Një histori dashurie marksiste

/Anastasia Baucina/

Nuk është e lehtë të imagjinosh një histori dashurie marksiste. Por në serialin televiziv Normal People (Njerëz normalë), Sally Rooney-i tregon se si marrëdhëniet tona personale – dhe problemet me të cilat përballemi – janë të lidhura në mënyrë të pandashme me shoqërinë përreth nesh.

Sally Rooney-i është shpallur zëri i një brezi. Ajo është autore irlandeze e dy romaneve tejet të suksesshëm, në terma letrarë, “Biseda me shokë” (2017) dhe “Njerëz normalë” (2019), ku i fundit është përshtatur si seri televizive nga BBC së rishtazi. 

Por për vetë Rooney-n, historia është më shumë se thjesht breznore. Duke zhgënjyer analistët e gazetës The Guardian, ajo flet bajagi haptas se si romani merret me klasën punëtore dhe kapitalizmin:

“Do të kishte qenë përnjëmend e vështirë për mua të shkruaja për të rinj që largohen nga shtëpia në perëndim të Irlandës për në universitet dhe të mos trajtoja pabarazitë ekonomike që po shfaqeshin në atë kohë, si zhveshja nga mbrojtja sociale për njerëzit me prejardhje nga klasa punëtore që shkojnë në universitet.”

Bota e sotme ndahet përditë e më shumë midis të pasurve dhe të varfërve, jo vetëm të rinjtë kundrejt të vjetërve, por qiramarrës kundrejt qiradhënësve dhe punëtorët kundrejt pronarëve. Kjo e thekson ndarjen qytet-provincë, pasi të rinjtë detyrohen të largohen nga qytezat e fëmijërisë së tyre në kërkim të punës dhe mundësive në qendra urbane. Këto dinamika të kapitalizmit bashkëkohor rëndojnë mbi personazhet dhe narrativën e “Njerëzve normalë”, ashtu si puna e bashkëkohësve të saj, si dhe ata që u rritën pas krizës financiare të vitit 2008 dhe filluan të ndikojnë thelbësisht në peizazhin tonë kulturor. 

Materiali përbërës i botës

“Njerëz normalë” ka për protagonist Marianne-ën dhe Connell-in, maturantë në një qyteze të Sligos dhe më pas studentë në Trinity College në Dublin. Për Marianne-ën, nga familje pasanikësh, është e pritshme që të studiojë në universitetin më prestigjoz të Irlandës. Për Connell-in, sidoqoftë, nëna e të cilit punon si pastruese në shtëpinë e Marianne-ës, të studiuarit në Trinity nuk do të thotë vetëm largim nga shtëpia dhe njerëzit që e mbështesin – bëhet fjalë për një udhëkryq pas të cilit jeta e tij e vjetër duket gjithnjë e më e largët.

Historia e Connell-it është e njohur, por jo vetëm për shkak të faktit se një numër në rritje i të rinjve me prejardhje nga klasa punëtore kanë ndjekur universitetin në dekadat e fundit. Është pjesërisht edhe diçka irlandeze. Në fund të romanit përballemi me ikjen e mundshme te Connell-it për studime jashtë shtetit. Gjatë periudhës pas krizës ekonomike, afro 400 mijë njerëz, kryesisht në të njëzetat dhe tridhjetat, u detyruan të emigronin nga Irlanda në kërkim të mirëqenies, eksod ky që kujton me makth valët e mëparshme të emigrantëve që lanë shenjë në brezat e mëparshëm të ishullit.

Por largimi i detyruar për shkaqe ekonomike është temë edhe përtej detit Irlandez. Në Mbretërinë e Bashkuar të rinjtë e varfër janë zhvendosur masivisht drejt qendrave urbane në kërkim të punës, mundësive dhe arsimimit. Në fakt kjo shpjegon deri diku arsyen pse bastione të laburistëve – si Workington-i, që pati rënie të të rinjve me 28.4% në tre dekadat e fundit, dhe Bishop Auckland-i, që pati rënie me 24.9% për të njëjtën periudhë – votuan të djathtën. 

Kur të rinjtë mbërrijnë në qytete përballen me qira të kripura dhe akomodim të keq. Kriza e banesave është veçanërisht e mprehtë në Dublin, një nga qytetet më të shtrenjta në Evropë dhe vërejmë se si ndikon te protagonistët në një mënyrë ose një tjetër. Connell-i e ka të pamundur të përballojë qiranë gjatë një vere dhe detyrohet të kthehet prapë në Sligo, si rezultat ndahet me Marianne-ën.

“Oh, tha ajo. Do të kthehesh në shtëpi, atëherë.

Ai fërkoi gjoksin frymëpakur. 

Siç duket po, tha ai.” 

Connell-i i tregon Marianne-ës që po kthehet në Sligo sepse nuk mundet të paguajë qiranë, duke shpresuar që ajo do e lejojë të qëndrojë me të. Marianne-a, egoiste, nuk arrin të kuptojë atë që po përpiqet t’i kërkojë ai dhe e lejon të largohet. Pikërisht në këtë nënnivel keqkomunikimi Rooney-i nxjerr me sukses në pah dallimet klasore mes Marianne-ës dhe Connell-it. 

Një verë më pas të dy kanë fituar bursë akademike që përfshin strehim dhe ushqim. Për Marianne-ën bursa është rritje e vetëvlerësimit, ndërsa për Connoll-in do të thotë ndryshim i rrethanave materiale. Ai vëren që “paraja është materiali përbërës i botës reale”. Bursa i jep mundësinë të udhëtojë dhe “papritur ai mund të shpenzojë një pasdite duke shikuar The Art of Painting-un e Varmeer-it”. Marianne-a dha të njëjtat provime, por ajo ka parë me kohë art të mirë nëpër qytete evropiane– duke sjellë me vete ndarjen e mprehtë se kush ka qasje në kulturë në shoqëritë tona. 

Një rrjedhë edhe më tragjike ndjek shokun e Connell-it, Rob Hagerty-n, i cili i kthehet pijes pasi miqtë e tij largohen dhe në fund vret veten. Sërish, “Njerëz normalë” evokon përvoja të ngjashme me ato të të rinjve në kapitalizmin e sotëm: izolim dhe ndjesi dështimi për ata që nuk munden t’u përshtaten ritmeve ekonomike, si dhe sëmundje mendore serioze apo vetëvrasje. 

Edhe Connell-i vuan, “ndihem sikur u largova nga Carricklea-ja duke menduar se mund të kisha një jetë ndryshe, thotë. Por e urrej këtë vend dhe tani nuk kthehem dot.” Tjetërsimi është produkt i tranzicionit të tij nga një i ri i klasës punëtore me prejardhje relativisht rurale në student të një universiteti elitar metropolitan. Ai kapërcen pengesat materiale për studimet për të kuptuar se kjo nuk mjafton për të kapërcyer dallimet e mëdha klasore që krijojnë breza pasurie.

Por fati i Rob-it tregon që Connell-i nuk mund të kthehet në vendlindje pasi atje nuk ka të ardhme. “Njerëz normalë” e paraqet të ngecur mes dy botëve duke mos i përkitur asnjërës. Nuk është për t’u habitur pse protagonistët e Rooney-it e konsiderojnë veten të majtë. Të gjendur përballë pabarazisë në rritje, ata që mbështeten te paga minimale po zgjedhin platforma më radikale për shëndetin dhe strehimin, ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, që mbizotërojnë në qyteza dhe janë disi më të sigurt ekonomikisht. 

Nuk është habi që në Irlandën e përshkruar nga “Njerëz normalë”, Sinn Féin-i të përfundojë si partia më popullore apo që suksesi i tyre varet thelbësisht nga votuesit e rinj. Mund të gjejmë shembuj të ngjashëm nëpër botë.

Marksizmi i romancës  

Marrëdhënia mes romaneve romantike dhe kapitalizmit është interesante: në shumë kuptime ato “erdhën në jetë” së bashku në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Në shumë aspekte “Njerëz normalë” i Rooney-t është shembull tipik i zhanrit. Megjithatë “Njerëz normalë” nuk përfundon me martesë – siç ndodh zakonisht me romane romantikë me protagoniste vajza/gra  – ajo del mbi shumicën e pritshmërive tradicionale: realizmin dhe qendërsinë e çiftit, veçanërisht një pjesë e madhe e të cilave vjen përmes paraqitjes së marrëdhënies së tyre fizike. 

Si romani ashtu edhe përshtatja televizive e “Njerëz normalë” janë lëvduar për paraqitjen e seksit. New York Times-i pohoi se Rooney-i e paraqet seksualitetin si një formë komunikuese transformuese, shëruese, të ndërlikuar për të dy personazhet. Seksi mes Connell-it dhe Marianne-ës është përnjëmend i tillë – por qëndron në kontrast me seksin që Marianne-a ka me burra të tjerë me të cilët shkon gjatë rrjedhës së romanit. Marianne-a përfshihet në marrëdhënie seksuale të çuditshme me këta burra dhe përvoja paraqitet si e dëmshme apo si formë ndëshkimi; kur ajo i kërkon Connell-it ta godasë gjatë seksit, atë e zë paniku dhe refuzon. 

Mbetemi me pyetje për të dy karakteret pas incidentit. Deri në ç’shkallë është dëshira e Marianne-ës për t’u goditur një shenjë e mungesës së vetëvlerësimit? Mos ndoshta dëshira e Connell-it për të qenë “normal” e çon atë në ndrydhje apo në siklet në lidhje me përvojat ndryshe? Personazhet ndahen dhe po atë natë Marianne-a goditet me derë në fytyrë nga vëllai i saj abuziv. Ajo thërret Connell-in që ta marrë me vete. Kjo krijon lidhjen mes seksit që Marianne-a ka pasur me partnerë të tjerë dhe çka përjeton në duart e vëllait të saj. Connell-i e shpëton nga të dyja palët.

Sidoqoftë, seksi mes Connell-it dhe Marianne-ës është kompleks edhe për shkak të mënyrave se si seksi heteroseksual është përdorur për të forcuar normat kapitaliste, patriarkale dhe fetare. Problem nuk është se Connell-i dhe Marianne-a kryejnë marrëdhënie në një formë më tradicionale – ky lloj seksi mund të jetë dhe është transformues në “Njerëz normalë”. Problemi qëndron te kundërshtia e krijuar mes llojeve të ndryshme të seksit dhe si njëri vendoset krah për krah me përvojat abuzive të Marianne-ës. 

Rooney-i ngre pyetjen nëse mund të ketë diçka si dashuria marksiste duke pasur parasysh sa i ndërthurur është romani me kapitalizmin. Gjithsesi Marianne-a dhe Connell-i ekzistojnë së bashku, jo të ndarë, tema e romanit është dinamika e tyre dhe Rooney-i i kushton relativisht pak kohë jetës së tyre jashtë marrëdhënies. Ajo interesohet për ndikimin që protagonistët e saj kanë te njëri-tjetri, për mënyrën se si njerëzit mund të ndryshojnë nga ata që i rrethojnë. Ndoshta në këtë refuzim të narrativave individuale, në këmbënguljen për ndërveprim dhe varësi të ndërsjellë shohim ndikime antikapitaliste. 

Sensi i përbashkët

Në kapitalizëm ajo që konsiderohet sens i përbashkët kushtëzohet nga një rrjet institucionesh të ndryshme, nga shkolla te media e kultura. Këto përcaktojnë kushtet e debatit dhe kufijtë e mendimit të pranueshëm. Për mendimtarin marksist Antonio Gramsci, kjo është hegjemoni e ushtruar përmes kulturës, që i shërben interesave politike dhe ekonomike të kapitalit. 

Por Gramsci la të hapur mundësinë e një kundërhegjemonie, në të cilën mund të zhvillohet një sens i përbashkët i rrënjosur në kundërshtimi me kapitalin. Në shumë mënyra këtë mund ta shohim në shkrimin e Sally Rooney-t. Politikat e karaktereve të saj nuk janë thjesht idealizma rinorë, por burojnë nga bota që i rrethon. Pasiguria dhe prekariariteti që përjetojnë personazhet shpjegon thirrjen për ide socialiste. Duke përfshirë këto politika dhe veçanërisht nën dritën e suksesit mainstream, “Njerëz normalë” kontribuon në ndërtimin e kundërhegjemonisë më gjerë në shoqëri – duke përforcuar ide që shumë nga lexuesit e saj po ndërtojnë si rezultat i kushteve materiale të cilat mund t’i shohin të pasqyruara në roman.

Politikat e Rooney-t janë më shumë një fije e kuqe e tundur mes shumë përbërjeve komplekse sesa një flamur i kuq – kanë potencialin të zgjidhen dhe të lihen mënjanë dhe deri në një farë pike kjo gjë ka ndodhur te përshtatja televizive e “Njerëzve normalë”, bashkëshkruese e së cilës ishte edhe Rooney-i. Zhgënjyeshëm, ndërhyrja kryesore politike është një debat universitar për lirinë e fjalës në vend të kritikave më rigoroze për ndarjen klasore në roman. Në aspekte të tjera, përshtatja i mbeti bajagi besnike tekstit burimor, që provon se politika nuk është tipari thelbësor i asaj që Rooney-i dëshiron të tregojë.

Kapitalizmi është në lëvizje të vazhdueshme, gjë që i mundëson të tresë fenomene që e sfidojnë dhe të na i shesë më pas. Kjo është sfida me të cilën përballen shkrimtarët marksistë si Rooney-i, puna e së cilës fitoi popullaritet të gjerë. Të gjitha romanet janë deri diku mallra, por edhe Sally Rooney-i do të jetë befasuar se sa shpejt u evakuua politika nga vepra e saj për ta bërë atë një aksesor për elitën kulturore. Një koleksion i rishtë fotografish i Vanitiy Fair-it kombinoi “Njerëz normalë” me një çantë Mansur Gavriel që mbante një çmim prej 595 dollarë.   

Siç tregojnë mendime të panumërta të brezit të Rooney-t, “Njerëz normalë” u përket tashmë atyre që e shikojnë apo e lexojnë po aq sa asaj. Por aty ku të tjerët mund të synojnë të zvogëlojnë potencialin radikal të romanit, socialistët duhet ta përqafojnë atë. Ne kemi nevojë për libra, televizion, dramë, për të rrëfyer përvojat e jetës në kapitalizëm në mënyrë që njerëzit t’u kthehen atyre pas ditëve shpesh jofrymëzuese në punë. Leximi i “Njerëzve normalë” nuk është zëvendësues i takimeve sindikale apo projekteve të tjera politike, por mund t’i bëjë më të kapërdishme parullat, veçanërisht pas humbjeve të muajve të fundit. Kapitalizmi është në krizë dhe shenjat e saj janë gjithnjë e më të përhapura në kulturën tonë – do të ishim budallenj po të mos i kapnim për brirësh. 

E përktheu Nebih Bushaj

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Empire

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.