Për tri ditë me radhë, punëtorë dhe qytetarë të Rrëshenit kryengrihen rrugëve të qytetit kundër kompanisë turke që po ndërton HEC-in buzë lumit Fan. Protestë që mori shkas nga vdekja e tri punëtorëve pak ditë më parë, dy shqiptarëve dhe një qytetari turk. E sipas të dhënave jozyrtare të punëtorëve dhe inspektorëve të atyshëm, ky nuk është rast i izoluar. Ky është rasti i vetëm i raportuar. Gjymtime dhe aksidente të tjera kanë ndodhur gjatë këtyre kohëve, por asnjëra prej tyre nuk është bërë publike. Ndaj dhe marshimi punëtor drejtohet jo vetëm kundër mungesës së kushteve më elementare të sigurisë në vendin e punës, por edhe kundër praktikave të kompanive të huaja në rast aksidentesh: mbulimi pa zhurmë i ngjarjeve dhe zarfet e bardha të heshtjes për vejushat kujëzeza.
Sepse punëtorët e vendit tonë ekzistojnë vetëm kur të vdesin. Marrin realitet publik dhe klasor vetëm kronikave të zeza televizive. Ditëve të tjera, nuk janë! Si dukje dhe zë jo të paktën. Por edhe si trupa industrialë apo klasë shoqërore mohohen sistematikisht në rrugë mjaft të turpshme. Nga klasa politike, biznesore dhe aparatçikët e tjerë të moralit mbizotërues. Sindikalizmi është rrëzuar akoma pa u ngritur në plogështi dhe komprometim. Ndërkohë, pjesa tjetër e popullsisë, punëtorët, të papunët dhe periferikët as që e mendojnë veten si subjekte me të drejta kushtetuese dhe konventuale të ratifikuara me zell të veçantë prej burokratëve tanë institucionalë. Të drejta për punë dhe në punë. Ose më saktë, zbukurime universale për burgun e shpëlarë periferik.
Sot, përveç imazheve të gjalla të industrializmit mbishfrytëzues dhe keqpagues të shek të XIX, në industrinë tonë tekstile dhe sipërmarrjet e tjera fabrikate po ndodh dhe femërizimi i shpejtë i klasës punëtore, dukuri kjo e kapitalizmit në fazën më të lartë ekspansioniste, ku prodhimi dhe kapitali zhvendosen drejt vendeve të pazhvilluara, në të cilat fabrikat pasqyrojnë rendet patriarkale përkatëse, duke siguruar kështu fitime marrëzisht të larta me kosto tmerrësisht të ulëta pa kurrfarë rezistence. E tillë është dhe dyndja e mijëra grave dhe vajzave drejt bunkerëve të industrisë tekstile, si e vetmja rrugë mbijetese. Pa kushte, pa siguracione, pa pagë dinjitoze dhe në represion të vazhdueshëm supervizor. E drejta sindikale nuk ekziston. Çdo tentativë rebelimi shtypet me penalizime dhe përçarje kolektive. E në këto kushte punëtoret vendosen përballë dy alternativave: o buka e heshtur, o rripi bashkëshortor. Ndërkohë shteti, ky roje i devotshëm i të drejtave dhe lirive, sodit buzagaz zgjedhjen e gruas së nënshtruar periferike.
E njëjta vlen edhe për industrinë minerare. E zaptuar nga krimi, e zhvatur nga pushtetarët dhe e gërryer gjer në shpirt nga konçensionarët, ky sektor është kthyer në zgafellë fort të errët ferri. Aty shpërfaqet fytyra reale dhe “legjitime” e rendit shoqëror ekzistues. Rrënim industrial, gërmadha urbane, kontrata me kusht të detyrueshëm “ruajtjen e konfidencialitetit”, ndarje e punës mbi baza klanore dhe zhveshje e punëtoreve prej çdo të drejte dhe vendimmarrjeje kolektive. Vështro në Bulqizën e këtyre ditëve! Si Kongo! Pengmarrja e saj prej një grushti batakçinjsh vazhdon të shkaktojë tmerre përballë të cilave çdo fjalë është e tepërt dhe ndërhyrja radikale shtetëzuese e domosdoshme.
Një tjetër sektor i rëndësishëm për ekonominë është sektori i ndërtimeve infrastrukturore. Pra, i ndërtimeve në energji, rrugë dhe telekomunikacion. Ky sektor, i privatizuar kryesisht nga kapitali turk, bart shtypje nga më mizoret dhe trazime të heshtura punëtore. Kontratat e parregullta, keqpagimet, aksidentet e paraportuara të çdoditshme, turnet tridhjetegjashtorëshe etj, shpalosin imazhe të denja për favelat famoze katariane. Imazhe që mbahen në këmbë përmes represionit të vazhdueshëm të njësive policore dhe sistemeve identifikuese-përjashtuese që kompanitë turke kanë ndërtuar së fundmi për punëtorët rebelë, të cilët nuk do të mund të punësohen më kurrë në këto kompani, e për rrjedhojë, në pjesën dërmuese të fronteve të punës.
E gjithë kjo shtypje dhe mizori mbahet në këmbë përmes ngritjes së sistemeve represive në vendin e punës, ndër të cilët do të veçojmë: a) Marrëveshjet privilegjuese apo të paligjshme të kompanive me zyrtarët shtetërorë për të mos zbatuar detyrimet kontraktuale: si p.sh. investimet e detyrueshme në sektorin përkatës, në kushtet teknike dhe makineri, në paga dhe përfitime sociale. Kushte që nuk përmbushen në pjesën dërmuese të rasteve për shkak të korruptimit të mekanizmave mbikëqyrës dhe logjikës së tregut (nevoja për rritjen e normës së fitimit si kusht themelor për të mbijetuar në treg). Ky korruptim, së bashku me ryshfetin, sjell rrënimin e pasurive publike, abuzime të rënda ndaj punëtorëve dhe çizmet e zeza policore.
b) Ndarja klanore e punës. E gjithë hierarkia e organizimit dhe kontrollit të procesit të prodhimit ndahet sipas metodave feudale, d.m.th. që nga roja e objektit gjer tek inxhinieri përgjegjës dhe zyrtari shtetëror autoritet suprem nuk është ligji, por logjika e fitimeve të shpejta e të larta me kosto fare të ulëta në dobi të pronarit. E në këtë pikë, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore (si në rast aksidentesh, padrejtësish, paligjshmërisë) nuk janë gjë tjetër veçse fytyra të rrejshme njerëzore për një rend dukshëm çnjerëzor.
c) Nënshtrimi i shtetit ndaj nevojës për kapital të huaj dhe krijimi i pellgjeve të mbishfrytëzimit e korruptimit institucional, si kushte të domosdoshme për zbarkimin e këtij kapitali, ka zhvleftësuar pjesën më të rëndësishme të rendit tonë juridik: të drejtat kushtetuese për bashkim dhe mbrojtje sindikale. Në fabrika dhe sektorë të tjerë të prodhimit punëtorët gjenden të nënshtruar përballë mizorisë supervizore dhe kushteve tejet të rënda të punës. Siç e thamë më sipër, përpjekjet për bashkim punëtor jo vetëm që ndëshkohen pa mëshirë, por është arritur gjer aty sa kompanitë turke, privatizueset e sektorëve më të rëndësishëm ekonomikë, të ndërtojnë sistemeve represive identifikim-përjashtimi.
d) Artikulimi hegjemonik i klasës politike. Sot, fjalorthi politik zyrtar është spastruar nga nocioni i punëtorit. Përmendja e tij përbën rrezik për “stabilitetin financiar”, “investimet e huaja”, “rritjen ekonomike”, duke promovuar kështu shtypjen kolektive. Por edhe nëse përmendet, punëtori kufizohet në sfond gazetaresk për përmjerrjet e lodhta moraliste të këmishbardhëve qeveritarë, për të cilët papunësia është shprehje e parazitizmit, ndërsa dëmshpërblimi i biznesit, subvencionimi i biznesit, çudibërjet biznesore qëllim hyjnor i shoqërisë. Pra, nuk ekziston punëtori i shfrytëzuar. Ekziston vetëm pronari i mirë, i shfrytëzuar nga shteti dhe i ndrydhur nga të papunë mendjemëdhenj që ëndërrojnë të bëhen kryeministra.
Ç’të bëjmë? Si t’u kundërvihemi bunkerëve industrialë? A është i mundur ndërgjegjësimi i masave punëtore në kushtet e një burgu pa rrugëdalje? Po të nëndheshmit mirditorë që bojkotojnë për ditë me radhë si mund dhe si duhet të veprojnë për t’i gjetur zgjidhje problemit të tyre? Bazuar në praktikën politike dy vjeçare të Organizatës Politike, ndërgjegjësimi i masave punonjëse përmes formave të ndryshme, si shpërndarja e fletushkave sensibilizuese, thirrjet për marshim, shpërndarja e gazetave dhe buletinëve të ndryshëm që këmbëngulnin në çështjen punëtore apo dhe përpjekjet për të bashkuar organizime të vogla punonjëse në një trup të vetëm, kanë rezultuar pak produktive. Ndryshimi i taktikave dhe artikulimit nga viti në vit ka dëshmuar se problemi nuk qëndron dhe aq tek ndjekja e rrugëve jorezultative dhe as tek mungesa e vetëdijes klasore, edhe pse gabimet taktike e vetëdija klasore krejtësisht elementare na ndoqën hap pas hapi. Përse ndodh kjo? Ngaqë punëtorët, të pamësuar me rezistencën brenda objektit të punës, të braktisur nga kolektiviteti gjatë ngritjeve sporadike të zërit dhe të ndëshkuar me papunësi për shkak të tentativave të tilla, kërkojnë një siguri paraprake, që praktikisht nuk mund të ofrohet dhe teorikisht mbetet abstraksion.
I tillë, i habitshëm dhe i pakuptueshëm qe dhe konfuzioni i punëtorëve për tu intervistuar gjatë përgatitjes së dokumentarit “Vrik nga e Nëndheshmja: Mbi gjendjen e klasës punëtore” të Organizatës Politike. Konfuzion që nuk niste vetëm te punëtori i intervistuar mirditor, dje i nënshtruari i pazë dhe sot zëlarti në protestë, por edhe tek lumpeni mëditës i Partizanit të Panjohur që s’ka asgjë për të humbur, bash asgjë, por që frigohej athua se syri i punëdhënësit të rastësishëm e vështronte qortues nga lartësitë e kupës qiellore.
Paranojë që punëtorët mirditorë mund dhe kanë për ta mposhtur. E kundërta do t’u kushtonte shtrenjtë, pasi u nevojitej vdekja e tri shokëve të tyre për t’i dhënë shtysë dhe zemër mosbindjes publike, për të bërë të ditur tmerret e përditshmërisë, raportimi i të cilëve është i pamundur në kushte të zakonshme. Por edhe sepse siguria që ofron kolektiviteti është tashmë aty, me punëtorë dhe qytetarë. Ndaj ajo çka duhet të bëjnë punëtorët grevistë nuk është bashkëpunimi me aristokratë sindikalë apo oportunistë të vegjël lokalë, por përsosja e mëtejshme e artikulimit publik të kërkesave të tyre, përforcimi i lidhjeve me qytetarët dhe ndërlidhja me grupe të tjera punonjëse të sektorëve të ngjashëm. Ky rebelim nuk mund të kufizohet dhe përfundojë në zhurmë thjesht lokale, sepse çështja nuk është aspak e tillë. Ky rebelim duhet të shërbejë për ngritjen e mijëra të tjerëve, të nënshtruarve të nëndheshëm, të përjashtuarve nga çdo të drejtë, mbi gjakun heshtjen dhe djersën e të cilëve ngrihet një industri miliarda dollarëshe. Ky është rasti. Ndryshe, do të duhet të presim vdekjet masive dhe tragjike të radhës, që nga thellësitë e nëntokës të thirret pakëz britmë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.