/Mike Davis/
COVID-19 është përbindëshi që po na troket në derë. Shkencëtarët po punojnë natë e ditë për të kuptuar shpërthimin e tij, por përballë kanë tri sfida të mëdha.
Së pari, mungesa e vazhdueshme e pajisjeve testuese ka shuar të gjitha shpresat e përmbajtjes së tij. Për më tepër, diçka e tillë po pengon përllogaritjen e saktë të parametrave kyçë si norma e riprodhimit, masa e popullatës së prekur dhe numri i infeksioneve beninje. Për rrjedhojë kemi kaos numrash.
Sidoqoftë, ka disa të dhëna më të besueshme rreth impaktit të virusit mbi grupe të caktuara në disa vende. Është e frikshme. Për shembull, Italia raporton një normë tronditëse vdekshmërie prej 23% te njerëzit mbi 65 vjeç; në Britani kjo shifër tani ka kapur 18%. “Gripi korona”, që Trump-i po e shpërfill, përbën një rrezik të paprecedent për popullatën e moshuar, duke bartur një potencial vdekshmërie që mund të arrijë në miliona vetë.
Së dyti, ngjashëm me gripet e përvitshme, ky virus po pëson mutacione duke kaluar nëpër popullata me përbërje moshore dhe imunitete të ndryshme…
Së treti, edhe nëse virusi stabilizohet dhe pëson pak mutacione, impakti i tij në moshat nën 65 vjeç mund të ndryshojë rrënjësisht në vendet e varfra apo midis grupeve në varfëri të thellë. Le të marrim si shembull përvojën botërore të gripit spanjoll më 1918-1919, i cili përllogaritet se ka vrarë 1 deri 2 për qind të njerëzimit. Ndryshe nga koronavirusi, ai godiste për vdekje më shumë të rinjtë, çka është shpjeguar shpesh se ka ardhur si rezultat i sistemeve të tyre imunitare më të forta, të cilat mbireagonin ndaj infeksionit duke lëshuar “stuhi citokine” kundër qelizave të mushkërisë. H1N1 origjinal gjeti strehë në kampet ushtarake dhe transhetë e luftës, ku i shfarosi ushtarët me dhjetëra mijëra. Kolapsi i ofensivës së madhe gjermane të pranverës së 1918, si dhe rezultati i luftës, i është atribuuar faktit se, ndryshe nga armiqtë e tyre, Aleatët mund t’i zëvendësonin ushtarët e sëmurë me trupat amerikane të sapoardhura.
Sidoqoftë, pakkush e mendon se 60% e vdekshmërisë globale ndodhi në Indinë perëndimore, ku eksporti i drithit për në Britani dhe praktikat brutale të rekuizimit përkuan me një thatësirë të madhe. Mungesat në ushqim i shtynë miliona të varfër në buzë të vdekjes nga uria. Ata ranë viktimë e një sinergjie ogurzezë midis kequshqimit, që shkatërroi përgjigjen e sistemit të tyre imunitar ndaj infeksionit, dhe pneumonisë së shfrenuar bakteriale dhe virale. Në një rast tjetër, në Iranin e pushtuar nga Britania, disa vite thatësirë, kolera dhe mangësitë ushqimore, të shoqëruara me shpërthimin e malaries, shkaktuan vdekjen e një të pestës së popullsisë.
Kjo histori – sidomos pasojat e panjohura të ndërveprimit me kequshqimin dhe infeksionet ekzistuese – duhet të na paralajmërojë se COVID-19 mund të marrë një shteg të ndryshëm dhe më vdekjeprurës në lagjet baraka të Afrikës dhe Azisë Jugore. Gazetarët dhe qeveritë perëndimore e kanë injoruar thuajse tërësisht rrezikun që u kanoset të varfërve të botës. I vetmi artikull që kam lexuar për këtë pretendon se për shkak të faktit se popullsia urbane e Afrikës Perëndimore është më e reja në botë, pandemia duhet të ketë një impakt të butë. Nën dritën e përvojës së 1918, kjo është një hipotezë idiote. Askush nuk e di çfarë do të ndodhë në javët në vijim në Lagos, Nairobi, Karaçi apo Kolkata. E vetmja gjë e sigurt është se vendet e pasura dhe klasat e pasura do të përqendrohen në shpëtimin e vetes, në kurriz të solidaritetit dhe ndihmës mjekësore ndërkombëtare. Mure, jo vaksina! – ku ka model më të lig për të ardhmen?!
***
Pas një viti ndoshta mund ta shohim me admirim suksesin e Kinës në përmbajtjen e pandemisë dhe me tmerr dështimin e SHBA. (Po bëj një supozim heroik, duke besuar deklaratat e Kinës se përhapja e virusit po vjen në rënie.) Paaftësia e institucioneve tona për ta mbajtur mbyllur Kutinë e Pandorës nuk duhet të na habisë. Që prej vitit 2000 kemi parë një sërë dështimesh të sistemit tonë shëndetësor.
Për shembull, gripi stinor i vitit 2018 i vuri përpara spitalet tona, duke na shpërfaqur mungesën tronditëse të shtretërve spitalorë pas njëzet vjet shkurtimesh të shpenzimeve në kapacitetin e kurimit të pacientëve, si rezultat i logjikës së fitimit… Mbyllja e spitaleve private dhe atyre jofitimprurëse, si dhe mungesat në kujdes shëndetësor, po ashtu të imponuara nga logjika e tregut, i kanë shkatërruar shërbimet shëndetësore në bashkësitë më të varfra dhe zonat rurale, duke e transferuar barrën te spitalet publike të nënfinacuara dhe qendrat shëndetësore për veteranët. Kushtet e dhomave të urgjencës në të tilla institucione që sot e kanë të pamundur të përballojnë infeksionet sezonale. Kështu që si do ta përballonin numrin e madh të rasteve kritike?!
Jemi në fazat e hershme të një Katrine[1] mjekësore. Pavarësisht paralajmërimeve disavjeçare mbi gripin e shpendëve dhe të tjera pandemi, inventarët e pajisjeve bazike të urgjencës, si për shembull respiratorët, nuk mjaftojnë për të përballuar dyndjen e pritshme të rasteve kritike. Sindikatat militante të infermierëve në Kaliforni dhe shtete të tjera po na bëjnë të kuptojmë rreziqet e mëdha të krijuara nga numri i papërshtatshëm i pajisjeve mbrojtëse thelbësore si maskat e fytyrës N95. Edhe më të rrezikuar janë qindra mijëra punëtorët e padukshëm, të keqpaguar e të stërmunduar të kujdesit shëndetësor shtëpiak…
Shpërthimi na ka shpërfaqur menjëherë ndarjen e thellë klasore në shërbimin mjekësor: kush ka plane shëndetësore të mira, të cilët mund të punojnë apo japin mësim nga shtëpia, janë të izoluar rehat, mjafton të ndjekin udhëzimet shëndetësore. Punonjësit publikë dhe të tjera grupe punëtorësh të sindikalizuar, me mbulim shëndetësor të denjë, duhet të bëjnë zgjedhjen e vështirë midis të ardhurave dhe mbrojtjes. Mirëpo miliona vetë – punëtorë shërbimesh me pagë të ulët, punonjës fermash, punëtorë kontingjentë të pambuluar nga sigurimet shëndetësore, të papunë dhe të pastrehë – do t’u hidhen qenve…
***
Mbulimi shëndetësor universal (Medicare for All) është vetëm hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit. Është, më së paku, zhgënjyes fakti që në debatet mbi zgjedhjet primare presidenciale as Sanders-i e as Warren-i nuk e nënvizuan zmbrapsjen e kompanive të mëdha farmaceutike nga kërkimi dhe zhvillimi i antibiotikëve dhe antiviralëve të rinj. Mes 18 kompanive më të mëdha farmaceutike, 15 syresh e kanë braktisur tërësisht këtë fushë. Fitimet i shtyjnë drejt mjekimeve të zemrës, qetësuesve adiktivë dhe trajtimit të impotencës mashkullore, jo drejt mbrojtjes ndaj infeksioneve spitalore, sëmundjeve emergjente dhe vrasësve tropikalë tradicionalë. Prodhimi i një vaksine universale për gripin – domethënë, një vaksinë që shënjestron pjesët e pandryshueshme të proteinave të sipërfaqes së virusit – ka qenë i mundshëm prej dekadash, por nuk është parë me përparësi për arsye të logjikës së fitimit.
Me prapësimin e revolucionit antibiotik, sëmundjet e vjetra po rishfaqen krahas infeksioneve të reja, ndërkohë që spitalet janë bërë varreza. Edhe Trump-i herë pas here mund ta ngrejë zërin në mënyrë oportuniste kundër kostos të ilaçeve, por neve na duhet një vizion më i guximshëm që synon të thyejë monopolin e ilaçeve dhe të sigurojë prodhimin publik të ilaçeve jetike. (Ka pasë ndodhur kështu: gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria pajtoi Jonas Salk-un dhe shkencëtarë të tjerë për të shpikur vaksinën e parë kundër gripit.)…
Qasja në ilaçet jetike – ku përfshihen vaksinat, antibiotikët dhe antiviralët – duhet të jetë një e drejtë e njeriut, e vlefshme universalisht dhe pa kosto. Nëse tregjet nuk kanë shtysa për të prodhuar me kosto të lirë të tilla ilaçe, atëherë qeveritë dhe sektori jofitimprurës duhet të marrin përsipër prodhimin dhe shpërndarjen e tyre. Mbijetesa e të varfërve duhet parë në çdo kohë me përparësi në raport me fitimet e kompanive të mëdha farmaceutike.
Pandemia aktuale e zgjeron këtë argument: globalizmi kapitalist tani duket se është i paqëndrueshëm biologjikisht në mungesë të një infrastrukture shëndetësore publike me të vërtetë ndërkombëtare. Po kjo infrastrukturë nuk mund të ndërtohet kurrë pasur një lëvizje popullore e cila thyen pushtetin e kompanive të mëdha farmaceutike dhe sistemit shëndetësor fitimprurës.
E përktheu Arlind Qori
Marrë me shkurtime nga revista Links
[1] Uragani Katrina goditi SHBA në vitin 2005, veçanërisht qytetin e Nju Orlinsit, duke shkaktuar 1200 viktima. – Shën. përkth.
Imazhi: Poncho Veloso Rulloda