Një minator në parlament

/Emiljando Kita/

Dy partitë e mëdha do të jenë sërish në përballje me njëra-tjetrën pa ide e program, por vetëm me një qëllim të qartë, pushtetin. Ky grusht njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me oligarkët nuk ka si ta dojë pushtetin për të përfaqësuar qytetarët e thjeshtë, të përjashtuarit, studentët, naftëtarët, minatorët, punëtorëve të fasonerive etj.

Shkëputja e partive nga populli ka bërë që të rriten çdo vit të papërfaqësuarit, duke lënë hapësira të mëdha për organizime të reja. Ajo që vihet re është krijimi i partive të reja me njerëz dhe ide të vjetra, çka të bën të mendosh se këtyre partive nuk do t’u përmendet emri më pas 25 prillit.

Ngjarje e rëndësishme që tregon se zgjedhjet e 2025 nuk do të jenë më si këto të 2021 është dalja e minatorit Elton Debreshi si kandidat e pavarur për deputet në Dibër. Kandidimi i minatorit është shumë i rëndësishëm sepse mbart ne vetvete ide, ndershmëri, sakrificë dhe vizion. Për Eltonin, pushteti nuk është qëllim, por mjet drejt realizimit të të drejtave dhe aspiratave të minatorëve. Edhe nëse nuk fiton, ndryshe nga politikanët e zakonshëm, kjo do të ishte thjesht një hap kalitës drejt fitoreve të mëvoshme.

Kandidimi i një punëtori është ngjarje historike në Shqipëri sepse për herë të parë ai kërkon mbështetjen e shokëve të tij punëtorë për të dërguar zërin e tyre në parlament, aty ku sot bëhet pazar me jetën e popullit. Ne e kuptojmë më së miri se vendi ynë çdo ditë e më tepër nuk është më i të shumtëve, i atyre që e kanë ndërtuar dhe e mbajnë në këmbë përmes punës së ndershme.

Kandidimi i një njeriu të thjeshtë si Eltoni është një shembull shumë i mirë për njerëzit e ndershëm që deri më sot e kanë lënë politikën në duart e të pandershmëve. Ngritja e zërit për problemet social-ekonomike, pra politika, nuk duhet të jetë monopol i të kollarisuve që kërkojnë rotacionin. Punëtorët duhet të bëhen politikë, duhet të merren me politikë, duhet të organizohen që të luftojnë pandershmërinë, shfrytëzuesit e tyre dhe shkatërruesit e vendit, sepse vetëm kur punëtorë, pra ata që prodhojnë gjithë të mirat e shoqërisë, do të hyjnë në parlament mund të flitet për demokraci.

Kandidimi i sindikalistit nuk është mundësi për atë, por sakrificë për shokët që kanë humbur jetën nëpër galeri, për ata që kanë humbur gjymtyrët dhe për të gjithë ata që duan të jetojnë në një vend ku i ndershmi me punë mund t’ia dalë.

Kandidimi i një njeriu parimor na sjell më pranë demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila shpaloset në rrugë, pasi vendimi për të dalë kandidat është marrë, diskutuar dhe vendosur në zemër të Bulqizës. Elton Debreshi është popull, prandaj dibranët këtë herë nuk do të votojnë të keqen më të vogël, por të ndershmin përpara të pandershmëve.

Punëtorët në fund do t’ia dalin; edhe Eltoni do t’ia dalë. Jo kot në mot George Orwell-i thoshte: “Nëse ka shpresë ajo gjendet te punëtorët!”, domethënë tek Eltonët.

Erik Vajnerti u bënte thirrje punëtorëve në vitin 1930:

Ej, ju punëtorë, bëhuni gati!

Kjo histori nuk duhet të vazhdojë!

Se çasti erdh’ që

grushti juaj

në djall zotërinjtë t’i dërgojë!

Ata ju kanë borxh

toka, miniera,

fabrika, uzina e plot

të tjera – Ju kanë

borxh lumturinë̈ dhe

jetën

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.