Për universitetin
/Arlind Qori/
Emërtimi i një lëvizjeje, sidomos studentore, vjen zakonisht si frymëzim kolektiv i momentit. Mirëpo, pandërgjegjshëm, hap terrene të reja kuptimore. Fjala është për lëvizjen studentore Për Universitetin, e nisur prej pak muajsh si foco rezistence ndaj reformës qeveritaro-biznesore në arsimin e lartë. Pse për universitetin dhe jo mbi apo rreth universitetit. Pjesëmarrja në lëvizjen studentore e jep një përgjigje: Sepse mbi dhe rrethuniversitetit mund të flitet, mund të teorizohet bash si në etimologjinë e termit, në kuptimin e kundruesit nga pozita e spektatorit të distancuar nga objekti i të folurës. Ndërsa për universitetin nuk mund të flitet pa vepruar, as të veprohet pa folur, duke nyjëtuar kësisoj dialektikisht teorinë dhe praktikën, të quajtur ndryshepraksis.
Das Kapital
Tentativat për të reformuar arsimin e lartë nuk mund të ndahen nga logjika e kapitalit, jo vetëm ngaqë jetojmë në/nën kapitalizëm, por edhe sepse përtej mbipërcaktimit të logjikave të shtetit apo ideologjisë, logjika ekonomike është bashkëshënjuese, në mos përcaktuese në instancë të fundit. Pra për të kuptuar gjendjen dhe tentativën e ndryshimit të saj, si përçudnueshëm ashtu edhe emancipueshëm, na duhet të mendojmë rreth logjikës së kapitalit dhe karakteristikave të përhapjes së tij në Shqipëri. Pikësëpari duhet thënë se në logjikën e brendshme të kapitalit, kudoqoftë, është shtrirja e tij në daç në terma gjeografikë, në daç në prekjen e fushave brendashoqërore paraprakisht të “të virgjëra”. Kapitali akumulohet fillestarisht, më pas investohet (përfshin sektorë të caktuar ekonomikë), ngopet në to, kërkon sektorë të tjerë më fitimprurës etj. Po ashtu kapitali nuk ka preferenca, as kufij moralë a politikë, por investohet aty ku masa dhe norma e fitimit mendohet se është më e lartë. Kapitali nuk pyet nëse prodhon këpucë, reklama apo revista rozë. E famshmja etikë biznesi është oksimoron, në mos prodhim ideologjik.
Kësisoj kapitali shqiptar, i akumuluar këto dekada sidozot, ku historitë me gardhime moderne perëndimore u zëvendësuan me batakçillëqe nga më të larmishmet, është investuar në dhjetëvjeçarin e fundit gjithnjë e më tepër në arsimin e lartë. Kjo për shkak të “virgjërisë” së shtrirjes së kapitalit në ato fusha, kostos më të ulët të investimit fillestar, kërkesës për produkte universitare dhe injektimit dhe rritjes indirekte të kësaj të fundit nga shteti. Dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e para të akumulimit dhe qarkullimit të kapitalit në Shqipëri, terreni universitar ka qenë i mbuluar nga institucione shtetërore/publike, keqadministrimi i të cilave reflekton një prirje më të hershme të lënies pas dore të pasurive publike për t’i bërë vend futjes së kapitalit në to.
Po ashtu, transferimi i kapitaleve në arsimin universitar ishte më i lehtë se tjetërkund. Në rast se ndërtimi i një fabrike kërkon blerje makinerish të kushtueshme, sidomos në kuadrin e hapjes botërore të tregjeve, hapja e një universiteti kërkon para aq sa për të paguar qiranë, për të blerë pak pajisje dhe për të paguar atë pak staf pedagogjik dhe administrativ që duhet. Po ashtu, investimi në fabrikë e shtyn në kohë kthimin e investimit në të ardhura, çka reflektohet pas shitjes së produktit, ndërsa investimi në universitete i merr të ardhurat me t’u regjistruar studentët e parë, dhe lejon luhatshmëri më të madhe të investimit në paga, pasi numri i stafit vendoset gjithnjë në përputhje me studentët e regjistruar (pagues) të secilit vit. Për më tepër, nëse shqyrtohen degët universitare të hapura prej kapitalit, del se ato nuk janë prej shkencave “të forta” si inxhinieritë apo shkencat e natyrës ku investimet në mjete mësimore kushtojnë dhe kërkesa për t’u diplomuar në to është e pakët, por prej atyre “të buta”, sociale-humane, ku përveç lyerjes së mureve, blerjes së bankave e pajisjeve të zyrave, nuk kërkohet shumëçka tjetër. Pra në to kapitali konstant (infrastruktura, pajisjet) është më pak i rëndësishëm se kapitali i ndryshueshëm (pagat e punonjësve).
Nga ana tjetër, investimi në universitete private pati avantazhin e plotësimit të një mbikërkese për arsimim (diplomim) që universitetet publike nuk kishin kapacitetet infrastrukturore, buxhetore dhe akademike për ta plotësuar. Nuk duhet harruar se deri në prag të hyrjes së kapitalit në krijimin e universiteteve private, numri i studentëve që nuk arrinin të hynin pas provimit në universitetet publike, sidomos në fakultetet e preferuara, ishte i konsiderueshëm. Meqenëse edhe rritjet e vitpasvitshme e rekrutimeve në universitetet publike nuk e zgjidhnin problemin e mbikërkesës për arsimim (diplomim), duke shtuar këtu edhe aradhen e sa e sa brezave “të djegur” të të shkuarës, universitetet private hynin në një treg “të virgjër” e me fitim të sigurt, mjaftonte vetëm që të rregullohej kuadri ligjor që do t’u lejonte veprimtarinë në arsimin e lartë, dhe afërmendsh shteti s’mund t’ua refuzonte këtë privilegj. Jo vetëm kaq, por qeveritë njëra pas tjetrës kujdeseshin që, në emër të mbështetjes së biznesit dhe zhvillimit të arsimit të lartë, t’u lironin një pjese universitetesh private mjedise shtetërore me qira simbolike, çka e bënte edhe më pak të kushtueshme përfshirjen e kapitalit në to.
Ç’i duhej shqiptarit mesatar diplomimi universitar? A kërkonte ekonomia shqiptare punonjës gjithnjë e më të kualifikuar? Vështirë ta thuash, sidomos kur investimet më të mëdha private në Shqipëri kërkojnë një krah pune të nënkualifikuar që shprehitë profesionale i fiton gjatë procesit të punës. Atëherë si shpjegues mbeten tre elementë: Së pari, të punësuarit në administratë, ose në një varg hallkash private të afërta me shtetin si noteri e avokati. Së dyti, diploma vlente si shënjuese e një statusi shoqëror të lakmueshëm, ku tanimë mund të renditej vetja mes “intelektualëve” apo të përdorej diploma si pajë. Nëse fillimisht kjo prirje prekte vetëm të ngeshmit ekonomikë që donin të dalloheshin prej sërës së vjetër, progresivisht ajo mori trajtën e ortekut, ku, së paku mes atyre që ua mbante xhepi blerjen e diplomës, të mosqenit i diplomuar nënkuptonte të ishe midis të paktëve që s’kishin shkuar asnjëherë në shkollë. Kësisoj, të mospasurit diplomë nisi të luante atë rol statusor që kishte dikur analfabetizmi: u falet fakirëve, por të tjerëve kurrsesi. Së treti, të diplomuarit shprehte edhe një shpresë, sado utopike, të një jete më të mirë. Si gjithkund, të padiplomuarit bëjnë rëndom punët më të vështira, më pak të paguara e më të shfrytëzuara. A është vallë e pakuptimtë që në kushte të tilla të kërkohet me ngulm një diplomë, si pasaportë potenciale për një të nesërme më pak të mundimshme?! Edhe nëse kjo e nesërme është e papunë dhe të shtrëngon të bësh kamerierin, prapëseprapë kamerieri me diplomë është më i privilegjuar se i padiplomuari, pasi ka ende vend për shpresën e të mosqenit kamerier, në një botë tjetër, ëndrrash, më të drejtë.
T’i kthehemi rolit të shtetit dhe kërkesës për diplomim, që i bashkëngjitet atij të reklamës së vetë universiteteve për të prodhuar kërkesë edhe aty ku nuk ka paraprakisht, duke premtuar punësim të sigurt pasuniversitar, duke joshur me të qenit pjesë e një bashkësie të zgjedhurish që kanë të stampuar markën X a Y etj. Këta vjet roli i shtetit nuk është shprehur vetëm në favorizimin e kapitalit duke i ulur kostot, shpeshherë në kurriz të pasurive publike, por edhe në ushqimin e makinave të diplomimit privat me kërkesë të gjallë. Për mjaft punonjës shtetërorë, ish-qeveria Berisha shtonte artificialisht kërkesat e shkollimit të tyre. P.sh. infermierëve u kërkohej medoemos arsimimi i lartë universitar, paçka se ishin me një barrë përvojë profesionale. Mësuesve u kërkohej masteri, pavarësisht cilësive të tyre mësimdhënëse. Punonjësve të administratës së lartë u premtohej rritje page deri në 10000 lekë të reja për mbarimin e studimeve master etj. Afërmendsh që ky lum i papritur kërkese për diplomim do të rridhte edhe në shtratin e makinave private të diplomimit.
Sidoqoftë, kërcime të tilla të kërkesës për diplomim do të arrinin pikën e ngopjes, çka reflektohet kohët e fundit edhe në krizën ekonomike të mjaft makinave private të diplomimit, gjë që e përkeqëson edhe konkurrenca në rritje e tyre për të njëjtën kërkesë: studentin-konsumator. Në këtë kontekst mund të futet edhe tentativa e sotme e qeverisë Rama për rinxitjen e kërkesës për diplomim duke kaluar një pjesë të fondeve shtetërore nga universitetet publike drejt atyre private, çka në njërën anë kontribuon në rritjen e tarifave të universiteteve publike, e në anën tjetër në uljen e atyre private, pa prekur aspak masën ose normën e fitimit të tyre. Kjo e fundit reflektohet edhe në faktin se sipas projektreformës aktuale, makinat private të diplomimit kanë dorë të lirë të zgjedhin, sipas interesit, nëse do të kthehen në fondacione apo do të vazhdojnë të jenë agjenci hapur fitimprurëse (madje edhe si të tilla mund të përfitojnë grante kërkimi shkencor).
Shteti si metakapital
Për t’iu kthyer sërish logjikës së kapitalit, në sferën publike qarkullon një mendim sipas të cilit e gjitha kjo nuk ka të bëjë fare me kapitalin, pasi kapitalizmi është një sistem abstrakt e i kulluar neoliberal, që nuk duhet të ngatërrohet me praktikat korruptive të kapitalistëve konkretë me qeverinë. Thuhet po ashtu se kërkesën për diploma private e ushqen vetë shteti përmes punësimeve abuzive në administratë etj. Një pretendim i tillë niset mbi një keqkuptim sa teorik, aq edhe historik i kapitalizmit. Kapitalizmi, pavarësisht përpjekjeve ideologjike për ta paraqitur si një skemë të kulluar morale bashkëveprimi në treg, është një sistem real dhe historik, që në thelb dhe shpërfaqje të vet ka të njëjtën logjikë: atë të akumulimit, investimit, riakumulimit dhe ekspansionit të kapitalit. Kurdoherë, që në gjenezë, një proces i tillë është ndihmuar nga shteti, revolta e neoliberalëve ndaj të cilit nuk ka prekur ndonjëherë mbështetjen që shteti i jep kapitalit në tërësi, por ato që neoliberalët i quajnë investime ekonomikisht të padobishme, praktikisht ato investime ku shteti u shërben qytetarëve dhe jo kapitalit. Prej Adam Smithit e këtej, ithtarët e kapitalit e kanë kuptuar se pa shtetin, që me burimet e përbashkëta ngre infrastrukturën e investimit dhe qarkullimit të kapitalit, ky i fundit nuk mund të ngrihet. Po ashtu, pa shtetin me uniformën e policit e xhandarit që e zbyth revoltën e të shfrytëzuarve brenda getove të tyre, kapitali nuk mund të riprodhohet politikisht. Pa shtetin si ulës të traut të doganës për të ruajtur kapitalin vendas deri në fuqizimin e tij, kapitali do të zhdukej. Pa shtetin si hapës tregjesh përmes marinës e ushtrisë, kapitali nuk mund të përhapej në terrene të reja. Pa shtetin si mbrujtës ideologjik i qytetarëve, sidomos në shkolla, revolta nuk do të sublimohej. E në fund, pa shtetin si kapitalist i përgjithshëm, kapitali konkret nuk ka shpresë të dalë nga krizat ciklike, çka tregohet prej kejsianizmit të vjetër ruzveltian deri te shpëtimi bushisto-obamist i bankave në krizën e fundvitit 2008.
Edhe më konkretisht, cili shtet nuk e ushqen kërkesën e plotësuar nga oferta e kapitalit për mallra ose shërbime të caktuara?! Cili shtet nuk kryen investime publike dhe nuk ua jep ato për t’i realizuar kapitalit?! Cili supershtet nuk e ushqen kërkesën për armatime?! Po për studime strategjike apo produkte të caktuara të kërkimeve shkencore, të ofruara pikërisht prej universiteteve (edhe private)?! Kësisoj, teza se kapitali nuk ka nevojë për shtetin është në rastin më të mirë pretendim i farkëtuar në botën iluzore të ideologjisë.
T’i kthehemi projektreformës aktuale. Një shtet që funksionon sipas logjikës së kapitalit nuk kërkon vetëm që ta mbështesë atë, por edhe që të sillet sipas modelit të një ndërmarrjeje kapitaliste. Kësisoj shtetit tonë (kupto: qeverisë) i duhet të pakësojë, ose të paktën të mos rrisë shpenzimet. Sipas draftit në fjalë, ndërsa pjesa e mbështetjes së kapitalit të investuar në makina diplomimi shprehet në kalimin e fondeve shtetërore tek to, pjesa e sjelljes si një ndërmarrje kapitaliste paraqitet përmes mosrritjes së shpenzimeve për arsimin e lartë dhe tërheqjes graduale të shtetit nga financimi i jetës universitare publike, çka do të kërkojë shndërrimin progresiv të universiteteve publike në agjenci tregtare. Po ashtu, shteti dhe universitetet publike do të kujdesen edhe për rritjen e të ardhurave, dhe këto të fundit pritet të shtohen kryesisht përmes rritjes së tarifave studentore. Të ardhurat=shpenzimet brenda një rrethi të mbyllur që nuk pranon ndërhyrjen e shtetit në fusha të tjera të ekonomisë që do të garantonin arsimim publik të palidhur drejtpërdrejt me kostot e studimit.
Shteti neoliberal (në shërbim të kapitalit dhe i organizuar sipas parimeve të kapitalit) tërhiqet gjithnjë e më tepër nga aspektet sociale të ndërhyrjes së tij duke ua lënë të varfërve barrën e të zgjidhurit të problemeve që nuk i kanë shkaktuar ata, por janë strukturore. Po ky shtet heq dorë nga rimodelimi i ekonomisë drejt sektorëve fuqizimi i të cilëve garanton më shumë begati të përbashkët, dhe vihet në rolin e “rojës së natës” (kupto: policit që frikëson të mjeruarit) së lëkundjeve tronditëse të kapitalit. Një shtet me pavarësi nga kapitali do të synonte, së paku, t’i orientonte kapitalet drejt sektorëve prodhues, jo duke favorizuar me ulje taksash (athua se s’na bëri Berisha pararojë të taksave të ulëta) apo tejshfrytëzim të fuqisë punëtore, por duke shfavorizuar pikërisht investimet joprodhuese të kapitalit, si në rastin e makinave të prodhimit të diplomave, të cilat në Shqipëri ende konsiderohen pararojë e biznesit pasi në këtë vend edhe buka blihet me TVSH, ndërsa diploma private jo. Megjithatë në rastin e kapitalit diplomor, do të mjaftonte vetëm që shteti të mos u premtonte para publike dhe të mbikëqyrte seriozisht procesin e tyre mësimor dhe diplomues, dhe kapitalet shumë shpejt do të fluturonin prej tyre duke hapur mundësinë që të shkojnë drejt sektorëve prodhues, ku jo vetëm do të punësonin më shumë, por edhe do të rrisnin mundësitë për organizime punëtore emancipuese të cilat lehtësohen nga ulja e papunësisë dhe masifikimi i punëtorëve në vende pune.
Gjithsesi, shteti neoliberal ka edhe funksione disiplinuese të popullsisë, e në rastin tonë të trupës studentore. Përmes rritjes së tarifave gjithnjë e më pak studentë të shtresave të ulëta do të kenë mundësinë të hyjnë në universitete. Mungesa e të varfërve ose thuajse-të varfërve në universitete do të largojë mundësinë që studenti të shndërrohet në ndërmjetës i të varfërve dhe të shfrytëzuarve të tjerë, duke mos e identifikuar fatin e vet nga pikëpamja klasore me atë të fundmëve të shoqërisë. Studenti i sotëm, pjesërisht, është ende fëmija i të papunit ose i punëtorit të shfrytëzuar. Nga ana tjetër, studentëve që do ta përballojnë ekonomikisht aventurën universitare do t’iu lidhet pas qafe thesi i rëndë i kredisë studentore, e cila do të bëhet edhe më e rëndë në kushtet e një ekonomie neoliberale që për masën e gjerë studentore premton veç nënpunësim dhe keqpagim. Dhe subjekti më i urtë ndaj kreditorit është borxhliu, paçka se ky i fundit mund të jetë tmerri i gjithkujt tjetër. Studenti borxhli do të jetë konkurruesi ekonomik me bashkëstudentin, bashkëpunëtorin e ardhshëm, dyshuesi agresiv ndaj tjetrit bashkëvuajtës me të, dhe njëkohësisht i nënshtruari i pazë ndaj shtetit dhe sistemit ekonomik që i ka pushtuar të ardhmen përmes borxhit. Dhe nëse i lejojmë vetes një dozë hamendësimi, si nga ato me të cilat është plot projektreforma, mund të themi, duke marrë parasysh rrezikun e të ngjarit konspirativist, se një reformë e tillë disiplinuese ndaj trupës studentore nisi të ngjizej bash pasi qeveria aktuale ndjeu fuqinë tronditëse të vetorganizimeve masive rinore, sidomos studentore, kundër importimit të armëve kimike.
Ideologiekritik
Totaliteti kontradiktor i kapitalit nuk mund të nyjëtohet e të arrijë stabilitet të përkohshëm pa ideologjinë, funksioni i të cilës është të riprodhojë gjendjen e situatës duke e bërë të justifikueshme. Ideologjinë mund ta përkufizojmë përmbajtësisht si tërësinë e parimeve, vlerave, gjykimeve, përshtypjeve, imagjinatave që synojnë riprodhimin e kapitalit dhe shtetit. Në logjikën e ideologjisë shpërfaqet natyralizimi i një poli të qenies, e cila ka potencialin të ecë përpara drejt vetëpërmbushjes dhe një poli të mohimit, ekzistenca e të cilit shërben për të forcuar identitetin e të parës. Natyra të cilës i referohen ideologët nuk është thjesht një e dhënë e pandryshueshme, e rrënjosur gjenetikisht te njeriu si i tillë (si p.sh. rendja pas vetësigurisë, interesit vetjak), por edhe shprehëse e një lloj historicizmi të njëkahshëm aristotelian fundi i të cilit mund të parathuhet. Pra ideologjia e pranon ndryshimin, por këtë të fundit e konsideron si ecje të dalëngadaltë përgjatë të vetmes rrugë, ku në pararojë janë vende qenia e të cilave është më pranë esencës së mbrame, më pas një varg vendesh kush më afër e kush më larg (mes tyre edhe Shqipëria), dhe kundër tyre një shkatërrimtari antinjerëzore e mishëruar jo vetëm në qytetërime, por edhe në sisteme të menduarit.
Logjika e ideologjisë vërehet në ligjërimin e parashtruesve të reformës në arsimin e lartë. Vetë ata, duke parë si përkryerje të kapitalit ekspansionin e tij deri në kufijtë e totalitetit përtej të cilit s’ka asgjë dhe brenda të cilit janë shuar kontradiktat, marrin si pikë referimi pararojë modelin anglosakson, diçka që në imagjinatën ideologjike fqinjëron midis amerikanes dhe britanikes. Ata janë pararoja të cilën thuhet se po e ndjekin kokulura edhe vende me tradita publike, sidomos në arsimin e lartë, si Gjermania ose Franca. Në vargun e pafund të qenieve të papërmbushura gjendet edhe Shqipëria, që për ideologët shqiptarë ka shansin e madh të kapërcejë shkallët duke iu afruar pararojës. Si mundet Shqipëria? Ndoshta nuk ka pengesat e traditës antikapitaliste evropiano-kontinentale; ndoshta është nxënësi i bankës së fundit që ka shansin e madh të rendjes pas mësuesit; ndoshta është bash ky nxënës rrugaç i fundit të cilin përvoja katastrofike (kujto përdorimin ideologjik të së shkuarës komuniste në Shqipëri) e bën të jetë më i vendosur në ndjekjen e shpejtë të rrugës së vetme. Pra, logjika natyralisto-historiciste e ideologjisë kërkon të veprohet shpejt.
Po ashtu ideologjia karakterizohet nga çsubjektivimi edhe i vetë propozuesve të reformës, të cilët në tekst e heqin përgjegjësinë nga vetja duke iu referuar gjithmonë një Tjetri të madh imagjinar të quajtur herë Përvojat më të mira botërore, herë Model anglosakson, po që në të vërtetë shënjon hiç më pak sesa rrugëtimin e kapitalizmit drejt ekspansionit total, çka s’ka pse ta kursejë arsimin e lartë. Ideologët nuk flasin vetë, ata flasinnë emër të…ata nuk kanë faj për dështimin, se ata janë thjesht të thirrur (interpeluar) në rolin e përcjellësit të të vërtetave të mbrame ideologjike. Nëse diçka dështon, fajin s’e kanë ata, as Tjetri i madh si garant i të vërtetës ideologjike, por paaftësia substanciale kulturore e një populli i cili, në rast të dështimit të anglosaksonizimit të arsimit të lartë, duhet të rrëfejë fajshëm foshnjërinë e tij, të pamerituarit e një dhurate të tillë. Kësisoj s’do ishte e çuditshme që, në rast dështimi, ndonjëri nga anëtarët e komisionit të reformës të flasë për të si kryetari i bashkisë karrocierit te Koncerti në vitin 36: “Kjo reformë është bërë sipas modelit të naltmadhnishëm anglosakson, por ju jeni qerrata popull që s’e vlerësoni.”
Ideologjia shpreh në logjikën e saj edhe domosdoshmërinë e armikut si mohues i përparimit, si një mikrob patogjen, të huaj për trupin shoqëror. Këta, që në raste të tjera quhen orientalë, kësaj here janë majtisti ekstrem që kapet pas iluzioneve të bukura të idesë së universitetit, bajraktari i vogël i jetës universitare, burokrati që nuk do të prishë terezinë, studenti kokëkrisur që u beson të parëve etj. Të gjithë këta janë të huaj e të rrezikshëm, janë ata ekzistenca e të cilëve nuk konsiderohet si shprehëse e një kontradikte politiko-shoqërore themeluese, por si mohuese herë arkaike, herë ëndërrimtare (në të dyja rastet potencialisht shkatërrimtare), e ecjes së pandalshme kah përkryerja kapitaliste, që në këtë rast sendërtohet në shtrirjen e marrëdhënieve kapitaliste në krejt fushën e arsimit të lartë.
Sidoqoftë, ideologjia nuk shpërfaq vetëm logjikën, por edhe përmbajtjen e saj. Nëse e para është kushtetimore pasi ndërton subjekte ideologjike (duke çsubjektivuar në kuptimin real-emancipues), e dyta thjesht prodhon ndërgjegje të rreme. Kësisoj jo vetëm nga mbrojtësit e mbramë të projektreformës, por më herët e më gjerë akoma, procesi neoliberalizues i arsimit të lartë është mbështetur mbi nocione kyçe si ai i konkurrencës. Si çdo nocion ideologjik, edhe konkurrenca paraqitet si vlerë dhe shpjeguese e vetëmjaftueshme. Edhe nëse e shkëpusim nga terreni financiar ku e ka vendosur qeveria, konkurrenca vështirë se mund të merret në të gjitha rastet si shtytëse e përmirësimeve cilësore (në arsim). Parimi i konkurrencës është ai i të mirës relative dhe krahasimore, dhe jo i të mirës dhe ngritjes së përbashkët. Nga konkurrenca del fitues më i miri dhe jo i miri, dhe më i miri mund të jetë edhe më pak i keqi nga të këqijtë. Si në një ndeshje boksi, në fund fiton ai që ka dhënë më shumë grushte në raport me çka marrë dhe jo ai që ka dalë nga ndeshja më i shëndetshëm nga çka hyrë. Të paktën në parim, konkurrenca nuk di si t’i shpëtojë rrethanës së anekdotës së dy fshatarëve, ku të parit engjëlli i ofron t’i japë ç’t’i dojë zemra, por me kushtin që bashkëfshatarit të tij t’i japë dyfishin. Afërmendsh, fshatari i parë i kërkoi t’i qëronte njërin sy. Kësisoj, edhe në kushte të favorshme të organizimit universitar, në vend të konkurrencës që do të rendiste krahasimisht universitetet, mund të përdoreshin kritere gjerësisht të pranuara të cilësisë akademike dhe institucionet të vlerësoheshin dhe të ndihmoheshin të arrinin pikërisht ato nivele, pavarësisht raporteve mes tyre. E kthyer në arsim, konkurrenca e përkeqëson edhe më situatën përtej reflektimit të mësipërm, pasi në kushte të shfavorshme, sikundër projektreforma do t’i prodhojë për universitetet publike, fitimtar do të dalë ai që i përshtatet më mirë (për së keqi) riprodhimit të logjikës së tregut brenda vetes.
Po ideologjikisht, neoliberalizuesit e arsimit të lartë parashtrojnë edhe parimin e barazisë, duke kërkuar që shteti, sipas fjalëve të kryeministrit tanimë, të mos i trajtojë universitetet publike si të nënës dhe ato private si të njerkës. Për ta, domethënia e publikes dhe e barazisë është feudale. Barazia si themeluese e publikes nuk nënkupton që çdo grupim minoritar, i llojit të rendeve të para në Rendet e Përgjithshme të Francës pararevolucionare, duhet të ketë të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët të marrë së bashku. Kësaj “barazie” i kanë thënë zakonisht privilegj. Barazi në sferën publike do të thotë se kjo e fundit është e hapur për të gjithë, nga ajo mund të përfitojnë të gjithë, dhe nëse për hir të ngushtësive të caktuara kjo bëhet e pamundur, atëherë duhet zbatuar një procedurë e paanshme e ndarjes së përfitimeve si shorti apo merita. E shtruar në rastin e universiteteve, barazi nuk do të thotë që çdo privat minoritar i organizuar juridikisht të ketë të njëjtat përfitime me universitetet publike, por se universitetet publike duhet të jenë të hapura për gjithkënd (për të hyrë e studiuar, dhe jo diplomuar medoemos), dhe nëse kjo konsiderohet ekonomikisht e papërballueshme, atëherë i vetmi kusht pranimi duhet të jetë ai i rezultatit në provimin hyrës, çka nuk përjashton në nisje askënd.
Nga ana tjetër, ndërtimi i studentëve si subjekte konsumatore që kanë të drejtën të zgjedhin universitetin në bazë të performancës duket se riprodhon logjikën korruptuese të përfaqësimit politik. Ndryshe nga format pjesëmarrëse të demokracisë, ku subjekti politik është i angazhuar për të krijuar kolektivitetet e duhura që rrisin fuqinë dhe të mirën e përbashkët, në demokracinë përfaqësuese subjekti zgjedh si shikues pasiv televizionesh: një herë në katër vjet ndërron kanalin në bazë të përshtypjeve të krijuara me ngushëllimin se ka shmangur të keqen më të madhe dhe me pesimizmin e një pështytësi të përditshëm në rrugë. Edhe studentëve tanimë nuk u kërkohet më të futen në universitetet publike dhe të angazhohen kolektivisht në përmirësimin e tyre, në fuqizimin e vetes si studentë etj., por thjesht si konsumatorë individualë të krijojnë një përshtypje paraprake mbi universitetet dhe të zgjedhin njërin prej tyre. Më pas…borxhi, konkurrenca, notat, bërja e vetes të shitshëm etj.
Gjithashtu shndërrimi i universiteteve publike në agjenci tregtare dhe i studentëve në konsumatorë priten të transformojnë edhe raportet në klasë midis pedagogëve dhe studentëve. Në një universitet publik të papërshkuar nga logjika e kapitalit, pedagogët dhe studentët, të paktën në parim, janë bashkëplotësues, dhe pavarësisht raporteve pushtetore të rezistueshme në klasë, mund të ndajnë të njëjtin qëllim: dijësimin e drejtpërdrejtë të studentëve dhe atë të tërthortë (përmes pyetjeve, dhënies së këndvështrimeve jashtëskematike, hapjes së problematikave të reja përmes diskutimit etj.) të pedagogëve. Tanimë, raporti pedagog-studentë do kanalizohet varfërisht në logjikën antagoniste të shitësit dhe blerësit. Pedagogët duan të shesin sa më shtrenjtë (tarifat më të larta studentore nënkuptojnë rritje pagash për ta), ndërsa studentët të blejnë sa më lirë.
Neoliberalizuesit e arsimit të lartë pretendojnë edhe se futja e logjikës së tregut (kupto: kapitalit) në universitete do t’i përmirësonte ato cilësisht, me besimin mitik të zotit-treg që ka zëvendësuar zotin-diell: ku hyn tregu, s’hyn xherahu. Sidoqoftë, këtu s’do të merremi me idenë se tregtarizimi i universiteteve është oksimoron, por me paralelet që marrin si shembuj neoliberalët. Rëndom thuhet se duhen krahasuar televizionet private, sidomos ato më të famshmet, me televizionin publik. Mirëpo nëse nuk marrim për tregues cilësie spektakolarizimin apo vulgaritetin, nuk kuptohet se pse televizionet private janë më të mira se ai publik, i cili afërmendsh është keq. Të paktën në televizionin publik, të keqadministruar sidozot, gjen edhe ndonjë emision për bletët. Mëtimi se televizioni publik është thjesht vegël propagandistike qeveritare që s’ofron informacion të vërtetë e të drejtpeshuar bëhet gjithnjë e më i tjetërbotshëm tanimë kur televizionet private nuk janë më pak propagandistike në linjën e tyre editoriale, proqeveritare ose proopozitare. Po prapëseprapë ato i ndjek publiku – do ia behin. Mirëpo kjo nuk shpjegon se pse publiku “shtrëngohet” t’i ndjekë, apo se si lidhet kjo ndjekshmëri me rënien progresive kulturore të masës së gjerë të popullsisë, se si kjo e fundit buron nga degradimi i institucioneve arsimore dhe kulturore edhe si rezultat i tregtarizimit të tyre, ç’lidhje ka ky i fundit me strukturimin ultrakapitalist të ekonomisë etj.
Sidoqoftë propozuesit e projektreformës e kanë një përparësi, dhe bëjnë ç’është e mundur për ta përdorur ideologjikisht: gjendjen aktuale të universiteteve publike. Kur problemet janë të mëdha, avantazhi i shformuesve është i madh, pasi gjithçka që ndryshon rrënjësisht nga e tashmja pranohet më lehtë si shpëtim, paçka se mund të përbëjë përkeqësim. Mjafton të kujtojmë se si u vendos regjimi nazist në Gjermani pas krizës së madhe të kapitalizmit. Në emër të luftës kundër judeo-bolshevizmit, judeo-spekulantëve financiarë dhe korruptimit parlamentarist, ata ofruan si shpëtim shtetin total, kapitalisto-korporativist në ekonomi, dhe një udhëheqës të padiskutueshëm si sintezë e tyre.
Megjithatë, neoliberalizuesit e arsimit të lartë e kërkojnë problemin aty ku nuk është (te shpërndarja e fondeve) dhe i zbulojnë problemet me përdorimin e formave më të ulëta të mendjes si hamendja, përshtypja ose opinionet. Po cilat janë problemet? Së pari, universitetet publike janë struktura gjysmë-ose më shumë- feudale, ku pushteti i të zgjedhurve formalisht është rëndom i padiskutueshëm dhe abuzues. Sidoqoftë zgjidhja e projektreformës në fjalë është kundërthënëse, përderisa një problemi që buron nga mungesa e demokracisë i jep si zgjidhje zhdukjen fare të demokracisë (rasti i heqjes së të drejtës së studentëve për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve të rektorëve dhe dekanëve), athua se për t’i bërë ballë blerjes së votës në Shqipëri zgjidhje do të ishte heqja fare e të drejtës së votës. Propozuesit e saj pretendojnë po ideologjikisht se në vende me demokraci të pazhvilluar e drejta e votës është regresive, duke propozuar modele anakronike të despotizmave të ndritur, mendësi kryekëput kolonialiste prej “white’s men burden”.
Aty ku ideologjia nuk keqparaqet, fsheh. Ky është rasti i kushteve të jetesës dhe studimit për studentët. Asnjë fjalë për to në krejt reformën, ku studenti thirret në emër vetëm si konsumator që duhet të paguajë më shumë dhe si subjekt në zhveshje nga të drejtat formale zgjedhëse. Problemet me kushtet e jetesës dhe të studimit prodhojnë një studentëri pasive e të dorëzuar, të cilës përkeqësimi i ngjan si normalitet progresiv i kudohasshëm, dhe mbi të gjitha skeptike ndaj çdo përpjekjeje kolektive rezistuese. Fundja projektreformuesit nuk do të guxonin të sillnin nëpër mend modele të tilla nëse trupa studentore do të kishte aktualisht një raport identifikues me idenë dhe praktikën e universitetit.
Për sa i përket cilësisë së mësimdhënies dhe raporteve pedagog-student, projektreforma ose hesht, ose jep zgjidhje burokratizuese, duke e kushtëzuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor me plotësimin e disa kritereve të vendosura dhe të vlerësueshme burokratikisht. Nëse universitetet publike sot kanë probleme cilësie kjo nuk vjen nga moskonkurrenca e tyre në treg, por nga mbyllja brenda guaskës private feudale të pedagogëve, ku sfera publike e diskutimeve dhe debateve shkencore është e varfër dhe ku raporti me studentët nuk është ai i bashkësendërtuesve të dijes, por i transmetuesve të njohurive të gatshme për tru që konsiderohen të virgjër. Hapja e universiteteve ndaj shoqërisë (jo ndaj interesave private të të privilegjuarve biznesmenë) dhe ndaj njëri-tjetrit, integrimi i studentëve në veprimtaritë studimore, riformësimi i marrëdhënieve në klasë, nxitja e studentëve për vetorganizim shumëpërmasor, zgjerimi i demokracisë pjesëmarrëse etj., do të përbënin premisa nga ku mund të nisë rithemelimi i universiteteve si mirëfilli publike, jashtë logjikës së forcës së kapitalit dhe të shtetit në shërbim të tij.
Shtrohet pyetja: A mund të prodhohet një universitet emancipues pa transformuar njëkohësisht strukturën ekonomike të dominuar nga kapitali dhe atë politike nga shteti metakapital? Mbase jo, por nisja e punës në universitet, transformimet fillestare minimale në të, aty ku logjikat e kapitalit dhe shtetit nuk janë krejt mbytëse, mund të shërbejë edhe si foco nga ku të synohet shoqëria mbarë, edhe si farkëtuese subjektesh politike të organizuara dhe emancipuese që janë pjesë e shoqërisë dhe veprojnë brenda saj si agjentë transformues.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.