U bënë shumë ditë prej kohës kur NE dorëzuam peticionin gjashtëpikësh pranë Ministrisë së Transporteve: 1. Të mos rritet çmimi i biletave dhe aboneve. 2. Të bëhet falas dhe të krijohen lehtësirat e nevojshme për kategoritë sociale në nevojë akute si të papunët, përfituesit e ndihmës ekonomike, studentët, pensionistët etj. 3. Të përmirësohet cilësia e shërbimit, veçanërisht numër pasagjerësh për autobus, dhe shpejtësia mesatare e transportit. 4. Të bëhen transparente kostot dhe fitimet e këtij shërbimi. 5. Të eliminohet informaliteti me biletat. 6. Të përmirësohen kushtet e punës dhe pagat për punonjësit e këtij shërbimi.
Mirëpo gjer me sot, Ministria e Transporteve jo vetëm që nuk ka kthyer përgjigje për shqetësimin qytetar, por pikat e mësipërme, pasqyruese të mospajtimit me gjendjen mjerane te transportit urban qytetas, vazhdojnë të shkelen dhe përkeqësohen. Sot, me dhjetëra studentë janë rreshtuar në radhë të gjata për të siguruar një abone mujore, dhënia e së cilës tashmë ka marrë përmasën e privilegjit, mallit, dhe jo te drejtës qytetare e kushtetuese të lëvizjes së lirë. Sot, mijëra punëtorëve, pensionistëve, nxënësve e studentëve po u bëhet haptazi e ditur se pajisja me abone nuk do të jetë më si më parë. Shantazhi për të pranuar rritjen e çmimit shprehet kudo, që nga shpejtësia e autobusit, trajtimi i pasagjerëve, pajisja me abone dhe shumë keqtrajtime të tjera që ushtron ndaj qytetarit ky shërbim publik. TRANSPORTI URBAN është shërbim publik, është e drejtë dhe liri kushtetuese, është lëvizja e domosdoshme drejt punës, shkollës, tregut etj. Është vete qyteti. Dhe qyteti, shkolla, puna nuk mund të mbahen peng nga egot për fitime të maksimalizuara të një grushti pronarësh. Shteti duhet të veprojë shpejt dhe fort kundrejt këtyre kapriçove pasi përfaqëson vullnetin qytetar dhe interesin publik, e kurrsesi nuk duhet t’i dëmtojë këto për shkak të disa konçensionareve private që kanë shkelur me të dyja këmbët kontratën dhe kushtet e saj. Shteti duhet t’u heqë përfundimisht licencën dhe të hapë procedurat për t’ua dhënë kompanive të tjera që marrin përsipër të ofrojnë cilësi më të lartë me çmimin aktual. Përndryshe, ta marrë vetë në administrim transportin urban qytetas. TË HËNËN, ora 12:00, nga “Partizani i Panjohur” drejt Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve! Për t’i kërkuar llogari kryebashkiakut që i ka lënë nevojat dhe hallet e qytetarëve në mes të katër rrugëve për t’u marrë me çështje partiake, ndërkohë që është zgjedhur për t’i shërbyer qytetit. Te Ministria e Transporteve për të na kthyer MENJËHERË përgjigje për kërkesat e dorëzuara pak kohë më parë. PËR TRANSPORT PUBLIK TË LIRE DHE CILËSOR! TË HËNËN do të kërkojmë fort dhe zëlartë zgjidhjen e MENJËHERSHME të këtij problemi që po e dhunon tash sa kohë qytetin e Tiranës dhe qytetarët e saj. TË HËNËN, për t’i dalë zot vetes! PËR TË VETËVENDOSUR! Lajmëro miqtë, shokët, në pune e në shkolle, në rrethe miqësore dhe familjare që të bashkëngjiten për një çështje kaq jetike dhe që i përfshin të gjithë, pa dallim. Lexoje dhe shpërndaje lajmin. BASHKOHU! BASHKOHUNI! PËR TRANSPORT PUBLIK TË LIRË DHE CILËSOR! Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.Për transport publik cilësor dhe të lirë
/Organizata Politike/