/Branko Milanovic/
Historia e ekonomisë na tregon se epidemitë janë barazuese të përsosura. Shembulli më i njohur (për të cilin kemi më shumë të dhëna) mbetet murtaja, që goditi Evropën rreth mesit të shekullit XIV. Në disa vende vrau deri në një të tretën e popullsisë.
Por duke reduktuar popullsinë, uli numrin e punëtorëve, rriti pagat, zvogëloi pabarazinë dhe çoi në ndryshime institucionale që – sipas disa historianëve të ekonomisë si Guido Alfonso-ja, Mattia Fochesato-ja dhe Samuel Bowles-i – patën ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike të Evropës.
Sipas këtyre autorëve, në Evropën jugore fuqia në rritje e punëtorëve u kontrollua nga kufizimet e tjera jashtekonomike të imponuara nga feudalët lokalë. Sidoqoftë, në Evropën veriore, ku institucionet feudale nuk ishin aq të forta, pas murtajës, puna u bë më e kërkuar dhe më e shtrenjtë, çka hodhi themelet e përparimit teknologjik dhe çoi përfundimisht te Revolucioni Industrial.
Pak më shumë se dy muaj pasi u shfaq, koronavirusi ka farkëtuar ndryshime ekonomike. Shumë syresh do të prapësohen kollaj nëse epidemia vendoset shpejt nën kontroll dhe ndalohet. Përndryshe, ato do të vazhdojnë. Dhe, si me çdo ngjarje ekstreme, papritur epidemia hodhi dritë mbi fenomene të caktuara shoqërore që i njohim turbullazi, por shpesh tentojmë t’i injorojmë apo preferojmë të mos mendojmë për to.
“Diskriminimi statistikor”
Mendoni pak për shtetësinë dhe “diskriminimin statistikor”! Deri para rreth një viti, po të udhëtoje për në Mbretërinë e Bashkuar, mund të hyje nga një portë e veçantë me pak radhë nëse ishe shtetas britanik apo i ndonjë vendi nga Bashkimi Evropian –, në të kundërt duhet të prisje në një radhë shumë më të gjatë. Këto dallime kishin kuptim sepse lëvizja e punëtorëve brenda BE-së ishte e lirë. Që prej rreth një viti, sidoqoftë, rregullat kanë ndryshuar në mënyrë të tillë që radha e shkurtër, përveç qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar (e kuptueshme) dhe të BE-së, vlen edhe për ata të SHBA-ve, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Japonisë, Singaporit dhe Koresë së Jugut.
Në pamje të parë mund të duket e çuditshme një përzgjedhje e tillë e vendeve: nuk përkon me asnjë përkatësi politike apo kriter. Nuk ka ndonjë organizatë politike që i përfshin këto dhe vetëm këto vende.
Vendimi se cilët shtetas do të procesohen më shpejt është qartazi i bazuar në kriterin e të ardhurave (GDP për frymë) dhe mundësinë e ulët që qytetarët e këtyre vendeve të tentojnë të gjejnë një punë apo të qëndrojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Është bazuar kësisoj në “diskriminimin statistikor”: persona të shtetësive të tjera do të kontrollohen imtësisht jo se vetë ata janë të dyshueshëm, por sepse grupi të cilit i përkasin është në thelb “i dyshuar”.
Përgjithësisht, ata që përfitojnë nga rregullore të tilla nuk mendojnë rreth tyre – veçanërisht evropianët të cilët janë mësuar tashmë, falë Marrëveshjes së Shengenit, të udhëtojnë pa dokumente e kryesisht pa viza dhe të priten krahëhapur falë të ardhurave të tyre të larta. Sipas Zygmunt Bauman-it, e drejta për të udhëtuar është shndërruar në luks. Nëse për vite me radhë nuk has thuajse asnjë vështirësi në udhëtim, priresh të mendosh se kjo është diçka e zakonshme dhe duhet të zgjasë përgjithmonë. Po kështu, as që do të të shkonte mendja tek ata që nuk e kanë fatin tënd, por duhet të durojnë pashmangshëm fatin e tyre të keq.
Me shpërthimin e virusit, Shtetet e Bashkuara ndaluan ose ulën trafikun ajror me disa vende të infektuara dhe vendosën në një listë të veçantë udhëtarët nga Kina, Irani, Koreja e Jugut dhe Italia, duke i porositur që të vetëkarantinohen gjatë dy javëve të para: “Mos përdorni transportin publik apo taksitë! Shmangni vendet e populluara (si qendrat tregtare dhe teatrot) dhe kufizoni aktivitetet publike! – thoshte njoftimi. Organizatorët e një konference ku duhej të merrja pjesë disa javë më parë, 24 orë para fillimit, më dërguan këtë njoftim: “Kërkojmë që çdo pjesëmarrës i ftuar që ka vizituar dy javët e fundit një vend të nivelit 3 të prekshmërisë nga Covid-19 (aktualisht Kina, Irani, Italia dhe Japonia)… të shmangë pjesëmarrjen në çdo takim. Së fundmi, Izraeli e zgjeroi listën me rregulla të ngjashme edhe për qytetarët e Francës, Gjermanisë, Spanjës, Austrisë dhe Zvicrës.
Kina dhe Irani gjenden shpesh në listat e zeza të SHBA-ve – siç duket ligjvënësit amerikanë nuk lënë rast t’u shpëtojë. Por Koreja e Jugut dhe veçanërisht Italia ishin shtesa surprizuese. Disa nga miqtë e mi italianë, ose njerëz të sapo kthyer nga Italia, shprehën mospëlqim për një “diskriminimin statistikor” të tillë. Papritur u gjendën në listë me qytetarë të vendeve që “diskriminohen statistikisht” herë pas here – ose, siç ndodh me afrikanët, thuajse kudo ku udhëtojnë, thuajse kurdoherë.
“Ndalo dhe kontrollo”
“Heqja e privilegjeve” është gjithmonë tronditëse dhe, përveç përpjekjes për t’i “rifituar” ato, na bën të dyshojmë në arsyetimin e diskriminimeve statistikore të ngjashme në raste të tjera. Rast i tillë ka qenë politika “Ndalo dhe kontrollo” e kryetarit të dikurshëm të bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg.
“Ndalo dhe kontrollo” bazohej në përkatësinë racore. Logjika ishte e njëjtë me atë të kontrollit kufitar britanik: përqindja e krimeve të kryera nga afro-amerikanët ishte dukshëm më e lartë se pjesa tjetër e popullsisë së Nju Jorkut. Prandaj një politikë e tillë kishte për fokus ndalimin dhe kontrollimin e afro-amerikanëve më shumë se tjerët.
Siç mund të vihet re, të trija politikat – kontrolli kufitar, kufizimet e lidhura me virusin dhe “ndalo dhe kontrollo” – ndajnë të njejtën ide. E para dhe e treta kanë gjerësisht për nishan njerëzit e varfër. E dyta, në parim, aplikohet në mënyrë të barabartë dhe varet nga vendi ku virusi është veçanërisht i fortë. Prandaj aplikimi i papritur i kësaj politike tek ata që zakonisht nuk u nënshtrohen diskriminimeve të ngjashme statistikore ishte kaq tronditës. Virusi niveloi fushën e lojës dhe i bëri disa prej nesh të mendojnë për vlefshmërinë e politikave të përgjithshme që bazohen tek informacionet statistikore në lidhje e grupet për të goditur individët.
Mendoj se politikat e “diskriminimit statistikor” janë thuajse të paevitueshme aktualisht: u kursejnë kohë autoriteteve (si në rastin e kontrolleve kufitare), kushedi ndikojnë në uljen e krimit (megjithëse në Nju Jork i vetmi ndryshim që sollën ishte rritja e numrit të policëve), ose zvogëlojnë (me shpresë) përhapjen e një virusi si korona. Por neve na duhet të mendojmë për arsyetimin moral të politikave të tilla dhe se si ato e zëvendësojnë përgjegjësinë individuale me atë kolektive – apo edhe imponojnë një faj të nënkuptuar kolektiv.
E përktheu Nebih Bushaj
Marrë nga revista Social Europe
Imazhi: The New York Times