Perceptime mbi situatën e krijuar nga COVID-19

/Mirela Ruko/

COVID-19 është një koronavirus i ri i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me persona që e mbartin këtë sëmundje. Më 11 mars, pas më shumë se 118,000 rasteve anembanë botës dhe 114 shteteve të prekura, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 një pandemi globale. Kur është shkruar kjo analizë, numri i shteteve të prekura ka arritur në 209 dhe mbi 58,620 vetë kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19. Momentalisht, Shqipëria ka në total 333 raste të prekura dhe 20 të vdekur. Tirana është qyteti me numrin më të madh të të prekurve (157), pasuar nga qytete të tjera si: Durrësi (33), Shkodra (31), Fieri (25), Korça (16), Lezha (14), Elbasani (9), Hasi (9), Kavaja (8), Vlora (5), Kruja (5), Lushnja (5), Tropoja (4), Puka (4), Rrogozhina (4), Mirëdita (3), Berati (1).

Krahas shteteve të tjera, edhe shteti shqiptar ka marrë menjëherë masa parandaluese dhe strikte duke izoluar të gjithë popullsinë. Megjithatë ndërprerja e punës dhe ngadalësimi i qarkullimit të mallrave e shërbimeve kanë shpërfaqur diferencat e thella socio-ekonomike ndërmjet klasave e grupeve të ndryshme shoqërore. Teksa për një pakicë, izolimi apo karantinimi në shtëpi mund të konsiderohen një lloj “pushimi i paguar”, për pjesën dërrmuese të njerëzve një situatë e këtillë përkthehet në frikë, pasiguri dhe ndjenjë braktisjeje që lidhet drejtpërdrejtë me mungesën e plotësimit të nevojave bazë si: ushqyerja, higjiena, ngrohja dhe pajisja me veshmbathje.

Ndër të tjera, agjencia ndërkombëtare “Health Consumer Powerhouse” e ka pagëzuar sistemin shëndetësor shqiptar me termin “tepër i vjetruar”. Shqipëria gjendet në fund të renditjes së vendeve evropiane për parandalimin e sëmundjeve, produktet farmaceutike dhe aksesin në shërbime. Në vend numërohen gjithsej 55 spitale, nga të cilët 42 janë publike dhe me shkallë të ulët të mbulimit për kujdesin shëndetësor, me rreth 1.2 mjekë për 1000 banorë [1].

Marrëveshjet koncesionare në fushën e shëndetësisë kanë rezultuar shpesh herë në keqpërdorime të buxhetit të shtetit dhe mungesë investimi në terma afatgjatë në këtë fushë. Pagat e ulëta dhe pamundësia për të gjetur punë në këtë fushë kanë sjellë një rritje të numrit të profesionistëve të fushës së mjekësisë që kanë zgjedhur ta lënë Shqipërinë për të shkuar kryesisht drejt vendeve të Evropës. Gjermania numëron rreth 800 mjekë shqiptarë të diplomuar në Universitetin Mjekësor të Tiranës, një mungesë aktuale kjo në vendin tonë, pasojat e së cilës pritet t’i vërejmë në terma afatgjatë.

Marrë shkas nga situata e befasishme e krijuar prej COVID-19 dhe problemet e përgjithshme në ekonomi dhe sistemin tonë shëndetësor, hartuam një anketim on line për të matur më mirë perceptimet e njerëzve në lidhje me pandeminë dhe se si ndikon kjo situatë në jetën e tyre.

Në anketë morën pjesë 180 qytetarë të Republikës së Shqipërisë, rreth moshës 18-40 vjeç. Shumica e të dhënave, 82.8%, vijnë nga zonat urbane. Qytetarët e anketuar u shprehën se kjo është një periudhë e cila do të vërë në provë ndërgjegjen qytetare dhe aftësinë menaxhuese të qeverisë.

Rregullat e vendosura, ose që do të vendosen nga qeveria në vijim, shihen si vendimtare në parandalimin e zhvillimit të pandemisë dhe të një konflikti të mundshëm social. (Figura 1)


Figura 1: A mendoni se paniku mund t’i shtyjë qytetarët në manifestime apo protesta në rrugë?

Nga qeveria kërkohet ndërmarrja e menjëhershme e këtyre tri masave:

  1. Të ofrohet mbështetje financiare shtetërore dhe/ose ndihmë ushqimore për qytetarët dhe familjet në nevojë.
  2. Të ndalohet puna në çdo sektor, përveç sektorëve që ofrojnë shërbime publike bazike (bujqësi, ndërmarrje ushqimore, markete, farmaci, telekomunikacion, rend publik etj.)
  3. Të dezinfektohen të gjitha hapësirat publike, përfshirë hapësirat e përbashkëta si shkallët e godinave, ashensorët, shesh pushimet etj.

Shqetësimi kryesor artikulohet në terma ekonomikë dhe qytetarët e shohin të rëndësishëm reagimin e qeverisë në këtë fushë. Kërkesa si këto më lart gjejnë artikulim të mirëfilltë veçanërisht në grupe sociale specifike apo minoritete.

Gjithashtu, punëtorët e fasonerive zgjodhën të bojkotojnë punën e të protestojnë në fundjavën e 21 dhe 22 marsit për shkak të pasigurisë së krijuar nga COVID-19. Ky është një sektor që njihet për punën në seri dhe numrin tejet të lartë të punëtorëve. Disa prej kompanive u detyruan të ndalojnë punën për rreth dy ditë, deri më 23 mars.

Komunteti rom dhe egjiptian [2] – në Tiranë [3], Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Përmet dhe Korçë – ka ndërmarrë disa protesta, pavarësisht gjendjes së izolimit e shtetrrethimit, duke adresuar mungesën e aksesit në nevojat më bazike dhe kërkesën për përkrahje ekonomike nga shteti për plotësimin e këtyre nevojave. Protestat e tyre kanë gjetur përkrahje nga aktivistë dhe organizata që kanë prioritet trajtimin e çështjeve të këtij komunitetit dhe që ndihmuan në përçimin e këtij informacioni dhe jo vetëm.

Sindikatat [4][5] dhe organizatat e angazhuara me të drejtat e punëtorëve mbajtën qëndrime për situatën duke kërkuar zhvendosjen e punës në shtëpi atje ku është e mundur (për shembull në call center-a) dhe ndërprejen e punës me garantimin e vazhdimësisë së pagës në miniera dhe fasoneri.

***

Bashkë me popullatën po infektohet edhe ekonomia. Të intervistuarit u shprehën se situata e krijuar nga COVID-19 ka prekur drejtpërdrejt ekonominë e tyre personale dhe familjare.


Figura 2: A mendoni se kjo gjendje do të ndikojë në financat tuaja?

Në vendin tonë konsumi për një familje të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, llogaritet në vlerën 75.935 lekë, nga të cilat mesatarisht 33,436 lekë shkojnë për ushqime dhe pije joalkolike [6].

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se paga mesatare është 53.458 lekë/muaj, ndërsa të ardhurat e një familjeje të llogaritura nga ky studim tregojnë se 20.3% e të anketuarve jetojnë me të ardhura nën 30.000 lekë (Figura 3). Kjo përkthehet në pamundësi për të plotësuar nevojat bazike gjatë një situatë emergjente si rasti me COVID-19.


Figura 3: Sa janë të ardhurat familjare mujore?

Ndërkohë, ndihma ekonomike është 5,154 lekë/muaj, një shumë me të cilën trajtohen 59,540 familje në vendin tonë. Krahasuar me minimumin jetik të llogaritur më 2016 në një studim të porositur nga Avokati i Popullit (16,000 lekë në muaj për frymë), kjo shumë është tepër e ulët. Sipas të dhënave, familjet që marrin ndihmë ekonomike kanë pasur vështirësi në përballimin e kostove të jetesës edhe përpara pandemisë. Edhe pensionet qëndrojnë nën minimumin jetik. Mesatarja e pensionit të pleqërisë në zonat urbane është 15,875 lekë dhe në zonat rurale 8,792 lekë, ndërsa mesatarja e çfarëdo lloj pensioni tjetër është më e ulët se këto vlera (INSTAT, 2018).

Emergjenca shëndetësore ka shkaktuar mbylljen e shumë bizneseve të vogla, ndërsa sipërmarrësit shprehen se për rreth tre muaj ekonomia e vendit mund të mbahet në këmbë me anë të kursimeve të veta. Gjithë faktorët e sipërpërmendur kanë bërë të pasigurt marrjen e pagave për mijëra të punësuar në vend. Nga të dhënat e studimit shohim se më shumë se gjysma e të anketuarve shprehen se nuk e dinë nëse do ta marrin pagën si zakonisht. (Figura 4)


Figura 4: A do ta merrni pagën për këtë muaj si zakonisht?

Një prej kostove të domosdoshme është ajo që lidhet me strehimin. Ajo duket se do të trazojë ekonominë e vendit për shkak të informalitetit të gjerë. Aktualisht në regjistrat kombëtarë ka paqartësi dhe mungesë të shifrave që lidhen me numrin e të pastrehëve në vend dhe shpërndarjen e tyre.

Rreziku i mungesës së pagës mujore në këto kushte ka krijuar frikë dhe pasiguri në lidhje me shlyerjen e detyrimeve të qiramarrësve ndaj qiradhënësve. Një shqetësim konkret është nëse mungesa e pagës do të ndikojë në nxjerrjen në rrugë të familjeve. Kjo situatë është e lidhur ngushtë me ndërhyrjen e shtetit në garantimin e pagës mujore ose ngrirjen e përkohshme të pagesës së qirasë (kjo masë është marrë së fundmi nga qeveria). Të tjera pyetje ngrihen mbi apartamentet bosh për shkak të kthimit të studentëve pranë familjeve të tyre në qytetet apo fshatrat e vendit.

Masat e marra si bllokimi i hyrje-daljeve të udhëtarëve në pikat kufitare, kufizimi i lëvizjes së automjeteve dhe kalimtarëve, mbyllja e hapësirave publike, restoranteve dhe bareve cilësohen nga të anketuarit si të drejta për hir të sigurisë dhe shëndetit publik. Por këto masa kanë vëshirësuar përditshmërinë e punëtorëve në ata sektorë ku puna nuk ka ndaluar. Shumica e këtyre të fundit shprehen se shkojnë në punë me biçikletë ose duke ecur. (Figura 5).


Figura 5: Në ç’mënyrë shkoni në punë?

Tekstilet, ose e quajtur ndryshe industria fason, është duke u përballur me një krizë. Kufizimi i orareve të lëvizjes, transporti, frika pas zbulimit të rastit të parë në një prej fabrikave në Tiranë, ka bërë që punëtorët të mos paraqiten në punë. 15 fasoneri në rrethin e Krujës [7] kanë mbyllur aktivitetin e tyre deri në datën 6 prill. Ndërsa në të gjithë vendin, në këtë sektor është reduktuar orari i punës nga 8 në 6 orë në ditë, i cili mund të përfundojë në rritje të intensitetit të punës për punëtorët me qëllim ruajtjen e produktivitetit dhe të afateve kohore për dorëzimin e porosive. Ky sektor mban një peshë të rëndësishme të eksporteve – rreth 40% – dhe Italia është një partner i rëndësishëm tregtar për Shqipërinë, ku përfshihen 33,3% e eksporteve (INSTAT, 10 mars 2020).Ndaj pritet që ky sektor të preket nga efekti zinxhir, në mos t’i përshtatet nevojës për prodhim të produkteve sanitare. Drejtuesit e Shoqatës Kombëtare të Punëdhënësve “Proeksport Albania” [8] kanë kërcënuar ditët e fundit që nuk do të paguajnë 68 mijë punëtorët e punësuar në këtë sektor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshilloi punëdhënësit dhe autoritetet lokale të shëndetësisë që të merrnin masa strikte për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke ndjekur disa rregulla të përpikta higjiene që paraqiten si më poshtë [9]:

  • Sigurohuni që vendet tuaja të punës janë të pastra dhe higjienike!
  • Sipërfaqet (p.sh. tavolina, tabela etj.) dhe objektet (p.sh. telefona, tastiera etj.) duhet të pastrohen rregullisht me dezinfektues.
  • Promovoni larjen e duarve në mënyrë të rregullt dhe të plotë të punëtorëve, kontraktuesve dhe klientëve!
  • Sigurohuni që punëtorët, kontraktorët dhe klientët të kenë qasje në vendet ku ata mund të lajnë duart me ujë dhe sapun!
  • Vendosni pajisjet dezinfektuese për duart në vende të dukshme brenda vendit të punës dhe sigurohuni që ato të rimbushen rregullisht!
  • Afishoni postera që promovojnë larjen e duarve dhe ruajtjen e higjienës personale!
  • Sigurohuni të jeni të pajisur me maska mbrojtëse ​​për fytyrën dhe peceta higjienike, së bashku me kosha të mbyllur mbeturinash për hedhjen tutje të këtyre objekteve pas përdorimit!

Këto rregulla janë përqafuar edhe nga autoritet përgjegjëse në vendin tonë. Përgjigjet e të anketuarve tregojnë se një pjesë jo e vogël e kompanive i zbatojnë vetëm pjesërisht rregullat. (Figura 6)

Figura 6: A respektohen rregullat e reja dhe standardet e vendosura nga qeveria në vendin tuaj të punës?

Përtej këtyre rregullave, OBSH këshilloi që punëtorët, temperatura e të cilëve është 37,3 gradë Celsius ose më e lartë, të qëndrojnë në shtëpi dhe ky qëndrim t’u llogaritet si raport mjekësor. Puna në shtëpi shihet si alternativa më e mirë në kushtet ku shëndeti i punëtorëve rrezikohet drejtpërdrejt.

Rreth 41.4% e të anketuarve që kanë një vend pune, aktualisht nuk po punojnë për arsye të vetizolimit, pamundësisë për të shkuar në punë dhe një gjendjeje jo të mirë shëndetësore.

Ndërsa rreth 44,7% e të anketuarve që kanë një punë, aktualisht e kanë zhvendosur atë në kushtet e shtëpisë.

Rreth 6.7% e të anketuarve shprehen se po punojnë mbi 8 orë në ditë dhe ata i përkasin sektorit publik. (Figura 7)

Figura 7: Sa orë në ditë punoni?

Distancimi shoqëror është një nga mënyrat e parandalimit të përhapjes së Covid-19 dhe shumica e të anketuarve janë vetizoluar në shtëpi. (Figura 8)

Figura 8: A jeni vetizoluar?

Rreth 53.3% e tyre janë pajisur me ushqime dhe barnat e nevojshme, ndërkohë që një pjesë e vogël nuk ka marrë asnjë masë. Produktet që mbizotërojnë në rezervat ushqimore të të anketuarve janë: bukë, drithëra, oriz, makarona etj. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave me anë të aktit normativ nr. 8, datë 24.3.2020 [10], vendosi që subjektet që tregtojnë me shumicë ushqime, barna dhe pajisje mjekësore duhet të blejnë dhe ruajnë rezerva për 3 muaj. Nëse ato nuk do të shiten, pas përballimit të situatës, mund të blihen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.

Përveç produkteve ushqimore, i rëndësishëm është interneti. 48.3% e të anketuarve e shpenzojnë kohën e tyre duke lundruar në internet. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë udhëzoi vazhdimësinë e programeve mësimore, në të gjitha nivelet e arsimit, në kushte shtëpie, duke përdorur platforma on line. Megjithatë, në vendimin e Ministrisë nuk gjenden të dhëna mbi përqindjen e nxënësve dhe studentëve që kanë qasje në internet dhe mjetet që e mundësojnë atë (telefona, kompjuterë etj.). A i përjashton mësimi on line nxënësit dhe studentët të cilët vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, që nuk janë të pajisur me mjetet e duhura dhe nuk mund të përballojnë dot pagesën e internetit? A është marrë në konsideratë një fakt i tillë nga Ministria?

Zgjidhjet e problemeve i adresohen qeverisë, por besimi tek ajo është i ulët. (Figura 10)

Pyetja 10: A keni besim tek autoritetet shtetërore?

Një numër i vogël i të anketuarve kanë telefonuar emergjencën kombëtare dhe arsyet e telefonatës kanë qenë si më poshtë:

  1. Informim i drejtpërdrejtë në lidhje me situatën dhe COVID-19.
  2. Mbi shfaqjen e simptomave të para të COVID-19.
  3. Për arsye të tjera shëndetësore.
Pyetja 10: A keni besim te sistemi ynë shëndetësor?

Rreth 3.9% e të anketuarve ndihen të sigurt për shëndetin e tyre dhe të familjarëve. (Figura 12)


Figura 12: A ndiheni të sigurt për shëndetin tuaj e të familjes suaj?

Pasiguria vjen sidomos nga paqartësia se sa mund të zgjasë kjo situatë. Rreth 67% e të anketuarve mendojnë se kjo situatë do të zgjasë më shumë se tri apo katër javë.

***

Marrë shkas nga niveli i përhapjes së pandemisë në shkallë globale, numri i të prekurve dhe vdekjet e shkaktuara, sikurse mungesa e një vaksine dhe trajtimi standard për gjithë të sëmurët, shtuar këtu edhe mungesën e aparaturave dhe mjekëve, kanë krijuar bindjen se situata do të vijojë të jetë e ndërlikuar në javët e ndoshta muajt në vijim.

Shqipëria njihet për pragun më të ulët të pagës mesatare dhe minimale në rajon. Gjithashtu, vendi ynë është ndër shtetet që nuk e ka të miratuar minimumin jetik. Ky i fundit do të ndikonte në rishikimin e pagës minimale, asistencës së papunësisë, përkrahjes sociale dhe pensionit. Shkurtimisht, një veprim i tillë do të nënkuptonte një hap më larg varfërisë.

Megjithatë Ministria e Financave e ka refuzuar miratimin e minimumit jetik duke argumentuar se buxheti i shtetit nuk përballon dot ndryshime të tilla. Nga ana tjetër, gjatë viteve të fundit nuk është dëshmuar një përpjekje serioze për të arritur drejt një niveli jetese të dinjitetshëm për të gjithë.

Çështja e punësimit dhe pagave mbetet e paqartë dhe e pasigurt. Ndërkohë, ndryshime të mundshme priten në strukturën e përgjithshme të ekonomisë. Në kushtet e pandemisë ekonomia është përqendruar në industrinë prodhuese, duke lënë pas sektorin e shërbimeve. E ardhmja e afërt shihet e zymtë për ata që s’kanë kurrfarë të ardhurash të tjera veç pagës mujore. Nëse shumë punëtorë do të mbeten të papunë, asistenca e tyre e papunësisë prej 13,000 lekësh në muaj nuk do të jetë kurrfarë ngushëllimi.

Në disa vende të botës punëtorët që vazhdojnë punën në kushte të pasigurta për shëndetin e tyre, i kanë fshehur simptomat e COVID-19, të frikësuar se nuk do të paguheshin nëse do t’u duhej të karantinoheshin, duke rrezikuar kësisoj veten dhe të tjerët. Në vende të tjera atyre nuk u janë garantuar produktet sanitare të domosdoshme për të qenë të mbrojtur gjatë kryerjes së punës. Kjo situatë nuk i kontribuon aspak parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe mbajtjes së gjendjes aktuale nën kontroll. Prandaj dhënia përparësi i disa sektorëve të punës dhe ndalimi i përkohshëm i punës në të gjithë sektorët joesencialë janë masat emergjente që duhet të merren nga të gjitha qeveritë e vendeve të prekura, përfshirë Shqipërinë. Jeta e gjithsecilit është e vlefshme dhe shëndeti si një e drejtë bazike duhet t’u garantohet të gjithëve!

[1] “Friedrich-Ebert-Stiftung“ Largimi i Mjekëve nga Shqipëria; 14, tetor 2018.
[2] Komuniteti rom dhe egjiptian në kushte urie gjatë vetë-karantinimit
[3] https://www.facebook.com/orgpol/videos/2622520968032243/
[4] https://www.facebook.com/sindikatasolidariteti
[5] https://www.facebook.com/MinatoretSMBB
[6] Anketa e Buxhetit të Familjes
[7] https://shqiptarja.com/lajm/mbyllen-15-fasoneri-ne-kruje-pronaret-30-e-punetoreve-mungojne-cdo-dite-nga-frika
[8] https://abcnews.al/koronavirusi-68-mije-shqiptareve-iu-bllokohen-pagat-punedhenesit-nuk-kemi-me-para/
[9] Getting your workplace ready for COVID-19, World Health Organization (WHO), 2020
[10] Fletore Zyrtare e Republikës së Shqipërisë Nr. 48, Datë. 24/03/2020

***

Imazhi: Adam Nieścioruk / Unsplash

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.