Një teologji e çlirimit (ii)

/Gustavo Gutierrez/

Vijon prej pjesës së parë

Varësia dhe çlirimi kanë ndërlidhje mes tyre. Një analizë e situatës së varësisë të shpie në përpjekje drejt çlirimit nga kjo e fundit. Po njëkohësisht pjesëmarrja aktive në procesin e çlirimit shoqërohet me një ndërgjegje të gjallë mbi situatën e mbisundimit dhe intensitetin e tij, duke i qartësuar mekanizmat që e mundësojnë mbisundimin. Ndërkohë pjesëmarrja aktive i nxjerr në pah aspiratat e thella për krijimin e një shoqërie më të drejtë.

Pas një periudhe të gjatë së injorancës reale mbi gjendjen e saj, Amerika Latine po lëviz nga një botëkuptim i pjesshëm dhe qesharak drejt një botëkuptimi të plotë dhe strukturor mbi situatën ku gjendet. Qasja e re konsiston në gjetjen e shkaqeve rrënjësore të situatës ekzistuese dhe marrjen e tyre në konsideratë nga një perspektivë historike.

Në vitet ’50 Amerika Latine karakterizohej nga optimizmi se ekzistonte mundësia e arritjes së zhvillimit të vetëmjaftueshëm ekonomik. Për të realizuar diçka të tillë, i duhej dhënë fund orientimit të ekonomisë nga kapitali i huaj. Vendet më të zhvilluara të rajonit e kishin nisur një proces të tillë, të favorizuara nga rrethanat historike. Në sferën politike ky zhvillim ekonomik gjeti shprehi në lëvizje populiste, të cilat gëzonin shtrirje dhe influencë të ndryshme.

Politika e zhvillimit të brendshëm ekonomik kishte mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. Sipas pikëpamjes së tyre – të përbërë nga kategori strukturoro-funksionaliste – zhvillimi nënkuptonte orientimin drejt një abstraksioni të modeleve të shoqërive më të përparuara të botës bashkëkohore. Ky model konsiderohej të ishte “shoqëria moderne”, ose ndryshe “shoqëria industriale”. Për ta realizuar këtë qëllim, duheshin tejkaluar pengesat sociale, politike dhe kulturore, si dhe strukturat arkaike që karakterizojnë vendet e nënzhvilluara, ose ndryshe “shoqëritë tradicionale”. Kështu pra, vendet e nënzhvilluara cilësoheshin të prapambetura dhe fati i tyre ishte të përsërisnin procesin historik të zhvillimit të vendeve të përparuara në arritjen e “shoqërisë moderne”. Për ata që flisnin nga zemra e perandorisë, shoqëria moderne ishte e barasvlefshme me konsumin masiv.

Nënzhvillimi dhe zhvillimi ishin medoemos vazhdimësi të vetvetes. Grupime përparimtare moderne do të lindnin në mesin e shoqërive tradicionale për të kundërshtuar rendin ekzistues. Megjithatë, qasja zhvillimore jo vetëm që nuk solli modernizimin e rendit tradicional, por e përforcoi atë akoma më shumë.

Në mesin e viteve ’60 optimizmi i la vendin pesimizmit mbi realitetin politik, ekonomik dhe social. Sot shihet qartë se qasja zhvillimore ishte thellësisht sipërfaqësore sepse nuk merrte në konsideratë faktorët politikë dhe mbi të gjitha ishte ahistorike, e paaftë për ta tejkaluar nivelin e analizës abstrakte.

Nënzhvillimi është rezultat i një procesi të caktuar, ndaj duhet analizuar historikisht, në marrëdhënie me zhvillimin dhe ekspansionin e vendeve të mëdha kapitaliste. Kështu, varfëria e vendeve të prapambetura shfaqet në formën e saj të vërtetë; si pasojë historike e zhvillimit më të madh të vendeve të tjera. Dinamikat e ekonomisë kapitaliste çojnë në krijimin e një qendre dhe një periferie, gjenerimin e begatisë për të paktët dhe tension politik dhe social për të shumtët.

Amerika Latine u krijua dhe zhvillua pikërisht nën një kontekst të tillë. Vendet e Amerikës Latine janë që prej gjenezës së tyre të varura. Prandaj ndërtimi i tyre social është tepër i ndryshëm krahasuar me vendet e qendrës. Ka shumë rëndësi të përcaktohet me kujdes diferenca midis vendeve të qendrës dhe atyre të periferisë, për të përftuar mjetet dhe konceptet e nevojshme në analizën e situatës aktuale dhe ndërtimit të brendshëm të strukturave sociale. Sa i përket vendeve të periferisë, duhet t’i referohemi zhvillimit të “pabarabartë dhe të kombinuar” në vend të pasqyrimit unilinear të vendeve të zhvilluara. Studimi i dinamikave të varësisë, formave dhe pasojave të saj është padyshim sfida më e madhe me të cilën përballen shkencat sociale në Amerikën Latine.

Kështu pra nocioni i varësisë është i patjetërsueshëm në interpretimin e realitet së Amerikës Latine. Cardozo-ja e shpjegon kështu: “Marrëdhënia e varësisë presupozon krijimin e strukturave të pabarabarta. Zgjerimi i tregut botëror u shndërrua në mbisundim mes vendeve. Kështu, në qendër të unitetit të pretenduar nga sistemi ndërkombëtar kapitalist gjenden diferencat.”

Megjithatë, ky realitet nuk është tërësisht pasojë e rrethanave të jashtme. “Sistemi i mbisundimit të jashtëm të një vendi nga një tjetër shndërrohet në realitet të brendshëm dhe fillon të funksionojë dhe të perceptohet si i tillë.” Gjatë viteve të fundit kemi dëshmuar procesin që Cardozo-ja e përkufizon si “ndërkombëtarizimin e tregut të brendshëm” ose siç e quan Faletto-ja “ndërkombëtarizimin e varësisë”. Format e vjetra të pranisë imperialiste së ekonomisë skllavo-pronare ende ekzistojnë, por së fundmi kapitali i huaj priret drejt investimit në sektorë modernë të ekonomisë, drejt krijimit të industrisë vendase, duke e përshpejtuar procesin e “ndërkombëtarizimit të varësisë”.

Pabarazia midis vendeve të nënzhvilluara dhe atyre të zhvilluara bëhet akoma më akute nëse merret në konsideratë elementi kulturor. Vendet e varfra dhe të mbisunduara vijojnë të mbesin mbrapa, ndërsa hendeku zmadhohet gjithnjë e më shumë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, shumë shpejt do të mund të flasim për dy lloje njeriu. Jo vetëm ekonomistët, sociologët dhe politologët kanë vënë në dukje se thellimi i pabarazisë po krijon tregun e dy grupe të ndara midis njerëzve, por edhe psikologët dhe biologët i druhen krijimit të një ndryshimi të vërtetë antropologjik brenda një kohë të shkurtër. Në secilën fazë të zhvillimit dhe progresit, vendet i industrializuara përftojnë forcë kolektive e cila i diferencon gjithnjë e më shumë krahasimisht me vendet e nënzhvilluara.

Megjithatë, pavarësisht arritjeve të shumta të analizës nën optikën e “teorisë së varësisë”, vetëm analiza klasore mundëson të kuptuarit e kundërshtisë ndërmjet vendeve të qendrës dhe atyre të periferisë. Krahas elementit ekonomik, duhet marrë në konsideratë edhe ai politik. Studimi përgjatë këtyre linjave shfaq qartazi që zhvillimi autonom i Amerikës Latine është i pamundur brenda kornizave të sistemit ndërkombëtar kapitalist.

Në Amerikën Latine gjendemi në mesin e ekzaltimit revolucionar. Situata është dinamike dhe komplekse, në ndryshim të vazhdueshëm gjithë kohës, duke i bërë të pavlera interpretimet skematike. Varfëria, shfrytëzimi dhe tëhuajësimi në të cilin gjendet populli na detyrojnë të kërkojmë urgjentisht rrugën drejt çlirimit ekonomik, politik dhe social. Ky është hapi i parë në krijimin e një shoqërie të re.  

Grupimet që kanë ngritur flamurin e çlirimit të Amerikës Latine kanë aspirata kryesisht socialiste; socializmi në vetvete gëzon qasje më të frytshme dhe gjithëpërfshirëse. Megjithatë, lëvizja nuk ka karakter monolit. Gjithnjë e më shumë kemi gjurmë të diversitetit teorik dhe praktik. Strategjitë dhe taktikat janë të ndryshme, shpesh edhe të kundërta, ashtu si qasjet teorike. Përsëri, kërkimi për rrugën indigjene të socializmit vazhdon. Në një ndërmarrje të tillë, padyshim veçohet figura e Jose Carlos Mariategui-t. “Afërmendsh ne nuk duam që socializmi në kontinent të jetë kopje ekzakte e eksperiencave të mëparshme. Yni duhet të jetë krijesë heroike. Duhet të sjellim në jetë socializmin indo-amerikan në realitetin tonë, në gjuhën tonë. Ky mision ia vlen të përqafohet nga një gjeneratë e tërë.” Sipas tij, “marksizmi nuk është një trup parimesh që imponohet ngurtësisht në të njëjtën mënyrë në të gjitha kontekstet historike dhe sociale… Marksizmi, në secilin vend e për secilin popull, vepron në varësi të momentit dhe situatës, sigurisht pa hedhur poshtë asnjë prej pjesëve përbërëse të tij.”

Për Mariategui-n, materializmi historik është mbi të gjitha “metodë për interpretimin historik të shoqërisë”. Socializmi i tij është kreativ sepse u ndërtua mbi besnikërinë. Ai ishte besnik ndaj institucioneve të marksizmit, por aspak dogmatik; dhe njëkohësisht ishte po aq besnik kundrejt realitetit unik historik të Amerikës Latine.

Megjithatë, siç parashikonte vetë Mariategui, vetëm një lëvizje revolucionare e gjerë, gjithëpërfshirëse e intensive mund të krijonte kushtet për kristalizimin e teorisë. Këto kushte tanimë po shfaqen. Pa humbur aspak nga militantizmi dhe radikalizmi i teorisë, ato padyshim do të shpien në modifikime më të mëdha nga ç’mund të imagjinojnë ata që kërkuan shpëtim në formula të thjeshta, ose te përjashtimi i atyre që nuk pranonin skematizimin e ngurtë dhe qasjen aspak kritike ndaj socializmit përgjatë historisë.

Një kërcënim i madh për ndërtimin e socializmit në Amerikën Latine është mungesa e teorisë solide në kontekstin e caktuar. Kjo teori duhet të jetë latino-amerikane, dhe jo për hir të origjinalitetit, por për shkak të realizmit historik elementar.

Por çlirimi i kontinentit tonë nënkupton më shumë se vetëm tejkalimin e varësisë politike, ekonomike dhe sociale. Në një rrafsh më shpirtëror do të ishte kurorëzimi i procesit të emancipimit njerëzor përgjatë historisë. Do të ishte krijimi i një shoqërie të re, të çliruar nga skllavëria, me njerëzimin si artizan së fatit të tij. Ernesto “Che” Guevara shkruante: “Ne revolucionarëve shpesh na mungon dija dhe guximi intelektual për të krijuar njeriun e ri pa përdorur metoda konvencionale, ndërsa këto të fundit vuajnë nga pengesat e shoqërisë që i krijoi.”

Në instancë të fundit, ky vizion përmban përpjekjet çlirimtare të popullit tonë. Por që çlirimi të jetë i plotë dhe autentik, duhet të ndërmerret nga vetë populli, nga vuajtjet dhe vlerat e tij. Vetëm në një kontekst të tillë mund të kemi revolucion të vërtetë kulturor.

Nga ky këndvështrim, një ndër përpjekjet më autentike dhe të frytshme është puna eksperimentale e Paulo Freire-s, i cili përpiqet të krijojë një “pedagogji të të shtypurve”. Nëpërmjet veprimtarisë kulturore jotëhuajësuese, të shtypurit perceptojnë dhe modifikojnë marrëdhënien e tyre me botën dhe njerëzit e tjerë.

Kështu, ata kalojnë nga “ndërgjegjja naive” – e cila zgjedh të mos përballet me problemet, e vlerëson shumë më shumë se ç’duhet të kaluarën, merr për bazë shpjegimet mitologjike – në “ndërgjegjen kritike”, e cila përballet me problemet, është e hapur ndaj ideve të reja, i zëvendëson shpjegimet magjike me shkaqet reale. Gjatë këtij procesi, i shtypuri e mohon ndërgjegjen që i është imponuar, e kupton pozicionin e tij dhe gjen gjuhën autentike. Ata bëhen më të lirë dhe i kushtohen transformimit të shoqërisë së vjetër dhe ndërtimit të shoqërisë së re.

Duhet vënë në dukje që kjo “ndërgjegje kritike” nuk është gjendje që arrihet menjëherë dhe njëherë e përgjithmonë, por përpjekje permanente e atyre që kërkojnë ta pozicionojnë veten në kohë dhe hapësirë, të ushtrojnë potencialin e tyre kreativ dhe, mbi të gjitha, të marrin përsipër përgjegjësitë që u takon.

Kisha në Amerikën Latine ka ekzistuar dhe vijon të ekzistojë si një kishë getosh. Komuniteti i krishterë u krijua gjatë periudhës së kundër-reformës dhe është karakterizuar nga qasja protektive sa i përket besimit. Kjo sjellje u përforcua akoma më shumë si pasojë e armiqësisë së liberalëve dhe lëvizjeve antiklerikale, po ashtu nga kriticizmi i fortë i atyre që luftojnë të ndryshojnë një shoqëri me të cilën kisha është e lidhur tepër ngushtë.

Kjo armiqësi e ka bërë kishën të kërkojë mbështetje në radhët e elitës politike dhe ekonomike, për të shpërndarë fjalën e shenjtë në paqe. Megjithatë, prej disa kohësh jemi dëshmitarë të një përpjekjeje të jashtëzakonshme brenda kishës për të dalë nga pozitat e pushtetit dhe mentaliteti i getos, për t’u larguar nga përfitimet e pushtetit të padrejtë në kontinent. Individë të krishterë, komunitete, madje dhe kisha si e tërë po ndërgjegjësohen politikisht, duke përftuar dije mbi gjendjen dhe njëkohësisht mbi shkaqet e saj.

Të krishterët i janë përkushtuar çlirimit, gjë e cila ka provokuar rezistencë dhe mosbesim. Një proces i tillë ka si parakusht reflektimin mbi pyetjet që shtron epoka, ndaj mendimi i ri teologjik në Amerikën Latine vjen nga komunitete të çlirimit dhe jo nga qendrat tradicionale të mësimit të teologjisë. Procesi është kompleks dhe gjërat po ndryshojnë përpara syve tanë. Sektorë të ndryshëm të Njerëzve të Zotit e kuptojnë që çlirimi nënkupton përmbysje të status quo-së; që çlirimi bën thirrje për revolucion social. Duhet thënë që krahasuar me të gjithë komunitetin e krishterë në Amerikën Latine, numri i të përfshirëve në lëvizje është ende i vogël, por në rritje konstante dhe cilësore.

Qasja pastorale e “mentalitetit të krishterimit të ri” u përkthye në përkushtim të gjerë të të krishterëve për krijimin e një bote më të drejtë. Në të shkuarën organizimet e krishtera, sidomos ato të rinisë, u kanë dhuruar pjesën më të mirë të udhëheqësve të tyre partive politike të orientimit të krishterë. Sot lëvizjet rinore i kanë radikalizuar opsionet e tyre politike. Në Amerikën Latine, pjesa më e madhe e rinisë militante nuk ka më të njëjtin orientim me grupimet e moderuara.

Opsionet politike gjithnjë e më revolucionare të grupeve të krishtera – sidomos të punëtorëve, fshatarëve dhe studentëve – shpesh kanë qenë shkak për përplasje midis bazës dhe hierarkisë së kishës. Radikalizimi ka bërë që baza të vërë në pikëpyetje pozicionin e saj brenda kishës, gjë që ka sjellë shpesh here krizë brenda saj.

Për më tepër, brenda këtyre lëvizjeve të krishterët kanë gjetur kërkesa ungjillore të cilat sjellin zgjidhje më të vendosura për njerëzit e shtypur të kontinentit të shfrytëzuar. Po pasaktësia në shumë prej predikimeve të kishës, perceptimi i lidhjes të ngushtë mes kishës dhe rendit ekzistues të cilin lëvizja kërkon të ndryshojë, nevoja urgjente për veprim politik, thirrja e “konkretes” në përpjekjen revolucionare – të gjitha këto kanë bërë të mundur zëvendësimin e aspiratës për mbretërinë e përtejshme me revolucionin social, ose së paku diferencat midis tyre janë zbehur ndjeshëm.

Vijon

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga libri i autorit “A Theology of Liberation: History, Politics, and Salvation”

Imazhi: Encyclopedia Britannica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.