/Alexander Livingston/
Establishmenti ka shumë dëshirë të citojë Martin Luther King-un si një mënyrë për të çlegjetimuar protestat militante dhe për të turpëruar protestuesit e pashtruar. Por King-u nuk ishte ithtar i protestës pasive e të bindur – për të, veprimi i padhunshëm kishte të bënte me farkëtimin e një force kolektive të jashtëzakonshme që do të mund t’i detyronte elitat sunduese të pranonin kërkesat për drejtësi.
Represioni politik në Shtetet e Bashkuara është njëherësh spektakolar dhe banal. Në javët e kaluara i kemi parë të dyja pasi, në njërën anë, forcat e militarizuara të policisë po ndërmarrin fushata antikryengritëse kundër civilëve amerikanë, ndërsa në anën tjetër brutaliteti shoqërohet nga thirrjet ndaj protestueseve që të qëndrojnë të qetë.
Kur elitat në pushtet bëjnë thirrje për paqe, në fakt po kërkojnë bindje. Kur citojnë në mënyrë cinike e jashtë kontekstit thëniet e Martin Luther King Jr-it dhe bëjnë thirrje për të drejtat e “protestuesve paqësorë”, teksa denoncojnë protestat ekzistuese, në të vërtetë po shpallin se asnjë protestë efektive nuk do të jetë kurrë paqësore mjaftueshëm sa për të merituar miratimin e tyre. Elitat në pushtet, ekspertët dhe policia përdorin retorikën kundërdhunë për të disiplinuar protestuesit dhe zhvendosur përgjegjësinë për dhunën shtetërore te viktimat e saj.
Ne nuk duhet të biem në grackën e tyre. Nuk ka asgjë paqësore në lidhje me kundërdhunën nëse po veproni siç duhet.
Kundërdhuna nuk ka të bëjë me të luajturit sipas rregullave, veprimin brenda institucioneve ekzistuese ose mosangazhimin në protesta kërcënuese. Veprimi i drejtpërdrejtë i padhunshëm është veprim i drejtpërdrejtë. Nuk është sakrificë e shenjtëruar ose moralizim idealisti, por një teori e fuqisë dhe repertor i taktikave për përdorimin e saj. Kundërdhuna efektive ka të bëjë me ushtrimin e veprimit kolektiv për të trazuar funksionimet normale të shoqërisë.
Martin Luther King Jr-i e kuptonte diçka të tillë më mirë se shumëkush. Ndonëse opinionistët kanë të drejtë kur thonë se King-u ishte kundër taktikës së trazirave, ai i mbronte rebelët si shprehës të zemërimit të arsyeshëm kundër një rendi racist kapitalist që i brutalizonte, shfrytëzonte dhe i linte në mëshirë të fatit banorët zezakë të getove urbane. Për të, rebelimi ishte zemërimi që digjte fort; rindërtimi radikal që ai kishte ndër mend për shoqërinë amerikane kërkonte që ky zjarr të vazhdonte gjatë.
Është e vërtetë që King-u mendonte se veprimi i drejtpërdrejtë i padhunshëm, i ushtruar në mënyrë militante, ishte moralisht më i mirë se trazirat – por ç’është më e rëndësishmja, ai mendonte se ky veprim përfaqësonte një rrugë më premtuese për t’u përballur drejtpërdrejt shtetin amerikan. Kundërdhuna, siç e konceptoi në fund të jetës së tij, ishte një mjet për të kanalizuar mllefin popullor në një forcë luftarake që mund të përbënte një kërcënim më të drejtpërdrejtë për administratën e Johnson-it.
Për të artikuluar këtë vizion të “mosbindjes civile masive”, King-u i hidhte sytë drejt lëvizjes punëtore. Në raportin e vitit 1966, si kreu i Konferencës së Lidershipit të Krishterë Jugor, King-u përmendi grevën e tridhjetë e pesë mijë punonjësve të linjës ajrore të asaj vere si një shembull i fuqisë së padhunshme në veprim. Pronarët dhe politikanët, këmbëngulte ai, duhej të detyroheshin të bënin lëshime. Punëtorët e linjës ajrore e ushtruan këtë lloj detyrimi përmes mospranimit të koordinuar e të disiplinuar të bashkëpunimit me pronarin, duke fituar kontratën e parë që i përfshinte të gjitha linjat ajrore.
Raporti i King-ut mbështeste përkufizimin e Walter Reuther-it, kreut të sindikatës Punëtorët e Bashkuar të Automjeteve (UAW) mbi pushtetin si “zotësia për ta bërë korporatën më të madhe në botë, General Motors-in, të thotë po, kur dëshiron të thotë jo.” Punëtorët i detyrojnë menaxherët të bëjnë atë që nuk duan të bëjnë duke ndërhyrë në mundësinë e tyre për të nxjerrë fitim. Është puna ajo që i vë makineritë në lëvizje dhe kur punëtorët refuzojnë të punojnë, makinat ndalen. Grevat ushtrojnë pushtet mbi punëdhënësit duke e bllokuar pushtetin e punëdhënësve në burimin e tij.
Mosbindja civile masive – siç e përfytyronte King-u në Fushatën e Njerëzve të Varfër (Poor People’s Campaign) – ishte një program i ngjashëm i shtrëngimit të padhunshëm, duke e detyruar qeverinë federale të shkonte kah një transformim radikal i shoqërisë amerikane.
Vala e vazhdueshme e protestave është dëshmi e brishtësisë së pushtetit shtetëror, kur njerëzit kolektivisht refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet. Thirrjet e Presidentit Donald Trump për të “dominuar” protestat kanë rezultuar të kota, pasi intensifikimi i shtypjes veç sa e çlegjitimon sistemin e tanishëm. Dhuna policore ka bërë që protestat të përhapen si zjarr i pakontrolluar. As shkatërrimi i pasurive dhe plaçkitjet nuk i kanë frenuar ato. Përkundrazi, sondazhet tregojnë një mbështetje të gjerë për qëllimet e lëvizjes Black Lives Matter.
Pandemia, qartësisht, ka krijuar çarjen ku mund të depërtojë kjo e padhunshme. Sulmi ndaj shëndetit publik, braktisja e njerëzve të varfër dhe njerëzve me ngjyrë, si dhe papunësia masive kanë nxjerrë në pah patologjitë e sistemit politik të SHBA. Humbja dhe ngrirja e miliona vendeve të punës po i mbajnë protestuesit në rrugë, ndërkohë që masat izoluese të mëhershme ka të ngjarë ta kenë ulur koston e agjitacionit të vazhdueshëm. Kjo ndërlidhje faktorësh ka bërë të mundur që zemërimi kolektiv të ngjizë një solidaritet ndërracor për një mosbindje civile me të vërtetë masive.
Elitat po përpiqen dëshpërimisht ta çlegjitimojnë këtë zemërim, sërish duke evokuar King-un dhe mitet e kundërdhunës. Ata preferojnë protesta civile kokulura. Po ndonëse King-u mbështetej në një gjuhë të krishterë dashurie për të përkthyer satyagraha-n gandiane në përditshmërinë politike të traditës ungjillore shoqërore të zezakëve, ai kurrë nuk e vuri në dyshim se zemërimi mund të bëhet një forcë krijuese. Solidariteti gjendet në njohjen e zemërimit dhe fuqia në përdorimin e tij për ta përkrahur rezistencën kolektive pavarësisht dhunës. Ai shkurajonte me kujdes zemërimin që mjegullonte gjykimin dhe degradonte në një lloj shpërthimi reaktiv nga i cili përfitonte shteti.
Kësisoj, përmbajtja e zemërimit pa shkuar në dhunë nuk do të thotë të flasësh me ton civil, por ta përdorësh zemërimin për t’i dhënë energji rezistencës kolektive pa u konsumuar prej tij. Siç ka argumentuar Barbara Deming-u, mungesa e dhunës nuk është një fantazi e pastërtisë shpirtërore, por mjet për të kthyer dorë me zemërim dhe me vetëpërmbajte ndaj dhunës.
Duke reflektuar mbi mësimet që nxori nga greva e punëtorëve të linjave ajrore, Martin Luther King-u vuri në dukje: “Ndikimi dhe presioni morali mund të vazhdojnë të përgatisin klimën për ndryshim, por nëse duam ta arrijmë qëllimin tonë, kemi nevojë për një fuqi të mirëfilltë për ndryshim.” Sfida e vizionit të King-ut për mosbindjen civile masive është se si inati dhe zemërata të shndërrohen në fuqi. Përballja me këtë sfidë, sot, nuk duhet të shërbejë si pretekst për moralizim liberal apo dhënie mend aktivistëve; është provokim të pranosh atë që me të vërtetë kërkon paqja.
Paqja që synon lufta e padhunshme nuk arrihet duke u përshtatur me status quo-në, duke luajtur sipas rregullave ose duke iu bindur normave të drejtësisë liberale. Paqja mund të fitohet vetëm në luftën kundër “ligësive të trefishta” të kapitalizmit, racizmit dhe militarizmit në themelet e sundimit të dhunës.
E përktheu Bora Mema
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Derek Russell