Nga farsa në farsë

/Arlind Qori/ Ky vend e ka humbur tanimë mundësinë me qenë tragjik. Tragjizmi ka fatin e verbër që jo vetëm i paracakton veprimet pavarësisht vullnetit të lirë të heronjve, por mu këtë vullnet e përdor si dredhi arsyeje për të prodhuar rezultatin e paracaktuar. Heroit tragjik ia hedh koha e tij. Megjithatë ai vetëverbohet si marrje përgjegjësie për fatin e pashmangshëm. Farsa është e përkundërta e tragjedisë, një ekzagjerim pompoz. Marksi thotë se historia herën e parë merr trajtën e tragjedisë, të dytën të farsës. E kish mendjen te Bonapartët i ngrati! Përndryshe, për reformimin e arsimit të lartë shqiptar do të thoshte se historia nis me farsë, përsëritet ad nauseam e bitiset me farsë. Kryeministrat tanë nuk janë heronj tragjikë të ngërthyer nga fataliteti historik, por personazhe groteske që identifikohen me gazmend me pseudofatalitetin e ristrukturimit privatizues të gjithçkaje. Farsës mund t’ia gjejmë fillesën në fund të viteve 90’, kur qeveria socialiste ndryshoi ligjin e arsimit të lartë duke lejuar hapjen e “universiteteve” private. Pas pak viteve, kur të parat syresh ndërhynë ethshëm edhe në hapësirën reklamore të vëmendjes, shqetësim kryesor i pronarëve dhe administratorëve ishte rritja e numrit të studentëve në universitetet publike, të cilat po i linin pa “kafshatën” e tyre – mishin studentor. Ideologjikisht lobizmi privat artikulonte idetë e kudogjendshme neoliberale të laissez faire- laissez passer-it: “Na lini të konkurrojmë dinozaurët publikë, pa shteti s’na duhet veç për roje nate!” Neoliberalizmi në letër është i ndryshëm nga ai në praktikë. Vetëm në imagjinaren kolektive arrihet të pajtohen ideologjikisht të kundërtat. Në njërën anë kërkohej lënia rehat nga qeveria e në tjetrën kërkoheshin privilegje si p.sh. marrja e godinave publike me qira simbolike apo avantazhet në taksim si heqja e TVSH-së për mallin universitar. Fundja grupi shoqëror sundues krijon një situatë ku mund t’u shmanget pasojave të ideologjisë së vet, pa qenë i detyruar të distancohet prej tyre hapur. Kjo hipokrizi e agjentëve të fortë politiko-shoqërorë është transformuar në një pohim të ri që ideologjinë e shtetit roje nate e ka zëvendësuar me atë të barazisë në trajtimin financiar të subjekteve publike dhe private. Lobistët privatë po artikulojnë prej vitesh idenë se financimet shtetërore nuk duhet t’u shkojnë vetëm universiteteve publike, por edhe atyre private si subjekte të njëvlershme në shërbimet e tyre. Nga ideja e lirisë së konkurrencës, së bazuar në hamendësimin se subjektet private do t’i mposhtnin ato publike mjafton që shteti t’i linte rehat, u kalua në atë të barazisë financiare përpara shtetit. Kjo nuk nënkupton më barazinë midis individëve në të drejta, por midis agjencive a institucioneve pavarësisht karakterit të tyre. Si paralelizëm, barazia nuk do të nënkuptonte të drejtën e gjithkujt për të konkurruar për t’u bërë polic, por konkurrencën për fonde të policisë së shtetit me ato private. Ky konceptim evokon baraspeshën feudale ku rendi i parë (kleri) dhe i dytë (fisnikëria) kishin të njëjtën peshë si i treti (populli). Bombardimi i mësipërm ideologjik nisi t’i japë efektet e para gjatë qeverisjes së PD-së e cila u orvat ta reformonte arsimin e lartë sipas modelit kilian të kohës së diktatorit ushtarak Pinoçet: studentët do të pajiseshin me kuponë dhe zgjedhja e tyre do të përcaktonte se në cilin universitet publik a privat do të shkonin fondet. Gjithçka në emër të lirisë së mbrame, asaj të konsumatorit, e shoqëruar afërmendsh me rritje tarifash! I tillë paradoks duhet t’i ketë shkuar ndër mend Jean Baudrillard-it kur thoshte se konsumatori është sovran në një xhungël hajdutësh në të cilën i është imponuar liria e zgjedhjes. Më 2013, fill pas nisjes së punës së qeverisë së re, gomarit kilian i vunë buzëkuq anglo-sakson. Komisioni, i emëruar dhe llogaridhënës ndaj të zotit, kryeministrit, hartoi dy draftreforma në të cilat është bazuar projektligji aktual. Në thelb të njëjta, e para syresh, me lehtësinë ruajnazotëse të arrogancës, i lejonte vetes edhe shprehje të denja për kolonizatorët si aty ku justifikonte përjashtimin e studentëve nga e drejta për të votuar: “Demokracia e gjerë nuk është zgjidhja e përsosur për vende që nuk kanë demokraci të stabilizuar.” Fusha e të drejtave u zvogëlohet vetëm atyre subjekteve shoqërore që mendohet se deri asokohe kanë qenë të privilegjuara. Me ç’duket qeveria i konsideron studentët homologë të klerit apo aristokracisë franceze të pararevolucionit. Projektligji parashikon që fondet shtetërore, që deri tash u kanë shkuar vetëm universiteteve publike, t’i vendosë në garë midis tyre, universiteteve publike të pavarura (eufemizëm për privatët e kamufluar meqenëse kontrolli i ligjshmërisë në Shqipëri të lejon të shpallesh me vendim gjykate edhe pinjoll i familjes mbretërore angleze) dhe privatëve. Sipas një përfytyrimi të denjë për plantacione skllevërish ku mjerani punon më shumë po i tregove kamxhikun dhe i mpake rriskën e bukës, për qeveritarët zvogëlimi konkurrues i financimit shtetëror për universitetet publike do t’i zgjojë ato nga letargjia akademike. Kësisoj parimi “na shtoni financimin, të bëjmë punë mësimore dhe kërkimore më të mirë!” – p.sh. në shumë fakultete mungon baza e duhur laboratorike edhe për eksperimentet më të thjeshta – është zëvendësuar me “u bëjmë të konkurroni edhe për atë pak financim që merrni!”. Kushedi mendojnë se puna shkencore mund të kryhet edhe në kushte konkurruese ekonomikisht çmeritëse, bash si personazhi i “Iluzioneve të humbura” që shtrëngohet ta nxjerrë bukën duke shkruar vargje gazmore ndërsa vajton mbi trupin e pakallur të së dashurës së vdekur. Kjo skemë financimi në vend që të shpikë zgjidhje për problemet e vjetra, prodhon probleme të reja. Paradoksalisht universitetet publike më të dobëta do të marrin më pak fonde shtetërore, rrjedhimisht do të kenë tarifa më të larta. Pakonkurrueshmëria mund t’i çojë drejt mbylljes, duke harruar se institucioneve publike të keqadministruara u shkarkohen drejtuesit, nuk ulin qepenin. Përndryshe në zgjedhje nuk do ndërronim qeveritë, por do hidhnim në erë institucionin e qeverisë. Studentët, po ashtu, të gjendur përpara kushtëzimit të tarifës studentore me reputacionin e universitetit të tyre, do të nxiten t’i fshehin problemet universitare. Një universitet i demaskuar kritikisht, do të prodhonte kundërthënshëm rritje të tarifave. “Sapere aude” – thoshte Kanti. “Mendo kritikisht po ta mbajti xhepi” – i gjegjet qeveria. Për të përballuar pakësimin e fondeve, universiteteve do t’u duhet të tregtarizohen duke u shndërruar në ndërmarrje fondethithëse nga çdo burim i mundshëm. Dhe këtu s’bëhet fjalë vetëm për fondet potenciale nga bashkëpunimi me porositës privatë të kushedi ç’produkti kërkimoro-shkencor (të cilat në një vend me organizim rudimentar kapitali vështirë se mund të imagjinohen), por edhe për lëshimin e mjediseve universitare për çfarëdo aktiviteti biznesor prej qiramarrësve të rastit, çka në shumë fakultete po ndodh edhe përpara bërjes ligj të reformës. Madje, për të tërhequr sa më shumë studentë apo për të bashkëpunuar më fort me bizneset e mundshme, universiteteve do t’u duhet të ndryshojnë edhe kurrikulat mësimore ku përparësi nuk do të ketë më e vërteta shkencore e kritike, por përshtatshmëria e lëndëve me interesat e porositësit. Burim tjetër të ardhurash për universitetet do të jenë tarifat e rritura studentore. Jo se nuk rriten vit pas viti, por se ritmi i rritjes pritet të jetë më i madh, çka do ta kthente përfundimisht trupën studentore në klientelë të dyqan-universitetit. Qeveria parashikon bursa për të varfrit, por nëse marrim për bazë se kë quan të tillë për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike (familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët, të verbrit, invalidët dhe kryefamiljarët me rrogë deri në 35.000 lekë), është fort e mundshme që këto bursa të mos i shkojnë askujt, ose në rastin më të mirë pakkujt. Fëmijët e familjeve me ndihmë ekonomike mezi alfabetosen, jo më të kenë fuqinë për të shkuar në dyert e universitetit. Këta të varfër ekstremë duhen mëkëmbur ekonomikisht dhe shoqërisht, fëmijët e tyre duhen ndihmuar disafish në nxënie dhe edukim në të gjitha fazat e shkollimit, dhe jo të hamendësohen si gjeni që po arritën mrekullisht në dyert e universitetit, shteti do t’ua garantojë shkollimin. Çështja nuk është se si një në njëmijë të varfër që arrin deri në universitet të mos paguajë, por se si nëntëqindenëntëdhjetenëntë të varfrit e tjerë të kenë mundësi më të mëdha arsimimi. Projektligji nuk është problematik vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë organizativ. Shumica e anëtarëve të Bordit Administrativ, organ me kompetenca të gjera vendimmarrëse, do t’i përkasin financuesit kryesor – qeverisë, çka i vendos universitetet publike përpara dilemës: të kërkojnë më shumë financim nga shteti e kësisoj të humbasin autonominë administrative apo t’i tarifojnë më shumë studentët dhe të tregtarizojnë indin e tyre? “Liria ka çmim” nuk është metaforë që nxit përfytyrime heronjsh majë tankut, por shprehje rëndomtësisht faktike. S’thosh kot Slavoj Žižek-u se katastrofa ndodh kur metaforat kthehen në kuptime të fjalëpërfjalshme. (Përfytyroni ç’tmerr nëse dikush që thotë nga dashuria “të vdes unë për ty!” pret damarët!) Në këto kushte, ku reforma nyjëton karakteristikat më obskurantiste të tregtarizimit kapitalist dhe burokratizimit socialist dhe kolonizatorët e jetës universitare – lobistë dhe qeveri private – janë bërë një, shpresa mbetet në fund, tek ata që trajtohen si fundërri, që individualisht janë të shtypshëm deri edhe me qesëndi, por që kolektivisht mund t’ia tronditin themelet jo vetëm jetës universitare, por edhe shtetit e rendit hierarkik shoqëror: universitarët.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.