/Jani Marka/
Tashmë çdokush e kupton se pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, askund nuk do të jetë më njësoj, as në Shqipëri. Natyrisht që askush nuk e di se si do të jetë e ardhmja e botës, por veç të shtrojë hipoteza të ndryshme që, varësisht nga subjekti që e shtron hipotezën, shtrihen diku në segmentin mes “utopisë” dhe “reales”. Shkurt, bota ose do bëhet më e mirë për shumicën, ose më e mirë për pakicën. Në këtë kuptim, ne duhet të luftojmë që bota të bëhet më e mirë për shumicën.
Menjëherë e kupton se e ardhmja e Shqipërisë varet në një masë shumë të madhe nga faktori i jashtëm, tek i cili, për më tepër, ne nuk kemi asnjë mundësi ndikimi. Më konkretisht, qyshse ndryshimi social-ekonomik në botë do të jetë i ndryshëm në vende të ndryshme, ne jemi të varur nga ndryshimet që do të ndodhin në ato shtete me të cilat kemi marrëdhënie social-ekonomike (Italia, Greqia, Gjermania, Turqia… Britania e Madhe, SHBA-ja, Kina), ose me ato shtete që hipotetikisht mund të përforcojmë apo vendosim marrëdhënie të reja.
Zinxhiri ekonomik global është i përbërë nga mijëra hallka dhe me pandeminë nuk janë këputur një apo dy hallka në këtë zinxhir gjigant, por shumë më tepër – mbi të gjitha janë këputur në të njëjtën kohë (p.sh. dy hallka të rëndësishme si turizmi dhe fluturimet kanë pësuar një goditje globale). Do të kemi një krizë ekonomike të jashtëzakonshme. Rritje të papunësisë, ulje të konsumit, ndryshim drastik të stilit të jetesës… e kështu drejt depresionit ekonomik. Për shembull, vetëm në SHBA brenda një jave rreth 6.6 milionë amerikanë u regjistruan si të papunë; shifër kjo e panjohur në histori; nëse i referohemi krizës së vitit 2008, në SHBA 6.5 milionë vende pune u humbën në harkun e disa viteve.
Beteja ideologjike me kapitalizmin – efikasitetin e tregut të lirë, neoliberalizmin –në pamje të parë duket si lehtësisht e fituar. Por çështja është se deri në çfarë thellësie praktike shkon kjo fitore ideologjike? Do mbetet fitore sipërfaqësore apo do të mbërrijë deri te thelbi i saj: shpronësimi i publikes dhe logjika e fitimit privat. Pra a do ndryshojë raporti pronë private/pronë shoqërore dhe fitim privat/shërbime publike?
Shqipëria rrezikon një krizë të thellë ekonomike, ndaj së cilës nuk di të them se deri në ç’masë emigracioni mund të shërbejë si valvul shkarkimi, pasi kjo do të varet gjerësisht nga ndryshimet ekonomike dhe politike që do të ndodhin në Evropë.
Krizës që pritet të thellohet në Shqipëri do të përpiqen t’i kundërvihen të gjithë, por sipas interesave të ndryshme dhe fuqive të ndryshme. Por kush janë këta të gjithë? Mendoj se këtu është thelbësore të bëjmë një ndarje në dysh të shoqërisë. Në njërën anë janë ata që na sundojnë drejtpërdrejt – oligarkët dhe një grusht politikanësh në kontroll të tyre – dhe prej këtij grushti mbarë sistemi politik-juridik-policor-mediatik, por edhe biznesi i madh dhe bankat. Në anën tjetër është mbarë shoqëria, por e ndarë në shtresa, grupe shoqërore dhe, në pamje të parë, me “interesa të ndryshme”: tregtarët e mesëm dhe të vegjël, profesionistët (mësuesit, mjekët, pedagogët, farmacistët etj.), punëtorët (fasoneri, call-center, prodhim dhe shpërndarje ushqimesh, industri nxjerrëse, ndërtim etj.), të papunët, studentët, bujqit, pensionistët etj. Rreshtimi dhe fuqia e këtyre grupeve shoqërore janë të ndryshme. Të parët janë disa qindra njerëz që e kanë relativisht të lehtë të bëhen bashkë dhe të merren vesh për projektin e tyre të privatizimit dhe fitimit. Ndërsa grupi i dytë, për shumë arsye, e ka shumë më të vështirë të bëhet bashkë. Megjithatë, për të sjellë ndryshime tranformuese nuk është e nevojshme që i gjithë populli të bëhet bashkë, mjafton vetëm një pjesë e tij, por me fuqi më të madhe, si masa e madhe e punëtorëve, studentëve dhe tregtarëve të vegjël.
E ardhmja e zymtë që na pret në afatshkurtër/afatmesëm, sado e pashmangshme, nuk ka për të ndodhur pavarësisht nesh. Natyra dhe thellësia e saj do të varet edhe nga marrëdhëniet shoqërore dhe betejat shoqërore që do të zhvillohen.
Çfarë duhet të bëjmë?
Pikësëpari, të fitojmë betejën ideologjike. Nuk jemi në këtë gjendje për faj të virusit; viruset kanë ekzistuar gjithmonë; madje në 20 vitet e fundit na kanë dhënë mjaft paralajmërime serioze (Sars, Ebola). Jemi në këtë gjendje për shkak të sistemit, një sistemi që është i prirë drejt fitimeve private në kurriz të të mirave publike. Sot, nëse sistemi shëndetësor do të ishte i investuar dhe i zhvilluar pasojat do të ishin më të lehta për të gjithë, jo vetëm për shtresën e të privilegjuarve të shoqërisë. Është e vërtetë që virusi nuk bën dallime klasore në infektimin biologjik, ama kur vjen puna te mbrojtja dhe kujdesi shëndetësor kuptohet se kush i ka mundësitë i pari për t’i shpëtuar koronavirusit.
Së dyti, të politizohemi dhe të rreshtohemi politikisht. Ta çajmë shoqërinë në dysh dhe të ndajmë mendjen racionalisht se cilit grup i përkasim. Armiku nuk është virusi i padukshëm, siç na thonë, por sistemi dhe ata që e drejtojnë dhe përfitojnë prej tij. U përkasim atyre që na sundojnë ekonomikisht dhe politikisht apo atyre qe në tërësi shfrytëzohen dhe sundohen? Nëse jemi të pasigurt, le të gjykojmë gabimisht për përkatësinë tonë, qoftë edhe për një moment të shkurtër, ta nxjerrim veten jashtë këtyre dy grupeve dhe të shtrojmë pyetjen se me cilin subjekt është e drejtë të identifikohemi? Dikush ka shkruar se ndryshimet e mëdha ndodhin kur plotësohen dy kushte: 1) ‘kur çdokush e kupton se diçka po shkon keq’, dhe 2) ‘kur çdokush e kupton se edhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar që gjërat po shkojnë keq’. Armiku i dukshëm, sunduesit, do të bëjë çmos ta pengojë çlirimin tonë. Prandaj ne duhet të guxojmë të mendojmë jashtë parametrave të paracaktuara nga ata që na sundojnë.
Së treti, të organizohemi për të mbrojtur publiken, duke ndalur dhe zmbrapsur privatizimet, koncesionet, PPP dhe zgjeruar publiken. Në kushtet ku jemi, veçanërisht sistemi shëndetësor, arsimor dhe burimet natyrore duhet të mbrohen me çdo kusht.
Së katërti, të organizohemi për të penguar mbështetjen financiare të oligarkëve dhe sistemit bankar, duke rritur borxhin publik, koston e të cilit do ta mbajnë qytetarët e zakonshëm, ndërsa ata sipër do të vjelin fitime të majme. Çdo mbështetje financiare duhet të shkojë drejtpërdrejt te njerëzit e zakonshëm. Çka nënkupton edhe luftën për miratimin e minimumit jetik.
Së pesti, të organizohemi për demokratizimin e shoqërisë, demokratizimin e sistemit politik, duke u rezistuar fashizmave që pritet të thellohen në mungesë të rezistencës (veçanërisht politikat e Erion Veliajt; përjashtimi; brutaliteti policor etj.).
Së gjashti, të nxisim organizimin e ri sindikal nga poshtë, nga vetë punonjësit, si në sektorin privat ashtu edhe atë publik. E keni vëne re që në hapësirën mediatike nuk ka zë për punëtorët dhe sindikatat e reja, por vetëm për shoqatat e biznesit!? Të ndërtojmë rrjeta bashkëpunimi dhe solidariteti mes sindikatave të reja dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
Së shtati, të përfytyrojmë një model tjetër të zhvillimit ekonomik, ku turizmi në shkallë të gjerë për shembull nuk mund të jetë model i qëndrueshëm, si nga pikëpamja mjedisore ashtu edhe social-ekonomike. Në sistemin kapitalist krizat ekonomike janë të pashmangshme dhe kjo që do përballemi nuk ka asnjë arsye të mendohet si kriza e fundit e tij. Por nëse ‘normaliteti i ri’ që do të vendoset në afatmesëm do të jetë më i favorshëm për sunduesit, krahasimisht me sot, atëherë kriza tjetër e përmasave globale do të jetë edhe më e rëndë se kjo që do të kalojmë. Po ashtu, ndoshta duhet të mendojmë për një shpërndarje tjetër demografike të Shqipërisë, të ndryshme nga përqendrimi i gjysmës së popullsisë në Tiranë-Durrës. Natyrisht që këto, edhe me vizionin e duhur, kërkojnë shumë kohë që të materializohen. Shqipëria duhet gjithashtu të ndjekë me vëmendje krizën mjedisore globale dhe, krahas zhvendosjes drejt një ekonomie të gjelbër, duhet të marrë masa parandaluese ndaj katastrofave mjedisore në shkallë të gjerë, siç mund të jenë përmbytjet në njërën anë, por edhe thatësirat e zgjatura dhe ulja e burimeve hidrike në anën tjetër. Shkenca duhet të jetë kontribuuesi kryesor në zhvillimin teorik të këtyre modeleve, prandaj duhet një financim i qenësishëm i kërkimit shkencor në Shqipëri.
Nëse nuk mbrojmë publiken, veçanërisht sistemin shëndetësor dhe arsimin, nëse nuk mbrojmë të drejtat e punëtorëve, vuajtjet shoqërore në të ardhmen do të jenë sërish të mëdha kur të vijë kriza e radhës. Ata që vuajnë sot do të vuajnë edhe nesër, por më të shumtë në numër. Duhet të hedhim sytë rreth e rrotull e të shikojmë me mprehtësi se kush vuan, kush sakrifikon. E sigurt është që përgjegjësit e krizës, oligarkët, bankierët, politikanët nuk po vuajnë. Ata që po vuajnë janë të papunët, punëtorët, studentët, pensionistët dhe të pastrehët. Kur ndodh që më pyesin për organizatën ku bëj pjesë “Po ç’është ky emër Organizata Politike?”, u përgjigjem se siç e dëfton edhe vetë emri ka dy komponentë: politiken dhe organizimin. Duhet të organizohemi politikisht për të mbrojtur dhe përparuar të drejtat tona. Përndryshe, ata që na sundojnë, pikërisht përmes organizimit të tyre–ekonomik, politik dhe ideologjik – kanë për ta thelluar shtypjen, shfrytëzimin dhe keqqenien tonë. Por ne nuk kemi asnjë mundësi të organizohemi ekonomikisht, i vetmi mjet që kemi në dorë është organizimi politik dhe ideologjik. Sot askush nuk e ka luksin të jetë indiferent. Indiferenca e paanësia janë fitore për sunduesit. ‘Kur shumica e njerëzve heshtin, njerëzit e këqij fitojnë!’
Imazhi: Jacob Lawrence
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)