Në pallatin teatro-pushtetor
/Liri Kuçi/
Ngjarjet e fundit studentore në lidhje me të ashtuquajturën dhe të shumëlakuarën reformë të arsimit të lartë, në shumë pak kohë, kanë pasur zhvillime progresivisht pozitive. Që prej protestës së parë qindravetëshe, deri tek e treta që preku mijëshen, numri i studentëve e pedagogëve mbështetës e të pranishëm nëpër protesta ka ardhur në rritje. Në secilën prej protestave na janë bashkuar studentë nga Durrësi e Elbasani, por edhe pjesëmarrës nga Kosova, studentë e aktivistë të Universitetit të Prishtinës, Klubit Politik dhe të Lëvizjes Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”. Gjithashtu në shenjë solidariteti, studentë nga Shkupi kanë organizuar një manifestim studentor për të përkrahur protestat dhe kauzën e drejtë.
Kjo është njëra anë e medaljes, e cila rezulton të jetë më se pozitive e kurajuese, ama kemi edhe tjetrën që jo medoemos duhet të jetë më pak e mirë por, në të vërtetë ashtu është, madje shumë më tepër se negative është gërricëse e revoltuese. Pikërisht faqja tjetër e medaljes qëllon të ketë në vete dy nëndarje, secila më e zezë se tjetra këtu; media si pushtet i katërt dhe pushteti vetë, klasa e pusht-pushtetarëve. Me sa duket edhe pas thirrjes publike që iu bë mediave në lidhje me keqmediatizimin apo mosmediatizimin e lëvizjeve studentore, thirrja jonë ra në vesh të shurdhët sepse pas protestës së 23 prillit, veç mediave sociale e vetëmediatizimit nga studentët, shumica e stacioneve televizive as që e pasqyruan mobilizimin e jashtëzakonshëm studentor. Nuk u duk gjëkundi si lajm se studentë të universiteteve publike, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe i Histori-Filologjisë bojkotuan mësimin duke u bërë bashkë në sheshin përballë kryeministrisë më shumë se çdo subjekt a organizim tjetër universitar të paktën këto dhjetë vitet e fundit. Nuk u pa, as u dëgjua se qytetarë kanë marrë fjalën e flasin tjetër nga perspektiva e tyre për efektet shkatërruese të lëtyrës që po na e servirin si reformë. Siç duket, po fillojnë të reagojnë të gjithë përveç mediave që edhe nëse mund të kenë shërbyer ndonjëherë si hapësirë e lirë dhe kritike në përcjelljen e lajmit, tanimë kanë hequr dorë tërësisht duke i dhënë zë vetëm subjekteve të ndryshëm partiakë sipas rastit dhe përkatësisë pozitare apo opozitare.
Kështu, pushteti nuk është më i popullit, qytetarisë, akademikëve, por vetëm i atyre që supozohet të jenë përfaqësues e që në fakt janë vetëm shushunja parathithëse të cilat mund të blejnë gjithçka, çdo hapësirë të lirë e publike siç duhet të jenë mediat. Pushteti sot është vetëm i një klike burrash e grash biznesi me poste qeveritare që i kanë kthyer institucionet publike në pallate ku luhet teatër aristokratësh, nga ta dhe vetëm për ta, ku në qendër vihet padyshim mega pallati teatro-pushtetor i kryeministrisë. Them pallat-teatro sepse në të tillë është kthyer, madje do guxoja të shtoja që ky i fundit ka potencial e një kast goxha të mirë aktorësh kukulla në përbërje të tij.
Dua të çoj më tej logjikën e shfaqjes teatrale, ku zoti regjisor a regjisor-zot i së cilës është vetë kryeministri i cili, pa marrë parasysh asgjë dhe askënd tjetër, vendos të ngrejë një komision marionetash me kollare që nëpërmjet lojës së tyre do të realizojë një skenar të frymëzuar nga vende e kohë krizash.
Për të korrur sukses, aktorët duhet t’u qëndrojnë besnikë deri në fund skenarit të thurur nga regjisori-zot kryeministër. Kështu, aktori-kukull nuk përbën më një personazh që identifikohet për shkak të rolit, por thjesht si instrument që shërben vetëm për të mbushur ngjarjet. Sakaq ngjarjet në shfaqjen tonë teatro-pushtetore nuk janë aq lineare sa ç’mund të duken sepse regjisori është kujdesur për bukuri për çdo detaj, ku për të mos e bërë të mërzitshme skenën, vendos në rol një tjetër kukull-aktore dhe e rastit tonë është ministrja barbi-Nikolla, e cila padyshim i jep më shumë ngjyra jo vetëm daljeve të saj skenike, por edhe shfaqjes në tërësi.
Nëpërmjet daljeve të deritanishme, barbi-aktorja protagoniste shprehet sa herë mundet se i digjet zemra për vuajtjet e familjeve e studentëve shqiptarë. Ndaj dhe vihet në rol që duke e parë “të vërtetën në sy” , më në fund të gjitha vuajtjet do të çlirohen krejt lehtë duke jetuar të lumtur.
Po, po të lumtur, sepse punë do të ketë për të gjithë, edhe për atë që s’ka para të paguajë shkollën, të cilit në rast se i sigurohet një vend pune (call center a fasoneri qoftë, mjaft që të jetë punë) nuk ka nevojë fare të shkojë në shkollë. Fundja nuk ka ç’i duhet sepse dija është thjesht dhe vetëm luks, e blen ai që mundet. Rëndësi ka thjesht që ky subjekt i supozuar student, por i vendosur jashtë ngjarjes, të ketë me ç’të merret dhe kaq. Qoftë edhe ndonjë punë ekzotike duke shitur çamçakëzë e çokollata qosheve të kushedi ç’biznesi të vendosur në hapësirat universitare të privatizuara si për t’i bërë karshillëk dijes që do jetë shuar ndërkohë.
Deri këtu filozofia e shfaqjes është e thjeshtë. Pra, kemi ngjarjen që duhet të prodhohet – reformimi i arsimit të lartë – ku e gjithë skuadra e aktorëve vihet në rolet përkatëse. Mirëpo vjen një moment kur shfaqja fillon e bëhet intensive, pikërisht ai ku suflerët (dekanë e rektorë) njëkohësisht edhe aktorë komisionesh, për ta bërë akoma më tërheqëse ngjarjen, i dalin kundër skenarit të përgjithshëm duke e mohuar pjesërisht atë.
Thelbi është që aktorë si Ervin Demoja në rolin e zv.rektorit të Universitetit të Tiranës, njëkohësisht edhe komisioner, për një moment nuk i përmbahet më skenarit, ndoshta edhe mund ta ketë harruar atë, ama kjo nuk ka rëndësi. Kështu, prej tyre të dëshiruar si spektatorë ama të merituar si bashkëregjisorë, neve na njihet e drejta edhe brenda qerthullit të ngushtë të tyre pa e kuptuar mirë as vetë ata.
Në këtë mënyrë çarja ndodh. Subjekti i përjashtuar fillon të pozicionohet fuqishëm në ngjarje dhe merr vëmendjen e munguar. Në këtë pikë, ne, subjekti kryesor edhe pse i panjohur nga shfaqja elitiste e regjisorit-zot, por bazikisht themeltarë të kushteve, duhet t’u japim fund të tilla skenave njëherë e mirë. T’i japim fund territ të dezinformimit, t’i japim fund frikës që mban ngërthyer pedagogët auditorëve që diç’ mendojnë, por gjë s’thonë. Ata duhet të dinë se nëse jemi bashkë, janë të tjerët ata që do të na tremben! Duhen shkundur themelet derisa të shkatërrohen tërësisht rrethet e ngurta e të ngushta të aktorëve -pushtetorë, biznesorë e çdo privati!
Thonë se forca është ajo që mundet, ndërsa vullneti është ai që do. Neve nuk na mungon as forca, as vullneti sepse liria më së pari duhet të jetë qëndrim, e ne qëndrestarë të lirisë universitare do të qëndrojmë deri në fund “Për Universitetin, Për Shoqërinë”!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.