetit. Ka filluar me naftëtarët, të cilët – veçanërisht familjet e atyre që të vetmin burim të ardhure kanë pagën në rafineri – prej kohësh kanë filluar të marrin ushqime me lista, saqë tashmë është mbërritur në fazën ku dyqanxhinjtë e vegjël, të gjendur në vështirësi, nuk po japin më ushqime me lista. Gjithashtu nga punëtorët raportohet se ka raste që edhe ilaçet i kanë me lista. Ata që kanë për të shkolluar fëmijët gjenden në vështirësi të mëdha. Dhe së fundmi u kanë prerë edhe dritat dhe ujin atyre që nuk kanë shlyer faturat. Shkurt, gjendja e naftëtarëve është dramatike.

Cila është historia e kësaj rafinerie, kur funksionoi për herë të parë? Kur u bë privatizimi i saj?

Rafeneria a Ballshit ka filluar punë në fund të viteve 1970 dhe është teknologji kineze, por që në ditët më të mira të saj nga përpunimi i naftës bruto nxirreshin shumë nënprodukte të tjera dhe jo vetëm karburant, siç është reduktuar në vitet e fundit. Rafineria ishte në pronësi shtetërore, madje u mbrojt nga punëtorët në vitin e mbrapshtë 1997, për t’u privatizuar përfundimisht në vitin 2008 në një aferë korruptive nga spekulantë të lidhur me qeverinë e kohës.

Cila është e ardhmja për këtë firmë, çfarë besoni ju dhe punëtorët që duhet të ndodhë për firma strategjike si kjo?

Paradoksi qëndron në faktin se edhe pse Shqipëria është një vend i pasur me burime hidrokarburesh, nafta bruto në vend se të përpunohet në rafinerinë e Ballshit eksportohet jashtë vendit, dhe në anën tjetër importohet naftë e përpunuar për konsum të përgjithshëm. Ne mendojmë se rafineria duhet të rivendoshet në punë. Për këtë, shteti duhet të marrë përgjegjësitë e tij, përfshirë këtu edhe organet e drejtësisë dhe ato tatimore, për të zbardhur aferat korruptive të së shkuarës dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të atyre që kanë vjedhur këtë pasuri kombëtare.

Para një viti pamë grevën nga minatorët e Bulqizës, tani kemi grevën e naftëtarëve të Ballshit. Duket sikur një pas një po dështojnë ndaj plotësimit të kushteve themelore ndaj punëtorëve dhe shoqërisë.

Shqipëria është një vend që pas viteve 2000 ka ardhur duke u sunduar nga oligarkia, e cila tashmë e ka konsoliduar pushtetin e saj në ekonomi, media dhe politikë. Shteti nuk është për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, por shërbëtor i interesave të oligarkëve. Dukshëm kjo u pa në rastin e minatorëve të Bulqizës, ku kompania koncesionare e kromit (AlbChrome) zotërohet nga njeriu më i pasur i Shqipërisë, Samir Mane, me një pasuri të vlerësuar në rreth 1.2 miliardë euro. Edhe pse kryeoligarku Mane zotëron një grup të madh biznesesh, ajo që sjell fitimet më të mëdha të grupit, me 25% të totalit, është pikërisht industria minerare. Kjo është edhe arsyeja se përse greva e minatorëve u shtyp egërsisht vitin e shkuar, duke pushuar nga puna kryetarin e sindikatës, Elton Debreshin, dhe figura të tjera kyçe të organizimit.

Në anën tjetër, për herë të parë në këto tridhjetë vite kemi themelimin e sindikatave të reja – si në rastin e minatorëve, naftëtarëve, call-centrave dhe fasonerive – përkundër sindikatave të vjetra të cilat janë thellësisht të korruptuara. Në këtë kuptim, besoj fort se këto dështime janë të përkohshme dhe se sindikatat e reja do të vinë duke u fuqizuar në të ardhmen për të fituar paga më të larta, më shumë të drejta dhe mirëqenie për punëtorët. Natyrisht që ka për të qenë një angazhim i gjatë dhe i vështirë.

Cilët janë sektorët ose firma të tjera strategjike për Shqipërinë? Duket që vendi ka një pasuri nëntokësore të rëndësishme. Këta sektorë, si dhe prodhimi energjisë, kontrollohen nga shteti? Nga biznesmenë shqiptarë? Nga frima të huaja?

Sipas të dhënave zyrtare sot në bujqësi punojnë rreth 41% e forcës punëtore dhe pjesa e saj në GDP është rreth 19%, ndërsa industria zë 20.4% dhe shërbimet 60.6% të GDP. Ajo që bie në sy është se bujqësia është thuajse tërësisht e prapambetur, ndërsa industria ka ardhur në tkurrje. Industria e përpunimit të mineraleve dhe naftës është në prag të zhdukjes, duke ulur kësisoj vlerën e eksportit të tyre. Në përgjithësi industria përpunuese zë një vend fare të vogël në GDP, vetëm 6.14%. Në përgjithësi industria nxjerrëse është dhënë me kontrata koncesionare në firma të huaja. Në sektorin e energjisë bie në sy shfrytëzimi maksimal i potencialit hidrik, duke dhënë leje koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve edhe në lumenj të vegjël. Sipas raportimeve janë rreth 700 leje të reja për ndërtimin e hidrocentraleve.

Vitet e fundit është vënë re se potenciali turistik i Shqipërisë po privatizohet nga oligarkët, për t’i kthyer në resorte turistike luksoze, çka jo vetëm që do të përjashtonte qytetarët shqiptarë nga vend i tyre, por do të çonte në gllabërim bizneset e vegjël turistikë, do të përqendronte fitimet në duart e oligarkëve, duke i përkeqësuar kësisoj edhe më shumë kushtet e punëtorëve të këtij sektori.

Ndërsa në sektori i shërbimeve, sektori bankar, sigurimeve dhe ai i telekomunikacionit, zotërohen kryesisht nga kapital i huaj.

Në çfarë terma ndaj ekologjisë bëhet shfrytëzimi, a merren parasysh rregullat e BE?

Ndonëse kuadri ligjor mjedisor i Shqipërisë është i përafruar me legjislacionin e BE, zbatimi i tij në praktikë lë shumë për të dëshiruar; duke filluar që nga hartimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM), i cili nuk kryhet profesionalisht për të nxjerrë në pah ndikimet negative në mjedis dhe shoqëri, por për justifikimin formal të projekteve. Për shembull, janë dhënë leje për ndërtim hidrocentralesh në lumin Valbonë dhe Vjosë kundër vullnetit të komuniteteve, dhe për më tepër, sipas komuniteteve shkencore, bëhet fjalë për dy lumenj me vlera të mëdha natyrore. Nisur nga këto dy raste kemi edhe një gjallërim të lëvizjes mjedisore në Shqipëri, dhe në rastin e Vjosës, në bashkëpunim me banorët e zonës, komunitetin shkencor vendas dhe të huaj, dhe mjedisorë të ndryshëm, është ngritur një rezistencë disavjeçare për ta mbrojtur këtë pasuri natyrore unike.  

Shqipëria, si gjithë shtetet e ish-Bllokut Lindor, përjetoi një privatizim të madh në të gjithë aspektet e jetes ekonomike. Pas gati 30 vitesh, cilat besoni që janë pasojat e kësaj politike? Çfarë beson për këtë fakt publiku/populli në Shqipëri?

Po, është e vërtetë që privatizimet janë shtrirë në të gjitha sferat e ekonomisë, madje edhe në shëndetësi dhe arsim. Megjithëse në rastin e arsimit të lartë, procesi i privatizimit nuk ka shkuar deri në fund, edhe pas miratimit të një ligji tregtarizues neoliberal në vitin 2015; kjo falë rezistencës studentore të nisur në vitin 2014, të kulmuar me protestat historike të dhjetorit 2018, dhe me vazhdimin e saj edhe në ditët e sotme. Pasojat e këtyre politikave kanë bërë që pjesa dërrmuese e popullsisë të mos ketë shpresë për një jetë të mirë në Shqipëri. Është mbresëlënës për keq fakti që në statistikat e emigracionit evropian të viteve të fundit, shqiptarët radhiten të dytët pas sirianëve dhe se, sipas sondazheve, 80% e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Nëse nuk ndryshon modeli ekonomiko-politik, perspektiva e Shqipërisë është e zymtë: me punëtorë të keqpaguar dhe pa të drejta, me papunësi të lartë,

me pamundësi për të pasur akses në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, pensione dinjitoze etj. 

Pamë që vitet e fundit janë formuar sindikata të reja të punëtorëve. Keni patur mbështetje nga shoqata qendrore të punëtorve dhe nga sindikata të tjera?

Siç e përmenda edhe më sipër, sindikatat e vjetra janë parazitare, të korruptuara, të paafta dhe mbi të gjitha pa anëtarësi reale mes punëtorëve. Kështu që krijimi i sindikatave të reja demokratike nga vetë punëtorët dhe forcimi i tyre janë rruga e duhur drejt një lëvizjeje punëtore të vërtetë në Shqipëri. Në këto kushte, këto sindikata të reja kanë gjetur mbështetjen e sindikatave qendrore evropiane, bashkëpunim i cili duhet të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.

Së fundi, jetojmë të gjithë në epokën e pandemisë të COVID-19. Si ndikon kjo në kauzën e punëtorëve dhe cila është çështja e shoqërisë shqiptare sot në lidhje me koronavirusin?

Natyrisht që pandemia ka ndikuar për keq në kauzën e punëtorëve. Së pari, janë punëtorët ata që rrezikojnë direkt shëndetin e tyre nga Covid-19. Së dyti, mijëra vende pune janë humbur këto muaj si rezultat i pandemisë, çka sjell një pasiguri më të madhe për të ardhmen e tyre. Së treti, mund të kemi hezitim të punëtorëve për t’u organizuar sindikalisht pasi pushimet nga puna për shkak të aktivitetit sindikal mund të justifikohen si shkurtime prej situatës ekonomike, siç ka ndodhur në disa raste në pranverën e shkuar.

Në lidhje me Covid-19, pas një situate relativisht të qëndrueshme në muajt e fundit, tashmë në ditët e fundit kemi një përkeqësim të gjendjes; aktualisht janë rreth 5500 raste pozitive, me rreth 250 të shtruar në spitale (deri më tani, vetëm dy të tillë funksionojnë për gjithë Shqipërinë), 5 persona kanë humbur jetën dhe 182 raste të reja në 24 orët e fundit. Duke filluar nga nesër, me vendim të qeverisë, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme edhe në mjedise të hapura. Në kushtet kur sapo ka filluar ftohja e motit në njërën anë dhe të kapaciteteve të kufizuara të kujdesit shëndetësor në anën tjetër, besoj se ankthi dhe pasiguria e popullsisë po vjen në rritje, për më tepër që një mbyllje e dytë e vendit është deklaruar nga kryeministri si e pamundur për Shqipërinë.

Keni diçka tjetër për të shtuar? Ju falënderoj shumë!

Ju falënderoj edhe unë për mundësinë e intervistës. Tashmë, jetojmë në një krizë globale shumë të thellë, ku pandemia thjesht nxori në sipërfaqe krizën sistemore. Po në anën tjetër dëgjojmë shpesh që fjala krizë përmban brenda saj edhe mundësinë për zgjidhje radikale. Në këtë kuptim, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, uroj që kjo krizë të kapërcehet duke sjellë një botë të re, më të mirë, më të mirë për shumicën e popullsisë dhe jo vetëm për 1-përqindëshin, apo oligarkinë, që po pasurohet frikshëm edhe në kushtet e pandemisë. Kjo mund të arrihet duke fuqizuar lëvizjen punëtore, studentore, mjedisore etj., duke i lidhur këto lëvizje me njëra-tjetrën në një lëvizje të gjerë shoqërore, pjesëmarrëse, demokratike dhe transformuese.

Botuar në gazetën greke Kosmodromio

Imazhi: Organizata Politike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.