Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
Më mirë një vezë sot
/Suzana Kurtallari/
“Ata, studentët e PD-së” – na quajtën dje në parlament dhe nuk u vë faj. Fillimisht duhet të dimë se në vend të PD-së mund të ishte PS-ja, LSI-ja apo çdo subjekt tjetër politik, varet se kush do ngrinte akuzat. Së dyti, togfjalëshi i mësipërm shpreh gjithë kulturën politike ekzistuese në Shqipëri, të përhapur pikërisht nga ai që quhet institucioni përfaqësues i popullit. Them “që quhet” sepse zor se është më i tillë. Madje pyes veten nëse ka qenë ndonjëherë. Jo më kot studentët e emërtuan atë “Kuvendi i Republikës së Privatëve”. Nëse shet e privatizon energjinë, shëndetësinë, arsimin, “shet” popullin tënd duke e lënë atë rrugëve të Evropës në kërkim të azilit, ç’mund të presësh prej të tillë kuvendi apo institucioneve të zgjedhura prej tij?! Ca më keq, ç’mund të presësh nga populli të cilit i është mësuar që vetëm duke “i përkitur” një pale, duke menduar e vepruar siç thonë ata, mund të studiosh, punosh e jetosh denjësisht?!
Unë e di që ju nuk mund të perceptoni një identitet emancipues e të pavarur që mendon e vepron kritikisht. Askush nuk është i aftë të përfytyrojë jashtë botëkuptimit të vet. Por po ju zhgënjej zotërinj. Ata studentë nuk janë të shitur. Ata nuk mbajnë flamurin e asnjë partie, ata nuk kanë miq “të fortit” që të blejnë diploma e gjejnë punë në administratë. Po, ata punojnë e studiojnë. Punojnë, shfrytëzohen, por gjejnë kohë edhe për të studiuar. Madje janë më të zellshmit në studime pasi e shohin atë si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar mizerjes së këtij brezi. Ata nuk shiten! Të vetmit të shitur në këtë mes jeni ju! Ju që duke shitur arsimin e lartë tek interesa personalë afatshkurtër po shisni një brez të tërë, edhe më keq: po shisni të ardhmen e një populli.
Të tjerë na quajtën rebelë, madje edhe të painformuar që lënë orët e studimit për të dalë në rrugë. Këtyre, së pari, po u them që ky sistem arsimor nuk ka më ç’të na mësojë, ai është thuajse i shkatërruar dhe dorën e fundit po ia jep kjo reformë. Boll na mësoi si shiten notat, librat, diplomat, e drejta e studimit etj! Tani po na mëson si shitet një universitet, si shitet publikja. Së dyti, këtyre skeptikëve po u them që mësimi i vërtetë bëhet protestave në rrugë, aty ku mendohet e veprohet bashkërisht. Aty ku mësohet sesi të mbrosh të drejtat tua është më i rëndësishëm se çdo teori tjetër shkollore, pa le pastaj palo teoritë e leksionet e mykura ideologjikisht të ligjëruesve me power point. Aty ku të drejtën ta jep fuqia e argumentit dhe jo pozicioni. Aty në rrugë, në shesh, në agorë. Aty ku çdo gjë është e gjithkujt!
Kishte edhe nga ata që u ankuan për vezët në drejtim të parlamentarëve. Mos u shqetësoni! Siç u shpreh me ironi një nga protestuesit: “E vetmja gjë që u bë pis ishin pantallonat e Ndrecës, ndërgjegjen e ka të pastër”. Ajo vezë nuk shkoi huq aspak, por së pari duhet t’i kishte rënë kryeM-së, më pas kukullës Nikolla, kabinetit qeveritar që ndjek çmenduritë e Ramës, deputetëve të opozitës që u bie ndërmend të kundërshtojnë shumë vonë e që kundërshtojnë për hir të kundërshtimit e pa forcën e duhur dhe, në fund, pronarëve të diplomoreve private. Atëherë mund të ishim më të qetë me premtimin që “një vezë është pak për ata që shesin arsimin”